Në shekullin e XIX-XX ekonomia botërore, dhe së fundmi dhe ekonomia shqiptare, pati një zhvillim shumë të madh në sajë të burimeve fosile (naftës, gazit natyror, qymyrit etj.) të cilat janë përdorur në transport, për prodhimin e energjisë, të plastikës, pesticideve, ngjitësve, bojrave, kozmetikës, ilaceve, pajisjeve mjekësore, detergjentëve, rezinave, pëlhurave etj.

Si çdo burim natyror dhe burimet fosile një ditë, që mendohet se do të ndodhë brenda disa viteve të ardhshme, do të arrijnë maksimumin (pikun) e prodhimit historik të tyre.

Sipas raportit  të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë mbi energjinë në botë, i publikuar në vitin 2010, nafta konvencionale (nafta që prodhohet me metodat e zakonshme të nxjerrjes) ka arritur pikun tashmë në vitin 2006. Nafta në gjithë format e saj pritet të arrijë pikun në vitin 2015, gazi disi më vonë. Piku i naftës e gazit do të shoqërohet me pakësimin e naftës, gazit natyror etj. derisa burimet fosile të mos jenë më burim i leverdisshëm energjie dhe lënde të parë.

Ky ndryshim “i papritur” në furnizimin me energji dhe lëndë të parë të “makinës ekonomike”, së bashku me mënyrën e funksionimit të sistemit ekonomik të bazuar mbi borxhet dhe rritjen e vazhdueshme, si dhe me degradimin ambjental, po shkakton krizë ekonomike në të gjithë vendet e industrializuara, duke prekur dhe Shqipërinë.

Energjia e lirë mundësoi industrializimin, urbanizimin dhe globalizimin. Pakësimi i saj mund të sjellë çindustrializim, çurbanizim dhe çglobalizim.

Ky sit informon mbi alternativat, mundësitë që kanë familjet tona, bizneset, qeverisja për të ndërprerë vartësinë tonë nga burimet fosile dhe për të arritur kështu jo vetëm kapërcimin e krizës së zgjatur dhe të rëndë ekonomike por dhe mbrojtjen e ambjentit nga ndryshimet klimatike katastrofike dhe degradimi i vazhdueshëm.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë njerëzimi ka 4 vjet kohë për të pakësuar masivisht emetimin e CO2 në atmosferë, përndryshe ndryshimet klimatike bëhen të pakthyeshme dhe të rrezikshme.

Alternativat mbi të cilat informon ky sit janë kryesisht:

  • Jeta kursimtare: kursimi i energjisë, i lëndëve të para etj.
  • Planifikimi familjar natyral
  • Bujqësia organike dhe bujqësia urbane, peri-urbane
  • Zhvillimi i energjisë së rinovueshme (alternative), sidomos i burimeve të vogla të energjisë që e prodhojnë energjinë aty ku konsumohet
  • Zëvendësimi i lëndëve sintetike me lëndë organike nënprodukte të bimëve dhe kafshëve në përdorimin e përditshëm, si psh. në kujdesin shëndetësor, në veshje, në kozmetikë etj.

Rita Strakosha

autore e blogut, strakosharita@gmail.com

Leave a comment