Terapitë kundër depresionit

Nga Rita Strakosha

Përmbajtja:

  1. Llojet e depresionit, simptomat
  2. Terapitë:
  • Terapia nutricionale,
  • Ushtrimet fizike,
  • Terapia cirkadiane,
  • Terapia e deprivimit sensorial,
  • Kontakti me njerëzit (dhe gjallesat)
  • Banjot e diellit
  • Detoksifikimi,
  • Terapitë e relaksimit,
  • Terapia konjitive
  • Psikoanaliza,
  • Terapia me ilaçe,
  • Elektroshoku.

3. Prognoza e depresionit

  1. Simptomat dhe llojet e depresionit

Depresioni është ndër crregullimet më të rënda nervore.

Disa nga simptomat e depresionit janë:

  • Humori i rënë, i mërzitur (sikur i janë mbytur gjemitë, qan), nuk i intereson asnjë aktivitet i përditshëm (nuk i intereson loja, puna, seksi, shoqëria etj.);
  • Ndjehet bosh, jeta i duket kot, pa shpresë;
  • I duket vetja pa vlerë;
  • Ndjehet fajtor për gjërat që i ndodhin vetes ose të tjerëve, edhe kur nuk ka faj ose faji është i papërfillshëm në krahasim me ndjenjën e fajit që ka personi;
  • I irrituar;
  • Ka vështirësi në përqëndrim;
  • Ka problem me memorjen afatshkurtër;
  • Fle shumë ose shumë pak dhe nuk ndjehet i çlodhur pasi fle;
  • Ha shumë ose shumë pak;
  • Ka mendime, fantazi për vetëvrasje;
  • Është i ngadaltë në lëvizje (bradikinezi), ose nuk lëviz fare (katatoni), ose bën lëvizje nervoze (i axhituar).

Kur episodi depresiv është i rëndë mund të shoqërohet dhe me psikozë, gjatë së cilës personi ka mendime deluzionale që nuk kanë asnjë llogjikë, ose dëgjon zëra, shikon gjëra që nuk ekzistojnë. Mund të kalojë në katatoni, ku rri pa lëvizur me orë e ditë të tëra.

Sipas manualit diagnostik simptomat duhet të mbajnë 2 javë që të kemi episod depresiv.

Simptomat e episodit manjakal

Episodi manjakal ka disa simptoma të kundërta me episodin depresiv:

  • Personi ka shumë vlerësim për veten, është shumë krenar;
  • Ka humor të mirë, është euforik (por me përkeqësimin e manisë kjo shndërrohet në irritim, madje deri në agresivitet);
  • Fle pak, dhe ndjehet i ngopur me gjumë (edhe nëse fle vetëm 3 orë/natë);
  • Flet shumë dhe shpejt;
  • I vijnë shumë mendime në kokë, të cilat ikin e vijnë me shpejtësi;
  • Ka shumë aktivitete, është i axhituar;
  • I papërqëndruar (shpërqëndrohet nga stimuj të vegjël, të parëndësishëm);
  • Përfshihet në aktivitete të rrezikshme (psh. blerje të tepruara, aventura seksuale, investime të rrezikshme etj.).

Kur mania rëndohet mund të shfaqen dhe simptoma psikotike, dmth.  të menduarit çorganizohet, bëhet pa lidhje; personi mund të dëgjojë zëra ose të shikojë gjëra që nuk ekzistojnë. Nga hiperaktiviteti personi mund të kalojë në katatoni (nuk lëviz fare). Faza më e rëndë e manisë është mania delirante, ku personi krahas simptomave të tjera, humbet dhe ndërgjegjen e kohës, vendit, vetes (humbet kujtesën afatshkurtër e nuk di se kush është, ku është, çfarë kohe është; pra është në delir). Personat në mani delirante mund të vdesin.

Simptomat e episodit manjakal pasojnë simptomat e episodit depresiv, në një cikël që zgjat me muaj ose ditë, madje dhe me orë (psh. personi është ca ditë depresiv, ca ditë manjakal pastaj përsëri depresiv, e kështu me rradhë). Simptomat e episodit manjakal mund dhe të përzihen me simptomat e episodit depresiv, duke krijuar një depresion miks.

Kur depresioni arrin shkallën më të rëndë të tij, dmth. depresionin bipolar me simptoma psikotike, atëhere bëhet shumë i ngjashëm me skizofreninë. Madje studimet tregojnë se nga ana gjenetike skizofrenia dhe depresioni  kanë shumë ngjashmëri.

Çfarë thonë vetë të depresuarit/familjarët e tyre mbi jetën e të depresuarit. Ja disa dëshmi:

Shkrimtari Andrew Solomon:

Në vitin 1991 pata disa fatkeqësi. Më vdiq nëna, u ndava nga e dashura, u riktheva në SHBA pas disa viteve jashtë vendit. Gjithshka e kalova mirë, por 3 vite më vonë fillova të humb interesimin për pothuaj gjithshka. Nuk më pëlqente të bëja gjërat që kisha bërë gjithmonë, dhe nuk e kuptoja pse. E kundërta e depresionit është gjallëria. Unë kisha humbur gjallërinë. Çdo gjë më dukej e lodhshme Kur kthehesha në shtëpi dhe shikoja që kisha thirrje të humbura, në vend që të gezohesha që më kishin marrë në telefon, thosha “Kush bën gjithë ato telefonata tani!”. Ose vinte dreka dhe mendoja sa e lodhshme ishte të merrja ushqimin, ta vija në pjato, ta prisja, haja dhe përtypja!

Gjatë gjithë kësaj isha I ndërgjegjshëm se situate ishte qesharake. E dija se njerëzit u përgjigjen thirrjeve të humbura, hanë drekë, bëjnë dush pa lodhje, por unë nuk mundja ti bëja. Unë po mendoja më pak, po ndjeja më pak dhe po aktivizohesha më pak.

Pastaj filloi ankthi. Po të më thoshte dikush që për një muaj do jesh I depresuar, do mendoja, do ja hedh. Por po të më thoshte se do jesh në ankth të madh për një muaj, më mirë vras veten. Kur më filloi ankthi, kisha atë ndjesinë që ka dikush që po pengohet e përplaset pas tokës në momentet e rrëzimit, veçse ndjesia ime zgjati 6 muaj, jo me sekonda. Gjithë kohën isha I trembur, pa e ditur se nga se. Fillova të mendoja se ishte tepër e dhimbshme jeta, dhe nëse nuk e vrisja veten e bëja vetëm se më vinte keq për të dashurit e mi.

