Matematika e re e frikshme e ngrohjes globale

Përktheu: Rita Strakosha

Konsumi i burimeve fosile duhet pakesuar jo vetem per te paraprire pakesimin natyral te tyre, por dhe per te penguar ndryshime katastrofike te klimes.

Me poshte mund te lexoni pjese nga artikulli me te njejtin titull i Bill McKibben (i botuar ketu) ku shpjegohet situata aktuale me ndryshimet klimatike dhe pengesat kryesore politike per pakesimin e konsumit te burimeve fosile.

“Tre numra të thjeshtë që së bashku sjellin katastrofën globale-dhe që e bëjnë të qartë se kush është armiku i vërtetë

Nga BILL MCKIBBEN

19 Korrik 2012

Nëse pikturat e zjarreve madhështore në Kolorado, apo fatura e kondicionerit, nuk ju ka bindur ende, ja disa shifra konkrete për ndryshimet klimatike: qershori theu ose barazoi 3,215 temperatura maksimale në të gjithë SHBA-në. Kjo ndoqi majin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në Hemisferën Veriore – muajin e njëpasnjëshëm të 327-të gjatë të cilit temperatura e gjithë globit kapërceu mesataren e shekullit të 20-të. Probabiliteti që kjo të ndodhë rastësisht është 3.7 x 1099, një numër shumë më i madh se numri i yjeve në gjithësi.

Meteorologët raportuan se kjo pranverë ka qenë më e ngrohta e regjstruar ndonjëherë në vendin tonë-në fakt e theu kaq thellë rekordin e vjetër, saqë u konsiderua si “devianca më e madhe nga mesatarja e stinës, e regjistruar ndonjëherë”. Të njëjtën javë autoritetet saudite raportonin se kishte rënë shi në Mekë, megjithë temperaturën 43-gradshe, shiu më i nxehtë në historinë e planetit.

Jo se udhëheqësit tanë nuk e kanë vënë re. Muajin e kaluar, vendet e botës që u takuan në Rio për përvjetorin e 20-të të samitit të madh ambjental të 1992-it, nuk arritën asgjë. Ndryshe nga Xhorxh W. Bushi, i cili mori pjesë në konferencën e parë jopublike- Barak Obama nuk mori pjesë fare. Gazetari britanik Xhorxh Monbiot shkruajti se “ishte një hije e mbledhjes së gëzuar, plot besim të 20 viteve më parë”, që askush nuk e ndoqi me vëmendje. Në hollet e samitit ku dikur gumëzhinin njerëzit, tani dëgjohej jehona e kalimtarëve. Duke qenë se kam shkruar një ndër librat e parë për publikun e gjerë me temë ngrohjen globale, që herët në vitin 1989, dhe duke qenë se kam harxhuar më kot dekadat në vijim për të ngadalësuar ngrohjen globale, mund të them me besim se po humbasim betejën, po e humbasim keqas dhe shpejt. Po e humbasim, sepse mbi të gjitha, nuk po pranojmë rrezikun që i kanoset civilizimit.

Kur mendojmë për ngrohjen globale argumentat shpesh janë ideologjikë, fetarë dhe ekonomikë. Por për të kuptuar rëndësinë e telashit tonë të madh, duhet të bëjmë ca llogaritje. Vitin e kaluar, një analizë e thjeshtë dhe domethënëse aritmetike u përhap shpejt në konferencat dhe gazetat ambjentaliste, por nuk ka mbërritur ende tek publiku i gjerë. Kjo analizë përmbysi mentalitetin e zakonshëm politik për ndryshimet klimatike. Dhe na lejon të kuptojmë gjendjen tonë të rrezikuar-pothuajse të pashpresë-me ndihmën e tre shifrave

Shifra e parë: 2°Celsius

Nëse filmi do të kishte mbaruar në stilin hollivudian, konferenca e klimës në Kopenhagen në vitin 2009 do të kishte shënuar kulmimin e luftës botërore për ngadalësimin e ndryshimeve klimatike. Vendet e botës u mblodhën në dhjetorin e zymtë të kryeqytetit danez për çfarë një ekonomist i dëgjuar klimatik do ta quante “mbledhja më e rëndësishme që pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të rrezikut që na kanoset”. Sikurse deklaroi presidenti i konferencës, ministri danez i energjisë: “Ky është shansi ynë. Nëse e humbim, mund të na duhen vite përpara se të kemi një marrëveshje të re dhe më të mirë. Nëse do të kemi.”

