Fjalimi i plotë i Presidentit Obama për ndryshimet klimatike dhe çkarbonizimin

Përktheu: Rita Strakosha

Mbajtur më 25 Qershor në Universitetin Georgetown

Në prag të Krishtlindjeve të vitit 1968, astronautët e misionit Apollo 8 u lidhën me Tokën direkte nga orbita e Hënës. Frenk Borman, Xhim Lovell, Uilliam Anders-njerëzit e parë në orbitën e Hënës-përshkruan çka po shikonin dhe u lexuan Biblën njerëzve në Tokë.  Më vonë, po atë natë, ata bënë një foto që do të ndryshonte këndvështrimin tonë mbi botën.  Ishte një foto e Tokës-e mrekullueshme; mahnitëse; një gur ndriçues prej oqeanesh blu dhe pyjesh të gjelbra, malesh të kafenjtë të përqafuar nga re të bardha, që ngrihej përmbi horizontin e Hënës.

Megjithëse pamja e Tokës nga hapësira mund të na duket rutinë tashmë, imagjinoni sa përshtypje na bënte neve që e shikonim shtëpinë tonë, planetin tonë për herë të parë. Imagjinoni çfarë përshtypje linte tek fëmijët si unë. Edhe vetë astronautët ishin të mahnitur. Lovell ka thënë se këto foto na bënë të kuptojmë se çfarë vlere ka Toka për ne.

Në të njëjtën kohë që filluam eksplorimin e hapësirës, shkencëtarët po studionin ndryshimet në atmosferën e Tokës. Ata a kishin pasë ditur që prej viteve 1800 se gazrat serrë si dioksidi i karbonit thithin nxehtësinë dhe se djegja e burimeve fosile do të emetonte gazra të tilla në ajër. Kjo dihej. Por në fundvitet 1950, Shërbimi Kombëtar Meteorologjik filloi të maste nivelet e CO2 në atmosferë, me shqetësimin se rritja e niveleve mund të sillte prishjen e ekuilibrit të brishtë që e bën Tokën të banueshme. Ata vunë re vit pas viti se nivelet e ndotjes me karbon në atmosferë janë rritur shumë.

Studimet shkencore, të bëra dhe të rishikuara gjatë dekadave, na tregojnë se planeti ynë po ndryshon në mënyra që do të kenë pasoja dramatike mbi gjithë njerëzimin.

12 vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë kanë qenë në 15 vitet e fundit. Vitin e kaluar temperaturat në disa zona të oqeanit arritën nivele rekord, kurse akulli në Arktik u tkurr në sipërfaqen më të vogël të rregjistruar-shumë më shpejt se ç’parashikonin modelet. Këto janë faktet.

Një ngjarje e vetme moti nuk shkaktohet vetëm nga ndryshimet klimatike. Thatësirat, zjarret, përmbytjet kanë ndodhur dhe në kohëra të lashta. Por në një botë më të ngrohtë ngjarjet e motit ndikohen nga ngrohja. Fakti që niveli I detit në Nju Jork, në Portin Nju Jork, sot është 30 cm më i lartë se një shekull më parë nuk është shkak i uraganit Sendi, por me siguri kontribuoi në shkatërrimin që la pjesën më të madhe të qytetit të plotfuqishëm në errësirë dhe të përmbytur.

Pasojat e mundshme shkojnë përtej ngritjes së nivelit të oqeaneve. Këtu në SHBA, 2012 ishte viti më i ngrohtë në histori. Fermat e SHBA-së qendërperëndimore u prekën nga thatësira më e keqe që pas asaj të viteve 30, dhe më pas u përmbytën nga pranvera më e lagësht në histori. Zjarret në perëndim dogjën një sipërfaqe më të madhe se ajo e shtetit të Merilandit. Vetëm javën e kaluar, një valë i nxehti në Alaskë i çoi temperaturat në mbi 30 gradë celcius.

Kostua e këtyre ngjarjeve mund të matet në jetë, mirëqënie, shtëpi, biznese të humbura, në qindra miliarda dollarë shpenzime për ndihma. Në fakt, ata që tashmë po ndjejnë pasojat e ndryshimeve klimatike nuk kanë kohë të mohojnë ekzistencën e këtyre ndryshimeve-janë tepër të zënë duke u përballur me pasojat.  Zjarrfikësit po përballen me sezone më të gjata zjarresh, kurse shtetet dhe qeveria federale duhet të gjejnë fondet për të luftuar zjarret. Mu desh një ditë të ulem në një takim me ministrinë e brendshme dhe atë të bujqësisë, si dhe me stafin tim, vetëm për të llogaritur e gjetur fondet e nevojshme kundër zjarreve.

Fermerët përballen një vit me të mbjellat e thara, vitin tjetër me të mbjellat e përmbytura; kurse çmimet e rritura të ushqimeve paguhen prej jush, konsumatorit amerikan. Komunitetet malore shqetësohen për efektin në turizëm të pakësimit të dëborës-kurse familjet në rrëzë të maleve shqetësohen çfarë efektesh do të ketë kjo në furnizimin me ujë të pijshëm. Amerikanët në gjithë vendin po paguajnë tashmë çmimin e mosveprimit duke paguar më shumë për siguracionet, më shumë taksa vendore dhe qëndrore, si dhe më shumë për rindërtimet dhe ndihmat pas fatkeqësive natyrore.

