Drita artificiale, një mrekulli apo shqetësim?

Nga Rita Strakosha, Botuar në gazetën “Shëndeti”

Ndriçimi artificial ka shoqëruar njeriun prej mijëra vjetësh, ku qirinjtë, llampat me vaj e pishtarët ishin mjetet e para të përdorura të ndriçimit. Me shpikjen e Thomas Edisonit, llampën, ndriçimi pësoi një revolucion. Intensitetet e sotshme të ndriçimit të ambjenteve të brendshme dhe të jashtme janë shumë më të larta se të para një shekulli. Por njeriu dhe organizmat e gjallë, gjatë evolucionit të tyre, kanë përshtatur proçeset fiziologjike, gjumin, instiktin e ushqyerjes e atë riprodhues ndaj ritmeve stinore dhe atyre ditore të ndriçimit natyror.

Organizmi i njeriut ka një orë biologjike e cila i tregon nëse është ditë apo natë, dimër apo verë, dhe prodhimi i hormoneve në trup ndryshon në varësi të sinjaleve të marra nga ora biologjike. Ndriçimi artificial e çrregullon këtë orë biologjike, prandaj sot shkencëtarët flasin për ndotjen nga drita (light pollution) dhe pasojat e saj në shëndet.

Mendohet se çrregullimi i orës biologjike nëpërmjet problemeve të gjumit që shkakton, por dhe direkte duke ndikuar në sistemin nervor, është faktor në epideminë e obezitetit, sëmundjeve mendore, të zemrës, të kancerit të gjirit e prostatës. Studimet e ndryshme me punëtorët me turne, pilotët, me kafshët eksperimentale, apo studimet epidemiologjike tregojnë pasojat e shumta negative shëndetësore që ka ndriçimi artificial natën.

Krahas ndriçimit artificial, qytetet tona janë të ngarkuara dhe me zhurma. Një ndër pasojat pak të përmendura të qyteteve që nuk flenë kurrë është rritja e konsumit të alkoolit: bie mbrëmja, dritat ndizen, në klube fillon alkooli, deri në orët e vona të natës. Të alkoolizuarit kthehen në shtëpi, e ditën tjetër dëgjojmë për aksidente automobilistike, dhunë brenda familjes e vrasje. Alkooli, një pije me efekte qetësuese, përdoret për të zëvendësuar qetësinë e gjumin e humbur nga ndriçimi artificial e zhurmat. Por ndryshe nga gjumi, qetësia që sjell alkooli ka kosto.  Sipas Eric Nestler, drejtor i psikiatrisë në Universitetin Southwestern, SHBA, ka lidhje midis orës biologjike dhe abuzimit  me substanca psikotrope. Studiuesi Trinkoff tregoi në vitin 1998 se njerëzit me ritme cirkadiane të çrregulluara janë të prirur për alkoolizëm.

Në Shqipëri 1.5% e popullsisë me moshën mbi 15 vjeç është alkoolvartëse, trendet duket se janë në rritje. Qeveria e mëparshme ka hartuar dhe një strategji kundër alkoolizmit. Shtimi i rasteve të dhunës në familje, të cilat shpesh kryhen nga persona të alkoolizuar, është bërë shkak dhe për ndryshimin e kodit penal. Në shumicën e rasteve, rastet e dhunës në familje shpjegohen me problemet ekonomike ose me ndonjë sëmundje mendore të pashpjeguar të dhunuesit, mjedisi si faktor nuk përmendet.

Sa është ndotja nga drita në Shqipëri? Më pak se në vendet e zhvilluara, por gjithsesi konsiderueshëm më e lartë se disa dekada më parë. Kjo duket nga hartat e NASA-s, të cilat tregojnë ndriçimin natën në Shqipëri në vitin 1992 e në vitet në vijim deri në vitin 2012.

Shqiperia naten ne 1992
Shqipëria natën në 1992
Shqiperia naten ne 2012

Në vendet perëndimore, nisur nga shqetësimet për ndotjen nga ndriçimi artificial, bashki e komuna të ndryshme kanë aprovuar udhëzime mbi ndriçimin artificial për të shmangur ndotjen e tepruar nga drita. Masat e marra përfshijnë: ndriçimin vetëm të ambjenteve të domosdoshme publike në kohën e kërkuar, ndalimin e ndriçimit të tepruar në prona private kur ky shqetëson pronat fqinje etj.

Zbatimi i masave të ngjashme në Shqipëri do të pakësonte dhe kostot e ndriçimit publik natën. Gjithashtu, vetë qytetarët mund të pakësojnë ekspozimin e tyre ndaj dritës artificiale natën e zhurmave duke përshtatur ambjentin e brendshëm të shtëpisë (me grila, dopio-xhama etj.).

This entry was posted in Shendeti pa ilace. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s