Sigurisht që e humbëm. Konferenca e Kopenhagenit dështoi me stil spektakolar. As Kina, as SHBA, të cilat së bashku janë përgjegjëse për 40 % të emetimeve botërore të karbonit, nuk ishin të gatshme të bënin kompromise të mëdha, kështu konferenca rrodhi pa objektiv për dy javë, derisa ditën e fundit erdhën udhëheqësit botërorë me avionë. Në mes të kaosit të konsiderueshëm, presidenti Obama mori iniciativën për të hartuar një “marrëveshje Kopenhageni” që pak kënd gënjeu. Marrëveshja ishte plotësisht jo-detyruese për askënd dhe për asgjë, dhe edhe nëse vendet nënshkronin synimet e tyre për të pakësuar emetimet e karbonit, nuk kishte asnjë mekanizëm detyrues. “Kopenhageni sot është një skenë krimi,” deklaroi një zyrtar i zemëruar i Grinpisit, “fajtorët po largohen me shpejtësi drejt aeroportit.” Gazetarët e editorialëve ishin po kaq të ashpër: KOPENHAGENI: MUNIHU I KOHËVE TONA?, pyeste njëri.

Por marrëveshja kishte një shifër të rëndësishtme. Në paragrafin e parë, ajo njihte zyrtarisht “opinionin shkencor se ngrohja e temperaturës globale nuk duhet të kapërcejë 2 oC.” Kurse në paragrafin tjetër deklaronte se “biem dakort se duhen ulje të ndjeshme në emetimet botërore..që rritja e temperaturës globale të mos jetë më shumë se 2oC.” Duke këmbngulur tek 2 oC (rreth 3.6 oFahrenheit) marrëveshja ratifikoi qëndrimin e mbajtur më parë në vitin 2009 nga G8, dhe nga i ashtëquajturi Forumi i Ekonomive të Mëdha. Ishte objektivi më i gjithëpranuar që mund të arrihej. Në fakt, shifra fillimisht mori rëndësi në një konferencë ambjentaliste të vitit 1995 të drejtuar nga Anxhela Merkel, atëhere ministrja gjermane e ambjentit kurse sot kancelarja e qendrës së djathtë e Gjermanisë. Sa për dijeni: deri tani e kemi ngritur temperaturën e planetit me pothuaj 0.8 oC, dhe kjo ka shkaktuar shumë më tepër dëme seç prisnin shumica e shkencëtarëve (1/3 e akujve detarë në verë në Arktik nuk është më, oqeanet janë 30% më acide, atmosfera mbi oqeane është një 5% frikshëm më e lagësht dhe gati për të shkaktuar përmbytje shkatërruese). Për shkak të këtyre fakteve, në fakt shumë shkencëtarë mendojë se 2 gradë është një objektiv shumë i mefshët. “Çdo shifër konsiderueshëm mbi 1 gradë është lojë fati,” shkruan Kerry Emanuel i Institutit Teknologjik të Masaçusetsit, një autoritet lider në fushën e uraganeve, “dhe fati bëhet gjithmonë e më pak i favorshëm me rritjen e temperaturave.” Tomas Lovejoy, ish-kryekëshilluesi i Bankës Botërore mbi biodiversitetin, shprehet kështu: “Nëse me 0.8 oC po shohim çfarë po ndodh, atëhere 2 oC është shumë.” Shkencëtari i NASA-s Xheims Hansen, klimatologu më i mirë i planetit, është edhe më i ashpër: “Objektivi i 2 oCelciusit i përfolur në negociatat ndërkombëtare është në fakt një recetë për një katastrofë afatgjatë.” Në samitin e Kopenhagenit, një zëdhënës i kombeve të ishujve të vegjël paralajmëroi se shumë nuk do të mbijetonin një rritje prej 2 gradshe: “Disa vende do të zhduken plotësisht.” Kur delegatët nga vendet në zhvillim paralajmëruan se 2 gradë përfaqësonin një marrëveshje vetëvrasëse për Afrikën e goditur nga thatësira, shumë prej tyre filluan të këndonin “Një gradë, një Afrikë.”