Prandaj pyetja nuk është nëse duhet të veprojmë. Opinioni dërrmues shkencor- i kimistëve, i fizikanëve dhe i miliona studimeve- i është përgjigjur kësaj dileme. 97% e shkencëtarëve-përfshirë disa nga ata që fillimisht debatonin të dhënat- tashmë kanë konsensus. Ata kanë pranuar se planeti po ngrohet dhe se njerëzimi është kontribues.

Prandaj tani pyetja është nëse kemi kurajon të veprojmë përpara se të jetë tepër vonë. Përgjigja jonë do të ketë një ndikim të madh në botën që do të lëmë pas vetes sonë, pas fëmijëve dhe nipërve tanë.

Si një president, baba, dhe si një amerikan, jam këtu për t”ju thënë se duhet të veprojmë.

Refuzoj të dënoj brezin tonë dhe brezat e ardhshëm të jetojnë në një planet të shkatërruar. Prandaj sot po deklaroj një plan të ri kombëtar kundër ndryshimeve klimatike, dhe kërkoj mbështetjen e brezit tuaj që SHBA të jetë një udhëheqës botëror në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Ky plan ndërtohet mbi arritjet e deritanishme. Vitin e kaluar fillova presidencën. Vitin që fillova presidencën administrata ime premtoi se deri në fund të dekadës  do të pakësonte emetimet e gazrave serrë me ~17 % në krahasim me vitin 2005. Përveshëm mëngët dhe filluam punën. Dyfishuam elektricitetin e prodhuar nga era dhe dielli. Dyfishuam efiçencën e konsumit të karburantit që automjetet duhet të kenë deri në mes të dekadës tjetër.

Këtu në Xhorxhtaun, zbulova strategjinë time për një të ardhme të sigurtë energjitike. Në sajë të inovacioneve të bizneseve po fillojmë të prodhojmë shumë më tepër energji në vend. Po ndërtojmë centralet e para bërthamore në tre dekada-në Xhorxhia dhe në Karolinën e Jugut. Për herë të parë në 18 vjet, Amerika do të prodhojë më shumë gaz natyror se çdo vend tjetër. Pra po prodhojmë energji. Këto zhvillime kanë sjellë rritje ekonomike, kanë krijuar vende të reja pune, janë të patransferueshme jashtë vendit- dhe kanë pakësuar ndotjen nga karboni duke e çuar në nivelet më të ulëta në këto 20 vjet. Që nga 2006 asnjë vend nuk ka pakësuar emetimet e karbonit kaq shumë sa SHBA-ja.

Pra fillimi është i mbarë. Por arësyeja përse jemi mbledhur sot në mes të vapës është se kemi shumë për të bërë.

Në fjalimin tim të përvitshëm i sugjerova kongresit të gjejë për ndryshimet klimatike një zgjidhje konsensuale, që respekton tregun e lirë, si plani që disa vjet më parë u punua nga disa senatorë republikanë dhe demokratë. Pres që kongresi të veprojë. Jam gati të bashkëpunoj me këdo.

Por sfida nuk pret për konsensus. Ajo kërkon veprim tani. Dhe ky është plani im për t’ju përgjigjur- një plan për pakësimin e ndotjes nga karboni; një plan për mbrojtjen e vendit tonë nga pasojat e ndryshimeve klimatike; dhe një plan për të udhëhequr botën në një sulm të koordinuar ndaj ndryshimeve klimatike.

Ky plan fillimisht do të pakësojë ndotjen nga karboni duke ndryshuar mënyrën e përdorimit të energjisë-duke përdorur më pak energji ndotëse, më shumë energji të pastër, shpërdoruar më pak energji në ekonomi.

43 vjet më parë Kongresi aprovoi një ligj të quajtur Ligji i Ajrit të Pastër, 1970. Ishte një ligj i mirë. Arësyeja e aprovimit të tij ishte e thjeshtë: teknologjitë e reja mund të na mbrojnë shëndetin duke mbrojtur ajrin nga ndotja e dëmshme. Ai ligj u aprovua nga senati unanimisht. Mendoni-u aprovua nga senati unanimisht. U aprovua nga kongresi me 375 vota pro, 1 kundër. Nuk e di kush ishte kundër, nuk e kam parë. Sot vështirë se mund të merren kaq shumë vota edhe për emërime të thjeshta.

Ligji u dekretua nga një president republikan. Më vonë u fuqizua nga një tjetër president republikan. Kjo çështje ishte shqetësim për të dy partitë.

Para 6 vitesh gjykata kushtetuese vendosi se gazrat serrë janë ndotës dhe i nënshtrohen ligjit të sipërpërmendur. Gjykata i kërkoi Agjensisë për Mbrojtjen e Mjedisit, EPA-s, që të vendosë nëse këto gazra janë të dëmshëm për shëndetin dhe mirëqënien tonë. Në vitin 2009, EPA vendosi se gazrat  serrë janë të dëmshëm për shëndetin dhe mirëqënien tonë në shumë drejtime-nga ajri më i pistë tek valët e të nxehtit- prandaj emetimi i tyre duhet kontrolluar nga shteti.

