Piku i naftes, kriza ekonomike dhe ringjallja e ekonomise shtepiake

Shkroi: John Michael Greer, 30 Korrik 2008

Përktheu: Rita Strakosha, ritastrakosha@yahoo.com

Pjesa 1: Bota përtej tregut
Me çmimet e naftës në ulje (një nga çmimet referencë ra pak mbi 120 dollarë barrela dje, megjithëse u ngrit prapë me 4 dollarë sot në mëngjez) skeptikët e pikut të naftës insitojnë se problemet me tregun e naftës mund të zgjidhen me ndihma shtesë disa trilionçe ndaj industrisë së naftës. Nga lumi aktual i analizave duket se njerëzit që e refuzojnë konceptin e pikut të naftës nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë kjo shprehje.

Si shembull mund të sjell një opinion aktual i cili e denonconte pikun e naftës si absurd me argumentin se bota ka akoma dhe 40 vjet naftë nëse kjo nxirret me ritmet e tanishme. Autori i opinionit injoroi faktin se teoria e pikut të naftës dyshon në atë që ai e mori të mirëqënë, në vazhdimin e ritmeve aktuale të nxjerrjes së naftës. Bota mund të ketë dhe 40 vjet naftë në rezerva (nëse nxirret me ritme aktuale), por nëse sasia që mund të nxirret çdo vit arrin kulmin dhe pastaj pakësohet për shkak të limiteve gjeologjike, një ekonomi botërore e bazuar në furnizime gjithmonë në rritje të energjisë do të jetë në telash. Ky është thelbi i përkrahësve të idesë së pikut të naftës dhe pretendimet e ngritura mbi madhësinë e rezervave botërore të naftës nuk e adresojnë këtë problem.

Nuk habitem që kaq shumë njerëz po gjejnë mënyra të stërholluara për të anashkaluar ndërgjegjësimin për pasojat e pikut të naftës. Ndërkohë që prodhimi botëror i naftës mbetet i pandryshuar (dhe për ta mbajtur është dashur rritja e prodhimit të kushtueshëm të biokarburanteve dhe naftës bituminoze) disa nga prezumimet bazë të botës moderne po dalin të pavlefshme. Kur prodhimi të fillojë të marrë të tatëpjetën në anën tjetër të grafikut të Hubertit, ky proçes zhvleftësimi pritet të shpejtohet, dhe ajo çfarë sot konsiderohet si e vetëkuptueshme do të përfundojë në koshin e mbeturinave të historisë pranë dështimeve si flogistoni dhe e drejta hyjnore e mbretërve.

Mund të sjellim një shembull me implikime të mëdha, që del nga mospërputhja midis teorive aktuale ekonomike dhe realitetit të epokës së pikut të naftës. Mënyra më e mirë për t’jua dhënë shembullin është t’ju ftoj të vishni këpucët, të merrni çantat e pazarit dhe të më ndiqni në pazarin tim të djeshëm.

Në qytetin jugor të Oregonit ku unë jetoj, e marta është dita e tregut e fshatarëve, prandaj dje, si çdo të martë në Mars-Nëndor, bashkë me gruan bëmë një kilometër rrugë deri në parkingun e gardës kombëtare, ku kopshtarët dhe fermerët vendas shesin prodhimin e tyre. Ndër të tjera blemë manaferra, të cilat sot do i bëjmë reçel për zaire.

Është e vërtetë që mund dhe ta kishim blerë reçelin të gatshëm. Por, këto dy mënyra të sigurimit të reçelit ndryshojnë shumë. Le të mos marrim parasysh për momentin cilësinë superiore të reçelit të bërë vetë, i cili (në rastin tonë të paktën) përgatitet nga përbërës më të freskët dhe në sasi më të vogla. Ndryshimi kryesor midis reçelit të blerë dhe atij të bërë vetë është se kur reçeli bëhet në shtëpi harxhohet më pak naftë.

Fermeri që prodhoi manaferrat përdori metoda organike të cilat kursejnë naftën dhe gazin natyror që do të ishte përdorur në prodhimin e pesticideve dhe plehërave kimikë. Megjithëse fermeri përdori makinë për të sjellë prodhimin në treg, 15 km që ai bëri nuk janë gjë në krahasim me mijëra kilometrat që zakonisht prodhimet bujqësore transportohen nga ferma tek punishtja, magazina dhe supermarketi. Edhe nëse do të kishim shkuar me makinë në treg, prapë nafta e harxhuar për ato 2 kilometra rrugë nuk do e kishte ndryshuar shumë situatën.