Megjithë këto dyshime të mirëbazuara, realizmi politik fitoi mbi të dhënat shkencore, dhe bota ra dakort për objektivin e 2 oC-në fakt mund të themi se është e vetmja gjë për të cilën bota ka rënë dakort në lidhje me ndryshimet klimatike. Pas gjithë këtyre, 167 vende përgjegjëse për 87 % të emetimeve botërore të karbonit e nënshkruan marrëveshjen e Kopenhagenit. Vetëm disa vende nuk e nënshkruan, përfshirë Kuvajtin, Nikaraguan dhe Venezuelën. Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat shumicën e të ardhurave e sigurojnë nga nafta dhe gazi, e nënshkruan. Pozicioni zyrtar mbi gjendjen e Tokës aktualisht është  se temperatura nuk duhet të ngrihet më shumë se 2 gradë celcius– ky është limiti i fundit i pranueshëm. Dy gradë.

Shifra e dytë: 565 gigatonë

Shkencëtarët llogarisin se njerëzimi mund të emetojë rreth 565 gigatonë dioksid karboni në atmosferë deri në mes të shekullit dhe prapë të shpresojë arësyeshëm se temperatura nuk do të ngrihet mbi 2 oC. (“arësyeshëm”, në këtë rast do të thotë probabilitet 4/5, thënë ndryshe shans më i vogël se të luash ruletën ruse me pistoletë).

Idea e një buxheti global karboni doli rreth një dekadë më parë kur shkencëtarët filluan të llogarisnin se sa naftë, qymyr dhe gaz mund të konsumoheshin pa dëmtuar shumë klimën. Meqë temperatura e Tokës deri tani është rritur me 0.8 oC, na ka mbetur dhe gjysma e rrugës për tek 2 oC. Por në fakt, modelet kompjuterike llogarisin se edhe nëse ndalonim emetimin e CO2 sot, temperatura me shumë mundësi prapë do të rritej edhe 0.8 gradë të tjera, sepse karboni i çliruar më parë vazhdon të mbinxehë atmosferën. Çka do të thotë se jemi në ¾ e rrugës për tek 2 oC.

Sa të sakta janë këto shifra? Askush nuk këmbngul se janë të sakta, por pak dyshojnë për vërtetësinë e tyre në përgjithësi. Shifra 565 gigaton është llogaritur nga një ndër programet më të sofistikuara kompjuterike që është ndërtuar ndonjëherë nga shkencëtarët klimatikë në gjithë botën në dekadat e fundit. Dhe shifra konfirmohet nga modelet e stimulimit më të fundit që po finalizohen përpara raportimit të rradhës të Panelit Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike. “I lexojmë shifrat ndërkohë që na vijnë dhe shumë pak ndryshojnë,” thotë Tom Wigley një klimatolog australian në Qendrën Kombëtare për Kërkimet Atmosferike. “Ka rreth 40 modele stimulimi të dhënash aktualisht, ndërkohë që më parë kishim 20. Megjithatë deri tani shifrat nuk kanë ndryshuar. Thjesht po i perfeksionojmë gjërat. Nuk mendoj se ka ndryshuar shumë dekadën e kaluar.”

William Collins, një shkencëtar klimatik i vjetër në Laboratorin Kombëtar Lawrence Berkeley është dakort. “Mendoj se rezultatet me shifrat më të fundit do të jenë shumë të ngjashme,” thotë ai. “Nuk po zbulojmë ndonjë lajm më të mirë me përmirësimin e kuptimit të klimës”.

