Panelet fotovoltaike injorohen nga projekt-ligji per energjite e rinovueshme

Nga Rita Strakosha

panele fotovoltaike
Në 23 prill komisioni parlamentar i veprimtarive prodhuese, tregtisë dhe mjedisit debatoi në parim projekt-ligjin e ri për energjitë e rinovueshme. Ndër objektivat e tij projekt-ligji rradhit pakësimin e gazrave me efekt serrë, pakësimin e importit të burimeve fosile, përdorimin më ekonomik të burimeve natyrore etj.

Ligji përcakton për qeverinë detyrimin që të aprovojë një objektiv kombëtar të pjesës së energjisë së rinovueshme në totalin e energjisë së konsumuar, për tu arritur deri në vitin 2020. Këshilli ministror i Traktatit të Energjisë, në tetor 2012 aprovoi për Shqipërinë një objektiv për energjitë e rinovueshme prej 38%. Ky objektiv pritet tani të zyrtarizohet me vendim qeverie pas aprovimit të projekt-ligjit për energjitë e rinovueshme.

Objektivi është shumë ambicioz, nëse kemi parasysh se pjesa e energjive të rinovueshme sot është 29%. Pra brenda vetëm 7 vitesh Shqipëria do duhet të rrisë me 9% pjesën e burimeve të rinovueshme. Për të arritur këtë objektiv do të aprovohet dhe një plan kombëtar i energjive të rinovueshme.

Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit qeveria duhet të krijojë një fond kombëtar të energjive të rinovueshme, i cili do të financojë aktivitete që do të promovojnë shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
Operatori i Sistemit të Transmetimit do jetë i detyruar të blejë energjinë e prodhuar nga prodhuesit e energjisë së rinovueshme me përparësi, dhe kjo energji do të blihet me çmim të rregulluar nga ERE. Çmimi do të jetë i fiksuar për 15 vjet, duke u rregulluar për inflacionin çdo vit. ERE do të përcaktojë madhësinë e çentraleve që do të kualifikohen si me përparësi. Deri më sot me përparësi janë quajtur vetëm HEC-et, shpresojmë që me ligjin e ri në skemën mbështetëse të përfshihen dhe burimet diellore të energjisë.

Gjithashtu, OST-ja në shpërndarjen e energjisë do të duhet ti japë prioritet energjive të rinovueshme.

Në projekt-ligj nuk parashikohen lehtësira tatimore për panelet fotovoltaike. Lehtësohen nga TVSH-ja dhe taksat e importit vetëm panelet diellore termike. Panelet fotovoltaike kanë përparësinë teknologjike të prodhimit të elektricitetit në krahasim me panelet diellore termike. Ky elektricitet mund të shitet në rrjetin e OST-së kur impianti prodhon tepricë energjie.

Panelet PV janë potencialisht të instalueshme në çdo cep të Shqipërisë, nga investitorë të mëdhenj dhe të vegjël, në qytet dhe në fshat, ndryshe nga turbinat e erës që vendosen vetëm në zona rurale, dhe ndryshe nga HEC-et që vendosen vetëm mbi lumenj.Shqipëria ka një zhvillim shumë të njëanshëm të HEC-eve, kur është vend i pasur me energji diellore kurse ndryshimet klimatike parashikohet të sjellin shkretëtirizim të vendit. Kjo vartësi e njëanshme nga HEC-et mund të dobësohet duke krijuar lehtësira tatimore për panelet PV.

Në vitin 2007-2011 Shqipëria ka importuar vetëm 750,000 USD panele fotovoltaike, një vlerë qesharake po ta krahasojmë me importet e vendeve të tjera të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Greqia.

Nga databaza statistikore e OKB-së dhe të dhënat e GDP-së të secilit vend, gjejmë se pjesa e GDP-së që Shqipëria i kushton importit të paneleve fotovoltaike mesatarisht çdo vit për periudhën 2007-2011, është vetëm sa 19% e asaj që Mali i Zi shpenzon, sa 5% e importeve të Rumanisë, 1.3% e importeve të Greqisë, 0.2 % e importeve të Bullgarisë dhe 6% e importeve të Maqedonisë (të llogaritura këto si pjesë e GDP-së mesatare nominale të secilit vend).

Ndryshe nga HEC-et, aq të preferuara nga qeveria, panelet fotovoltaike zakonisht janë me kapacitet më të ulët, me vlerë më të vogël dhe nuk jepen me konçesion, sepse ndërtohen mbi prona private. Investitori nuk ka nevojë të trokasë e lutet në zyra burokratike për leje, autorizime, çertifikata etj. etj., dhe as të japë rryshfet.

Kur shpenzohen vetëm 150 mijë dollarë në vit për panele PV, harxhohen me miliarda lek për të zgjeruar rrugë e ndërtuar autostrada, infrastrukturë e energjive jo të rinovueshme, e burimeve fosile.

Burimet fosile janë burim i fundëm, që po nxirren e shfrytëzohen me kosto gjithmonë e më të lartë sociale dhe ekonomike. Politika europiane nëpërmjet strategjisë energjitike 2050 e ka bërë të qartë synimin për ndërprerjen e vartësisë prej tyre.

Shqipëria duhet të ndryshojë strukturën e investimeve të saj larg burimeve fosile dhe drejt shumëllojshmërisë së energjive të rinovueshme. Ligji i ri për energjitë e rinovueshme është një hap drejt këtij tranzicioni, por nuk mjafton. Duhet të ndryshojë mentaliteti dhe i gjithë legjislacioni duhet të vihet në shërbim të tranzicionit

This entry was posted in Tranzicioni social-ekonomiko-politik. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s