Sot rreth 40% e ndotjes me karbon në SHBA vjen nga termocentralet tona. Por ka diçka: sot nuk ka limite federale ndaj ndotjes me karbon që këto termocentrale mund të emetojnë në ajër. Asnjë. Zero. Ne kufizojmë sasinë e kimikateve toksike si mërkur, squfur dhe  arsenik në ajrin apo ujin tonë, por termocentralet mund të shkarkojnë sasi të pakufizuara karboni në ajër pa asnjë kosto. Kjo nuk është e drejtë, është e rrezikshme, dhe duhet të ndërpritet.

Prandaj sot, për hir të fëmijëve tanë, dhe për shëndetin dhe sigurinë e amerikanëve, udhëzoj Agjenisinë e Mbrojtjes së Mjedisit ti japë fund shkarkimit pa kufizime të karbonit nga termocentralet tona dhe të aprovojë rregulla të reja si për termocentralet e reja dhe për të vjetrat.

Gjithashtu, udhëzoj EPA-n ti aprovojë këto rregulla me proçedura të hapura, transparente, dhe tu mundësojë elasticitet shteteve me nevoja të ndryshme. Të shfrytëzojë përvojën që shumë shtete, qytete dhe biznese të SHBA-së tashmë kanë krijuar. Në fakt, shumë termocentrale janë modernizuar tashmë dhe gjatë proçesit janë krijuar vende të reja pune. Termocentrale të tjera kanë filluar të punojnë me gaz natyror në vend të burimeve fosile më ndotëse.

Pothuaj 12 shtete amerikane kanë filluar ose janë duke filluar programe me mekanizma tregu për pakësimin e ndotjes nga karboni. Më shumë se 25 shtete  amerikane kanë aprovuar objektiva për efiçencën energjitike. Më shumë se 35 shtete kanë objektiva për energjinë e rinovueshme. Më shumë se 1000 kryetarë organesh vendore kanë nënshkruar marrëveshje për pakësimin e ndotjes nga karboni. Pra ideja e kufizimeve të ndotjes me karbon nga termocentralet tona nuk është ide e re. Thjesht ka ardhur koha që Washingtoni ti bashkohet pjesës tjetër të vendit. Dhe këtë planifikojmë të bëjmë.

Do të dëgjoni nga interesa të veçantë dhe aleatët e tyre në kongres se do të humbasin vende pune dhe ekonomia do të dëmtohet rëndë, dhe se tregu i lirë do të shkatërrohet. E di që do të thuhen këto gjëra sepse këto janë thënë sa herë që SHBA-ja vendos rregulla më të forta për ajrin dhe ujin tonë, për shëndetin e fëmijëve tanë. Ata gjithmonë kanë gabuar.

Psh. në vitin 1970, kur ne vendosëm me ligjin e ajrit të pastër që të vepronim kundër smogut mbytës në qytete. Shumica e të rinjve këtu janë tepër të rinj për të kujtuar si ishte gjendja atëhere, por kur unë shkoja në shkollë në Los Angeles, në vitet 1979-1980, kishte ditë kur njerëzit nuk mund të dilnin jashtë. Perëndimi i diellit shpesh ishte spektakolar për shkak të ndotjes së ajrit.

Kur me ligjin për ajrin e pastër u përpoqëm që të pakësonim smogun, disa nga skeptikët thoshin se masat kundër smogut do të shkatërronin industrinë e automjeteve. E di çfarë-nuk ndodhi. Ajri u pastrua.

Në 1990, kur vendosëm të bënim diçka për shiun acid, skeptikët thanë se faturat e energjisë do të shtrenjtoheshin, dritat do të shuheshin, bizneset do të vuanin- citoj- “një vdekje të heshtur”. Asgjë nga këto nuk ndodhi, vetëm shiu acid u pakësua ndjeshëm.

Shikoni, problemi me gjithë këto justifikime të stërthëna për mosveprim është se kanë një mungesë të plotë besimi tek bizneset dhe gjenialiteti amerikan. Këta kritikë kujtojnë se kur u kërkojmë bizneseve të ndryshojnë, të pakësojnë ndotjen dfhe të udhëheqin ndryshimin, bizneset nuk do të mundin ose nuk do të duan. Bizneset do të dorëhiqen. Por në Amerikë kjo nuk ndodh. Shikoni historinë tonë.

Kur kufizuam përdorimin e kimikateve kancerogjene në plastika dhe të karburanteve me plumb në automjete, industria e plastikave dhe ajo e karburanteve nuk u mbyllën. Kimistët amerikanë gjetën zëvendësues më të mirë. Kur hoqëm CFC-të (gazrat që hollojnë shtresën e ozonit) nga qarkullimi, industria e frigoriferëve, e kondicionerëve apo e parfumeve nuk falimentoi. Punonjësit dhe bizneset amerikane gjetën mëyra më të mira si të punonin duke e dëmtuar më pak mjedisin.

Standartet e karburantit që aprovuam vetëm pak vite më parë nuk e falimentuan industrinë e automjeteve. Kjo industri ndryshoi proçesin, dhe sot,  po shet automjetet më të mira në botë me shpejtësinë më të madhe këto 5 vitet e fundit- më shumë makina hibride, elektrike, më shumë makina efiçente në energji për gjithë konsumatorët.

