Kursimi i energjise ne gatim

Pergatiti: Rita Strakosha, ritastrakosha@yahoo.com

 

Foto: Përdorimi i metodës së termoizolimit në gatim

Me ndihmën e kutisë termoizoluese mund të gatuani gjellën duke e zier vetëm 5 minuta në zjarr.

Ideja është e thjeshtë: Pasi gjella merr një valë (lihet disa minuta të ziejë që temperatura të penetrojë dhe copat e mëdha të ushqimit) tenxherja e gatimit mbulohet gjithandej me material izolues. Materiali izolues nuk lejon largimin e nxehtësisë. Gjella gatuhet në nxehtësinë e marrë.

Si material izolues natyral mund të përdoret sana, tallashi, puplat, levozhgat e orizit, të misrit, gezof etj. Materiale të tjera që përdoren janë buka e peshkut (por kjo mund te leshoje tymra toksikë, prandaj midis kësaj dhe tenxheres duhet të ketë folie alumini), gazeta, fletë alumini etj. Trashësia e mbushjes me material termoizolues rekomandohet të jetë 4-8 cm.

Në një metodë primitive termoizolimi në gatim hapin një gropë, të cilën e veshin me gurë të nxehur në zjarr. Ena me gjellën futet në gropë dhe mbulohet me gjethe. Pastaj kjo mblohet me dhe. Nxehtësia e gurëve largohet me vështirësi dhe gjella gatuhet shumë ngadalë.

Një versioni modern i kutisë termoizoluese përdor materiale plastike me dopio faqe me vakum midis faqeve.

Që materiali mos të shpërndahet dhe ti japim formë me lehtësi përgatisim 2 jastiqe të bollshme, të gjerë të mbushur me psh. sanë ose fije tallashi. Tenxherja zhytet në mes të njërit jastëk dhe mbulohet mirë nga jastëku i dytë. Kompleti futet në një kuti dërrase, ose kartoni,   ose në një cantë rrugëtimi.

Foto: Jasteqet jane mbushur me material termoizolues

Ose shtrojmë një kovë të madhe me gazeta të bëra shuk. Mbushim një jastëk me gazeta shuk. Tenxheren me gjellën e nxehtë e fusim në kovë dhe e mbulojmë me jastëkun me gazeta.

Tenxherja mundësisht ta ketë kapakun të tillë që të mos lejojë daljen e avujve. Personalisht po eksperimentoj me tenxheren me presion.Në kohët e vjetra buzët e tenxhereve i mbyllnin hermetikisht me brum.

Materiali  termoizolues i përdorur duhet të ketë këto karakteristika:

  • Duhet të durojë temperaaturat e larta (deri ne 100 gradë C) pa shkrirë.
  • Nuk lëshon tym toksik
  • Mund të mbështjellë mirë tenxheren. Kutia (ose canta kur përdoret cantë) duhet të mbushet plot me material termoizolues.

Në varësi të ushqimit që gatuhet kutia termoizoluese mund të kursejë 20-80% të energjisë që harxhohet normalisht. Sa më shumë kohë kerkon gatimi i recetës me mënyrat e zakonshme aq më shumë energji kursen kutia termoizoluese. Sa më plot të jetë e mbushur tenxherja aq më mirë e mban nxehtësinë.

Nga ushqimet e ndryshme orizi gatuhet më shpejt dhe më lehtë në kutinë termoizoluese. Pilafi behet per 35 minuta ne kutine termoizoluese, raporti uje: oriz eshte 2:1, jo 2.5: 1 (sepse pak ujë avullon). Qepa është më e vështirë. Qepën mund ta shtypim me kripë në havan për ta zbutur përpara se t’ja hedhim gjellës, kështu nuk ka nevojë pvr kaurdisje. Mishin e fortë mund ta marinojmë paraprakisht për të shkurtuar kohën e gatimit. Kurse farat si fasulen, bathet, thjerrezat mund ti leme ne uje 12-24 ore para gatimit.

Mund të ndodhë që temperatura e gjellës në kuti të bjerë nën 60 oC, dhe nëse tenxherja lihet në këtë temperaturë për më shumë se 4 orë mikrobet patogjene mund të jenë shumuar në masë të rrezikshme, prandaj mirë është që kur gjella lihet në kuti për më shumë se katër orë (nuk më është dashur ndonjëherë ) përpara përdorimit të marrë një valë të dytë.

Literatura:

http://en.wikipedia.org/wiki/Haybox

http://www.selfsufficientish.com/main/blog.php/2008/06/30/hay-box-cooker-an-old-invention-out-of-new-materials-by-the-self-sufficient-guru-nev-sweeny/

http://lilaccottagegoats.blogspot.com/2011/01/retained-heat-cooking.html

http://thermalcooker.wordpress.com/category/thermal-cookers/haybox/

http://autonopedia.org/crafts_and_technology/Woodburners/Wood_Cook_Stove_Design.html

This entry was posted in Kursimi i energjise & lendes, Kuzhina ekonomike. Bookmark the permalink.

2 Responses to Kursimi i energjise ne gatim

  1. Pingback: Kursimi i energjise ne gatim | Talk-for.com

  2. Pingback: Ushqyerja e shendetshme | Si te mbijetojme KRIZEN ekonomike

Comments are closed.