Një ditë të papritur, u zgjova dhe mendova se pësova hemorragji cerebrale, sepse nuk po lëvizja dot fare, shikoja telefonin, mendoja të telefonoja për ndihmë, por nuk e zgjasja dot dorën. Pas 4 orësh të tilla, me sytë ngulur tek telefoni, zilja ra, dhe nuk e di si, por arrita ta ngrija. Ishte babai. I thashë, “Jam keq. Më ndihmo”

Mbi shkrimtaren e dëgjuar Virxhinia Wolf, e cila vuante nga depresioni bipolar:

“Kur i fillonte episodi manjakal ajo fliste pothuaj pa pushim për 2-3 ditë rresht, pa vënë re se çfarë ndodhte rreth saj.Gradualisht I foluri I bëhej pa lidhje, një grumbull fjalësh pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Kur ishte në kulmin e krizës “zogjtë i flisnin në greqisht, mamaja e vdekur i ringjallej, kurse zëra të ndryshëm i thoshin të bënte gjëra aventureske”. Refuzonte të ushqehej. Me burrin dhe motrën e saj, të cilët ishin miqtë e saj më të mirë, zihej, I shante dhe sulmonte.”

Një veteran lufte:

“Nuk ndjeja asgjë. Nuk bëja dot asgjë. Kishte plot gjëra që mund të bëja, gjëra që desha të bëja, por nuk bëja dot asgjë. Nuk flisja në telefon me njerëzit se nuk kisha çfarë të thosha. Shkoja tek telefoni, I bija numrit, e fshija, e hidhja tutje telefonin.

Nuk punoja dot. Nuk përqëndrohesha dot të lexoja një njoftim të thjeshtë, le pastaj të punoja 8 orë të tëra. Ndërkohë përpiqesha të fshihja nga shoqëria se çfarë po më ndodhte!

Nuk merrja dot vendime, nuk dija të bëja një bisedë të thjeshtë, kisha ankth, depresion, dhe dëshira për vetëvrasje. Kisha dhimbje kurrizi, migrenë, nuk flija dot dhe nuk kisha fare uri. Kisha pasur infeksione të përsëritura sinusi”.

  1. TERAPITË

Lista e terapive për trajtimin e depresionit është e gjatë. Një pjesë e terapive që përfshkruhen këtu nuk përfshihen në kurrikulën e psikologjisë në Shqipëri. I kam renditur sipas rëndësisë së tyre, sipas gjykimit dhe eksperiencës sime.

  • Terapia nutricionale,
  • Ushtrimet fizike,
  • Terapia cirkadiane,
  • Terapia e deprivimit sensorial,
  • Detoksifikimi,
  • Terapitë e relaksimit,
  • Terapia konjitive
  • Psikoanaliza,
  • Terapia me ilaçe,

a) Terapia nutricionale

Ushqimi i shendetshem

Depresione nga më të rëndat mund të shërohen duke mbajtur thjesht dietë.  Disa parime të dietës ideale kundër depresionit:

  • Kufizimi, deri eliminimi i karbohidrateve me indeks glicemik të lartë, si I sheqerit, mjaltit, shurupit të glukozës, fruktozës; frutave shumë të ëmbla si fiqtë, hurmat e arabisë, stafidhet etj.  Se si konsumi I tepruar i karbohidrateve shkakton depresion është përshkruar bukur në librin “Shuani dritat: gjumi, sheqeri dhe mbijetesa” nga biokimisti Bent Formby.

Ky është një fakt I njohur në mjekësinë alternative prej dekadash, por pak I njohur në rrethin e psikiatërve dhe të psikologëve.

Psikologja Nicole Avena ka kryer studime ku tregon se si sheqeri ndikon në tru ngjashëm me drogat dhe mund të konsiderohet drogë. Prandaj personat e depresuar I pëlqejnë shumë të ëmblat. Janë kaq të varur prej tyre, saqë tu thuash të lënë të ëmblat, sikur po u kërkon të vetë-torturohen.

Një dëshmi personale se si një person është shëruar nga depresioni duke lënë sheqerin, alkoolin dhe kafen është këtu.

Në metabolizmin e karbohidrateve luajnë rol të rëndësishëm vitaminat B, C, D. Studimet kanë treguar se vitaminat B, vitamina D, vitamina C,  kolesteroli, mineralet si magnezi, zinku,  i përmirësojnë simptomat e depresionit. Prandaj terapistët nutricionalë këshillojnë një dietë të pasur me mish (sidomos mëlci), ushqime të freskëta me vitamin C (limona, kivi, sallatë jeshile, speca, domate, portokalle etj.) me jeshillëqe (qepë e njomë, spinaq, rukolë, rradhiqe, qumështore, nenë, labot, hithër, pazi, lulëkuq,brokoli etj.)

Vitaminat B dhe C dëmtohen pjesërisht gjatë gatimit, prandaj frutat, perimet hahen mundësisht të gjalla. Perimet gatuhen mundësisht në avull (në avull humbasin më pak vitamina), ose kur zihen, hiqen nga zjarri sapo të jenë bërë. E verdha e vezës ka shumë vitaminë B dhe mund të hahet e pabërë, sepse ka më shumë vitamina kështu. E verdha e vezës ka një përbërës që është shumë i mirë kundër depresionit: kolesterolin. Kolesteroli është sharë shumë në media, por personat me depresion kanë nivele të ulëta kolesteroli, sa më i fortë depresioni, aq më i ulët kolesteroli në gjak.

E verdha e vezes

Për sa i përket mishit, edhe ky mirë është të gatuhet jo më shumë sec është e nevojshme. Ka familje, sidomos në fshat, ku gjatë dimrit e lënë mishin me orë të tëra në zjarrin e sobës. Kjo ja shkatërron një pjesë të vitaminave. Mund ta hani biftekun e vicit si anglezët: të rrallë, ose si francezët: tartar.

Nqs. dikush është në gjendje suicidale, ushqyerja me më shumë vitamina B, C, më pak kalori, më pak karbohidrate, më e tretshme, për ditën kur ka mendime suicidale do të ishte: lakra të ziera, ose sallatë jeshile, perime të tjera të gjalla ose të ziera, limona, të verdha veze të paziera dhe bifstek i rrallë ose tartar.  Këtë mund ta quajmë si menynë e emergjencës.

Suplementet

Normalisht dieta duhet të jetë e mjaftueshme për të marrë sasinë e nevojshme të vitaminave dhe mineraleve. Por toka bujqësore sot është e varfër në minerale, për shkak të përdorimit të plehrave kimikë. Frutat shpesh vilen përpara se sa të jenë të pjekura, edhe kjo e pakëson sasinë e vitaminave. Personi mund të ketë nevojë për më shumë vitamina, minerale për shkak të ndotjes, nëse ka probleme me sistemin e tretjes etj. Gjithashtu, ka persona që refuzojnë të hanë ushqime të pasura në vitamina, për arësye të shijes së tyre.

