Kooperativat si menyra bashkepunimi te ekonomive shtepiake

Emri kooperativë më kujton (besoj dhe shumë të tjerëve) zhveshjen nga prona, punën e detyruar në pronën e të gjithëve dhe të askujt, urinë e njerëzve që toka bujqësore nuk arrinte ti ushqente, sepse nuk punohej me dëshirë.

Por kooperativa si një organizatë/biznes ku njerëzit përfshihen me dëshirën e tyre dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të ndihmuar aktivitetin ekonomik të pavarur të gjithsecilit është shumë e njohur dhe e praktikuar në të gjithë botën.

Ndryshe nga shoqatat të cilat nuk kanë qëllime fitimprurëse, qëllimi i kooperativës është fitimi i anëtarëve. Ndryshe nga sh.p.k-të dhe sh.a.-të ku ortakët nuk kanë aktivitet ekonomik të pavarur, anëtarët e një kooperative kanë aktivitetin e tyre ekonomik të pavarur nga kooperativa, por në drejtime të caktuara i bashkërendojnë aktivitetet.

Kur aktiviteti ekonomik i një personi është i përmasave të vogla, sic ndodh me shumë familje, interesi për të bashkëpunuar në kooperativë është më i madh. “Bashkimi bën fuqinë” thotë fjala e urtë. Pas pikut të naftës vështirësitë në transport do të favorizojnë aktivitetet ekonomike të përmasave të vogla deri në nivelin e ekonomisë shtëpiake dhe rrjedhimisht dhe krijimin e kooperativave.

Regjimi komunist ka pasur efekte negative në mentalitetin e shumë shqiptarëve: nuk besojmë tek njeri tjetri, ndoshta me arësye, por ky mentalitet në realitetin e ri që po afron duhet ndryshuar.

Meqë kooperativa, ajo kapitaliste dhe jo komuniste, do të jetë një formë e dobishme organizimi, për t’ju informuar mbi rregullimin e saj ligjor më poshtë mund të gjeni ligjin në fuqi për kooperativat, ligji nr. 8088, datë 21.3.1996, “Për shoqëritë e bashkëpunimit reciprok”. Kurse per kooperativat bujqesore ne maj 2012 eshte aprovuar nje ligj i posacem, ligji “Per shoqerite e bashkepunimit bujqesor”, nr.38/2012 (tekstin mund ta gjeni ketu).

Ligj Nr.8088, datë 21.3.1996 Për SHOQERITË E BASHKËPUNIMIT RECIPROK

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore Kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA Të PëRGJITHSHME

Neni 1

Përkufizim

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok janë bashkime vullnetare të personave fizikë ose juridikë, për kryerjen e veprimeve ekonomike në fusha të ndryshme.

Neni 2

Ligjet e referimit

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok rregullohen nga dispozitat e këtij ligji. Shoqëri të bashkëpunimit reciprok për fusha veprimtarie të caktuara mund të rregullohen me ligje të veçanta.

Neni 3

Pavarësia në marrjen e vendimeve

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok janë të lira të ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe të marrin vendime përkatëse, brenda kuadrit të akteve ligjore e nënligjore.

Neni 4

Personaliteti juridik

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok janë persona juridikë. Çdo shoqëri e bashkëpunimit reciprok ka vulën e saj.

Neni 5

Afati i veprimtarisë

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre me një afat maksimal deri në 99 vjet. Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok duhet të caktojnë afatin e veprimtarisë në statutet e tyre. Shoqëria mund të vendosë zgjatjen ose përsëritjen e afatit të caktuar.

Neni 6

Territori

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok kanë territorin e tyre përkatës, shtrirja e të cilit përcaktohet në statutin e shoqërisë.

Neni 7

Selia

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok kanë selinë e tyre, e cila përcaktohet në statutin e shoqërisë.

Neni 8

Emërtimi

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok kanë emërtimin e tyre që caktohet në statut. Në shkresat, publikimet dhe të gjitha dokumentet e shoqërisë emërtimi i saj duhet të paraprihet nga fjalët “shoqëritë e bashkëpunimit reciprok”, pas të cilave shënohet emri i saj dhe numri i regjistrimit të shoqërisë në gjykatë.

Neni 9

Objekti

Objekti i veprimtarisë së shoqërisë së bashkëpunimit reciprok është realizimi i veprimtarisë ekonomike bashkërisht nga anëtarët e saj. Veprimtaritë ekonomike mund të jenë të ndryshme, si në fushën e prodhimit, të shitblerjes së mallrave, në fushën e shërbimeve, të kreditit, në fushën e ndërtimeve, si dhe në të gjitha fushat e tjera. Qëllimi i veprimarisë së shoqërisë së bashkëpunimit reciprok është ndihma e ndërsjellë e anëtarëve që bëjnë pjesë në to.

Neni 10

Kryerja e veprimeve

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok mund të kryejnë vetëm veprime që përfshihen në objektin e veprimtarisë së përcaktuar në statutin e tyre, si dhe çdo veprim tjetër të nevojshëm për plotësimin e këtij objekti.

Neni 11

Bashkimi i shoqërive

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok mund të formojnë ndërmjet tyre bashkime, të cilat rregullohen nga ky ligj. Llojet e bashkimeve të shoqërive të bashkëpunimit reciprok, emërtimet,  qëllimet dhe objekti i veprimtarisë përcaktohet në statutet e tyre.

Neni 12

Pjesëmarrja

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok mund të marrin pjesë e të jenë anëtarë në bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok a në çdo shoqëri tjetër, ose të krijojnë edhe shoqëri të reja në përputhje me kërkesat e ligjit përkatës.

