Çmimet e ulëta të naftës kërcënojnë sigurinë energjitike

Përktheu: Rita Strakosha

Fjalim i Ugo Bardit në dëgjesën e Parlamentit Europian mbi sigurinë energjitike, datë 5 Nëndor 2014.

Zonja dhe zotërinj, së pari shpreh kënaqësinë dhe nderin që gjendem përpara një audience kaq të ngritur. Punoj pranë Universitetit të Florencës, dhe jam anëtar i Klubit të Romës, gjithsesi ky prezantim përfaqëson vetëm opinionin tim, dhe jo atë të Klubit të Romës apo të Universitetit të Florencës.

Deri më tani kemi diskutuar për krizën e gazit dhe situatën në Ukrainë, por duhet t’u tërheq vëmendjen se jemi dhe në një krizë tjetër-ndoshta shumë më serioze-që ka të bëjë me naftën. Kjo krizë po krijohet nga rënia e shpejtë e çmimit të naftës në javët e kaluara. Duhet t’ju them se çmimet e ulëta të naftës nuk janë një gjë e mirë, arësyet do jua shpjegoj në vijim. Çmimet e ulëta e bëjnë të pamundur për shumë prodhues nafte që të kenë fitim, kjo mund të sjellë probleme të mëdha për ekonominë botërore, të ngjashme me ato të 2008-ës.

Le të shohim trendin e deritanishëm afatgjatë të çmimeve të naftës. Të dhënat janë marrë nga BP.

Të dhënave u është hequr inflacioni. Ka luhatje të forta, por trendi është për rritje. Në 10 vitet e kaluara:

Të dhënave nuk u është hequr inflacioni, por efekti i inflacionit është i ulët në afate të tilla kohe. Çmimet janë në rritje, por në 4-5 vitet e fundit janë stabilizuar në 100$/barrela. Vini re rënien në muajin e kaluar. Grafikun e përgatita para një jave, sot çmimi ka rënë edhe më, nën 80 $/barrela.

Pyetja është: çfarë ndikon në këto trende? Sigurisht që ka faktorë financiarë të ndryshëm që ndikojnë. Por në thelb është bashkëveprimi mes ofertës dhe kërkesës që përcakton çmimin. Nëse çmimet janë shumë të larta, njerëzit nuk blejnë dot, se ndryshe “kërkesa shkatërrohet”. Nëse çmimet janë shumë të ulëta, është oferta që shkatërrohet. Prodhuesit nuk mund të shesin me humbje, jo për një kohë të gjatë. Pra ka një brez brenda të cilit çmimi i naftës mund të luhatet: çmim i lartë, konsumatori nuk e blen dot, çmim i ulët, prodhuesi nuk e shet dot. Nëse shohim historinë e çmimit, kur ky shkoi mbi 120 $/barrela ekonomia pësoi kolaps.

Dyshemeja e çmimit përcaktohet nga kostua e prodhimit. Këtu është problemi. Siç duket nga grafiku më lart deri në vitin 2000 nuk ishte problem për prodhuesit e naftës të shisnin me fitim, me një çmim 20 $/barrela. Diçka ndryshoi pas 2000-it, dhe çmimet u ngritën. Ajo që ndryshoi ishte: pakësimi i rezervave të naftës (depletion).

Pakësimi nuk është shterim. Jo. Ka ende plot rezerva nafte. Pakësimi do të thotë se dalëngadalë po konsumojmë rezervat, dhe po konsumojmë rezervat më të lehta për tu shfrytëzuar. Me pakësimin e mëtejshëm të rezervave, na mbeten rezervat më të kushtueshme për tu shfrytëzuar. Me rritjen e kostove të shfrytëzimit duhet të rritet dhe çmimi i naftës në treg: përsëris, askush nuk do të shesë me humbje. Këtu kemi një problem. Më poshtë është një grafik që tregon koston e prodhimit të naftës në rajone të ndryshme të botës.

