Blihet radha

Nga Rita Strakosha (botuar në gazetën Shekulli) 

Nuk është i largët kujtimi i radhëve të qumështit e mishit gjatë kohës së komunizmit, kur gra, pleq e fëmijë ngriheshin në 3 të mëngjesit. Fenomeni radhë është zhdukur nga dyqanet, por lulëzon në spitalet publike shqiptare. Gjatë një sondazhi të realizuar nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare, me rreth 500 pacientë të spitaleve publike dhe të poliklinikave, një ndër vërejtjet e personave të anketuar është fenomeni i pagesës për të kapërcyer radhën e pritjes në spitalet publike. Në Shërbimin e Radiologjisë, në QSUT, radha e pritjes për rezonancën manjetike shkon 2-3 muaj, por nëse dëshiron të shërbehesh menjëherë mund të paguash 20 mijë lekë të reja. Në Shërbimin e Onkologjisë ka vetëm 15 shtretër për trajtimet me kemioterapi dhe shoqëruesi i të sëmurit duhet të ngrihet në 3 të mëngjesit për të marrë numrin e radhës për të bërë kemioterapinë.  Nëse ka më shumë kërkesa se shtretër, personat duhet të paraqiten përsëri ditën tjetër për t’u pajisur me numër, dhe kjo ndodh rëndom. Radha mund të vijë dhe 2 muaj pas datës kur duhej bërë kemioja. Shtyrja e kemioterapisë rrezikon jetën e pacientit, prandaj radha është çështje jete a vdekjeje. Në këtë situatë hyn në veprim ligji i kërkesë-ofertës e radha fillon të blihet.

Rradhë të gjata ka dhe te Shërbimi i Kirurgjisë, ku gjithashtu persona të anketuar referuan se po të paguash mund të të përshpejtohet vizita. Sa kushton radha? Çmimi është rezultante e kërkesë-ofertës. Sa më në gjendje të keqe të jetë furnizimi me ilaçe dhe pajisje në spitalet publike, aq më të dëshpëruar do të jenë pacientët për të dalë përpara në radhë. Mungesa e madhe e transparencës ndihmon më tej fenomenin e korrupsionit dhe rrit çmimin e radhës. QSUT ka një regjistër ankesash nga pacientët, që është i publikuar në një cep të padukshëm të faqes së saj të internetit, sa për të plotësuar detyrimin ligjor. Ky regjistër ankesash është me 0 ankesa. Kjo tregon sa besim kanë pacientët te QSUT. Kur kërkojmë dhënie informacioni nga QSUT mbi një rast ankese pacienti, duke përdorur formularin e ligjit për të drejtën e informimit, zyra e protokollit të QSUT-së as nuk e di se ky formular ekziston dhe kanë detyrim përgjigjeje. Madje QSUT as nuk e mori mundimin t’i përgjigjet formularit tonë, duke na detyruar t’i drejtohemi Komisionerit të së Drejtës së Informimit.

Gjithsesi, për të mos i rënë në qafë QSUT-së më shumë seç duhet, blerja e radhës është fenomen i njohur dhe në Europë, si psh. pagesa për të kapërcyer radhën e transplantit të organeve. Në vitin 2013, tre doktorë në Leipzig, Gjermani, u pezulluan nga puna, sepse u dyshuan për kapërcimin e radhës së 38 pacientëve që prisnin për  transplant mëlçie. Në vitin 2012, dy spitale universitare gjermane, u akuzuan se kishin falsifikuar 50 të dhëna pacientësh për t’i përparuar në listën “Eurotransplant”. Në Austri lista e pritjes për një operacion ortopedik zëvendësimi ije është 1.5 vjet, çka është stimul i fuqishëm për pacientët që t’u ofrojnë pagesa doktorëve.

Një masë e marrë nga vendet e rajonit për të pakësuar fenomenin e blerjes së radhës është publikimi i listave të pritjes nga spitalet. Me publikimin e listës, lëvizjet e papritura në listën e pritjes do të ngrinin vetulla, prandaj lëvizjet duhet të jenë të arsyetuara. Kroacia ka vendosur publikimin e një Liste Kombëtare Pritjeje. Masa tjetër, që do të pakësonte blerjen e radhës, është “e-scheduling”, ose akordimi elektronik i datës së takimit.

Si masë e fundit, blerja e radhës mund dhe të ligjërohet nga QSUT duke nxjerrë një listë çmimesh se sa duhet paguar për të pasur shërbim të shpejtë, pa radhë. Çmimi mund të ndryshohet çdo ditë, a javë, në varësi të kërkesës dhe ofertës së asaj dite, jave. Kështu të paktën pacientëve nuk u shkurtohet jeta nga stresi se sa kushton radha dhe kur do ju vijë radha!

This entry was posted in Tranzicioni social-ekonomiko-politik. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s