Si te bejme pleh organik

Pergatiti: Rita Strakosha, ritastrakosha@yahoo.com

1.        Çfarë është komposti

2.       Historia.

3.       Përbërësit

4.       Përdorimet

5.       Këshilla praktike si të bëjmë kompost

1.     Çfarë është komposti 

Foto: Plehu organik i kompostuar

Komposti është lëndë organike e cila është dekompozuar dhe riciklohet si pleh organik dhe përmirësues toke. Komposti është shumë i rëndësishëm për bujqësinë organike. Në versionin më të thjeshtë të tij kompostimi bëhet duke lënë mbeturinat organike në ambjent të hapur për 1 vit ose më shumë. Gjethet dekompozohen natyrshëm brenda ~2 vjetësh. Kompostimi në kushte moderne është një proçes i monitoruar, ku maten materialet e përdorura: uji, ajri, lëndët e pasura me karbon dhe me azot.

Proçesi i dekompozimit shpejtohet duke copëtuar mbeturinat bimore, shtuar ujë dhe siguruar ajrimin e masës nëpërmjet trazimit të herëpashershëm. Krimbat dhe myqet ndihmojnë në dekompozimin e mëtejshëm të materialit. Bakteriet aerobike realizojnë transformimin e masës duke emetuar nxehtësi, CO2, nitrite dhe nitrate. Komposti është i pasur me vlera ushqimore për tokën.

2.     Historia

Kompostimi është praktikuar që në Romën e lashtë. Kompostimi bëhej duke stivuar mbeturinat organike deri në sezonin tjetër të mbjelljeve, kur materialet e dekompozuara përdoreshin për plehërimin e tokës. Kjo kërkonte pak kohë dhe punë nga bujqit. Një disavantazh është që zihej vendi për gjithë vitin, një pjesë e mikro-nutrientëve mund të humbiste për shkak të reshjeve, si dhe organizmat patogjenë dhe insektet nuk kontrolloheshin mirë.

Sot disa qytete si psh. Siatlli dhe San Françisko në SHBA, kërkojnë që mbeturinat e kopshteve dhe mbeturinat e ushqimit të menaxhohen veçmas me qëllim që të përdoren për kompostim.

Kompostimi filloi të modernizohej në vitet 1920 në Europë si një mjet ndihmës për bujqësinë organike. Stacioni i parë industrial për transformimin e materialeve urbane organike u ngrit në Australi, Wels, në vitin 1921.

3.     Përbërësit

Bakteriet kompostuese kërkojnë 4 lëndë të para për të punuar në mënyrë efektive:

    • Karbonin — Materialet me përmbajtje të lartë karboni zakonisht kanë ngjyrë kafe dhe janë të thata.
    • Azotin: ky është materiali ndërtues i proteinave të mikrobeve kompostuese dhe duhet për shtimin e këtyre. Materialet me përmbajtje të lartë azoti zakonisht janë me ngjyrë jeshile (ose me ngjyra të ndezura, si psh. frutat dhe perimet) dhe të lagështa.
    • Oksigjenin.
    • Ujë — në sasinë e duhur, jo aq sa të shkaktojë mungesë oksigjeni.

Foto: Pirg komposti.

Nëse këto materiale përzihen në raportin e duhur bakteriet kompostuese do të metabolizojnë materialet në një shkallë të lartë dhe pirgu do të nxehet nga nxehtësia e çliruar gjatë proçesit. Një pjesë e mirë e lagështirës së stivës çlirohet si avull. Oksigjeni pakësohet shpejt prandaj stiva trazohet herë pas here. Sa më e nxehtë të bëhet stiva aq më shpesh duhet shtuar ujë dhe duhet trazuar. Trazimi dhe lagja e herëpashershme sigurojnë vazhdimësinë e kompostimit dhe mbajtjen e temperaturës së lartë deri në krijimin e kompostit. Por nëse shtohet shumë ujë, ose shumë ajër, ose shumë karbon, ose pak azot, proçeset ngadalësohen.

Kompostimi ndodh më mirë kur raporti karbon-azot është 30:1. Pothuaj të gjitha materialet bimore dhe shtazore kanë karbon dhe azot, por raportet e këtyre variojnë shumë. Bari i freskët ka një raport 15:1, kurse gjethet e thara të vjeshtës rreth 50:1. Përzierja në raportin e saktë është pothuajse e pamundur, por kompostimi arrihet dhe pa këtë.

