Ndryshimet klimatike po rrisin çmimin e ushqimeve

Nga Rita Strakosha, botuar me shkurtime në gazetën “Shekulli”

Me mijëra bagëti e hektarë tokë janë përmbytur brenda një jave, gjatë motit ekstrem që ka përfshirë Shqipërinë së fundmi. Çmimi i produkteve ushqimore do të ndikohet negativisht nga këto ngjarje. Sipas inxhinjerit të ujërave, Klodian Zaimi, brenda 48 orësh në basenin e Vjosës ra një sasi kolosale uji prej 350 mm shi. Temperaturat e larta bënë që reshjet të ishin kryesisht në formën e shiut, dhe jo të dëborës. Sasia e madhe e reshjeve si dhe temperaturat kontribuan në përmbytjet. Rreshjet ekstreme, thatësirat dhe stuhitë pritet të shtohen me ndryshimet klimatike dhe sipas Organizatës Botërore të Ushqimit tashmë ndryshimet klimatike kanë sjellë rritje të çmimit të ushqimeve në nivel botëror. Rendimenti i grurit e misrit, dy produktet kryesore ushqimore, ka rënë, si në nivele rajonale ashtu dhe në rang botëror. Sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike kjo ka ndodhur dhe për shkak të ndryshimeve klimatike. Shqipëria është importuese neto e produkteve ushqimore, me 60 miliard importe neto në vitin 2012. Rreth gjysma e grurit, mishit që konsumohet në vend importohet. Pothuaj gjithë kafja, orizi, sheqeri importohen. Prandaj çmimet e produkteve ushqimore në Shqipëri ndikohen si nga prodhimi vendas ashtu dhe nga çmimet në bursat ndërkombëtare.

Rritja  e parë e madhe e çmimeve në bursa ndodhi në vitet 2007-2008, kur çmimet e grurit, orizit, dhe sojës u rritën. Kjo solli krizën më të madhe ushqimore ndërkombëtare në 30 vjet. Trazirat përfshinë vende të ndryshme në zhvillim.

Rritja e dytë e madhe e çmimeve ndodhi në vitet 2010-2011, kur Rusia, Ukraina dhe Kazakistani, ku prodhohet pothuaj 1/3 e eksporteve të grurit, pësoi kolaps të prodhimit. Rusia ndaloi eksportet e grurit, çka solli panik tek vendet importuese. Shqipëria importon pothuaj gjysmën e grurit që konsumon dhe partner kryesor ka Rusinë. Në vitin 2011 çmimi i bukës në Shqipëri u rrit.

Në vitin 2012 ishte SHBA-ja, prodhuesi më i madh botëror i misrit (bazë ushqimore për bagëtitë, shpendët), që u prek nga thatësira më e madhe në 50 vjet. Përveç SHBA-së thatësirat prekën dhe Rusinë, Ukrainën etj. Çmimi ndërkombëtar i misrit arriti majat.

Thatësirat në Brazil, SHBA, Ukrainë nga viti 2013 rritën ndjeshëm çmimin në bursa të grurit, kafesë e produkteve të tjera ushqimore. Thatësira në Brazil është më e rënda në 80 vitet e fundit, dhe ka arritur përmasa të tilla saqë San Paolo me 20 milion banorë rrezikon furnizimin me ujë të pijshëm. Shqipëria importon me mijëra ton sheqer nga Brazili.

Krasas ndryshimeve klimatike, faktorë të tjerë si shtimi i popullsisë, kriza energjitike kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Në Shqipëri, ushqimet janë kategoria e mallrave të konsumit që kanë pësuar rritjen më të lartë të çmimeve këto 10 vjet, me mbi 37%. Ndryshimet klimatike do të përparojnë në dekadat e ardhshme dhe perspektiva e çmimit të produkteve ushqimore është në rritje. Këtë vit pritet të kemi një strategji për mitigimin dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike. Kjo strategji duhet të ketë prioritet bujqësinë. Një popull i mirëushqyer është kusht për realizimin e çdo aspirate tjetër.

 

This entry was posted in Ndryshimet klimatike. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s