Nuk kemi lajme të mira as nga ekonomitë e botës. Me përjashtim të tulatjes në vitin 2009 në pikun e krizës financiare, kemi vazhduar të emetojmë sasi rekord karboni në atmosferë, vit as viti. Në fund të majit, Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë publikoi të dhënat e fundit– emetimet e CO2  vitin e kaluar u rritën në 31.6 gigatonë, një rritje prej 3.2 % nga viti i mëparshëm. SHBA pati një vit të ngrohtë dhe shumë termocentrale qymyri i shfrytëzoi me gaz natyral, kështuqë emetimet e saj u pakësuan disi; Kina vazhdoi rritjen, emetimet e saj të karbonit (të cilat së fundmi i kanë kapërcyer emetimet e SHBA-së) u rritën me 9.3 %.; japonezët mbyllën reaktorët e tyre bërthamorë pas Fukushimës, kështu emetimet e tyre u rritën me 2.4 %. “Ka pasur përpjekje për të përdorur më shumë energji të rinovueshme dhe për të përmirësuar efiçencën energjitike,” thotë Corinne Le Quéré, e cila drejton Qendrën Tyndall për Kërkimet mbi Ndryshimet Klimatike. “Por të këto të dhëna tregojnë se efekti ka qenë minimal”. Në fakt, studim pas studimi parashikon se emetimet e karbonit do të ngrihen rreth 3% çdo vit-dhe me këtë rritje, do të shpërthejmë limitin tonë të 565 gigatonëve brenda 16 vjetëve, pak a shumë kur parashkollorët e soçëm do të jenë maturantë. “Të dhënat e reja provojnë më fort se dera për skenarin e 2 oC është duke u mbyllur,” thotë Fatih Birol, krye-ekonomisti i Agjensisë Ndërkmobëtare të Energjisë, “Kur shikoj këto të dhëna, trendi përputhet me skenarin e një rritjeje prej 6 oC”, Kjo është pothuajse 11 oF. Me këtë planeti ynë do të shndërrohej në një vend fantastiko-shkencor.

Kështu me të dhënat e reja në dorë, të gjithë në konferencën e Rios ripërtërinë thirrjet e tyre të përsëritura për veprim serioz ndërkombëtar që ti rikthehemi trajektores së 2 oC.

Maskarada do të vazhdojë në nëntor, kur konferenca e rradhës e anëtarëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike do të mblidhet në Katar. Kjo është e 18-ta-e para u mblodh në Berlin në vitin 1995 dhe që atëhere nuk ka patur asnjë sukses. Edhe shkencëtarët, të cilët janë të famshëm për hezitimin për të folur publikisht, po ndryshojnë dalëngadalë preferencën e tyre të natyrshme për tu marrë vetëm me dhënien e të dhënave. “Mesazhi ka qenë po ai për pothuaj 30 vjet tashmë, “thotë Collins me një të qeshur të sforcuar, “dhe kemi pajisjet dhe fuqinë kompjuterike që ti japim provat me hollësi. Nëse vazhdojmë me trajektoren aktuale të politikës, kjo duhet bërë pas vlerësimit të plotë të provave që ka dhënë komuniteti shkencor.” Pushon, kishte harruar se po regjsitrohej. “Do të thoja një vlerësim më të plotë të provave.”

Deri tani, këto thirrje pak efekt kanë pasur. Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qënë këtë çerek shekulli: paralajmërime shkencore të ndjekura nga mos-veprim politik. Ndër shkencëtarët që shprehen jashtë medias, ndjehet një pështirosje e sinqertë. Një shkecëtar i vjetër më tha “I keni parasysh paketat e reja të duhanit, ku ligji i detyron që të vënë foton e dikujt me një vrimë në fyt? Pikat e karburantit duhet të kenë një paralajmërim të ngjashëm.”

Shifra e tretë: 2,795 Gigatons

Kjo është shifra më e frikshme nga të gjitha – një shifër, që për herë të parë përzien dimensionet politike dhe shkencore të dilemës sonë. Një shifër që u nxorr verën e kaluar nga Iniciativa e Hetimit të Karbonit, një grup pune me analistë financiarë të Londrës dhe ambjentalistë, të cilët publikuan një raport në përpjekje për të edukuar investitorët për rreziqet e mundshme që ndryshimet klimatike krijojnë për investimet e tyre. Numri përshkruan sasinë e karbonit që përmbahet në reservat e provuara të naftës, qymyrit dhe gazit të kompanive të burimeve fosile dhe të vendeve (si Venezuela dhe Kuvajti) që veprojnë si kompani burimesh fosile. Shkurt, është sasia që planifikojmë të djegim. Dhe thelbi është se ky numër i ri-2795, është më i lartë se 565. Është 5 herë më i lartë.