Pra, nëse shikojmë historinë, mos dyshoni në industrinë amerikane. Mos dyshoni në punonjësit amerikanë. Mos u thoni njerëzve se duhet të zgjedhim midis shëndetit të fëmijëve tanë dhe shëndetit të ekonomisë.

Rregullat e vjetra thonë se nuk mund të mbrojmë mjedisin dhe të kemi dhe rritje ekonomike, por në SHBA teknologjitë e reja janë përdorur gjithmonë-kemi përdorur shkencën, kemi përdorur kërkimin shkencor, zhvillimin dhe zbulimet për të zhvlerësuar rregullat e vjetra.

Sot përdorim më shumë energji të pastër-më shumë energji të rinovueshme dhe gaz natyror- energji e cila po mbështet me qindra mijëra vende të mira pune. Shpërdorojmë më pak energji, çka na kursen shpenzimet për karburantin. Dhe e dini çfarë-ekonomia jonë është 60% më e madhe seç ishte 20 vite më parë, ndërkohë që emetimet e karbonit janë në nivelet e para 20 viteve.

Prandaj është e qartë se problemi është i zgjidhshëm. Nuk jemi përpara “ose njëra/ose tjetra”, por “të dyja”. Duhet të kujdesemi për fëmijët tanë; duhet të kujdesemi për të ardhmen tonë; si dhe duhet të rrisim ekonominë dhe të krijojmë vende pune. Gjithë këto mund ti arrijmë nëse nuk kemi frikë nga e ardhmja dhe shfrytëzojmë mundësitë që na jep.

Meqë ra fjala, së fundmi më shumë se 500 biznese, përfshirë gjigandë si General Motors dhe Nike, kanë nxjerrë një deklaratë për klimën, ku veprimet kundër ndryshimeve klimatike i quajnë “si një nga shanset më të mëdha ekonomike të shekullit të 21-të.”. Walmart po punon për pakësimin e emetimeve të tij të karbonit me 20% dhe për tranzicionin e plotë tek energjia e rinovueshme. Walmart duhet përshëndetur për këtë. Mendoni, a do ta kishte bërë diçka të tillë kompania dhe supermarketi më i madh në SHBA nëse nuk do të ishte diçka e mirë për biznesin dhe për aksionerët e saj?

Një ekonomi me karbon të ulët, me energji të pastër mund të rritet për dekada Dua që SHBA ta ndërtojë këtë ekonomi këtu në SHBA. Kjo është detyra jonë.

Dua që gjithkush ta ketë të qartë- kjo nuk do të thotë se papritmas do të ndërpresim nxjerrjen e burimeve fosile. Ekonomia do të vuante në një rast të tillë. Tranzicioni drejt energjive të pastra kërkon kohë. Por kur skeptikët na tundin paralajmërimet e vjetra se këto ambicie do të dëmtojnë furnizimin me energji, kujtojini se SHBA po prodhon naftë me ritmet më të larta këto 15 vitet e fundit. E vërteta është se nuk mund ti shmangemi sfidës energjitike dhe klimatike me të cilën po përballemi. Nuk është e mundur.

Në të kaluarën kam folur për një strategji me gjithë llojet e energjisë, por strategjia jonë e energjisë do të përfshijë shumë më tepër se prodhimin në rritje të naftës. Strategjia do të përfshijë shumë më tepër se tubacionet e naftës.

E di se ka shumë debate për ndërtimin e tubacionit të naftës Keystone, tubacion i cili do të transferojë naftën bituminoze kanadeze në rafineritë e Gjirit të Meksikës. Departamenti i Shtetit është në fazat e fundit të vlerësimit të projektit. Kjo është proçedura e zakonshme. Por dua të jem i qartë: Që ky tubacion të ndërtohet, duhet që administrata të konkludojë se është në të mirën e vendit. Interesi i vendit do të shërbehet vetëm nëse ky projekt nuk përkeqëson ndjeshëm problemin  e ndotjes nga karboni. Efekti neto i tubacionit në ndryshimet klimatike do të percaktojë nëse ky projekt do të aprovohet. Ky efekt do të vendosë.

Bashkë me rritjen e prodhimit të naftës kemi rritur dhe prodhimin e gazit natyror (më pak ndotës) më shumë se çdo vend tjetër. Nganjëherë ka debate për gazin natyror, por po ju them: Duhet të forcojmë pozicionin tonë si prodhues i madh i gazit natyror sepse, të paktën në kohë afatmesme, ky mund të na sigurojë energji të qëndrueshme, të lirë, por dhe do të na ndihmojë në pakësimin e emetimeve të karbonit.

Teknologji të subvencionuara nga shteti kanë ndihmuar bizneset tona që të shpojnë më me efektivitet dhe të nxjerrin më shumë gaz. Do të vazhdojmë të punojmë me industrinë që nxjerrja e gazit të jetë më e sigurtë, më e pastër, që të mos ketë emetime metani, që infrastruktura e gazit të jetë më moderne dhe më shumë shtëpi dhe biznese të punojnë me energji më të pastër.

Përfundimisht, gazi natyror krijon vende pune. Ai po pakëson kostot e energjisë  elektrike dhe të ngrohjes për shumë familje. Gazi është karburanti i tranzicionit që mund të lëvizë ekonominë tonë me më pak ndotje karboni ndërkohë që bizneset zhvillojnë dhe hedhin në treg teknologjitë e nevojshme për një infrastrukturë energjitike më të pastër në të ardhmen.