Të dhënat nuk janë plotësisht të besueshme. Gjithsesi, ka përllogaritje të tjera të ngjashme, përfshirë një raport i 2012-ës i Goldman Sachs, ku mund të lexoni se projektet më të fundit të naftës kanë nevojë për një çmim prej 120 $/barrela që të jenë fitimprurëse

Pra me çmimin aktual rreth 10% e naftës që prodhohet sot shitet me humbje. Nëse çmimet shkojnë në 40$/barrela, çmimi normal 10 vite më parë, atëhere gjysma e prodhimit botëror të naftës do të shitej me humbje. Prodhimi nuk do të bjerë menjëherë: një pjesë e mirë e kostos së prodhimit vjen nga investimi fillestar në fushën naftëmbajtëse. Pasi fusha është gati për prodhim, ajo vazhdon të prodhojë edhe nëse fitimet nuk mjaftojnë për shlyerjen e investimit. Por në terma afatgjatë, askush nuk ka interes të investojë kur risku i humbjeve është kaq i lartë. Për pasojë prodhimi do të pakësohet: rezerva nafte që parimisht mund të shfrytëzohen ka, por nuk do të kemi interes ekonomik ti nxjerrim. Ky është thelbi i konceptit të pakësimit të rezervave.

Kundër këtij paralajmërimi na kujtojnë teknologjinë. Njerëzit thonë, “po, por teknologjia do të pakësojë kostot e nxjerrjes së naftës dhe gjithshka do të zgjidhet”. Kam frikë se nuk është kaq e thjeshtë. Teknologjia ka limitet e veta.

Objekti që shihni lart është një shist argjilor. Nga ky lloj guri nxirret nafta dhe gazi argjilor. Siç mund të përfytyrohet, nuk është e lehtë. Nafta gjendet e bllokuar në gur, nuk mund të nxirret me pompë. Që të nxirret duhet të copëzohet (të frakturohet) guri. Në foto mund të shikoni llojin e pajisjeve që përdoren për frakturimin. Nuk janë aspak të lira. Nuk mjafton kaq: po fillove të frakturosh, duhet të vazhdosh. Një pusi frakturimi i pakësohet shumë shpejt prodhimi, diku tek 80% në 3 vjet. Nafta argjilore është e shtrenjtë, pra kostua e prodhimit është e lartë. Çmimi i naftës në treg është histori tjetër, industria mund të shesë dhe me humbje, nëse kanë qënë tepër entuziaste dhe ka hedhur lekët tek nafta argjilore. Kjo po ndodh me gazin argjilor në SHBA. Investitorët ishin shumë entuziastë, çka ka sjellë mbiprodhim, çmime të ulëta që nuk mbulojnë kostot e prodhimit.

Pra prodhimi i naftës dhe gazit argjilor, të ashtëquajturat “nafta e re”, është proçes kompleks dhe me kosto të larta. Vërtet teknologjia mund të ndihmojë në pakësimin e kostove, por si mund të pakësojë energjinë që duhet për copëzimin e një guri në pluhur? Do e copëzojmë me telefona smart? Do i shpërndajmë foton në feisbuk? Do përdorim printer 3D? Që të grish një gur duhet energji dhe kjo energji duhet të vijë nga diku.

Çështja kyçe është se nxjerrja e naftës kërkon energji. Raporti i energjisë në naftën e nxjerrë me energjinë e harxhuar për nxjerrjen e saj quhet “kthimi energjitik neto”, ose EROI apo EROEI (kthimi energjitik mbi energjinë e investuar). Interesi ynë është që EROEI të jetë sa më i lartë, por EROEI i naftës pakësohet me kalimin e kohës për shkak të pakësimit të rezervave të naftës.

Siç shikohet, EROEI e naftës gjatë këtyre 100 viteve është pakësuar nga 100 në 10 (vlera prej 100 mund të jetë disi e ekzagjeruar, por trendi është i saktë). Kur energjia neto pakësohet, pusi i naftës na jep gjithmonë e më pak energji neto, siç tregon grafiku në të djathtë, poshtë. Situata është veçanërisht e rëndë për naftën argjilore, biokarburantet, rërat bituminoze etj. Këto lloj burimesh hidrokarburesh janë më të shtrenjtat për tu shfrytëzuar, dhe sot po shfrytëzohen sepse nuk ka më të lira se ato. Nuk bën çudi atëhere pse çmimi i naftës duhet të ngrihet që nivelet e prodhimit të mos bien. Por kur çmimet janë shumë të larta për konsumatorin, vjen efekti i kundërt, çmimet ulen e prodhuesit marrin sinjalin që të mos prodhojnë më nga burime shumë të shtrenjta.

