Piku i naftës i mirë apo i keq?

Nga Robert Scribbler

Përktheu: Rita Strakosha

Në një botë ku djegja e burimeve fosile po inicion ndryshime që përfshijnë gjithë Tokën, një ndër gjërat më të mira që mund të na ndodhë është piku në prodhimin e naftës*. Një ngjarje e tillë do të detyronte vendet dhe ekonomitë e tyre të përshtaten. Do ti detyronte të ndryshonin rutinën e të aplikonin me shpejtësi një stil jetese e konsumi që nuk shkatërron mjedisin.

Por, fatkeqësisht ka mjaftueshëm naftë, gaz, qymyr, gaz e naftë argjilore, hidrate metani, rëra bituminoze, vajguri e burime të tjera fosile për të djegur me vite, dekada e ndoshta shekuj. Pra të shpresojmë tek piku i naftës, pa ndërhyrje nga popujt apo qeveritë është një shpresë fallco.

bazhenov_formation_oil_reservoir

(Fusha naftëmbajtëse argjilore Bazhenov. Kjo fushë tashmë është e shfrytëzueshme në sajë të teknologjisë së re amerikane të hidrofrakturimit. Kjo fushë ka 1.2-2 trilion barrela naftë, nga të cilat 75-330 miliard barrela janë rezerva të shfrytëzueshme. Ndoshta nuk është rastësi që kjo fushë është në të njëjtin rajon ku u zbulua krateri i madh misterioz në Siberi. Kjo fushë po synohej nga firma Exxon dhe firma ruse Rosneft përpara vendosjes së sanksioneve.  Shfrytëzimi i kësaj bombe karboni do të çlironte miliarda ton CO2 shtesë në atmosferë dhe do të shtynte datën e pikut të naftës me vite apo dekada. Është shumë më keq të digjet kjo naftë se të lihet pa shfrytëzuar).

*****

Dikur në mes të viteve 2000, na ishte një këshilltar energjie i industrisë së naftës, Matthew Simmons. Një fushë e madhe naftëmbajtëse në shkretëtirën e Arabisë Saudite i tërhoqi vëmendjen Simonsit. Kjo ishte Ghawar. Një kube nën presion me rreth 80 miliard barrela naftë. Mjaftonte ta shpoje Ghawarin e nafta shpërthente me presion.

Por erdhi dita që magjia e Ghawarit filloi të zbehej. Që prodhimi i naftës të vazhdonte Arabia Saudite filloi të injektojë ujë në këtë fushë. Kjo shtoi nevojën për energji si dhe kostot e prodhimit. Për Arabinë Saudite e për pjesën më të madhe të botës, epoka e naftës së lirë po mbaronte.

Simons deklaroi se piku i naftës ishte shumë afër. Se prodhimi botëror i naftës nuk mund të kapërcente 85 milion barrela në ditë. Dhe se burime të reja, jokonvencionale-si nafta argjilore dhe rërat bituminoze-ishin shumë të vështira për tu shfrytëzuar. Analistët e pikut të naftës deklaruan se fusha naftëmbajtëse Bakken nuk do të prodhonte kurrë më shumë se 100,000 barrela në ditë. Kurse baseni argjilor “Eagle Ford” ishte i papërfillshëm. Dukej se rreziku i një piku në prodhimin botëror të naftës ishte i afërt.

Për disa, si mjedisorët e ata që janë shumë të shqetësuar për pasojat e emetimeve të karbonit në klimë, ideja se piku i naftës po afronte u mirëprit. Piku do të detyronte ekonomitë të përshtateshin ndaj realitetit të ri energjitik e mjedisor dhe do të parandalonte ndryshime të rrezikshme të klimës. Kishte rezerva masive gazi e qymyri ende.  Por piku i naftës do të sillte pakësimin e konsumit dhe do të ndihmonte përhapjen e energjive  të rinovueshme-të vonuara për shkak të ndikimit në politikë të interesave të industrisë së naftës, gazit e qymyrit.

Shumica e analistëve të ekonomisë nuk e përmendte kurrë pikun e naftës. Ata besonin në magjinë e tregut, se ky do të siguronte një burim të ri energjie dhe se çmimet e rritura do të siguronin që të shfrytëzoheshin më shumë burime energjie.