Prandaj suplementet mund të mbështesin dietën. Suplementet kryesore që ndihmojnë kundër depresionit janë:

Vitaminat sintetike B: Ka disa lloje vitaminash B, si psh. B1, B5, B6, B12 etj. Vitaminat B zakonisht merren në kombinim me njëra-tjetrën, në vitaminën B-kompleks. Ato nuk janë toksike edhe kur merren në sasi të tepruar, me përjashtim të vitaminës B6, e cila kur merret për një kohë të gjatë mund të shkaktojë parestezi të përhershme.

Magnezi:  Simptomat e mungesës së magnezit janë: irritueshmëri; ngërçe, dridhje, dobësi muskulore; lodhje, mungesë oreksi, pagjumësi, memorje e dobët, apati etj. Ky zakonisht kombinohet me vitaminën B6. Tek ushqimet, magnezi gjendet kryesisht tek jeshillëqet. Sasia e magnezit në perimet e kultivuara  është pakësuar 25-80% nga vitet 1950.

Vitamina D: Kjo nuk duhet marrë mbi dozën e lejuar, sepse grumbullohet ngadalë në trup dhe bëhet toksike. Vaji I peshkut është një suplement që përmban vitamin D sintetike.

Vitamina C: kjo nuk është toksike edhe kur merret mbi dozën e lejuar.

Problemi me suplementet është se janë më pak të asimilueshme/të efektshme se sa vitaminat natyrale; mund të mbingarkojnë punën e veshkës, mëlçisë; kanë dhe aditivë të cilët mund të jenë të dëmshëm etj.

    • Kufizimi i kalorive

    Një rregull tjetër dietetik i cili aplikohet për gjithë sëmundjet kronike, përfshirë depresionin, është kufizimi i kalorive. Një person mund të kufizojë karbohidratet me indeks glicemik të lartë, siҫ këshillohet më lart, por përsëri të konsumojë shumë kalori, nga yndyrat dhe proteinat. Psikiatri Yuri Nikolaev në Rusi ka trajtuar me kufizim kalorish 6000 pacientë . Psikiatri e ka përdorur këtë terapi në Institutin E Psikiatrisë, Moskë, në sektorin e Agjërimit Terapeutik. Ky institut ka pasur 3000 shtretër, ku sektori I doktorit Nikolaev kishte 80 shtretër. Ai e ka përdorur këtë trajtim me sukses edhe në pacientët që nuk përmirësoheshin nga ilaҫet. Shumë pacientë pësojnë efekte anësore dhe alergji nga ilaҫet dhe për ta terapitë alternative mund të jenë vendimtare. Nikolaev ka punuar bashkë me 10 kolegë të tjerë prej viteve 70 në këtë institut. Trajtimi I tij konsiston në agjërim të plotë (personi nuk ha asgjë) për 25-30 ditë. Pas përfundimit të terapisë pacienti këshillohet të agjërojë 3-5 ditë ҫdo muaj për qëllime profilaktike. Pasi ndërpritet agjërimi pacienti ushqehet me fruta, perime dhe kaloritë shtohen gradualisht ҫdo ditë. Rreziku më I madh në këtë periudhë është që pacienti mund të fillojë menjëherë të ushqehet me vakte të bollshme, duke pasur uri shumë të madhe. Prandaj pacientët mbaheshin në spital pas agjërimit aq ditë sa ndenjën gjatë agjërimit.

    Psikiatri e ka përdorur agjërimin për të sëmurët me depresion manjakal (bipolar) dhe për skizofreninë. Mjaftojnë 5-7 ditë në agjërim për të ndërprerë një episod manjakal.

    Agjërimi i plotë disa-ditor mund të mos jetë praktik për shumë persona. Efekt të ngjashëm jep edhe dieta me pak kalori, pra personi ha cdo ditë, por nga pak. Personi me depresion duhet të shmangë mbipeshën, sidomos në pranverë dhe verë.  Të ftohtët dhe jeta sendetare e fund-vjeshtës dhe dimrit stimulon oreksin për ushqime kalorifike si yndyrnat, brumrat, por kur vjen pranvera dhe vera ushqimi duhet pakësuar.

    • Intoleranca ushqimore

    Ushqime me alergjike

    Ushqimet më alergjike janë: kikirikat, veza, qumështi, soja, arrorët, gruri, produktet e detit.

    Studimet tregojnë se tek disa individë ushqimet sensitivizuese ose alergjike shoqërohen me shqetësime psikiatrike si depresionin, ADHD-në, psikoza (pa shenja gastrointestinale), madje mendohet se janë faktorë tek këto sëmundje, prandaj mjekët alternativë këshillojnë dietën rotacionale për të identifikuar dhe pakësuar sensitivizimin nga këto lloj ushqimesh. 90% e alergjive shkaktohen nga  kikirikat, e bardha e vezës, qumështi (por jo djathi), gluteni (që gjendet tek gruri, tërshëra, thekra), arrorët, soja, midhja etj. Është shumë e vështirë të identifikosh një ushqim ndaj të cilit je sensitiv, sepse zakonisht është ushqimi më i preferuar, që e konsumon ditë për ditë.  Personi mund të heqë njëherësh ushqimet tipike sensitive, pra kikirikat, arrat, lajthitë, bajamet, qumështin, të bardhën  e vezës, grurin nga dieta dhe ti rikthejë një nga një pas disa muajsh ndërprerjeje për të identifikuar ushqimin iniciues të depresionit.

    b) Ushtrimet fizike

    Fiskultura

    Përdorimi i ushtrimeve fizike për çrregullimet mendore daton që në kohët e lashta. Në manastirin e Ardenicës, i cili në mesjetë shërbente edhe për trajtimin e të sëmurëve mendorë, të sëmurët pasi kishin pushuar disa javë në manastir, dërgoheshin në ara për të punuar.

    Ushtrimet më të dobishme janë ushtrimet aerobike.

    Joga dhe gjimnastika kanë ushtrime shtriqjeje dhe janë të mira për të larguar dhimbjet somatike e relaksuar muskujt. Si të tilla rekomandohen kryesisht para gjumit.

    Ushtrimet fizike kanë efekt më të ndjeshëm kur kombinohen mirë me ushqyerjen dhe gjumin. Ushtrimet këshillohen të kryhen 1-2 orë pas ngrënies , dhe menjëherë para ngrënies, e cila pastaj pasohet nga gjumi. Mëngjezi dhe perëndimi i diellit janë momentet gjatë ditës kur shumica e njerëzve preferojnë të ecin, kryejnë aktivitete të tjera fizike.

    Karbohidratet e thjeshta (si fruktoza e frutave, glukoza në mjalt, sakaroza ose sheqeri) treten më me lehtësi nga trupi dhe nuk pengojnë performancën gjatë ushtrimeve fizike edhe kur konsumohen pak kohë përpara ose gjatë ushtrimeve.  Normalisht dieta e një personi me çrregullime nervore nuk duhet të përfshijë glukozë dhe sakarozë, por nëse personi nuk i ka hequr plotësisht nga dieta, ose për arësye të festave familjare dhe shoqërore i ka konsumuar, shtimi i ushtrimeve fizike orët pas ngrënies së tyre e pakëson efektin negativ.

