Rritja jo-ekonomike e ekonomisë shqiptare

Nga Rita Strakosha. Botuar me shkurtime në gazetën “Shekulli”

Në fjalorin e gjuhës shqipe një kuptim i fjalës ekonomik është: “që bën të mundshëm e lehtëson shpenzimin me masë e me kujdes të mjeteve e të lëndëve ose kursimin e tyre; që nuk harxhon shumë, që jep mundësi të kursesh; që është me leverdi për ekonominë”. Pra ekonomik ka dhe kuptimin kursimtar. Politikat tona të sotshme ekonomike janë larg të qënit kursimtare. I gjithë fokusi i politikave fiskale, monetare e të liçencimit është tek nxitja e rritjes së prodhimit. Nuk është shtruar asnjëherë pyetja nëse kemi nevojë për rritje, por vetëm si të rritemi. Rritja e prodhimit është realizuar dhe/ose po kërkohet në sektorët e minierave (kromi, nafta, çeliku), në ndërtim, bujqësi, në sektorin financiar e në shërbime.

Por rritja e prodhimit në secilin nga këta sektorë sjell problematika ekonomike, mjedisore dhe sociale. Le ti marrim me rradhë disa nga sektorët: Në sektorin minerar, prodhimi i kromit e naftës është rritur e ka kontribuar ndjeshëm në rritjen ekonomike. Në krom kemi 35 milion ton rezerva të provuara, të cilat me ritmet aktuale të nxjerrjes (756 mijë ton të deklaruara në vit) janë të mjaftueshme për 46 vjet shfrytëzim.

Në naftë, rezervat aktuale të provuara (25 milion ton) me ritmet aktuale të shfrytëzimit (1 milion ton në vit) mjaftojnë për 25 vjet.

Në prodhimin e çelikut, fakti që grumbulluesit e skrapit i janë drejtuar koshave bashkiakë, këndeve të lojrave, vjedhjes së automjeteve e deri dorezave të dyerve të qytetarëve, për ti çuar për skrap, tregon se ka një problem me lëndën e parë në uzinat tona të çelikut.

Pra mund të rrisim prodhimin e këtyre mineraleve por rrezikojmë furnizimin tonë afatgjatë me to. Janë burime të fundme. Nëse i shterojmë shpejt do të lëmë brezat e ardhshëm pa burime.

Në ndërtim, për të plotësuar kërkesën për rërë e zhavorr ekskavatorët ligjorë e të paligjshëm po i boshatisin shtretërit e lumenjve nga rëra e zhavorri. Por rëra e zhavorri kanë një funksion më të rëndësishëm se të qënit përbërës të betonit: ato filtrojnë ujin e lumenjve e përrenjve, duke e pastruar nga llumrat e kthyer në ujë të pijshëm. Gjithashtu rëra e zhavorri shërbejnë si rezervuarë të ujit. Nëse nuk do të kishte rërë e zhavorrë nëpër lumenj, do të kishim më pak ujë të grumbulluar e më shumë përmbytje.  Ky shfrytëzim pa kriter u bë shkak që nga 1 nëntori 2011 të vendosen kufizime në shfrytëzimin e inerteve të lumenjve.

Rritja e sektorit të ndërtimit është bërë gjithashtu në kurriz të sektorit të bujqësisë, ku tashmë kemi vetëm 1.8 dynym tokë bujqësore për frymë, më pak se gjithë vendet europiane. Kemi ndërtuar dhe vazhdojmë të ndërtojmë në mes të tokave më të mira bujqësore.

Në bujqësi, nëse në afatgjatë arrijmë të ruajmë prodhimin do të jemi me fat. Pritet që me ndryshimet klimatike në Shqipëri temperaturat të rriten mesatarisht me 1.5 oC deri në 2050. Shpeshtimi i valëve të të nxehtit, pakësimi i reshjeve në maj-shtator pritet të sjellin rënie të prodhimit tek ullinjtë, rrushi e në blegtori. Të gjitha kulturat bujqësore do të jenë negativisht të prekura për shkak të përmbytjeve e thatësirave.

Sektori i shërbimeve kufizohet nga furnizimi me lëndë të parë e energji në zgjerimin e tij.

Për sa i përket sektorit financiar, rritja e tij e shpejtë dhe jo në kohezion me pjesët e tjera të ekonomisë, do të sillte një ekonomi borxhi. Me krizën e parë i gjithë sektori bankar, dhe bashkë me të ekonomia, do të rrezikonte rënien si një kështjellë kartash.

Sipas ekonomistëve ekologjistë, si Herman Daly, ekonomia tashmë duhet të tejkalojë dogmën e rritjes e të kthehet në ekonomi cirkulare, ose ndryshe e riciklimit. Duhet të shfrytëzojmë më pak burime, dhe ato që përdorim ti riciklojmë. Rritja ekonomike është imponuar ndaj sektorëve të tjerë të ekonomisë nga sektori financiar, ndaj të cilit qeveria dhe bizneset tona kanë borxhe me interesa. Shlyerja e borxheve ua bën domosdoshmëri rritjen e të ardhurave dhe xhiros. Herët ose vonë dhe sektori financiar do të duhet të përshtatet ndaj kufijve fizikë të rritjes, dhe në vend të pengesës së transformimit të ekonomisë në cirkulare të kthehet në nxitje të saj.

This entry was posted in Financat, Te ndryshme. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s