Gazifikimi i Shqipërisë një strategji jo dhe aq largpamëse

Nga Rita Strakosha

Kalimi i tubacionit të gazit natyror TAP në Shqipëri është përshëndetur me ekzaltim nga politika dhe media shqiptare. Në seancën plenare të miratimit të marrëveshjes Shqipëri, Itali, Greqi për TAP-in, deputetët u shprehën me superlativa si “është një ngjarje historike në zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, “një projekt me një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik”, “sjell një revolucion të tërë në mundësinë e furnizimit me energji me kosto më të ulët” etj.

Ky optimizëm vjen nga mundësia e re e furnizimit me gaz të ekonomisë shqiptare nga TAP. Kështu, qeveria shqiptare po planifikon gazifikimin e Shqipërisë. Kompania “TAP AG Albania” ka marrëveshje me qeverinë për dhënie asistence për përgatitjen e masterplanit të gazifikimit të Shqipërisë.

Gazifikimi i Shqipërisë sipas Z. Stavri Dhima, shef sektori në drejtorinë e menaxhimit të projekteve të hidrokarbureve në METE, do të kryhet në disa faza. Në fazën e parë parashikohet përdorimi i gazit për prodhimin e energjisë elektrike nga TEC-i i Vlorës dhe mundësisht nga TEC-i i rikonstruktuar i Fierit. Në fazën e dytë planifikohet të gazifikohet industria e rëndë si çeliku, çimentoja, materialet e ndërtimit etj., ndërsa në fazën e tretë parashikohet furnizimi me gaz i familjeve. Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar dy kontrata paraprake me dy aksionerë kryesorë të TAP-it për furnizimin me 750 milion m3 gaz/vit.

Por gazi natyror është burim fosil i cili gjatë djegjes emeton gazra serrë, prandaj përdorimi i tij konsiderohet si pozitiv nga politikbërësit perëndimorë vetëm në një periudhë afatmesme (deri më 2030-2035) dhe vetëm kur përdorimi i tij zëvendëson burimet fosile më ndotëse si qymyri. Kështu strategjia europiane “Energjia 2050” i jep rol të rëndësishëm gazit për zëvendësimin e qymyrit dhe pakësimin e emetimeve deri në vitin 2030-2035. Po ashtu në prezantimin e tij të planit amerikan kundër ndryshimeve klimatike Presidenti Obama e bëri të qartë se gazi natyror është pozitiv vetëm në një periudhë afatmesme për të fituar kohë për përhapjen e teknologjive të energjive të pastra në masë.

Gazi natyror i TAP-it do të fillojë të furnizojë Shqipërinë vetëm nga viti 2019, dhe pak vite më vonë strategjia energjitike e Shqipërisë (e harmonizuar me atë të BE-së) normalisht do të synojë pakësimin e konsumit të gazit. Me gazifikimin e vendit, me miliarda lek do të investohen në një infrastrukturë që shpejt pas investimit do të synohet të përdoret sa më pak. Për këtë arësye përfitimet nga gazifikimi do te jenë shumë më modeste nga sa pretendohet sot.

Problemi tjetër pak i përmendur është se gazi natyror është burim i fundëm, si i tillë në një të ardhme jo të largët prodhimi i tij do të fillojë të pakësohet kurse çmimi do të ngrihet. Sipas institutit të dëgjuar Energy Watch Group, nga viti 2020 (pikërisht atëhere kur Shqipëria do të fillojë të furnizohet me gaz nga TAP), pritet pakësimi i prodhimit botëror të gazit. Kjo do të sjellë rritje të çmimit të tij në vijimësi, derisa të zëvendësohet me burime të tjera energjie. Pra rritja e çmimit të gazit do të përkojë me fillimin e përdorimit të tij masiv në Shqipëri, çka do të ndikojë negativisht në konsumin e tij dhe në kthimin e investimit për gazifikimin.

Gjithashtu, në një raport të publikuar së fundmi nga 3 OJF europiane, përfshirë SEE BankWatch Network, të financuar nga BE, konkludohet se gazifikimi i vendeve të Ballkanit do të vonojë tranzicionin drejt energjieve të rinovueshme dhe do të ketë efekte negative shtesë si mbështetja e regjimeve autoritare vendburime të gazit, rritja e vartësisë nga importet etj.

Për vendet pa infrastrukturë gazi, si Shqipëria, raporti këshillon që duhet të studiohet me kujdes nëse duhet zhvilluar kjo infrastrukturë. Sipas raportit investimet masive në gaz mund të shterojnë fondet për investime në energjitë e rinovueshme dhe në efiçencën e energjisë. Në çdo rast bankat e zhvillimit nuk duhet të investojnë në këto projekte, sepse fondet e tyre janë të kufizuara dhe prioritet duhet të kenë projektet që kanë vështirësi në gjetjen e fondeve në tregun privat.

Botuar fillimisht tek http://ekolevizja.wordpress.com.

 

This entry was posted in Tranzicioni social-ekonomiko-politik. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s