    Si çdo terapi tjetër, edhe ushtrimet fizike nuk duhen tepruar që të çojnë në lodhje shumë të madhe, sepse mund të sjellin efektin e kundërt (në vend që ta mbajnë personin në ekuilibër, i sjellin krizë).  Çdokush ka limitin e vet të tolerancës dhe duke e provuar zbulon se cili është niveli optimal i ushtrimeve fizike për të.  Ky nivel optimal ndryshon dhe në varësi të numrit të kalorive që konsumon personi (sa më shumë kalori të konsumojë aq më shumë ushtrime fizike mund të kryejë), të sasisë së gjumit që fle (sa më pak të flerë aq më shpejt lodhet).

    Ka një ndikim të ndërsjelltë midis gjumit dhe ushtrimeve fizike. Personat që rrinë gjithë kohës ulur- për arësye të llojit të punës, ose të përdorimit të tepruar të librave, elektronikës-mund të kenë probleme me gjumin, sepse nuk janë lodhur fizikisht. Shpesh nuk mjafton vetëm lodhja mendore për të na zënë gjumi, por duhet dhe lodhje fizike. Pas një dite pa gjumë, këta persona ndjehen të këputur ose të pamotivuar për të kryer aktivitet fizik dhe kështu rrinë gjithë ditën ulur e shtrirë. Nuk mjafton kjo, por edhe ushqehen me ushqime me kalori, tretja e të cilave I lodh edhe më shumë. Krijohet një rreth vicioz, ku personi fle pak, nuk lëviz, e ha shumë. Kalon në mbipeshë, kurse nga ana mendore është I mbushur me ankth e anhedonia (mungesë motivimi, kënaqësie).  Për të çarë rrethin vicioz personi duhet të përpiqet të shtojë sasinë e ushtrimeve fizike sado pak qoftë.  Ky lloj rrethi vicioz krijohet sidomos tek personat me profesione intelektuale.

    Që kufizimi i lëvizjeve në vetvete është në gjendje të krijojë çrregullime mendore e tregon eksperienca me kafshët e laboratorit dhe të parqeve zoologjike: këto kanë ankth, bien në depresion. Në studimet e ilaçeve anti-depresive dhe kundër ankthit me kafshët e laboratorit, një mënyrë që përdoret për ti stresuar këto kafshë është kufizimi i lëvizjes.

    Në qytet dhe në profesionet intelektuale njerëzit kanë më pak mundësi të kryejnë aktivitete fizike.

    c) Terapia cirkadiane

    Perendimi i diellit

    Zbatohet me depresionin sezonal, me të sëmurët afektivë që kanë çrregullime të gjumit. Një nder simptomat tipike të çrregullimeve afektive është çrregullimi i gjumit. Personi mund të flejë pak ose shumë. Për episodet manjakale dhe
    hipomanjakale është tipike pagjumësia. Pagjumësia çrregullon më tej të sëmurin duke përkeqësuar sëmundjen. Rregullat e terapisë janë si vijon:

    • Personi duhet të bjerë për të fjetur herët, në të njëjtën orë cdo ditë (ora 8-9 e darkës është ideale), dhe të ngrihet në të njëjtën orë cdo ditë.
    • Duhet të shmangë drogat  si kafeinën, nikotinën, alkoolin.  Alkooli cregullon gjumin në mes të natës kur trupi ështëduke metabolizuar alkoolin
    • Të kryejë aktivitet të rregullt fizik, sidomos në mëngjez dhe në perëndim të diellit. Përpara gjumit mund të bëjë aktivitet fizik relaksues si joga.
    • Të mos hajë ushqime të rënda në darkë, si yndyrna dhe mish.
    • Të ekspozohet mjaftueshëm gjatë ditës ndaj diellit. Ekspozimi ndaj dritës natyrale e rregullon ritmin ditë-natë të trupit. Në verë personat që vuajnë nga depresioni bipolar (manjakal) duhet të kenë kujdes nga ekspozimi i tepruar në diell sepse drita e fuqishme mund të iniciojë krizë manjakale.
    • Të shmangin aktivitetet shumë impenjuese dhe emocionuese përpara gjumit (si psh. filmat horrorr, palestrën).
    • Ta përdorin krevatin vetëm për të fjetur jo për të parë televizor;
    • Dhoma e gjumit duhet të jetë e errësuar mirë, e qetë. Nqs. nuk i ka këto kushte mund të përdorin maskë sysh dhe tapa veshi.
    • Spektri blu i dritës është më i fuqishëm në ndikimin ndaj ritmeve cirkadiane. Llampat fluoreshente kanë më shumë spektër blu se llampat inkandeshente. Prandaj llampat inkandeshente janë më të rekomandueshme nga pikëpamja shëndetësore.
    • Sa më e fuqishme të jetë drita artificiale gjatë natës aq më shumë çrregullon ritmin cirkadian. Prandaj mirë është të përdoren drita aq të fuqishme sa është e nevojshme për të parë mirë, dhe jo më shumë.
    • Ca kohë përpara gjumit mirë është të zbehet drita, duke ndezur psh. një llampë më të vogël se ajo kryesore.
    • Gjumin e natës mund ta plotësojmë me gjumin e drekës. Nëse flemë herët, para orës 2-3 mbasdite, gjumi i drekës nuk krijon vështirësi për gjumin e natës.

    Pagjumësia nxit nepsin për ushqime të pasura me kalori. Kur personi fle mjaftueshëm, ka neps më të kontrollueshëm, prandaj terapia e gjumit mbështet terapinë nutricionale.

    Nqs. pagjumësia është pasojë e ndonjë defiҫence metabolike ose e inflamacionit në tru, këto masa mund të mos mjaftojnë për të rikthyer gjumin e rehatshëm, por mund të ndihmojë terapia nutricionale.

    d) Terapia e deprivimit sensorial

    Stresi psikologjik

    I mbingarkuar me strese

    Si çdo organ tjetër i trupit, truri kur mbingarkohet me punë, sëmuret.Gjithashtu truri i sëmurë, pavarësisht nga arësyeja e sëmundjes,kur ngarkohet më pak, punon më mirë.  Puna e trurit është të përpunojë ndijimet që i vijnë në formën e dritës, zhurmës,prekjes, temperaturës, presionit atmosferik,  erës, aromës,shijes, fushës elektromagnetike etj., dhe të organizojë reagimin e trupit ndaj këtyre ndijimeve. Kur ngarkesa me këto ndijime të jashtme pakësohet, truri punon më pak.

    Terapia e deprivimit sensorial synon pakësimin e ndijimeve, duke e deprivuar pacientin nga stimujt e jashtëm, deprivim i cili mund të jetë total ose i pjesshëm, mund të zgjasë me minuta ose me orë, në varësi të personit.