Pra kemi një problem. Problemi po shfaqet në formën e luhatjeve të forta lart e poshtë të çmimeve, por po na çon gradualisht në një situatë ku nuk do të prodhojmë dot më aq naftë sa deri tani. E njëjta gjë vlen për gazin. Mendoj se kriza aktuale në Europë, e cila sot perceptohet kryesisht si krizë politike, në fakt e ka origjinën në pakësimin e vazhdueshëm të rezervave të gazit. Kemi ende plot rezerva gazi, por po shtrenjtohet nxjerrja e tyre. E njëjta gjë vlen për qymyrin, megjithëse ky nuk ka probleme kaq të mëdha-problemi i qymyrit janë emetimet e karbonit dhe ndryshimet klimatike; këto janë edhe më të rëndësishme se pakësimi i burimeve. Qymyri ndoshta është me shumicë (më me shumicë se burimet e tjera fosile), por nuk zgjidh problemet tona.

Si përfundim, kemi probleme që nuk mund të “zgjidhen” duke vazhduar prodhimin e burimeve jo të rinovueshme, të cilat në terma afatgjatë do të shtrenjtohen. Ky është një problem fizike, nuk mund të zgjidhet me metoda politike apo financiare. E vetmja zgjidhje është të tranzitojmë tek burimet që nuk pakësohen me kalimin e kohës. Pra tek burimet e rinovueshme.

Duhet të gjejmë EROEI-n e burimeve të rinovueshme dhe ta krahasojmë me atë të burimeve fosile. Është e vështirë dhe shumë po punohet në këtë drejtim. Ka shumë pasiguri në përllogaritje, por mund të themi se “te rinovueshmet e reja”, kryesisht panelet fotovoltaike dhe era, kanë EROEI në prodhimin e energjisë elektrike, të ngjashme me atë të naftës e gazit. Ndoshta energjitë e rinovueshme ende nuk sjellin të njëjtin kthim si burimet fosile, por EROEI i burimeve fosile po pakësohet, kurse EROEI e energjive të rinovueshme po shtohet për shkak të masivizimit të tyre dhe novacioneve teknologjike. Pra do të vijë momenti (ndoshta ka ardhur), madje dhe në çmim, që kostua e energjisë elektrike nga energjitë e rinovueshme të jetë e njëjtë me atë të energjisë elektrike të prodhuar nga burimet fosile.

Problemi është se shoqëria jonë është ndërtuar e përshtatur për burimet fosile. Tranzicioni drejt fotovoltaikeve psh. të cilat nuk janë karburante të lëngshme, nuk është i thjeshtë. Na duhet një infrastrukturë e re, e cila do të jetë jashtëzakonisht e shtrenjtë për tu ngritur. Nuk duhet të presim që tranzicioni energjitik të jetë pa dhimbje. Por nëse nuk bëjmë gjë, do të jetë dhe më keq.

Për t’ju rikthyer temës së diskutimeve, sigurisë energjitike të Europës. Shpresoj se ju tregova se si siguria energjitike lidhet me furnizimin dhe aktualisht kemi probleme të mëdha me furnizimin e burimeve fosile. Problemi vetëm do të shtohet për shkak të pakësimit gradual të rezervave. Duhet të mendojmë se cilat burime nuk i kanë këto probleme. Prandaj është jetike për Europën të investojë në energjitë e rinovueshme. Të rinovueshmet nuk do të bëjnë mrekulli, por do të jenë ndihmë e madhe në kohët e vështira që po vijnë.

Si përmbledhje:

  1. Duhet energji për të prodhuar energji.
  2. Energjia neto e siguruar nga burimet fosile po pakësohet për shkak të pakësimit të rezervave të tyre
  3. Që të ruhet niveli aktual i prodhimit të burimeve fosile duhen çmime të larta
  4. çmimet e larta shkaktojnë rënie të konsumit dhe recession
  5. Investimi në energjitë e rinovueshme duhet të jetë prioritet kyç për të ardhmen e Europës.

Përktheu: Rita Strakosha

This entry was posted in Financat, Te ndryshme. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s