Bërja e reçelit dhe paketimi ndoshta harxhon po aq energji si kur bëhet në shtëpi ashtu dhe kur bëhet në fabrikë, megjithëse në shtëpi mund të prodhohet edhe me furrë diellore apo energji tjetër të rinovueshme. Por, edhe pa energjinë e rinovueshme, reçeli shtëpiak kërkon vetëm një pjesë të energjisë nga prodhimi në dorëzim që zakonisht harxhohet për reçelin e gatshëm.

Këtë e tregon dhe fakti se nëse marrim parasysh të gjitha shpenzimet reçeli shtëpiak na kushtoi vetëm sa 2/3 e atij të gatshëm.

Por, kur shkenca e ekonomisë krahason reçelin e shtëpisë me reçelin e gatshëm, ajo konsideron superior reçelin e gatshëm. Reçeli i shtëpisë ka impakt negativ në prodhimin e brendshëm bruto (i cili zakonisht përdoret si matës për mirëqënien e një shteti). Çmimi modest i manaferrave, sheqerit, pektinës dhe kapaqeve të reja të vazove është shtesa e vetme që i bëhet prodhimit bruto. Në kontrast, bërja, transporti, magazinimi dhe shitja e reçelit të gatshëm kërkon, direkte ose indirekte, shpenzimin e një sasie të madhe parash, gjë e cila rrit më shumë prodhimin e brendshëm bruto.

Por, analizoni ekonomikisht situatën nga perspektiva e pjesëmarrësve në proçes dhe gjërat duken shumë ndryshe. Përveç arësyeve të tjera kemi një arësye të fortë ekonomike:  marrim një produkt më cilësor me një çmim më të ulët. Fermeri gjithashtu përfiton kur e shet produktin direkte tek konsumatori disa herë më shtrenjtë se tek tregtari. Sipas ekonomistëve qëllimi i pjesëmarrjes së lirë në treg duhet të jetë maksimalizimi i mirëqenies, por nëse mirëqënja matet me prodhimin e brendshëm bruto, përpjekja jonë për mirëqënje personale pakëson kontributin tonë në mirëqënien kombëtare.

Kjo reflekton një nga gabimet e shkencës ekonomike moderne: prezumimin se transaksionet e tregut të ndërmjetësuara nga paraja janë e vetmja formë e rëndësishme e aktivitetit ekonomik.

Bërja e reçelit në shtëpi kapet nga radari i ekonomisë vetëm kur paguajmë për lëndët e para. Po prodhojmë vlera (të njëjtin reçel që po të ishte shitur në treg do të sillte më shumë se koston e lëndëve të para), por po e prodhojmë jashtë ekonomisë së tregut prandaj nuk njihet zyrtarisht në një ekonomi ku përdoret vetëm metri i tregut.

Kjo bëhet e rëndësishme në perëndim të epokës së naftës së bollshme kur vendet e industrializuara, por mbi të gjitha SHBA, kanë transferuar sa më shumë pjesë të munden të ekonomisë shtëpiake drejt ekonomisë së tregut. Unë dhe gruaja, Sara, i përkasim një minoriteti familjesh që e përgatisin vetë reçelin. Por kujtoni si ishte para 100 vjetësh, kur pothuajse çdo familje në fshat, si të pasurit dhe të varfërit, kishin një ekonomi shtëpiake aktive që prodhonte një pjesë të madhe të të mirave materiale dhe shërbimeve që konsumonte. Shumë faktorë kanë kontribuar në këtë ndryshim të madh, por më i rëndësishmi është bollëku i energjisë së lirë.

Shumica e ekonomive me fabrika, në të cilat prodhimi në masë i produkteve të përpunuara është me interes, ekzistojnë si të tilla vetëm sepse kostua e transportit është e ulët. Jo më herët se gjysma e parë e shekullit të 20-të shumica e produkteve për konsum në SHBA prodhoheshin lokalisht për tregjet e vendit, pjesërisht sepse kostot e transportit ishin ende të larta dhe pengonin tregëtimin në nivel kombëtar. Ato produkte që shiteshin në gjithë SHBA-në, si psh Koka-Kola, e arritën këtë nëpërmjet françizës së prodhimit dhe paketimit tek firmat lokale. Duhej lindja e infrastrukturës së transportit me kamionet me naftë dhe rrjetin modern të rrugëve që të krijohej rrjeti aktual i shpërndarjes së produkteve, dhe ishte nafta e lirë që mundësoi të gjithë këtë.