Iniciativa e Hetimit të Karbonit (e drejtuar nga James Leaton, një ambjentalist që shërbeu si këshilltar në firmën e madhe të auditimit) gërrmoi në të dhënat industriale për të gjetur se sa rezerva nafte, gazi dhe qymyri kanë kompanitë më të mëdha energjitike të botës. Shifrat nuk janë shumë të sakta-nuk reflektojnë plotësisht daljen së fundmi të burimeve jokonvencionale të energjisë si gazi i shisteve, dhe nuk reflektojnë saktë rezervat e qymyrit, raportimi i të cilave është më pak i kontrolluar se ai i gazit dhe naftës. Por për kompanitë më të mëdha, shifrat janë goxha të sakta. Nëse gjithshka në inventaret e Lukoil-it të Rusisë dhe të ExxonMobil-it të SHBA-së, të cilat janë në krye të listës së kompanive të naftës dhe gazit, digjet, atëhere secila do të emetonte 40 gigatonë CO2 në atmosferë.

Prandaj kjo shifër e re, 2,795 gigatonë, ka shumë rëndësi. Mendoni për 2 oC si limitin ligjor të nivelit të alkoolit në gjak-ekuivalent me 0.08 alkool në gjak, nivel që ju lejon të drejtoni makinën për në shtëpi. 565 gigatonët tregojnë se sa mund të pini dhe prapë të qëndroni nën limitin ligjor– të themi 6 birra në darkë. Po 2,795 gigatonët? Këto janë 3 arka me 12 shishe, të cilat industria e burimeve fosile i ka vënë mbi tavolinë, dhe i ka hapur gati për konsum.

Gjendje kemi 5 herë më shumë naftë, qymyr dhe gaz seç mund të konsumohet pa rrezik sipas shkencëtarëve. Do të duhet të mbajmë 80% të rezervave të pashfrytëzuara nën tokë që të shmangim rrezikun. Përpara publikimit të këtyre shifrave, mendonim se rreziku ishte i mundshëm. Tani, me përjashtim të ndonjë ndërhyrjeje masive, fati duket i sigurtë.

Po, teknikisht, ky qymyr, gaz dhe naftë është ende nën tokë. Por ekonomikisht është mbi tokë-llogaritet në çmimet e aksioneve, kompanitë marrin hua duke i përdorur si aset, kombet po llogarisin buxhetet bazuar në fitimet e parashikuara nga kjo pasuri. Kjo shpjegon pse kompanitë e burimeve fosile kanë luftuar kaq shumë për të penguar rregullimin e CO2-këto rezerva janë aktivi i tyre kryesor, pasuria që u jep këtyre kompanive vlerë. Prandaj kanë punuar kaq shumë këto vitet e fundit se si të shfrytëzojnë naftën në rërat bituminoze të Kanadasë, apo si të shpojnë me kilometra të tërë poshtë detit, apo si të shpojnë me frakturim malet Apalashe.

Po ti thoni Exxon-it dhe Lukoil-it se që të mos shkatërrohet klima, nuk duhet të shfrytëzojnë rezervat e tyre, vlera e këtyre kompanive do të binte ndjeshëm.  John Fullerton, një ish drejtor në JP Morgan i cili drejton Institutin e Kapitalit, llogarit se me vlerën e sotshme të tregut, këto 2795 gigatonë emetime karboni kanë vlerën 27 trilion dollarë. Pra, nëse dëgjohen shkencëtarët dhe mbahen 80% të aseteve nën tokë, atëhere shuhen asete me vlerë 20 trilion. Shifrat nuk janë të sakta sigurisht, por fllucka e karbonit e bën flluckën e pasurive të paluajtshme të duket e vogël. Nuk do të plasë me siguri-mund dhe ta djegim të gjithë karbonin, kjo do u pëlqente investitorëve. Por nëse e bëjmë, planeti do të shkatërrohet. Mund të keni një bilanc të mirë burimesh fosile, ose një planet pak a shumë të shëndetshëm-por tani e dimë se nuk mund ti kemi të dyja. Bëni llogaritë: 2795 është sa pesëfishi i 565. Këtu historia mbaron.