Kështu mbërritëm në mënyrën e dytë se si do të pakësojmë ndotjen nga karboni-duke përdorur më shumë energji të pastër. Gjatë 4 viteve të kaluara kemi dyfishuar elektricitetin e prodhuar nga era dhe dielli. Kjo ka krijuar vende pune-në prodhimin e turbinave të erës të cilat tani prodhojnë elektricitet sa për 15 milion shtëpi; vende pune në instalimin e paneleve diellore të cilat tani prodhojnë energji me kosto të paktën 4 herë më të vogël se vetëm disa vite më parë.

E di se disa republikanë në Washington i nënvleftësojnë këto vende pune. 85% e gjithë energjisë së erës në vend prodhohet në zona republikane. Kjo  shpjegon pse vitin e kaluar, guvernatorë republikanë në Kansas dhe Iowa (një shtet që 25% të elektricitetit e prodhon nga era) na ndihmuan të zgjasim afatin e uljes së taksave për prodhuesit e turbinave dhe të energjisë së erës. Me dhjetëra mijëra  vende pune rrezikoheshin nga mos-zgjatja e afatit, për këto vende pune ja vlejti përpjekja.

Vende si Kina dhe Gjermania janë në garë për përhapjen e energjive të rinovueshme. Besoj se amerikanët dinë të krijojnë më mirë se kushdo tjetër. Dua që SHBA ta fitojë këtë garë, por nuk mund ta fitojmë nëse nuk hyjmë në garë.

Plani që po ju shpalos do të na ndihmojë të dyfishojmë prodhimin e energjisë nga era dhe dielli. Sot udhëzova Departamentin e Brendhshëm të autorizojë  deri në vitin 2020 prodhimin privat të energjisë së rinovueshme në prona publike me kapacitet për furnizimin e 6 milion shtëpive

Departamenti i Mbrojtjes-konsumatori më i madh i energjisë në SHBA- do të instalojë 3 gigavat energji të rinovueshme në bazat e tij ushtarake, dhe do të prodhojë çdo vit aq energji saç prodhohet nga 3 milion tonë qymyr.

Miliarda dollarë taksash vazhdojnë të subvencionojnë korporatat më fitimprurëse në historinë e botës, prandaj buxheti im përsëri i bën thirrje kongresit të ndërpresë lehtësirat tatimore për kompanitë e mëdha të naftës, dhe të investojë në kompanitë e energjive të pastra të së ardhmes.

Mënyra e tretë e pakësimit të ndotjes nga karboni është duke kursyer energjinë-në automjetet, shtëpitë dhe bizneset tona. Standartet e efiçencës së automjeteve të vendosura në vitet e fundit do të bëjnë që deri në mes të dekadës tjetërs, automjetet dhe kamionat do të harxhojnë dy herë më pak karburant. Pra do të mbushni serbatorin dy herë më rrallë; të gjithë do të pakësojmë ndotjen nga karboni. Për herë të parë vendosëm standarte efiçence për kamionat e mëdhenj, autobuzët dhe furgonat. Në muajt e ardhshëm do të bashkëpunojmë me prodhuesit e kamionave që përsëri të rrisin efiçencën e brezit të ardhshëm të kamionave.

Ndërkohë energjia që përdorim në shtëpitë, bizneset, uzinat, shkollat, dhe spitalet tona është përgjegjëse për rreth 1/3 e gazrave serrë. Lajmi i mirë është se rinovime të thjeshta jo vetëm që pakësojnë emetimet, por dhe shtojnë vendet e punës-në prodhimin dhe instalimin e dritave, dritareve inteligjente, të sensorëve dhe pajisjeve. Faturat e dritave do të jenë më të lira çdo muaj- përgjithmonë. Prandaj kemi vendosur standarte të reja efiçence për pajisje si frigoriferë dhe pjatalarëse. Sot bizneset tona po ndërtojnë pajisje më të mira që pakësojnë emetimet e karbonit dhe kostot e faturave të energjisë me qindra miliard dollarë.

Qeveria federale duhet të udhëheqë duke treguar shembullin. Jam krenar që agjensitë federale kanë pakësuar emetimet e tyre të karbonit me më shumë se 15% që kur u bëra president. Por mund të bëjmë shkurtime dhe më të mëdha, prandaj sot kemi një objektiv të ri: 20% e elektricitetit  të përdorur nga qeveria federale do të vijë nga burimet e rinovueshme brenda 7 viteve të ardhshme. Ky është objektivi që do të vendosim.

Do të inkurajojmë bizneset private që të fillojnë të investojnë për kursimin e energjisë. Deri në fund të dekadës tjetër këto masa të efiçencës së pajisjeve elektrike dhe të ndërtesave federale do të pakësojnë emetimet e karbonit me të paktën 3 miliard tonë. Kjo sasi është saç emeton gjithë sektori ynë energjitik për 6 muaj.

E di që këto standarte nuk kanë shumë sy, por mendoni: Kjo është e barazvlefshme me mbjelljen e 7.6 miliard pemëve dhe rritjen e tyre për 10 vjet-duke ndenjur. Është pazar i mirë, i parefuzueshëm.