    Në ditët moderne ngarkesa me stimuj menndorë është shumë e lartë. Televizori ka program 24 orë në ditë. Ka me qindra kanale të cilat na bombardojnë me informacion që në shumë raste është shumë intensiv për nga përmbajtja emocionale si me lajme me vrasje, me katastrofa natyrore. Kemi akses 24 orë në Internet, mund të kemi lexuar me qindra-dhjetëra libra gjatë jetës me histori dhe personazhe dramatike. Videolojrat gjithashtu janë shumë stimuluese.

    Programuesit e televizioneve, të videolojrave, shkrimtarët e librave përpiqen që materiali të ketë përmbajtje sa më emocionale, shokuese.  Kjo është e lodhshme, megjithëse mund të na duket e natyrshme sepse jemi ekspozuar që nga lindja ndaj këtyre stimujve.

    Nqs. para 200 vjetësh nuk kishte elektricitet dhe nata ndriҫohej me pishtarë,me intensitet ndriҫimi minimal, sot ndriҫimi natën është shumëfish më intensiv dhe jemi të ekspozuar 24 orë në ditë ndaj dritave. Zhurmat, për shkak të automjeteve, dhe dendësisë së popullsisë, janë shumë më të larta ditën, dhe vazhdojnë gjatë gjithë natës.

    Këto stimuj e mbingarkojnë trurin. Personat që janë të prirur ta kërkojnë stimulimin mendor, duke ngjeshur axhendën ditore me sa më shumë aktivitete dhe informacion mendor,janë dhe më të prirur për tu sëmurur nga ҫrregullimet mendore.

    Një lloj terapie deprivimi sensorial është terapia REST. Terapia REST ka disa variante:

    Mask sysh tapa veshi

    Maskë sysh                             Tapa veshi

    deprivimi sensorial në dhomë (REST chamber): personi qëndron disa orë në një dhomë pa asnjë burim sado të vogël ndriҫimi, pa asnjë zhurmë, me temperaturë komode ambjenti, pa aroma dhe pa erëra.  Kjo terapi mund të aplikohet natën, në dhomën e gjumit (ose ditën për një periudhë të shkurtër).

    deprivimi sensorial në tankun e pluskimit (REST flotation) : personi qëndron disa minuta ose orë në një vaskë me ujë me kripa magnezi, me temperaturë trupi, pa ndriҫim, pa zhurmë. Kripa e magnezit shërben që trupi të pluskojë në ujë por shërben dhe si relaksues sepse përthithet nga lëkura. Personi nuk cik asnjë anë të fortë të vaskës, prandaj ka ndjesinë se është pezull, nuk prek asgjë.

    Një version I kësaj terapie praktikohej në mesjetë në manastirin e Ardenicës, ku i mbyllnin personat me çrregullime nervore 2 muaj në bodrume të errëta.

    Gjatë ditës shumë persona instiktivisht pakësojnë ekspozimin ndaj dritës duke vënë syze dielli. Kjo është një formë e deprivimit sensorial. Gjatë verës, apo në stinët e tjera,në drekë, përdorimi i syzeve të diellit  është qetësues. Drita e fuqishme gjatë ditës mund të lanҫojë një krizë manjakale tek depresivët bipolarë.

    Ҫdo person që ka ҫrregullime nervore do të përfitonte nëse do të kufizonte maksimalisht ekspozimin ndaj televizorit, internetit, videolojrave, romaneve, poezive. Edhe leximi për shkollën ose për punën,kur teprohet, e mbingarkon trurin.

    Personat e depresuar kanë prirje të abuzojnë me drogat, sepse i përdorin për tu stimuluar ose për tu qetësuar. Drogat  stimuluese si kafeina, caji kinez, caji jeshil, duhani etj. përdoren për të stimuluar trurin, kurse drogat qetësuese si heroina, alkooli përdoren për të pakësuar reagimin e trurit ndaj stimujve të jashtëm, pra për ta qetësuar. Disa droga janë vetëm qetësuese, disa vetëm stimuluese, por ka droga si duhani, i cili është edhe qetësues, edhe stimulues.

    Drogat stimuluese kanë efekt të ngjashëm me një videolojë, me një film aksion në televizor apo me një roman thriller. Përdorimi i drogave për të stimuluar dhe qetësuar trurin është një lojë e rrezikshme, prandaj duhen eliminuar. Efekt të ngjashëm me drogat ka auto-erotizmi (masturbimi), i cili fillimisht i motivon dhe qetëson personat, por me shtimin e shpeshtësisë kthehet në faktor depresiv. Ndodh rëndom ndër përdoruesit e pornos që të bien në depresion.

    Terapia REST shpesh aplikohet gjatë metodave të relaksimit (si meditimi), gjatë gjumit, gjithsesi nuk është kusht për ushtrimin e këtyre. Një person mund të praktikojë meditim ose të flejë gjumë edhe në kushtet e ekspozimit maksimal ndaj stimujve të jashtëm. Psh. shpesh në plazh, kur jemi në ndriҫimin e fortë të diellit, na zë gjumi. Ose në automjet kur zhurmat dhe dridhjet janë të forta, prapë na zë gjumi.

    Deprivimi sensorial nuk duhet tepruar sepse kur teprohet sjell efekte të  ngjashme me mbi-stimulimin sensorial, pra në  vend që  të  qetësojë , sjell ankth. Nivelin optimal të deprivimit dhe mënyrën e alternimit me stimulimin duhet ta gjejë  vetë  personi me ҫrregullimin nervor në varësi të gjendjes shëndetësore, të nevojave të punës, shkollimit, të kujdesit për familjen dhe veten.

    Edhe ndryshimet e temperaturës (motit), ndryshimet hormonale janë faktorë riskues për depresionin. Gratë shpesh preken nga depresioni post-partum, para menopauzës, para menstruacioneve, pra në periudha kur kanë ndryshime të forta hormonale.

    e) Kontakti me njerëzit (dhe gjallesat)

    Macja

    Izolimi nga  njerëzit është stresues. Jo më kot, në burgje izolimi në qeli i të burgosurit pa asnjë shok është nga dënimet më të rënda që aplikohet. Personat me crregullime nervore janë të prirur të izolohen nga shoqëria për arësye të ndryshme: nga frika, nga ndjenjat agresive, nga turpi, nga indiferenca etj. Edhe kur vetë personi ka dëshirë të shoqërohet me të tjerë, mund të jenë këta që refuzojnë ta afrojnë sepse iu duket i cuditshëm në sjellje, emocione, ose kur e dinë që është i sëmurë nuk duan ta afrojnë se kanë frikë ose nuk duan të ulin nivelin e tyre.

