FAO keshillon shkollat te ngrejne kopshte organike ne oborret e tyre

Organizata Botërore e Ushqimit në faqen e vet të internetit udhëzon shkollat të ndërtojnë kopshte organike në oborret e tyre ( kopshte të cilat kryesisht këshillohet të punohen nga nxënësit) si dhe të përfshijnë në kurrikulën e tyre edukimin e nxënësve mbi kopshtarinë organike.

Sipas këshillës, nxënësit të paktën 1 orë në javë të marrin mësim teorik, kurse të paktën 1 orë të punojnë në praktikë në kopësht. Madje këshillohet dhe mbajtja e kafshëve të vogla shtëpiake në kopshtin e shkollës.

Për këtë qëllim Organizata Botërore e Ushqimit ka përgatitur dhe një manual rreth 200 faqësh me udhëzime për shkollat, prindërit dhe komunitetet se si mund të ndërtojnë dhe kultivojnë kopshte perimesh në oborret e shkollave.

Në hyrjen e manualit drejtorët e programit thonë:

“Çelësi për zhvillimin e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre janë ushqyerja e mirë dhe edukimi. Këto prioritete reflektohen dhe në objektivat e zhvillimit për mijëvjeçarin e dytë. Megjithatë, realiteti me të cilin përballen miliona fëmijë, është se këto objektiva janë shumë larg arritjes…

Investimet në ushqyerje dhe edukim janë të rëndësishme për të ndërprerë varfërinë dhe kequshqyerjen. FAO mendon se shkollat mund të kontribuojnë shumë në përpjekjet e një vendi për shuarjen e urisë dhe të kequshqyerjes. Bahçet e shkollave mund të ndihmojnë në përmirësimin e ushqyerjes dhe edukimit të fëmijëve dhe familjeve të tyre në zonat rurale dhe urbane. Bahçet e shkollave mund të shërbejnë dhe si vende ku mësohet. Ato nuk do të jenë burim i rëndësishëm ushqimi apo të ardhurash, por do të shërbejnë më shumë për përmirësimin e ushqyerjes dhe për edukimin mbi kopshtarinë.

FAO inkurajon shkollat të krijojnë kopshte të madhësive modeste, të cilat mund të punohen me lehtësi nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit, me shumllojshmëri perimesh dhe frutash, si dhe me raste, me mbarështim kafshësh të vogla shtëpiake, si psh. pula dhe lepuj.

Mënyrat e prodhimit të jenë të thjeshta që studentët dhe prindërit të kenë mundësi ti ri-prodhojnë në shtëpi…

Nga parcela në parcelë, studentët mësojnë si të rrisin, kujdesen, korrin dhe përpunojnë bimët në klasë, në kopsht, në kuzhinë, në shkollë, në mensë dhe në shtëpi. Eksperienca rrit mirëqenjen shpirtërore të nxënësve/mësuesve, rrit njohuritë e nxënësve për natyrën dhe sesi ajo ushqen njeriun….”

Manualin me udhëzime për ngritjen dhe kultivimin e kopshteve në shkolla mund ta gjeni në faqen:

http://www.fao.org/docrep/009/a0218e/a0218e00.htm.

Nuk e di nëse Ministria e Arsimit është në dijeni të këtyre udhëzimeve.

Manuali do të jetë një pikë reference për programin e shoqatës së “Tranzicionit” në lidhje me bujqësinë urbane.

Rita Strakosha

This entry was posted in Bujqesia organike & urbane. Bookmark the permalink.