Një pjesë e zhurmshme e analistëve të pikut të naftës, të drejtuar nga Simons, mendonin se teknologjia e re naftënxjerrëse nuk do të arrinte të shtynte datën e pikut të naftës. Ata gjithashtu nënvleftësonin potencialin zëvendësues të energjive të rinovueshme. Qëndrimi i tyre i prerë ishte se piku i naftës do të sillte një pakësim rrënjësor të konsumit (që do të sillte varfëri e kolaps deri në nivelet e mirëqënies të shekullit të 19). Sipas tyre pakësimi i konsumit e kolapsi ishin të nevojshëm, e do të ndodhnin me apo pa dëshirën tonë.

Fakti që besuesit tek piku e mjedisorët nxisnin pakësimin e konsumit ishte pozitiv, por nënvleftësimi i të rinovueshmeve i bënte burimet fosile të dukeshin të pazëvendësueshme. Çka, në mungesë të përhapjes së gjerë të energjive të rinovueshme, hapi rrugën ndaj teknologjive të reja naftënxjerrëse.

Analistët ekonomikë u mbiquajtën “teknologjistat” nga “pikista”-t militantë. Ky term pothuaj përfshinte çdokënd që besonte tek zgjidhjet teknologjike, përfshirë dhe ato të qëndrueshme. Ndryshe nga pikistat, teknologjistat besonin se nuk do të kishte krizë prodhimi në naftë. Kur doli se gabonin, ata mbështetën me entuziazëm hidrofrakturimin dhe shfrytëzimin e burimeve jokonvencionale të naftës.

Një grup tjetër progresistësh kërkonte përhapjen e energjive të rinovueshme. Ata patën një farë suksesi në sajë të çmimeve më të larta të naftës, megjithë sulmet e vazhdueshme nga mosbesuesit dhe konkurrencës së teknologjive të reja naftënxjerrëse.

Piku i naftës konvencionale erdhi në fakt në 2006-2008. Çmimet kërcyen, ekonomitë u shokuan. Kriza solli një përhapje të energjive të rinovueshme dhe të efiçencës. Konsumi ra, ekonomia botërore vendqëndroi, ndërkohë që tregu i derivativëve dhe i energjisë kolapsoi. Por çmimet e rritura të energjisë mundësuan teknologji të reja që shtuan ndjeshëm prodhimin e naftës argjilore në fushat naftëmbajtëse të Bakken, Eagle Ford, në fushat e bitumit të Kanadasë, e në gjithë botën.

Sot, hidrofrakturimi, një proçes që kërkon shumë energji e çliron shumë karbon, nxjerr 1 milion barrela naftë në ditë nga fusha naftëmbajtëse Bakken. Nxjerr 1.7 milion barrela/ditë në fushën “Eagle Ford”. Sot SHBA prodhon 13.9 milion barrela karburante në ditë.

SHBA është tashmë prodhuesi më i madh i karburanteve në botë, në kurriz të shkatërrimit të klimës.

Në botë, pavarësisht disa problemeve në Lindjen e Mesme e gjetkë, prodhimi i naftës vazhdoi të rritej. Prodhimi nga bitumi i Kanadasë arriti në 2 milion barrela/ditë, ndërkohë që Alaska planifikon të shkojë në 5 milion barrela/ditë në 2030. Kjo është një bombë karboni që po shpërthen.

Nga 85 milion bbr/ditë në mesvitet 2000 sot prodhimi i karburanteve është 92 milion bbr/ditë.

Pra Simons, dhe mbështetësit e tij, gabonin me pikun prej 85 milion bbr/ditë të naftës.

Sot në 2014 djegim më shumë naftë, gaz, e qymyr seç kemi djegur ndonjëherë, piku i naftës është shtyrë përsëri për një datë tjetër. Emetimet e karbonit në botë janë të tilla që ndër skenarët për ndryshimet klimatike të panelit ndërqeveritar të klimës-IPCC-të realizohen ata më negativët ose skenarët e mesëm. Në këtë drejtim, një pjesë e pikistëve të naftës gabonin rëndë-piku i naftës nuk na shpëtoi nga ndryshimet klimatike. Ndryshimet e mëdha klimatike tashmë janë të pashmangshme, debati tani qëndron nëse ka rezerva nafte, gazi e qymyri të mjaftueshme për ta shkatërruar fare klimën.

Gjthsesi, duket se fushat e naftës argjilore, “Eagle Ford” dhe Bakken, për shkak të natyrës së hidrorfrakturimit, do të arrijnë pikun në 2016-2020. Pikistat e naftës po e rimarrin veten me shtimin e sfidave-sidomos atyre politike-ndaj prodhimit të naftës.

