Lekura natyrale, prodhimi artizanal i saj

Përgatiti: Rita Strakosha, ritastrakosha@yahoo.com

Foto: Punishte lëkurëpunuese në Marok

Lëkura e përpunuar e kafshëve ka shumë përdorime si psh. në prodhimin e këpucëve, çantave, rripave, veshjeve etj. Sot në shumë përdorime të saj ajo është zëvendësuar nga lëkura sintetike (nën-produkt i naftës dhe kjo).

Që lëkura e kafshëve të therura të bëhet e përdorshme ajo duhet përpunuar. Bërja e lëkurës natyrale me metoda artizanale është një proçes i gjatë dhe i pistë. Është një proçes që shfrytëzon burime të rinovueshme lënde të parë, kështu mund të kryhet dhe në mungesë të lëndëve të para sintetike apo që mund të sigurohen dhe lokalisht.

Lëkurat e përdorura mund të jenë të gjedhit, deleve, dhive, gicave, kuajve etj. Lëkurat e zogjve nuk bëhen lëkurë industriale. Lëkurat e lopëve janë të mira sepse japin lëkurë të fortë.

Ruajtja e lëkurëve  

Për ti ruajtur lëkurët nga prishja derisa të fillonte përpunimi i tyre, lëkurat kriposeshin, në të thatë ose në shëllirë. Perpara fillimit të përpunimit lëkurat regjeshin për rreth 24 orë në ujë që të zbuteshin dhe tu largohej kripa. Pasandaj pastroheshin në ujë të bollshëm nga mbeturinat e mishit, gjakut, dhjamit.

  1. Regja dhe heqja e qimeve

Lëkura regjej në ujë gëlqeror, në finjë, ose në urinë. Regja i fryn lëkurat dhe lehtëson heqjen e pjesës së sipërme të lëkurës (epidermës), nxjerrjen e qimeve me thikë dhe pastaj tanizimin.

Regja në ujë me gëlqere psh. në Nepal bëhej si vijon:

Guri gëlqeror digjej në furrë për të përgatitur gëlqeren CaO, kjo shuhej me ujë dhe përgatitej kështu uji gëlqeror. Gropa e regjes mbushej me ujë gëlqeror dhe lëkerat liheshin rreth 1 muaj të regjeshin në të. Çdo ditë lëkurëpunuesi trazonte lëkurët në ujin gëlqeror që proçesi të përshpejtohej.

Regja në urinë në Romën e lashtë:

Lëkurëpunuesit dilnin në qytet dhe mblidhnin urinë nga banjot publike dhe shtëpitë. Urinën e linin në enë të hapura për rreth 1 javë që të avullonte dhe kështu amonjaku përqendrohej më shumë. Pas kësaj e regjnin lëkurën në të.

Pas regjes hiqeshin qimet. Heqja e qimeve kërkon shumë kujdes sepse është e lehtë të shpohet lëkura. Pas pastrimit lëkurat rikthehen në gropën e regjes për 1-2 ditë që të pastrohen nga lëngjet me të cilat janë trajtuar, dhe që këto të mos pengojnë proçesin e “shkurtimit”.

“Shkurtimi”: Për disa lloje lëkurash të holla, të cilat duhet të ishin të buta, aplikohej “shkurtimi”: pas largimit të qimeve, lëkura fërkohej me bajga. Bajgat e kafshëve mishngrënëse kanë një enzimë që tret kolagjenin e lëkurës. Lëkura pas trajtimit rri e lëshuar. Bajgat më të përdorura ishin të qenve dhe të pëllumbave. Nganjëherë ato hidheshin në ujë në një enë të madhe dhe lëkurat shtypeshin në të. Lëkurëpunuesi mund ti shtypte këmbë-zbathur për disa orë. Me ndryshimin e sasisë së materialit të përdorur, kohës së regjes, temperaturës së regjes ndryshonte dhe cilësia e lëkurës së prodhuar.

2.       Tanizimi

Qëllimi i regjes me taninë është që lëkura të bëhet e pa-kalbëzueshme dhe më pak e përshkueshme nga uji.

Tanina është subsancë që gjendet në shumë bimë, në gjethet dhe lëvoret e tyre. Kjo ka aftësinë të rrudhë lëkurën, ndjehet dhe në shije kur kafshohet psh. një frut i pabërë (i pasur me tanine). Në Europë si burim taninesh për përpunimin e lëkurëve përdoren lëvoret e dushkut, të gështenjës, kukutës, akacies etj.