Urina

Disa nutrientë, si psh. azoti, fosfori dhe kaliumi nxirren më me shumicë në urinë sesa në fekale. Prandaj urina mund të përdoret siç është si fertilizues ose mund ti shtohet kompostit. Shtimi i urinës në kompost zakonisht e ngre temperaturën e kompostimit, prandaj rrit dhe aftësinë e kompostit për të vrarë patogjenët dhe farat e këqija. Ndryshe nga fekalet, urina nuk i tërheq mizat dhe krimbat parazitë nuk i depozitojnë vezët në të. Urina nuk mban erë për një kohë të gjatë, veçanërisht kur është e freskët dhe e holluar.

Urina kryesisht është ujë dhe ure. Metabolitët e uresë shërbejnë si fertilizues azotikë, por duhet patur kujdes në përdorimin e urinës sepse është e lehtë mbi-dozimi: hedhja e amonjakut në sasi më madhe seç mund të thithin bimët, krijimi i kushteve acide etj.

Bajgat dhe kashta

Në shumë ferma përbërësi kryesor i kompostit janë bajgat e kafshëve të mbarështuara dhe shtrimet për fjetjen e kafshëve. Kashta dhe tallashi përdoren shpesh për shtrimin e kafshëve. Madje mund të përdoren dhe gazeta dhe kartona të copëtuar.

Materialet që duhen përdorur në sasi të kufizuara në kompost janë hiri (burim kalciumi), tallashi (ka nevojë për azot ekstra), letrat (kompostohet ngadalë prandaj këshillohet të mos përbëjnë më shumë se 10% të peshës totale të pirgut të kompostit).

Mikro-organizmat që kryejnë kompostimin

Mikroorganizmat kryesorë që kryejnë kompostimin janë:

  • Bakteriet –këto janë më të shumtat në numër.
  • Aktinomicetet – këto dekompozojnë gazetat, lëvoret etc.
  • Myqet: këto ndihmojnë në dekompozimin e materialeve të cilat bakteriet nuk arrijnë ti dekompozojnë, veçanërisht materialet e drunjta.
  • Etj.

Bakteriet e kompostimit punojnë më mirë në temperatura të larta.

Krimbat e tokës ndihmojnë kompostimin duke ngrënë materialet gjysëm të kompostura si dhe duke ajrosur përmes kanalëzave stivën e kompostit.

Mungesa e mikro-organizmave është arësyeja kryesore pse kompostimi ndodh ngadalë në landfille. Në këto ka mungesë oksigjeni, uji dhe nutrientësh prandaj mikro-organizmat janë të pakët.

Përbërës të tjerë që mund ti shtohen kompostimit

Kompostit mund ti shtohen dhe sa më poshtë:

  • Kartona, fletë të bardha
  • Lëvozhga veze, lëvozhga arrorësh
  • Gjethe
  • Fruta dhe perime
  • Kafe, çaj
  • Qimet, pendët

Përdorimi i jashtëqitjeve të njeriut

Jashtëqitjet e njeriut, ose ndryshe humanura, siç e ka quajtur Jozef Xhenkins në librin e tij të vitit 1994, me të njëjtin titull, mund të kompostohen dhe të përdoren në bujqësi.

Humanura nuk është llumi i ujërave të zeza, llum i cili mund të përfshijë dhe mbeturina industriale apo shtëpiake, por bëhet fjalë për një kombinim të fekaleve me urinën, dhe me materiale të pasura në karbon si psh. letra, tallashi. WC-ja kompostuese nuk ka nevojë për ujë, elektricitet dhe nëse operohet siç duhet nuk lëshon erë.