Deri tani, siç thashë më parë, përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike kanë dështuar. Emetimet botërore të CO2 vazhdojnë të rriten, veçanërisht sepse vendet në zhvillim bëjnë garë me (dhe furnizojnë) vendet e perëndimit. Edhe në vendet e pasura, pakësime të vogla në emetime nuk ofrojnë asnjë shenjë ndryshimi të vërtetë të status kuosë, që do na duhej për të përmbysur llogjikën ironike të këtyre 3 shifrave. Gjermania është i vetmi vend i fuqishëm që është përpjekur të ndryshojë strukturën e saj energjitike. Një të dielë me diell në fund të majit, ky vend verior prodhoi pothuaj gjysmën e energjisë elektrike nga panelet diellore brenda kufijve të vetë. Kjo është një mrekulli e vogël-dhe tregon se kemi teknologjinë për të zgjidhur problemet tona. Por na mungon vullneti. Deri tan, Gjermania është përjashtimi, rregulli është më shumë karbon.

Këto dështime tregojnë se dimë shumë mirë se çfarë strategjish nuk funksionojnë. Grupet ambjentaliste psh. kanë harxhuar shumë kohë në përpjekje për të ndryshuar stilet e jetës të njerëzve: llampa e famshme spirale është instaluar nga miliona, por po ashtu dhe televizorët plazmë që konsumojnë shumë energji. Shumica jonë është kontradiktore për mbrojtjen e ambjentit. Na pëlqejnë fluturimet e lira në vende të ngrohta, dhe as që kemi ndërmend të heqim dorë prej tyre nëse të tjerët nuk heqin dorë. Duke qënë se secili prej nesh përfiton nga burimet fosile të lira, lufta kundër ndryshimeve klimatike ka qenë si të ndërtosh një lëvizje kundër vetes tënde –është sikur lëvizja e të drejtave të homoseksualëve të të mbështetej vetëm tek predikuesit ungjillorë, apo lëvizja kundër skllavërisë të udhëhiqej nga skllavopronarët.

Njerëzit mendojnë (me të drejtë) se veprimet e tyre individuale nuk ndikojnë shumë në përqëndrimin atmosferik të CO2. Në vitin 2010, një sondazh tregoi se “ndërkohë që riciklimi është i përhapur në SHBA dhe 73% e të anketuarve i paguajnë faturat në Internet që të kursejnë letrën”, vetëm 4% kanë pakësuar përdorimin e energjisë dhe vetëm 3% kanë blerë makina elektrike. Po të kishim 100 vjet në dispozicion do mund të ndryshonim mënyrën e jetesës mjaftueshëm për të pasur ndikim- por është pikërisht koha që na mungon.

Një metodë më efiçente, është të punojmë me ndihmën e politikës, dhe ambjentalistët e kanë provuar, me të njëjtën mungesë suksesi. Ata kanë lobizuar me durim udhëheqësit, duke u përpjekur për ti bindur për rrezikun dhe me mendimin se politikanët do i dëgjojnë paralajmërimet e tyre. Nganjëherë duket se ka funksionuar. Barak Obama psh, bëri fushatën më agresive kundër ndryshimeve klimatike që kishte bërë ndonjëherë ndonjë president-natën përpara fitores së zgjedhjeve, u tha mbështetësve se zgjedhja e tij do të shënonte momentin “kur ngritja e oqeanve do të zbutej dhe planeti do të fillonte shërimin”. Ai ka arritur një ndryshim të rëndësishëm: një forcim në rritje të standarteve të efiçencës së makinave me karburantin. Është një masë, që nëse do të zbatohej një çerek shekulli më parë, do të ndihmonte shumë. Por në dritën e shifrave që sapo treguam, është dukshëm një fillim shumë i dobët.