Përdorimi i më pak energjie ndotëse, tranzicioni drejt burimeve më të pastra të energjisë, kursimi i energjisë janë masat që duhet të marrim. Ky plan ndihmon në marrjen e këtyre masave. Duhet të jem i ndershëm-objektivi do kohë të arrihet. E vërteta e pakëndshme është se ndotja nga karboni është shtuar në atmosferë prej dekadash tashmë. Edhe nëse ne amerikanët bëjmë pjesën tonë, planeti do të vazhdojë të ngrohet për shumë kohë. Niveli i deteve do të ngrihet dhe stuhitë do të jenë më të rrezikshme, sipas shkencëtarëve. Jemi si në një makinë duke shtypur frenat, duhet kohë përpara se të ndalojmë dhe pastaj të kthehemi mbrapsht. Do të duhet kohë që emetimet e karbonit të stabilizohen.

 

Prandaj duhet të përgatitemi për tu përshtatur. Ky plan do të mbrojë sektorë kritikë të ekonomisë dhe do të përgatisë SHBA-në për pasojat e ndryshimeve klimatike që janë të pashmangshme. Shtetet dhe qytetet në gjithë vendin tashmë kanë filluar vetë të përgatiten. Shteti i Majamit po mbron infrastrukturën e ujit të pijshëm nga ndotja me ujë të kripur. Po bashkëpunojmë me shtetin e Floridës për të ripërtëritur ekosistemin natyral Everglades.

Kongresi në shumicë republikan i Teksasit aprovoi fonde për një bankë të re zhvillimi për ujin pasi thatësira e tejzgjatur solli papunësi dhe detyroi një qytet të tërë të blinte ujë nga zonat përreth.

Qyteti i Nju Jorkut po përforcon 520 milje bregdet për tu mbrojtur nga stuhitë gjithmonë e më të shpeshta e të mëdha. Çfarë kemi mësuar nga uragani Sendi dhe fatkeqësi të tjera natyrore është se duhet të ndërtojmë infrastrukturë më të qëndrueshme, më inteligjente, e cila mund të na mbrojë shtëpitë, bizneset dhe mund të përballojë stuhi më të mëdha. Pra duhet të kemi diga detare, barriera natyrale më të forta; rrjete transmetimi elektriciteti, infrastrukturë uji të pijshëm dhe energji më të regjura ndaj sfidave.

Buxheti që i nisa Kongresit përfshin fonde për mbështetjen e komuniteteve të interesuara për këto projekte. Ky plan udhëzon agjensitë federale  që çdo projekt i financuar nga buxheti i shtetit duhet të jetë i mbrojtur nga përmbytjet.

Do të bashkëpunojmë dhe me komunitetet që kërkojnë ndihmë në përgatitjen për thatësirat dhe përmbytjet, për zjarret, për mbrojtjen e dunave dhe të moçaleve, të cilat shërbejnë si zona të gjelbëruara dhe si barriera natyrale kundër stuhive. Do të hapim për publikun të dhënat tona për klimën si dhe albumin e NASA-s për klimën, me qëllim që qytetet dhe shtetet të vlerësojnë rrezikun sipas skenarëve të ndryshëm klimatikë. Kjo bëhet që të mos bëhen shpenzime të kota në ndërtime të pambrojtura nga stuhia e rradhës.

Ja, kjo është çfarë administrata ime do të bëjë në mbështetje të masave që tashmë po merren në gjithë SHBA-në. Kjo po bëhet jo vetëm për të pakësuar ndotjen nga karboni, por dhe për tu mbrojtur nga ndryshimet klimatike. Por, besoj siç e kuptoni të gjithë, asnjë vend nuk mund të përballet me këtë sfidë i vetëm-as  dhe një vend i fuqishëm si i yni. Prandaj pjesa e fundit  e planit tonë parashikon që SHBA të jetë një udhëheqëse në përpjekjet ndërkombëtare kundër ndryshimeve klimatike.

Le të jetë e qartë-bota pret nga SHBA që të udhëheqë. Kur fola me të rinj në Turqi para disa vitesh, pyetja e parë nuk ishte për sfidat e ndryshme me të cilat përballet Turqia. Pyetja ishte për ndryshimet klimatike, dhe për rolin e SHBA-së. Ishte pyetje e drejtë, sepse si ekonomia më e madhe në botë, si emetuesi i dytë më i madh i karbonit, si një vend me aftësi të pakrahasueshme në shkencë dhe teknologji, si një vend tek i cili gjithë bota mbështetet në kohë krize, kemi një rol të madh për të luajtur. Nuk mund të anashqëndrojmë. Kemi përgjegjësi unikale. Masat që po shpallim sot provojnë se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë që na takon.

Megjithëse ndotja me karbon në SHBA vitin e kaluar ra, ndotja globale me karbon u shtua. Ky është një problem. Vendet në zhvillim po përdorin gjithmonë e më shumë energji, dhe me dhjetëra miliona njerëz të shtuar në klasën e mesme natyrshëm kërkojnë të kenë automjete dhe kondicionerë, si ne. Nuk mund ti kritikojmë për këtë. Kur bisedojmë me vendet e varfra, ata na thonë: juve u zhvilluat, ne përse jo?

Por duhet të dimë se janë këto vende që janë më të brishta ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Ato me shumë mundësi do të preken më shumë se ne.