Përdorimi i fekaleve dhe urinës si pleh organik bën që nutrientët e tyre ti rikthehen tokës. Kjo ndihmon në parandalimin e degradimit të tokës. Humanura ka përqindje të lartë azoti, fosfori, kaliumi, karboni dhe kalcium. Në vlera ushqimore është e barazvlefshme me plehun organik të blerë në dyqanet e luleve. Kompostimi i saj ndihmon në konservimin e ujit të pijshëm, i cili me WC-të tradicionale bëhet pjesë e ujërave të zeza, të papërdorshme për bujqësinë. Kompostimi i humanurës shmang krijimin e ujërave të zeza të cilat mund të ndohtin ujërat nëntokësorë, pakëson konsumin e energjisë, i nevojshëm për transportimin dhe përpunimin e ujërave të zeza. Nëse kompostohet siç duhet humanura mund të përdoret për plehërimin e bimëve bujqësore. Vrasja e patogjenëve në të arrihet ose nëpërmjet temperaturës së lartë të kompostimit ose për shkak të kompostimit për një kohë të gjatë 1-2 vjet përpara përdorimit.

Humanura ndryshon nga praktika e përdorimit të jashtëqitjeve direkte mbi bimë. Kjo e fundit mund të përhapë sëmundje.

Kompostimi me krimba

Në këtë lloj kompostimi përdoren krimbat e tokës. Kompostos nuk i hidhet mish, bulmetra, yndyrna. Pra përdoren vetëm lëndë organike me origjinë bimore. Ky lloj kompostimi rekomandohet të përdoret për mbeturinat ushqimore në apartamente.

4.     Përdorimet

Komposti zakonisht përdoret si përmirësues i tokës.

Mbjellja e farave direkte në kompost zakonisht nuk këshillohet për shkak të tharjes së shpejtë të këtij, prezencës së mundshme të fitotoksinave etj.

Kompostimi mund të vrasë patogjenët dhe farat e këqija. Ngordhja e patogjenëve ndodh nga disa lloje bakteriesh që ndodhen në kompost, nga disa larva dhe krimba që popullojnë kompostin si dhe nga temperatura e lartë që shoqëron kompostimin. Gjithsesi temperatura e lartë vret patogjenët vetëm në qendër të stivës, jo në skajet e saj.

Kompostimi për të vrarë patogjenët është i dobishëm sidomos kur përdoren si pleh organik jashtëqitjet e kafshëve apo të njeriut.

5.     Këshilla praktike si të bëjmë kompost

Në apartament: në apartament ka pak hapësirë, gjithashtu nëse komposti fillon të mbajë erë bëhet shqetësim për ju dhe komshinjtë. Mënyra kryesore që përdorin në qytet për kompostimin është: marrin një kovë/fuci të madhe me kapak, e mbushin me vrima të vogla të cilat do të lejojnë ajrimin por jo futjen/daljen e bubuzhelave/insekteve. Në fund të kovës/fucisë hedhin ca dhé, ky ka mikrobe që ndihmojnë në kompostim. Në kovë hedhin herë pas here mbeturinat e kuzhinës dhe dhé. Ujë mundësisht nuk hidhet ose hidhet vetëm kur shikohet që komposti është shumë i thatë, sepse nëse ka më shumë lagështi sec duhet komposti fillon të marrë erë. Herë pas here kova/fucia rrotullohen që të trazohet dhe ajroset përzierja. Ajrosja pengon që komposti të mbajë erë të keqe.

Poshtë kovës vihet një tepsi a enë për të mbledhur lëngjet që mund të dalin gjatë kompostimit.

Nëse komposti fillon të mbajë erë të keqe dhe bëhet shqetësim duhet hedhur poshtë dhe filluar kompostimi nga e para.

Në ambjente të mbyllura përdoret dhe kompostimi bokashi. Këtu përdoret një kontenier i mbyllur hermetikisht dhe përzierja organike inokulohet me bakterie laktike të cilat nxisin fermentimin e përzierjes dhe shmangin daljen e aromave të këqija. Bakteriet për inokulim mund të shtohen dhe në kushte shtëpie sipas pretendimeve të disave.

Gjithashtu në ambjente të mbyllura preferohet dhe kompostimi me Eisena Fetida, sepse nuk lëshon erëra të këqija.