Në ujin e gropës së regjes hidhej lëvore e grimcuar e bimës psh. e lisit.

Lëkura lihej të regjej disa javë. Çdo javë përzierja zëvendësohej me një përzierje të re, derisa lëkurëpunuesi gjykonte se lëkura ishte regjur mjaftueshëm. Lëkura hiqej dhe lihej të thahej.

Hollimi i lëkurës

Lëkurat kanë trashësi të ndryshme. Në varësi të qëllimit të përdorimit të tyre, lëkurat holloheshin. Hollimi i lëkurave bëhej me një thikë, pasi lëkura ishte lagur. Ky është një proçes që kërkon shumë eksperiencë, sepse është e lehtë bërja e vrimave në lëkurë ose prodhimi i lëkurave me trashësi të ndryshme.

3.      Zbutja

Lekura tani është e fortë si dërrasë. Në vartësi të përdorimit, nëse lëkura duhet të jetë më e butë, lëkurëpunuesi e regjte në ujë dhe pasandaj lyente anën e saj të brendshme dhe të jashtme me yndyrë. Zbutja me yndyrë rrit dhe jetëgjatësinë e lëkurës.

Kjo bëhej duke mbledhur fara të yndyrta, shtypur në havan dhe më brumin e përfituar fërkohej ana e brendshme e lëkurës. Ose përdorej yndyrë e përziher me ujë me sapun, ose e verdha e vezës, ose trutë e vetë kafshës të ziera në ujë. Fërkohej lëkura me këtë, palosej më dysh dhe shtypej me këmbë që yndyra të penetronte më kollaj në të gjithë lëkurën.

Tërheqja e lëkurës: Pas yndyrosjes bëhej tërheqja. Ky proçes duhej bërë nga fillimi deri në fund pa pushuar. Lëkura që është duke u tharë, tërhiqet në të gjitha drejtimet, kjo siguron që yndyra të penetrojë në fibrat e lëkurës. Tërheqja e lëkurës bëhej derisa ajo të thahej plotësisht, përndryshe lëkura forcohej prapë dhe yndyrosja-tërheqja duhej filluar nga e para.

Në mbarim lëkura bëhej rul dhe rrihej pas një guri të sheshtë për të sheshuar rrudhat. Ose përdorej një zall për fërkimin dhe sheshimin e rrudhave.

Copat e lëkurës që nuk përdoreshin i shfrytëzonin si lëndë e parë për të prodhuar zamkën shtazore.

Foto: Vegla të përdorura në mesjetë për punimin e lëkurëve.

Lyerja me bojë

Ngjyra natyrale e lëkurës pas tanizimit me bimë është kafe. Nuanca e saktë mund të ndryshojë në vartësi të bimës së përdorur për tanizim. Për të marrë ngjyrën e dëshiruar lëkura mund të lyhet.

Në një version prodhimi lëkure, lëkura nuk tanizohet por fillimisht fërkohet me trutë e kafshës së vrarë dhe pastaj tymoset për të mos u kalbur. Lëkurat e trajtuara me vetë trutë e kafshës janë të dëgjuara për butësinë e tyre dhe për aftësinë që kanë për tu larë pa u prishur.

Proçeset e shpjeguara më lart janë përshkrime të përgjithshme, në vija të trasha të proçesit artizanal të përgatitjes së lëkurës natyrale.

Literatura:

http://villageleathernepal.blogspot.com/2011/05/traditional-leather-tanning-in-nepal.html

http://en.wikipedia.org/wiki/Tanning

http://www.historyforkids.org/learn/clothing/leather.htm

http://publish.uwo.ca/~cmurison/cs2700b/CS2700B%20LEATHER.htm

http://www.alpharubicon.com/primitive/tanningdragoona.htm

http://en.wikipedia.org/wiki/Brain_tanning#Wet_scrape_method

http://www.wikihow.com/Tan-a-Hide

http://en.wikipedia.org/wiki/Leather

http://cool.conservation-us.org/don/dt/dt0253.html

http://www.shutterstock.com/pic-62408422/stock-photo-medieval-tannery-old-tools-for-leather-tanning-ancient-traditional-skin-processing-dried-skins.html

This entry was posted in Zevendesimi i materialeve sintetike. Bookmark the permalink.