Në prag të një piku vullnetar

Fatmirësisht, mjedisorët e shkencëtarët, duket se po arrijnë të kufizojnë prodhimin e naftës nga rërat bituminoze të Kanadasë. SHBA ka sanksionuar prodhimin rus të naftës e shfrytëzimi i naftës argjilore të Rusisë mund të mos realizohet (me rreth 1.2-2 trilion barrela naftë rezerva). Pengesat ndaj hidrofrakturimit po shtohen, kurse kompanitë e naftës po tkurren.

Kina po premton të pakësojë ndjeshëm rritjen e konsumit të burimeve fosile. Në gjithë botën situata është e ngjashme: qeveritë, konsumatorët po kërkojnë të pakësohet konsumi i burimeve fosile të pista, të rrezikshme, të shtrenjta e në pakësim.

Energjia e rinovueshme është përhapur më shumë se kurrë. Kostot e paneleve diellore kanë rënë, rentabiliteti i tyre është rritur. Në shumë tregje energjia e erës është më e lirë se ajo fosile, megjithë çmimin e ulët të gazit për shkak të hidrofrakturimit. Automjetet elektrike po përhapen, efiçenca e automjeteve të zakonshme po rritet. Ka një lëvizje ndërkombëtare për pakësimin e konsumit të mishit-çka do të pakësonte sipërfaqen e tokës dhe burimet fosile të shfrytëzuara nga bujqësia. Gjithë këto ndryshime synojnë direkte pakësimin e konsumit të burimeve fosile, duke krijuar mundësinë për një pik artificial, vullnetar të burimeve fosile.

Kjo është çka dëshirojmë: ekonomia të fillojë të ndryshojë. Njërëzit vullnëtarisht, me përgjegjësi, të realizojnë tranzicionin e ekonomisë. Kanë thënë se epoka e gurit nuk mbaroi se mbaruan gurët. Ndoshta kështu do të ndodhë dhe me burimet fosile, nëse ne e dëshirojmë. Që të ndodhë duhet që njerëzit ta kuptojnë se është e nevojshme.

Frika nga piku i naftës mbështet statuskuonë

Piku vullnetar i naftës nuk është i sigurtë. Ka forca shumë të fuqishme politike të cilat refuzojnë ekzistencën e ndryshimeve klimatike dhe po bëjnë të pamundurën të vazhdohet nxjerrja e burimeve fosile si zakonisht brenda mundësive teknologjike dhe ekonomike. Ata përpiqen të pengojnë përhapjen e energjive të rinovueshme dhe të masave të kursimit. Në përgjithësi përpiqen të pengojnë vullnetin politik për t’ju përgjigjur krizës klimatike shkaktare e së cilës janë burimet fosile.

Një mënyrë për ti zgjatur jetën burimeve fosile është përhapja e frikës nga piku i naftës. Nëse njerëzit mendojnë gabimisht se piku i naftës është më i rrezikshëm se ndryshimet klimatike, ata mund të mos përpiqen të pakësojnë konsumin e burimeve fosile. Ata, njësoj si klimaskeptikët, do të ngjiten pas burimeve fosile si ata pasagjerët që nuk e dinë se ka barka shpëtimi e kapen fort në majë të anijes.

Si vepron frika nga piku i naftës? E thjeshtë. Fillimisht moho, nënvleftëso apo injoro potencialin që energjitë e rinovueshme kanë për njerëzimin (për njerëzit e industrisë së naftës kjo është e thjeshtë sepse kanë vite praktikë në dizinformimin mbi energjitë e rinovueshme). Ata përdorin shifra fallco ose të vjetra rentabiltieti të këtyre energjive.

Së dyti, deklaro se vetëm burimet fosile mund të plotësojnë në masë nevojat për energji.  Se bujqësia varet nga burimet fosile, ajo nuk mund të ndryshojë mënyrën e prodhimit (si psh. të lërë prodhimin për mish, të kthehet në polikulturë, bujqësia urbane etj.). Pra sipas tyre nëse burimet fosile arrijnë pikun, dhe ushqimi do të arrijë pikun.

Së treti, mbivlerëso vlerën e burimeve fosile në civilizimin modern dhe nevojën e civilizimit për to.

Kjo mendësi është në kundërshtim të japur me apelin e autorëve të studimit “Limitet e Rritjes” për të tranzituar në një civilizim që nuk përdor më burime ndotëse energjie. Në fakt, kjo mendësi thotë se civilizimi është i qëndrueshëm për sa kohë ka burime fosile, kurse pa to vdes.

Sipas studimit “Limite të Rritjes”:

Nëse synimet e shoqërisë janë të shfrytëzojë natyrën, të pasurojë elitat, dhe të injorojë të ardhmen afatgjatë, atëherë teknologjia e tregjet do të shkatërrojnë mjedisin, do të rrisin hendekun mes të pasurve e të varfërve e do të maksimizojnë fitimin afatshkurtër.