Disa vende në zhvillim me rritje shumë të lartë të ndotjes me karbon do të duhet të marrin masa së bashku me ne për tu përballur me këtë sfidë. Ata na vëzhgojnë, por ne do të përpiqemi që dhe ata të përfshihen. Jemi konkurrentë në tregëti, por kemi dhe një planet të përbashkët. Të gjithë kemi përgjegjësi për ruajtjen e jetës mbi Tokë, përndryshe do të vuajmë pasojat, të gjithë bashkë.

Prandaj, për të ndihmuar që më shumë vende të tranzitojnë më shpejt drejt energjive të pastra, do të bashkëpunojmë me sektorin tonë privat për të aplikuar teknologji të patentuara në vendet që do të tranzitojnë drejt gazit natyror. Kemi mobilizuar me miliarda dollarë kapitali privat për energjinë e pastër në të gjithë botën.

Sot bëj thirrje që financimi publik i termocentraleve të reja të qymyrit nëpër botë të ndërpritet-me përjashtim të termocentraleve me teknologji sekuestrimi karboni, apo të vendeve të varfra që nuk kanë mënyrë tjetër për të prdhuar energji. Nxis vendet e tjera ti bashkohen kësaj iniciative.

Sot udhëzoj administratën të fillojë bisedime për tregëtinë e lirë të mallrave dhe shërbimeve ekologjike, përfshirë teknologjitë e energjive të pastra, që më shumë vende të kapërcejnë fazën e ndotur të zhvillimit dhe ti bashkohen ekonomisë globale me karbon të ulët. Nuk ka nevojë që ato të përsërisin gabimet tona.

Kemi intensifikuar bashkëpunimin tonë për klimën me ekonomi të mëdha në zhvillim si India, Brazili dhe Kina-emetuesi më i madh i karbonit. Psh. këtë muaj Presidenti Xi i Kinës dhe unë arritëm një marrëveshje të rëndësishme për pakësimin e prodhimit dhe konsumit të hidrofluorokarbureve të rrezikshme. Planifikojmë të marrim masa të tjera në muajt në vijim. Masat do të kenë efekt. Ato janë një hap i rëndësishëm në pakësimin e emetimeve të karbonit.

Së fundmi, administrata ime do të dyfishojë përpjekjet për përfshirjen e partnerëve ndërkombëtarë në arritjen e një marrëveshjeje globale të re për marrjen e masave konkrete për ndotjen nga karboni.

4 vjet më parë, në Kopenhagen, çdo qytet i madh ra dakort, për herë të parë, për pakësimin e ndotjes nga karboni deri në 2020. Dy vjet më parë vendosëm të negociojmë një marrëveshje përtej 2020, e cila do të nënshkrohej nga të gjithë vendet, jo vetëm nga ato të zhvilluarat.

Kemi nevojë për një marrëveshje ambicioze-sepse përmasat e sfidës janë të tilla. Duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse-sepse çdo vend ka rolin e tij. Duhet një marrëveshje elastike-sepse vende të ndryshme kanë nevoja të ndryshme. Nëse mund të arrijmë një marrëveshje të tillë, mund të hedhim themelet e zhvillimit të qëndrueshëm për brezin tuaj.

Ky është plani im. Masat që po shpall sot duhet ti dërgojnë një sinjal të fortë botës se SHBA planifikon të marrë masa të forta kundër ndotjes nga karboni. Do të udhëheqim me shembullin tonë, sepse këtë kemi bërë gjithmonë.

Jam i sigurt se SHBA mund ta udhëheqë këtë luftë, dhe do ta udhëheqë në këtë shekull të 21-të. Jam i bindur se SHBA duhet të udhëheqë. Por të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Shkencëtarët duhet të zbulojnë karburante të reja, fermerët duhet të kultivojnë karburante të reja. Do duhen inxhinjerë për shpikjen e teknologjive të reja, biznese për prodhimin dhe shitjen e teknologjive të reja. Do duhen punëtorë në linjat e prodhimit me pajisje zero-karbon të teknologjisë së lartë, do të na duhen dhe ndërtuesit e bazamentit të epokës së re të energjive të pastra.

Do të duhet të kujdesemi për njerëzit dhe komunitetet që do të preken nga ky tranzicion-jo vetëm në SHBA por në gjithë botën. Autoritetet do të duhet të kujdesen më pak për donatorët me influencë dhe grupet e interesit, dhe më shumë për gjykimin e brezave të ardhshëm. Sepse ju, fëmijët tuaj, fëmijët e fëmijëve tuaj do të duhet të përballen me pasojat e vendimeve tona.

Sikurse thashë, ndryshimet klimatike janë politizuar, por nuk ka qenë kështu. Jo shumë kohë më parë republikanët ishin pionierë në politika të reja, inovative në këto çështje. Riçard Nikson krijoi Agjensinë e Mbrojtjes së Mjedisit. Xhorxh H.W Bush ka deklaruar (i pari president i SHBA-së që bën të tillë deklaratë) — “aktivitetet njerëzore po ndryshojnë atmosferën në mënyra të paparashikuara dhe të papërsëritura.” Xhon McCin, një personalitet sfidues, me qëllim pakësimin e ndotjes me karbon propozoi një ligj për tregun e karbonit.