Perëndimi i epokës së naftës së lirë pritet të kthejë mbrapsht këtë proçes të centralizimit ekonomik. Me rritjen e kostove të transportit dhe rritjen e peshës së tyre në koston totale të produkteve, ekonomitë e prodhimit lokal shpejt ose vonë do të zëvendësojnë ekonomitë e prodhimit në masë që mbizotërojnë sot dhe do të hapin mundësi për firma të vogla dhe të mesme më të shkathëta për t’ju përshtatur ndryshimeve ekonomike. Gjithashtu, përfitimet financiare nga ekonomia shtëpiake do të rriten mjaft. Në një botë me pak naftë çdo gjë që mund të pakësojë sasinë e naftës të harxhuar për prodhimin e një produkti do të ketë interes ekonomik, dhe nëse tranzicioni shoqërohet me varfërim në masë (kjo duket se ka shumë të ngjarë), shumë familje të botës së industrializuar do të përballen me dilemën që ti prodhojnë vetë produktet ose të mos mund ti kenë fare ato.

Ka rëndësi të kuptojmë se rendi aktual ekonomik mbahet në këmbë jo vetëm për arësye ekonomike por edhe për arësye më pak të qarta si kultura dhe psikologjia kolektive. Për ata të cilët kanë akses në tregjet fshatare (dhe me përhapjen e tregjeve të fshatarëve në të gjithë SHBA-në e më tej, një pjesë gjithmonë e më e madhe e popullsisë e ka këtë mundësi) bërja e reçelit, dhe e shumë produkteve të tjera ushqimore, është me interes. Njësoj dhe për shumë aktivitete të tjera të cilat praktikoheshin rëndom më parë si pjesë e ekonomisë shtëpiake, dhe me shumë mundësi do të praktikohen prapë. E megjithatë këto aktivitete mbeten hobi të vetëm një pjese të  vogël të amerikanëve modernë. Shumica e amerikanëve i drejtohen tregut për të siguruar produkte më pak cilësore me çmime më të shtrenjta. Forcat që e motivojnë këtë lloj irracionaliteti ekonomik do i shqyrtojmë në postimin tjetër.

Pjesa 2: Degjenerimi dhe zhdukja e ekonomisë shtëpiake

Reçeli i manaferrës, produkti i zgjedhur në postimin e kaluar, është veçse një nga qindra artikujt dhe shërbimet që deri kohët e fundit prodhoheshin pothuaj tërësisht nga ekonomia shtëpiake, jashtë tregut. Kurse sot, pothuaj të gjitha këto produkte dhe shërbime ose prodhohen komercialisht ose nuk prodhohen fare. Ka ndodhur një transformim ekonomik në shkallë të gjerë, por që është diskutuar shumë pak nga ekonomistët.

Ky është dhe një transformim shoqëror masiv. Vizitoni bibliotekën e një universiteti publik amerikan, nga ato që nuk kanë ndjekur modën e spastrimit të koleksionit të librave të vjetër, kaloni nëpër rafte derisa të gjeni ato më të errëta dhe të lëna pas dore dhe me shumë mundësi do të gjeni fosilet e mumifikuara të një shkence, profesioni dhe departamenti universiteti po aq të kallur sa dinozaurët, dhe shumë pak popullor sot: ekonomisë shtëpiake.
Jo shumë dekada përpara kishte një rrjet të madh ekonomistësh shtëpiakë të cilët punonin për universitetet, departamentet rajonale, bizneset private dhe mbështesnin mjaft ekonomitë shtëpiake. Rrjeti dhe shpenzimet për mirëmbajtjen e tij mbështeteshin në konsensusin universal mbi rëndësinë ekonomike dhe shoqërore të ekonomisë shtëpiake. Përvoja e dy luftërave botërore, kur ekonomitë shtëpiake të mbështetura nga shteti luajtën një rol të madh në pakësimin e impaktit negativ të racionimit të ushqimeve dhe mundësuan që SHBA të ushqente ushtritë e veta dhe të aleatëve, e përforconte këtë konsensus.
Njëkohësisht, ekonomia shtëpiake përballej me presione nga prirjet ekspansioniste të ekonomisë së tregut. Duke filluar nga fundi i shekullit të 19-të, me ritme të shpejta gjatë dekadave në vijim, tregu penetroi në shtëpi me lumin e vet të vazhdueshëm të produkteve komode dhe të pajisjeve kohëkursyese. Shumë prej këtyre nuk ishin as komode dhe as kohëkursyese, por marketingu masiv në mbështetje të tyre i solli në modë, sidomos për klasat e sapopasuruara të mesme që u zgjeruan në fillim të shekullit të 20-të kur SHBA ishte në kulmin e lulëzimit të vet.

Këto dy forca sociale të mëdha-konsensusi i gjerë që mbështeste ekonominë shtëpiake dhe presioni në rritje i ekonomisë metastazike të tregut- më në fund u përplasën në dekadat pas luftës së dytë botërore. Një forcë e tretë luajti rol vendimtar në këtë përplasje..