Në oborr:

  1. Përdoren mbeturina organike të copëtuara. Grirja, copëtimi dhe shtypja e materialeve organike e shpejton dekompozimin. Për formimin e një pirgu kompostimi përdoret të paktën 1 m3 material i copëtuar.
  2. Pirgu i kompostimit duhet vendosur në një vend të ngrohtë, i mbrojtur nga ekspozimi i tepruar ndaj erës dhe diellit. Nxehtësia dhe ajri e lehtësojnë kompostimin, por ekspozimi i tepruar i than materialet.
  3. Azoti. Azoti e shpejton kompostimin. Burime të mira përfshijnë barin, jashtëqitjet, gjakun dhe plehërat azotikë. Hiri duhet përdorur me kursim, mundësisht të mos përdoret. Hiri e shpejton dekompozimin, por nëse ka shumë mund të shkaktojë humbje të azotit, dhe zakonisht nuk është i domosdoshëm veçse nëse pirgu ka sasi të mëdhaja gjethesh pishe dhe bredhi apo fruta.
  4. Pirgu i kompostit duhet të ajroset mirë. Një farë dekompozimi ndodh dhe në mungesë të ajrit, por atëhere ndodh ngadalë dhe me erëra të këqija.
  5. Materialet në pirg duhen mbajtur të njomura sa një sfungjer i shtrydhur. Shumë pak ose tepër ujë vonon dekompozimin. Lagështia e tepruar shkakton era të këqija dhe humbje të nutrientëve.

Rrethimi i pirgut

Rrethimi i pirgut të kompostit kursen hapësirën e përdorur dhe pengon përhapjen e mbeturinave. Rrethimi duhet të krijojë mundësi për përzierjen e pirgut. Pirgu nuk duhet të jetë më i lartë se 1.8 m (shumë peshë mund të shtypë pirgun dhe të shkaktojë humbje oksigjeni).

Bërja e pirgut

Pirgjet mund të ndërtohen në shtresa për të siguruar raportet e duhura të karbonit (psh. gjethe, materiale druri) me azotin (bari, plehu kimik), por shtresat duhen trazuar me njëra tjetrën pasi është ndërtuar pirgu.  

Mirëmbajtja

Kthimi dhe përzierja e pirgut me sfurk apo lopatë siguron oksigjenin e nevojshëm për dekompozimin dhe largon lagështirën e tepërt. Një pirg që nuk përzihet mund të kërkojë 34 herë më shumë kohë për tu dekompozuar. Rekomandimet për trazimin e pirgut ndryshojnë nga çdo 3 ditë në çdo 6 javë. Trazimi më i shpeshtë shkakton kompostim më të shpejtë. Nëse ka erëra do të thotë se pirgu është shumë i lagur ose ka mungesë oksigjeni dhe se duhet trazuar më shpesh.

Herë pas here mund të nevojitet ujitja e pirgut për ta mbajtur të lagur, sidomos në kohë të thatë.

Një pirg që dekompozohet shpejt krijon temperatura rreth 60-70 oC në qendër të tij. Nxehtësia vret shumë fara të këqija, vezë insektesh dhe bakterie patogjene. Pirgu duhet të kthehet kur qendra fillon të ftohet. Kthimi i pirgut e ruan nxehtësinë dhe siguron që i gjithë materiali të ekspozohet ndaj nxehtësisë së qendrës. Kur mbaron kompostimi pirgu ftohet.

Komposti i përfunduar

Komposti i përfunduar është me ngjyrë kafe të errët, i thërrmueshëm dhe ka erë dheu. Në varësi të temperaturave të ambjentit një pirg komposti i krijuar mirë dhe i mirëmbajtur kompostohet për 2 javë deri në 4 muaj. Një pirg i lënë pas dore, me materiale të pa-copëtuara mund të dojë më shumë se 1 vit për tu dekompozuar.

Përgatiti: Rita Strakosha

Kontakt: ritastrakosha@yahoo.com

Burimet

“The humanure handbook”, J. Jenkins: http://www.gubaswaziland.org/files/documents/resource9.pdf

http://en.wikipedia.org/wiki/Composting

http://www.dep.state.pa.us/dep/deputate/airwaste/wm/recycle/facts/compost.htm

About these ads
This entry was posted in Bujqesia organike & urbane. Bookmark the permalink.

One Response to Si te bejme pleh organik

  1. Pingback: Ekonomia shtepiake ne pallatet miniferma | Si te mbijetojme KRIZEN ekonomike

Comments are closed.