Gruaja që përcaktova si drejtore e EPA-s, Xhina McCarthy, ka punuar shumë-është e shkëlqyer. Xhina ka punuar për EPA-n, gjatë drejtimit tim, por ajo ka punuar dhe për 5 guvernatorë republikanë. Ajo ka një histori bashkëpunimi me udhëheqësit e industrisë dhe biznesit për gjetjen e zgjidhjeve të arësyeshme. Por emërimi i saj po pengohet nga senati. Emërimi i saj po mbahet pezull prej muajsh, duke kaluar në proçedura që asnjë i propozuar nga kabineti nuk duhet të përballet-jo sepse asaj i mungojnë aftësitë, por sepse shumë në Partinë Republikane mendojnë se Agjensia për Mbrojtjen e Mjedisit nuk duhet të mbrojë mjedisin nga ndotja me karbon. Senati duhet ta aprovojë pa asnjë vonesë.

Duhet të kapërcejmë politizimin e kësaj çështjeje. Dua të jem i qartë-jam i gatshëm të bashkëpunoj me cilindo-republikanë, demokratë, të pavarur, libertarianë, të gjelbër-cilindo-për të luftuar këtë kërcënim ndaj fëmijëve tanë. Jam i hapur ndaj çfarëdolloj ideje të re, ndaj ideve më të mira, që përballja me ndryshimet klimatike të ndihmojë punësimin dhe rritjen ekonomike.

Askush nuk ka monopol mbi këtë problem shumë të vështirë, por nuk kam shumë tolerancë për ata që mohojnë ndryshimet klimatike. Nuk mund të presim që të bien dakort dhe skeptikët. Të strukësh kokën në rërë mund të të japë një siguri të gënjeshtërt, por nuk do të të mbrojë nga stuhia e rradhës. Në fund do të gjykohemi si individë, shoqëri dhe komb për drejtimin që do të marrim.

Themeluesit tanë besonin se autoritetet janë jo vetëm rojtare të së tashmes, por dhe kujdestarë të së ardhmes. Ata na besuan marrjen e vendimeve afatgjata përtej zgjedhjeve politike të rradhës. Kjo është çfarë publiku amerikan pret. Kjo është çfarë meriton.

Një ditë, fëmijët, nipërit tanë do të na shohin në sy dhe do të na pyesin, a bëmë gjithshka mundëm atëhere kur i patëm mundësitë dhe a u lamë një botë më të pastër, më të sigurtë, më të qëndrueshme? Do të dua të kem mundësi tu them po. A nuk dëshironi dhe ju?

Amerikanët nuk janë njerëz nostalgjikë, ne shikojmë përpara. Ne nuk trembemi nga e ardhmja, ne e ndërtojmë atë. Në këtë luftë kemi nevojë për qytetarë aktivë, që të shprehen lirshëm e të na nxisin të veprojmë siç e kërkon situata.

Të cilët e kuptojnë se kjo nuk është vetëm çështje e politikës. Prandaj të gjithë ju duhet të edukoni shokët e klasës, kolegët, prindërit, miqtë tuaj. Tregojuni se çfarë rrezikojmë. Diskutoni në këshilla vendorë, në kisha, në  mbledhje me prindërit. Luftoni disinformimin. Tregoni faktet. Zgjeroni rrethin e atyre që dëshirojnë të luftojnë për të ardhmen.

Bindni njerëzit në pushtet të pakësojnë ndotjen tonë nga karboni. Nxisni komunitetet tuaja të kenë praktika më inteligjente. Investoni. Çinvestoni. Kujtojuni njerëzve se nuk ka asnjë kundërshti midis mjedisit të shëndetshëm dhe rritjes së fortë ekonomike. Dhe kujtoni ata që ju përfaqësojnë në qeverisje se mbrojtja e gjeneratave të ardhshme nga ndryshimet klimatike është kusht i votës suaj. Bëjeni zërin tuaj të dëgjohet.

E kuptoj se në politikë do të jetë e vështirë. Kjo sfidë nuk do të ketë një moment të qartë fitoreje. Nuk kemi një ushtri përpara për të mposhtur. Nuk kemi një marrëveshje paqeje për të nënshkruar. Kur presidenti Kenedi deklaroi se do të shkelnim në Hënë brenda një dekade, e dinim se do ndërtonim një anije kozmike dhe do të arrinim objektivin. Progresi ynë në këtë rast matet ndryshe: kriza do të shmanget, planeti do të ruhet. A mundë të ketë qëllim më fisnik? Ndoshta nuk do të jetojmë për të parë realizimin e plotë të ambicieve tona, por do të ikim me kënaqësinë se bota që po i lëmë fëmijëve do të jetë më e mirë në sajë të përpjekjeve tona.

Astronauti tha shumë vite më parë “Kupton se sa vlerë ka Toka”. Imazhi i Tokës, i globit të ndritshëm ngjyrë blu mbi horizontin e Hënës, në të me gjithçka të vyer- të qeshurat e fëmijëve, perëndimin e diellit, me ëndrrat dhe dëshirat për të ardhmen-ja çfarë është në rrezik. Për këtë po luftojmë. Nëse këtë nuk e harrojmë, jam i sigurtë se do të fitojmë.

Faleminderit. Zoti ju bekoftë. Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

This entry was posted in Ndryshimet klimatike. Bookmark the permalink.

Leave a comment