Përmendja e kësaj force të tretë mund të jetë e papëlqyeshme, sepse ka mbetur një patate e nxehtë në kulturën amerikane edhe sot, shumë pak njerëz janë në gjendje të diskutojnë për të pa pasion. Por nuk mund të kuptojmë çfarë ndodhi me ekonominë shtëpiake pa e përmendur këtë forcë. Bëhet fjalë për rolin e luajtur nga ndarjet seksuale në ekonomi dhe në fillimin e valës së dytë të feminizmit amerikan në vitet 60-70.

Shumë ndryshime shoqërore u bashkuan bashkë dhe nxitën fillimin e lëvizjes feministe në vitet 60, por një ndryshim që është nënvleftësuar është ndryshimi i papritur nga ekonomia e luftës në ekonominë konsumeriste. Me kthimin e ushtrisë në shtëpi, industria dhe qeveria bën të pamundurën të hiqnin Rozën nga fabrika dhe ta bënin Suzi Shtëpiakja sa më shpejt, që të lironin vende pune për miliona ushtarë të liruar. Njëkohësisht, nevoja e tregjeve për ekspansionin e ekonomisë konsumeriste dhe punësimin e milionave i dha shtysë të fuqishme sulmit të tregut mbi ekonominë shtëpiake.

Propaganda e pas luftës ( të themi marketing është një fjalë shumë e butë për fushatat pa fund që përmbytën mediat në fund të viteve 40 dhe fillim të viteve 50) e paraqiste familjen e mesme në një mirëqënie shkëlqyese, me produkte konsumi moderne të blera të cilat do të zëvendësonin rutinën bajate të ekonomisë shtëpiake me një jete elegante dhe argëtuese.

Realiteti pas kësaj fasade ishte më pak i këndshëm. Me miliona gra të shtresës së mesme, të cilave ju mohua vendi që kishin zënë gjatë viteve të luftës në ekonominë e tregut si dhe roli që nënat e tyre kishin luajtur në ekonominë shtëpiake përpara luftës, e gjetën veten në një ekzistencë thjesht dekorative dhe pothuaj pa asnjë objektiv…..

Nuk ndodh rrallë sot të gjesh çifte për të cilat kostua e kujdesit për fëmijët, makina dhe shpenzimet e rrugës për në punë, si dhe kostot e tjera të nevojshme kur të dy prindërit janë të punësuar, shkon shumë se ç’është vetë rroga shtesë. Në shumë raste këto familje do të ishin më mirë nëse një nga prindërit do të rrinte në shtëpi dhe do të punonte në ekonominë shtëpiake, por në klimën aktuale shoqërore kjo është e paimagjinueshme për shumë njerëz.

Flas dhe nga eksperienca ime si një shtëpiak i vjetër. Gjatë gjysmës së 24 vjetëve martesë kishte shumë më tepër interes për gruan time, llogaritare, që të punonte në ekonominë e tregut, ndërkohë që unë kujdesesha për kopshtin, gatuaja, pastroja, dhe praktikohesha në kohën e lirë në karrierën e vështirë të shkrimtarit. Përballova mjaft kritika për këtë zgjedhje, megjithëse ishin shumë më pak të ashpra se kritikat që shumë gra përballojnë, zakonisht nga gra të tjera. Megjithë presionin kjo ishte zgjidhja e drejtë për ne. Na mundësoi të jetonim mirë me një të ardhur komode..

Kjo zgjedhje do të bëhet praktike për gjithmonë e më shumë njerëz me kontraksionin e ekonomisë së tregut për shkak të pikut të naftës. Braktisja e ekonomisë shtëpiake ishte e arësyeshme në rradhë të parë për shkak të gërshetimit të zgjerimit kapitalist me zgjerimin e prodhimit të burimeve fosile pas luftërave botërore. Me dobësimin e fuqive të SHBA-së dhe me pakësimin e prodhimit botëror të energjisë, kostot e ekonomisë qe ndërtuam 60 vitet e fundit dhe që bazohet mbi energjinë do të fillojnë të kapërcejnë përfitimet prej saj. Në këtë kontekst ringjallja e ekonomisë shtëpiake është një mundësi që ofrohet për të mbushur boshllëkun dhe prodhuar mallrat dhe shërbimet. Librat e pluhurosur në raftet e ekonomisë shtëpiake të bibliotekës së universitetit tuaj mund të bëhen prapë të dobishëm….

Burimet:

http://thearchdruidreport.blogspot.com/2008_08_01_archive.html

http://thearchdruidreport.blogspot.com/2008_07_01_archive.html

About these ads
This entry was posted in Tranzicioni social-ekonomiko-politik. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s