    Shpesh psikoanalisti kthehet në një person me të cilin i depresuari mund të mbajë kontakte të rregullta dhe të gjejë ngrohtësinë njerëzore që i mungon. Tek terapia e deprivimit sensorial përmenda se televizori shpesh përmban informacione shumë stresuese, por për të mbajtur kontaktet me njerëzit mund të ndizet tek emisionet e qeta si psh. ato bisedave në studio për tema sociale. Gjithashtu Feisbuku mund të shërbejë për mbajtjen e kontakteve më të shpeshta.

    Për të pakësuar izolimin social personi i depresuar mund të marrë kafshë shtëpiake në shtëpi si mace, qen, zogj, peshq etj.

    f) Banjot e diellit 

    banjo dielli

    Sipas shkencëtarëve kinezë Chen P1 et al. depresioni mund të konsiderohet si sëmundje autoimune.

    Aktualisht njihen rreth 80 sëmundje autoimune. Ҫrregullimi i imunitetit është shumë i zakonshëm tek personat me depresion madhor. Depresivët kanë rrisk të shtuar për të zhvilluar sëmundje kronike inflamatore apo sëmundje autoimune. Simptomat depresive janë gjetur shpesh në sëmundjet autoimune. Kjo konvergjencë  sugjeron se sëmundjet autoimune mund të kenë faktor të përbashkët patogjen, ose të ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Studime të fundit kanë treguar se autoantitrupat luajnë një rol të rëndësishëm në patogjenezën e depresionit si tek kafshët eksperimentale edhe tek njerëzit. Sëmundja autoimune e tiroides si Hashimoto, sëmundja autoimune e hipofizës (hipofiziti), sëmundja e celiakisë (që shkaktohet nga antitrupat ndaj glutenit të grurit dhe thekrës), janë disa nga sëmundjet autoimune që bashkëshoqërohen me simptoma psikiatrike si depresion, ankth.

    Dieta me kalori të kufizuara, dieta pa ushqime sensitivizuese, gjumi dhe terapia e deprivimit sensorial, detoksifikimi janë treguar të jenë të efektshme kundër sëmundjeve autoimune.

    Por rolin më të rëndësishëm kundër sëmundjeve autoimune, sipas shkencëtarit ndërkombëtar Yehuda Shoenfeld, e ka vitamina D.

    Trupi merr vitaminën D gjatë banjos së diellit, nga e verdha e vezës, nga peshku. Vitamina D gjithashtu ndihmon në metabolizmin e karbohidrateve dhe shton serotoninën, neurotransmituesin e lumturisë. Banjua e diellit mund të bëhet gjatë gjithë vitit: në dhomën e gjumit, në ballkon, në plazh, madje dhe në rrugë. Nqs. vishni një bluzë të thurur me vrima, mund të merrni diell, pa qenë zbuluar.

    e) Detoksifikimi 

    ndotja_makinat

    Studimet sugjerojnë se një pjesë e depresioneve janë pasojë e inflamacionit në tru dhe studime të ndryshme kanë treguar rolin e ndotjes (si psh. këtukëtu dhe këtu) prandaj mjekësia alternative këshillon shmangien e smogut, të kimikateve të forta në shtëpi, ruajtjen e rregullave të sigurisë kur përdoren pesticidet.

    Masa që mund të merren për pakësimin e ekspozimit ndaj ndotjes:

    • Për ndotjen nga ajri: në ambjentet e shtëpisë: mbyllja e dritareve gjatë pikut të trafikut, mbajtja në ambjentet e shtëpisë e vazove me bimë (bimët me frymëmarrjen e tyre thithin pluhurat. në një studim të NASA-s 10 bimët më efikase në thithjen e ndotjes nga ajri ishin dhe dredhka dhe luleshpata, bimë që rriten dhe në Shqipëri)
      ; mospërdorimi i qilimave, tapeteve; shkundja e shpeshtë e mbulesave të mobiljeve; mospërdorimi i sprucove, i klorit, i detergjentëve aromatikë, i parfumeve; zëvendësimi i detergjentëve, kozmetikës me versione me më pak kimikate, mundësisht përdorimi i versioneve 100% natyralë. Për detergjentët natyralë është shkruarkëtu; ecja nëpër rrugicat paralele në vend të rrugëve me shumë trafik; të mos mbajmë gazeta në shtëpi (kanë shumë plumb) ose mos ti mbajmë në rafte të hapura.
    • Për ndotjen nga uji: shumë njerëz pijnë ujë të paketuar, ose instalojnë filtruesa. Disa metoda të filtrimit të ujit largojnë një pjesë të mirë të mineraleve të dobishme për shëndetin si psh. magnezin, kalciumin.Kurse uji i paketuar ka rrezik të ndotet nga plastika, e cila është kancerogjene. Në Tiranë qarkullojnë autobote që e sjellin ujin direkte nga burimi. Ky ujë nuk ka patur fare kontakt me plastikën, kështuqë është dhe më i pastër nga kimikatet se uji i blerë.
    • Për ndotjen nga pesticidet: Shumë bimë bujqësore trajtohen me pesticide dhe herbicide. Domatet, sallatori, rrushi, luleshtrydhja etj. trajtohen më shumë me pesticide, kurse portokallet, ullinjtë trajtohen më pak. Gjithashtu, bimët e serrave trajtohen më shumë me pesticide se bimët e fushës, prandaj duhet të konsumojmë ushqimet e stinës (të cilat janë dhe më të lira).

    Paketimi i ushqimeve me plastikë sjell ndotje shtesë të tyre me kimikate që çlirohen gjatë ruajtjes, sidomos kur paketimi plastik rri në vend të ngrohtë ose në akull. Pijet në kanoçe kanë bisfenol A (që vjen nga cipa që i vesh), peshku konserv ka alumin (sidomos vaji ku rri peshku). Pijet acide ose me kripë e gërryejnë më shumë paketimin plastik dhe metalik. Paketimi më i mirë është qelqi. Një lloj të veçantë ndotjeje mund të konsiderojmë aditivët, kimikatet me të cilat trajtohen ushqimet. Konsumimi i ushqimeve në gjendjen e tyre sa më natyrale ndihmon në mbrojtjen nga kimikatet që përdoren sot në prodhimin e ushqimeve.

    Dieta e pasur me vitamina ndihmon mëlcinë në detoksifikimin e kimikateve dhe metaleve të rënda të grumbulluara në trup.

    f) Terapitë e relaksimit

    Këtu ka një mori ndërhyrjesh: meditimi, relaksimi progresiv, regjimi i shtratit (është pas përdorur në shekullin e 19-të). Meditimi mund të jetë auditiv ose vizual. Në meditimin auditiv personi përsërit me vete një frazë ose grup tingujsh për minuta deri në orë, cdo ditë. Meditimi auditiv është i ngjashëm me lutjen. Në meditimin vizual personi përfytyron një objekt me shumë hollësi për minuta (deri në orë). Meditimi tek disa persona mund të shkaktojë ankth, dhe nëse personi me depresion ka simptoma depersonalizimi dhe derealizimi, mund ti shtojë dhe më shumë këto simptoma.