Në këtë pikë ku jemi, aksion efektiv do të ishte mbajtja e shumicës së karbonit, që industria fosile kërkon të djegë, nën tokë, jo thjesht një pakësim i lehtë i shpejtësisë me të cilën digjet. Dhe në këtë pikë, presidenti, i përndjekur nga thirrja akoma kumbuese “Shpo, zemra, shpo”, ka bërë çdo gjë për të nxjerrë mineralet. Sekretari i tij i brendshëm, psh. hapi një sipërfaqe të madhe të basenit të lumit Powder në Wyoming për nxjerrje të qymyrit: i gjithë baseni përmban rreth 67.5 gigatonë karbon (ose më shumë se 10% e emetimeve të parrezikshme). Ai po bën të njëjtën gjë me Arktikun dhe shpimet në det; në fakt, sikurse shpjegoi në podium në mars, “Keni premtimin tim se do të shpojmë kudo që të mundemi..Ky është zotimi im.” Ditën tjetër, në një oborr plot me tubacione nafte në Cushing, Oklahoma, presidenti premtoi se do të punonte për energjinë e erës dhe të diellit, por në të njëjtën kohë do të përshpejtonte investimet në burimet fosile: “Prodhimi i më shumë nafte dhe gazi në vend, ka qenë dhe do të mbetet një pjesë kritike e strategjisë gjithëpërfshirëse të energjisë.” Dmth, është angazhuar që të gjejë dhe më shumë rezerva për t’ja shtuar rezervave prej 2795 gigatonëshe të karbonit.

Nganjëherë ironia është shumë e dukshme. Në fillim të qershorit, sekretarja e shtetit, Hillari Klinton udhëtoi me një anije kërkimore norvegjiane të shikonte me sytë e saj dëmet në rritje nga ndryshimet klimatike. “Shumë nga parashikimet për ngrohjen në Arktik po thyhen nga të dhënat aktuale,” tha ajo, duke e përshkruar situatën si shqetësuese. Por diskutimet e saj me ministrat e tjerë të jashtëm në Skandinavi ishin kryesisht për të siguruar që vendet perëndimore do të merrnin pjesën e tyre në naftën prej 9 trilion $ (më shumë se 90 miliard barrela, ose 37 gigatonë karbon), të shfrytëzueshme në Arktik me shkrirjen e akujve. Muajin e kaluar, administrata e Obamës tregoi se do i jepte leje Shellit që të fillonte shpimet në pjesë të Arktikut.

Pothuajse çdo qeveri me depozita hidrokarburesh ka të njëjtën politikë kontradiktore. Kanadaja, psh, është një demokraci liberale e dëgjuar për internacionalizmin e vet-kështuqë natyrshëm nënshkroi marrëveshjen e Kiotos, duke premtuar pakësimin e ndjeshëm të emetimeve të karbonit brenda vitit 2012. Por rritja e çmimeve të naftës papritur i bëri rërat bituminoze të Albertës ekonomikisht të shfrytëzueshme-dhe përderisa ato, siç ka treguar klimatologu i NASA-s, James Hansen, në Maj kanë 240 gigatonë karbon (ose sa gjysma e emetimeve të parrezikshme, nëse e mendojmë me seriozitet limitin prej 565), angazhimi i Kanadasë në marrëveshjen e Kiotos është nonsens. Në dhjetor, qeveria Kanadeze u tërhoq nga marrëveshja përpara se të gjobitej për shkeljen e objektivave të saj.

E njëjta hipokrizi duket kudo në politikë. Në fjalimin e tij në konferencën e Kopenhagenit, Hugo Çavezi i Venezuelës citoi Roza Luksemburgun, Zhan-Zhak Rusonë dhe Krishtin, duke insistuar se “ndryshimet klimatike janë pa dyshim problemi më shkatërrues ambjental i këtij shekulli”. Por pranverën tjetër, në hollin Simon Bolivar të kompanisë shtetërore të naftës, ai nënshkroi një marrëveshje me një konsorcium ndërmarrjesh ndërkombëtare për të zhvilluar burimet e mëdha të rërave bituminoze në Orinoco si “makina më e rëndësishme për një zhvillim të gjithanshëm të vendit dhe të popullit venezuelian.” Depozitat e Orinokos janë më të mëdha se të Albertës-këto së bashku do të plotësonin limitin e lejuar të emetimeve.