Është varësia nga teknologjia e burimeve fosile që përfocon këtë cikël vicioz të përshkruar më lartë.

Ndryshimet klimatike kanë filluar, rezervat e burimeve fosile mjaftojnë për shkatërrimin e klimës

Me kërkesën aktuale problematike për naftë e burime fosile për shkak të masave të gjera politike e nga vetë shoqëria për pakësimin e konsumit, si dhe në sajë të përhapjes së energjive të rinovueshme,  ka dalë një ide e re si ajo e Matthew Simmons.

Ideja e re është se fushat naftëmbajtëse të Bakken dhe Eagle Ford po arrijnë pikun. Prandaj edhe prodhimi i naftës në Amerikën e Veriut do të vendqëndrojë e pastaj pakësohet, piku global i naftës mund të arrihet rreth 2020. Kjo pikëpamje me shumë mundësi është e saktë. Fushat naftëmbajtëse me shumë mundësi do të arrijnë pikun në 2016-2020, gjatë po kësaj kohe prodhimi botëror i naftës do të arrijë pikun për shkak të mosdëshirës së shoqërive të naftës për të investuar, të problemeve gjeopolitike në Azi e Lindje të mesme, dhe të masave të kursimit e përhapjes së energjisë alternative.

Përgjigja jonë ndaj kësaj krize të mundshme në prodhimin botëror të naftës do të ketë pasoja të mëdha për energjinë dhe klimën. Nëse e shohim pikun si diçka që duhet shmangur me çdo kusht, do të shohim përhapjen e hidrofrakturimit në gjithë botën, përfshirë në rezervat gjigande të naftës argjilore në Rusi e Kinë. Do të shohim nxjerrje të përforcuar të naftës në fushën naftëmbajtëse “West Texas” në SHBA. Do të shohim rënien e pengesave ndaj shfrytëzimit të bitumit të Kanadasë dhe rritjen e prodhimit të naftës nga bitumi kanadez në 5 milion barrela/ditë. Do të shohim prodhimin e gazit sintetik në Kinë, çka do të sjellë katastrofë mjedisore edhe më të madhe se bitumi i Kanadasë. Dhe do të shohim përpjekjet e para për shfrytëzimin e hidrateve të metanit.  Do të shohim më shumë termocentrale qymyri  me linjit-një burim i shfrytëzuar masivisht në vendet e varfra. Kurse nxjerrja e naftës do të realizohet edhe në Arktikun me klimë të ashpër.

Një zgjerim i tillë do të kishte kosto të rënda. Çmimi i burimeve fosile do të rritet, varfëria do të shtohet. Por, në mungesë të ndonjë ngjarjeje katastrofike, konsumi neto i burimeve fosile do të vazhdojë të shtohet në dy dekadat e ardhshme, madje përtej 2030. Dëshira politike për të pakësuar konsumin e burimeve fosile do të jetë nënshtruar nga frika e pikut të naftës, kurse energjitë e rinovueshme do të jenë penguar.

Në vend të kësaj ne mund të përqafojmë pikun e naftës e të pranojmë të paevitueshmen. Mund të vendosim të ndryshojmë sa dhe çfarë konsumojmë, të kërkojmë përhapjen e energjive të rinovueshme dhe zhvillimin ekologjik të bujqësisë. Kështu mund të ndalojmë një pjesë të ndryshimeve klimatike. Në vend që ta kemi frikë pikun e naftës, duhet ta dëshirojmë, bashkë me pikun vullnetar të burimeve të tjera fosile. Mund ti themi lamtumirë epokës së djegjes e të hapim një epokë të re ku të zgjidhim pasojat e burimeve fosile përpara se të jetë vonë. Përpara se të mos kemi më mundësi të bëjmë azgjë.

Kjo është zgjidhja jonë. Mos kujtoni se rezervat e burimeve fosile nuk mjaftojnë për të shkatërruar klimën. Dhe, për hir të zotit, mos mendoni se piku i naftës është problemi më i madh për ne. Në fakt, është një problem i nevojshëm. Është pjesë e domosdoshme, megjithëse e vështirë, e ndryshimit të stilit tonë të jetesës në një stil më të qëndrueshëm ndaj sfidave dhe më pak të dëmshëm.

*Piku i naftës quhet fenomeni kur prodhimi botëror i naftës arrin maksimumin historik, për tu zvogëluar më pas e përfundimisht shteruar.

Përktheu me shkurtime: Rita Strakosha

This entry was posted in Te ndryshme. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s