    Në relaksimin progresiv personi shtrihet në shtrat dhe përfytyron sikur muskujt i ka të rëndë, të ngrohtë (pra të relaksuar). Fillimisht përfytyron muskujt e njërës dorë, pastaj të dorës tjetër, pastaj të këmbëve, pastaj përfytyron sikur ka zonën e nervit vagus të ngrohtë (poshtë diafragmës, sipër stomakut). Përpara se të fillojë relaksimin progresiv, për të dalluar një muskul të relaksuar nga një të tensionuar, personi tensionon dhe lëshon muskujt disa herë.

    g) Terapia konjitive

    Terapia konjitivo-bihejviorale

    Godet mënyrën e gabuar të të menduarit tek depresivi (unë nuk vlej, çdo gjë po më shkon ters, nuk ka vlerë jeta) apo tek manjakali (jam një gjeni, do shes shtëpinë të luaj lloto ta provoj fatin etj.),e cila sipas psikologjisë konjitive është përgjegjëse për ndjenjat negative që përjeton i depresuari. I depresuari monitoron gjithë ditën mendimet e veta për të zbuluar ato me ngjyra negative, mban një ditar për të identifikuar si i ndryshon humori gjatë ditës, çfarë mund të kontribuojë si stresor. Kur identifikon mendime negative përpiqet ta ndërpresë dialogun e brendshëm dhe ti zëvendësojë mendimet negative me pozitive (vërtet nuk e bëra dot shpejt ushtrimin, por e bëra gjithsesi. Ka që dalin më dobët se unë. Për sa kohë shefja më paguan, mësuesi më vë nota mesatare, jam i kënaqur). Terapia konjitive nuk mjafton për të hequr ndjenjat negative, sepse shpesh ndjenjat negative paraprijnë mendimet dhe jo anasjelltas.

    gj) Psikoanaliza

    psikoanaliza_2

    Ose ndryshe terapia e bisedës. Pacienti takohet cdo jave (1-4 herë në javë)me terapistin dhe bën bisedë të lirë. Gjatë bisedës konfliktet e pandërgjegjshme, me ndihmën e terapistit, dalin në sipërfaqe, dhe simptomat pakësohen sepse konflikti i ndërgjegjësuar shkakton më pak simptoma. Ka terapistë që përdorin dhe hipnozën si ndihmë për të nxjerrë në sipërfaqe konfliktet e pandërgjegjshme të pacientit. Kjo terapi kushton. Gjithashtu për rastet e rënda tëdepresionit është si një pikë nëoqean.

    h) Terapia me ilaçe

    Ka rreth 45 lloje anti-depresantësh. Një pjesë e ilaçeve që përdoren për të rriturit lejohen të përdoren dhe për fëmijët, duke filluar nga mosha 6 vjeç. 4.8% e adoleshentëve në SHBA pijnë antidepresantë. Por antidepresantët kanë efekte anësore si rritje e rrezikut për vetëvrasje, vrasje.për kriza epileptike, për sindromën malinje të serotoninës, për çrregullime seksuale etj.

    i) Elektroshoku

    elektroshoku

    Ky lloj trajtimi përdoret kryesisht tek pacientët me depresion madhor dhe bipolar. Ҫdo vit në SHBA rreth 100,000 pacientë i nënshtrohen elektroshokut.

    Trajtimi konsiston në ekspozimin e trurit të pacientit ndaj rrymave elektrike mjaftueshëm të fuqishme për të shkaktuar epilepsi në tru (seizure).Pacienti është nën anestezi gjatë proçedurës.   Elektroshoku zakonisht aplikohet 2 herë në javë, derisa depresioni zmbrapset ose nuk ka më përmirësime. Zakonisht aplikohen 8 elektroshoke gjithsej. Kritikët e elektroshokut,si psikologu Phil Hickey, mendojnë se efekti i tij pozitiv në depresion është i përkohshëm, deri në 6 muaj.
    Një efekt anësor i elektroshokut është dëmtimi i memories. Në 25-30% të tyre elektroshoku dëmton funksionimin konjitiv. Nj studim i Sackeim et al 2007, “Efektet konjitive të terapisë elektrokonvulsive”, ka gjetur se elektroshoku shkakton probleme me memorien autobiografike dhe afatshkurtër. Prej dekadash pacientë të trajtuar me elektroshok ankohen për probleme të tilla.  Çfarë është e çuditshme është që ndërkohë që epilepsia është sëmundje dhe mjekët bëjnë të pamundurën të pengojnë krizat epileptike, tek depresivët elektroshoku përdoret pikërisht për të shkaktuar kriza epileptike.

    Linda Andre, autorja e librit “Mjekët e mashtrimit” dhe presidente e Komitetit Për Të  Vërtetën në  Psikiatri, tregon se si iu nënshtrua elektroshokut kur ishte në të njëzetat. Përpara elektroshokut ajo kishte qenë gazetare e suksesshme me një kuotë inteligjence 156 ( jashtëzakonisht inteligjente). Pas elektroshokut inteligjenca e saj vajti në 118. Ajo kishte “vështirësi në zhdërvjelltësinë konjitive, në mendimin abstrakt, në planifikim. Pakësim të ndjeshëm të përqëndrimit dhe aftësive organizative, aq të theksuara saqë ndikonin dhe në aftësinë e saj për të punuar.” Sipas saj truri i saj ishte dëmtuar nga elektroshoku. Përpara trajtimit Linda nuk ishte informuar për efektet anësore të elektroshokut. Pas trajtimit ajo bëri fushatë që çdo pacient të informohet për risqet e tij. Por Linda vuri re se nuk kishte ndonjë dëshirë nga mjekët, prodhuesit e pajisjeve të elektroshokut dhe autoriteti mbikëqyrës amerikan, që pacientët të informoheshin.

    Sipas doktorit Peter Breggin studimet tregojnë se efektet e elektroshokut janë të ngjashme me të lobotomisë: lobet frontale të trurit humbasin lidhjet me pjesën tjetër të trurit. Truri dëmtohet.

    Peggy Salters, një infermiere në psikiatri, është një ndër viktimat e elektroshokut. Në një hark kohor prej 19 ditësh ajo ju nënshtrua 13 elektroshokeve. Infermierja humbi memorjen për 30 vitet e jetës së saj përpara eletroshokut, si dhe pati dëmtime në aftësitë konjitive të trurit. Pegi në vitin 2005, fitoi me vendim gjykate një dëmshpërblim prej 635,177 dollarësh për dëmin e shkaktuar.