Pra: strategjitë që kemi ndjekur deri tani për të luftuar ngrohjen globale kanë sjellë vetëm ndryshime të ngadalta, me ndërprerje. Një ndryshim i shpejtë, transformues kërkon ngritjen e një lëvizjeje, dhe lëvizjet kërkojnë armiq. Sikurse ka thënë Xhon F. Kenedi, “Lëvizja e të drejtave civile duhet të falenderojë zotin për Bull Connor. Ai e ndihmoi po aq sa Abraham Lincoln.” Ndryshimeve klimatike u duhen armiq.

Të gjithë këto shifra mbi klimën e bëjnë dhimbshëm të qartë se planeti në fakt e ka një armik – një armik shumë më aktiv se qeveritë dhe individët. Për shkak të këtyre shifrave të reja, duhet ta shikojmë industrinë e burimeve fosile në një këndvështrim të ri. Është bërë një industri batakçinjsh, kokëkrisur si asnjë forcë tjetër mbi Tokë. Është Armiku Numër Një Publik i mbijetesës së civilizimit mbi Tokë. “Shumë kompani bëjnë të këqija gjatë biznesit – paguajnë rroga shumë të ulëta, kanë kushte të këqija pune-dhe ne u bëjmë presion ti ndryshojnë këto praktika,” thotë liderja anti-korporatiste Naomi Klein, e cila po punon mbi një libër për krizën klimatike. “Por këto shifra e bëjnë të qartë se për industrinë e burimeve fosile shkatërrimi i planetit është model biznesi. Është puna e tyre.”

Sipas raportit të Hetimit të Karbonit, nëse Exxoni i djeg të gjitha rezervat e tij aktuale, do të emetonte 7% të limitit të lejueshëm të CO2 për të mos patur ngrohje më të lartë se 2 oC. Pastaj vjen BP-ja, e ndjekur nga firma ruse Gazprom, pastaj Shevroni, ConocoPhillips dhe Shell, secila prej të cilave do të emetonte 3-4 % të limitit. Së bashku, vetëm këto 6 firma, nga 200 të listuara në raportin e Hetimit të Karbonit, do të emetonin ¼ e buxhetit të mbetur të karbonit. Severstal, gjigandi rus i minierave, drejton listën e kompanive të qymyrit, i ndjekur nga firma si Billiton dhe Peabody. Shifrat janë tronditëse-kjo industri, dhe vetëm kjo, ka fuqinë të ndryshojë gjendjen e planetit tonë, dhe planifikon ta bëjë.

Ato, qartazi, dinë për ngrohjen globale: ato punësojnë shkencëtarët më të mirë në botë, dhe po marrin pjesë në të gjithë tenderat për konçesione nafte që janë mundësuar nga shkrirja alarmante e akujve në Arktik. E megjithatë vazhdojnë pa ndërprerje të kërkojnë për më shumë hidrokarbure– në fillim të marsit, drejtori i përgjithshëm i Exxonit, Rex Tillerson, u tha analistëve të Wall Street-it se kompania planifikon të harxhojë 37 miliard $ në vit deri në vitin 2016 (rreth 100 milion $ në ditë) në kërkime për më shumë naftë dhe gaz..

Në planet nuk ka njeri më pa moral se Tillerson. Në fund të muajit të kaluar, në të njëjtën ditë që zjarret në Kolorado arritën kulmin, ai i tha një audience në Nju Jork se ngrohja globale është e vërtetë, por e nënvleftësoi si një problem inxhinjerik që ka zgjidhje inxhinjerike. Si psh? Ndryshime të klimës që do ndryshojnë zonat ku kultivohet-do përshtatemi. Kjo në një javë kur fermerët në Kentaki raportonin se kokrrat e misrit po “abortonin” nga nxehtësia rekord, duke rrezikuar rritje të çmimit të ushqimeve në tregun botëror. “Nuk e pranoj që të tremben njerëzit duke u thënë se kjo duhet ndaluar” tha Tillerson. Sigurisht që jo, po ta pranonte do të duhej ti mbante rezervat nën tokë. Çka do i kushtonte. Me fjalë të tjera, nuk është problem inxhinjerik por është problem babëzie.”

Perktheu: Rita Strakosha

This entry was posted in Ndryshimet klimatike. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s