    Sipas studimit të kryer nga Sackeim et al, 2007, me 347 pacientë të elektroshokuar, dëmtimi i memories ishte më i madh kur elektroshoku ishte bilateral (në të dy anët e trurit). Nuk dëmtohet vetëm memoria autobiografike (e ngjarjeve të jetës të ndodhura përpara elektroshokut), por edhe memorja afatshkurtër, e quajtur ndryshe memoria e punës. Pa memorie afatshkurtër personi nuk është në gjendje të mësojë funksione të reja, është si një plak 100 vjeç në një trup të ri. Sa më e lartë rryma e përdorur aq më i madh dëmtimi i memories (McCall et al, 2000; Ottosson, 1960; Sackeim et al, 1986). Ky efekt mund të pakësohet duke shkurtuar kohëzgjatjen e rrymës ose kalibruar dozën e saj në varësi të nevojave të pacientit. Por shumë psikiatër nuk e lodhin shumë veten me kalibrimin e dozës,ose kanë pasiguri në ndryshimin e metodës së trajtimit.
    Dëmtimi i trurit i shkaktuar nga elektroshoku mund të jetë kaq i lartë saqë të duket dhe në rezonancën manjetike të kokës. Sipas psikiatrit Peter Breggin efikasiteti i elektroshokut tregohet duke e testuar pacientin pak kohë pas elektroshokut. Pacienti pas elektroshokut është shpesh në gjendje konfuzionale, i çorientuar. Situata është e ngjashme me dikë që ka pësuar goditje në kokë. Kur personi merr goditje sidomos në pjesët e trurit që janë përgjegjëse për gjykimin dhe ndërgjegjen emocionale, nuk i raporton ndjenjat negative. Ose nga apatia ose ngaqë nuk shtë të vetëdijshëm për to. Apatia dhe indiferenca janë efekte anësore të gjithë trajtimeve psikiatrike. Elektroshoku, lobotomia dhe ilaçet psikotrope kanë një mënyrë të ngjashme funksionimi: të gjitha dëmtojnë trurin dhe pakësojnë funksionimin e tij.  Trajtimet e mjekësisë alternative si dieta, aktiviteti fizik etj. kanë parim tjetër: ndihmojnë trurin në një funksionim optimal.

    Sipas Leonard Frank “Eketroshoku bën para. Një cikël trajtimesh me elektroshok në spital kushton 50,000-75,000 dollarë. 100,000 amerikanë elektroshokohen ҫdo vit.Kostua e trajtimit të tyre shkon në 5 miliard dollarë në vit.” Promovuesit e elektroshokut janë përfituesit e këtyre të ardhurav: prodhuesit e pajisjeve, spitalet dhe mjekët.”

    Aktualisht jam duke kryer një studim për temën e diplomës (master në psikologji klinike), mbi efektin e terapive pa ilace mbi depresionin. Personat e interesuar mund të më kontaktojnë në: ritastrakosha@yahoo.com;  ose 0665703713. 

    3. Prognoza e depresionit 

    Depresioni  mund të ketë 3 zhvillime të mundshme: i) kronik: personi mbetet gjithmonë i sëmurë, ii) me episode: personi kalon periudha kur nuk ka simptoma (quhet remision) si dhe periudha me simptoma (quhen episode kur janë gjithë simptomat e nevojshme për të diagnostikuar depresionin), iii) me vetëm 1 episod: pas episodit të parë nuk përsëritet më.  Sipas disa studimeve(Kraepelin 1921; Angst,1986; Hohman 1937; Huston dhe Locher 1948; Rennie dhe Foëler 1942; Shobe dhe Brion 1971) një episod depresiv madhor i patrajtuar zgjat 6-18 muaj. Kurse sipas një studimi të Michael Posternak et al., tek personat e patrajtuar me ilaҫe episodi depresiv madhor zgjat mesatarisht 3 muaj. Studimi u krye me persona të depresuar që nuk dëshironin të pinin ilaҫe.

    Posternak studioi për 15 vjet 431 subjekte të cilët kur u pranuan në qendrën shëndetësore patën një episod depresiv madhor dhe nuk kishin ҫrregullime afektive të tjera. Nga këta 65 kaluan në depresion bipolar dhe ҫrregullim skizoafektiv, kurse 48 subjekte mbetën në episod depresiv madhor gjatë gjithë studimit. Dmth 26% e pacientëve u përkeqësuan ose mbetën të sëmurë. 318 subjekte nga 431 (pra 73%) kaluan në remision. 188 subjekte nga 431, ose 43% e të sëmurëve me depresion nuk patën më përsëritje të episodit madhor për 15 vjet.  Kurse në një studim të shkencëtarit Weel-Baumgarten, me 222 pacientë, 76% e pacientëve të patrajtuar me ilaҫe nuk patën më relaps, ndërkohë që 50% e pacientëve të trajtuar me ilaҫe nuk patën më relaps në 10 vjet pas episodit.

    Në studimin e Posternakut, tek 130 persona, ose 30% e të sëmurve me depresion, pati përsëritje të episodit depresiv. Nga këta 84 subjekte nuk pinë ilaҫe dhe Posternak et al. gjeti se episodi depresiv madhor i patrajtuar tek këta zgjat mesatarisht 3 muaj. Përqindjet kumulative të pacientëve që kaluan në remision spontan (pa ilaҫe) ishin: 23% pas një muaji, 37% pas 2 muajsh, 52% pas 3 muajsh, 61% pas 6 muajsh, 85% pas 1 viti dhe 89% pas 2 vitesh.

    Tek personat që dëshirojnë të pijnë ilaҫe për depresionin por nuk I pijnë është bërë një studim tjetër nga Posternak dhe Miller në 2001. Në këtë studim 15 subjekte (nga 75) të përfshira në grupin e patrajtuar por që priste për trajtim gjatë studimit, patën remision spontan të simptomave për një periudhë mesatare prej 10 javësh. Dmth. shkalla e remisionit është e ngjashme si tek grupi që nuk dëshironte të trajtohej. Sipas Posternak në studimet ku përdoren grupe pacientësh me placebo shkalla e përmirësimit është e ngjashme me përmirësimin spontan të vënë re tek personat e patrajtuar.

    Sipas doktorit Stanley J. Swierzewski, depresivët që pësojnë relapse të episodeve, kalojnë mesatarisht 5-6 episode depresive në një hark kohor 20-vjeҫar. Me ҫdo episod që kalon depresivi, rritet risku për të kaluar një episod tjetër. Rreth 7% e depresivëve me kalimin e kohës kalojnë dhe kriza manjakale . Kjo zakonisht ndodh pas episodit të katërt ose të pestë depresiv. Në këtë rast depresioni kthehet në depresion bipolar. Një arësye e depresionit bipolar mund të jenë dhe antidepresantët të cilët iniciojnë kriza manjakale tek personat e ndjeshëm.

    Disa shkencëtarë dyshojnë se antidepresantët e shkurtojnë episodin madhor, por shtojnë mundësinë për përsëritjen e tij duke shtuar rrezikun që depresioni të bëhet kronik.

This entry was posted in Shendeti pa ilace. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s