Neni 13

Veprimet me të tretët

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok i kryejnë veprimet me anëtarët e shoqërisë, ose edhe me persona të tretë, që nuk janë anëtarë të shoqërisë, sipas përcaktimeve të parashikuara në statutet e tyre.

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok lejohet të kryejnë veprime me persona të tretë që nuk janë anëtarë të shoqërisë vetëm në kushtet që vijojnë:

– Veprimet me të tretët duhet të përputhen me veprimet që figurojnë në objektin e veprimtarisë së shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

– Veprimet me të tretët nuk mund të kryhen në kushte më të favorshme për të tretët në raport me anëtarët e shoqësisë.

– Xhiroja e secilës veprimtari, që përcaktohet në statutin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, duhet të realizohet jo më pak se gjysma me anëtarët e shoqërisë dhe vetëm pjesa tjetër me persona të tretë.

– Veprimet e realizuara me personat e tretë duhet të kontabilizohen në veçanti e qartë.

KREU II

ANëTARëT E SHOQëRISë

Neni 14

Anëtarët

Anëtarë të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok janë persona fizikë ose juridikë, të cilët dëshirojnë të realizojnë bashkërisht veprime ekonomike në gjirin e shoqërisë dhe që pranojnë statutin e miratuar nga shoqëria e bashkëpunimit reciprok.

Neni 15

Numri i anëtarëve

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok, për t’u themeluar, duhet të ketë jo më pak se 7 anëtarë. Numri i anëtarëve të shoqërisë gjatë qenies së saj mund të rritet pa asnjë kufizim. Ky numër mund edhe të pakësohet, por gjithmonë me kusht që të mbeten jo më pak se 7 anëtarë të shoqërisë. Kur shoqërisë i mbeten jo më pak se 7 anëtarë dhe numri i tyre nuk plotësohet gjatë një viti, shoqëria prishet.

Bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok, për t’u themeluar, duhet të kenë jo më pak se dy shoqëri të tilla.

Neni 16

Kushtet e pranimit

Anëtar i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të bëhet çdo person fizik ose juridik që plotëson kushtet për pranim, të përcaktuara në statutin e shoqërisë. Kërkesa për pranim bëhet me shkrim dhe i paraqitet për shqyrtim këshillit administrativ të shoqërisë, i cili është organi kompetent që vendos pranimin ose jo të kërkesës.

Neni 17

Humbja e cilësisë së anëtarit

Anëtarësimi në shoqërinë e bashkëpunimit reciprok humbet kur anëtari heq dorë a përjashtohet nga shoqëria ose vdes. Çdo anëtar i shoqërisë mund të japë dorëheqjen nga shoqëria, kur mbaron angazhimi individual i veprimtarisë së tij ose në kushtet e përcaktuara në statutin e saj. Përjashtimi nga shoqëria bëhet me vendim të këshillit administrativ të shoqërisë.

Anëtari i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok që jep dorëheqjen ose përjashtohet, mbetet i detyruar ndaj detyrimeve të shoqërisë për një periudhë prej 5 vjetësh në raport me pjesët që ai ka në kapitalin e shoqërisë.

Neni 18

Regjistrimi i pranimeve

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok mban një regjistër, i cili përmban datën e pranimit të çdo anëtari, si dhe datën në të cilën ai humbet cilësinë e anëtarit.

Neni 19

Të drejtat dhe detyrimet

Anëtarët e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok kanë të drejta dhe detyra të barabarta, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të shoqërisë parashikohen në statutin e saj.

Neni 20

Masat disiplinore

Llojet e masave disiplinore që merren ndaj anëtarëve të shoqërisë përcaktohen në statutin e saj. Masa më e rëndë disiplinore është përjashtimi nga shoqëria e bashkëpunimit reciprok.

Masat disiplinore jepen për shkeljet e parashikuara në statutin e shoqërisë.

KREU III

ORGANET E SHOQëRISë

Neni 21

Organet drejtuese

Organet e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok janë asambleja e përgjithshme, këshilli administrativ dhe këshilli mbikëqyrës. Në rastin e një shoqërie me shtrirje territoriale të madhe, statuti mund të parashikojë si organe edhe asamblenë rajonale.

Neni 22

Asambleja e përgjithshme

Asambleja e përgjithshmne përbëhet nga gjithë anëtarët e shoqërisë dhe është organi vendimor i shoqërisë. Vendimet e asamblesë janë të detyrueshme për çdo anëtar të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

Mbledhja e asamblesë së përgjithshme është e vlefshme, kur në të marrin pjesë më shumë se tre të katërtat e numrit të anëtarëve. Vendimet e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme janë të vlefshme, kur miratohen nga shumica e anëtarëve të pranishëm. Asambleja e përgjithshme është e zakonshme ose e jashtëzakonshme. Asambleja e përgjithshme e zakonshme vjetore thirret një herë në vit nga këshilli administrativ. Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme thirret nga këshilli administrativ ose nga këshilli mbikëqyrës ose kur atë e kërkon të paktën 1/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok. Asambleja e përgjithshme e zakonshme thirret nga këshilli administrativ ose nga këshilli mbikëqyrës, ose kur kërkohet nga 1/10 e numri të përgjithshëm të anëtarëve.

Neni 23

E drejta e votës

Çdo anëtar i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, në kohën e ushtrimit të veprimtarisë së asamblesë së përgjithshme, ka të drejtën e një vote. Në bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok e drejta për numrin e votave që do të ketë çdo anëtar, caktohet në statutet e tyre.

Neni 24

Shpërblimi i funksioneve

Funksionet e anëtarëve të shoqërisë në organet e ndryshme të saj ushtrohen, si rregull, pa pagesë. Shpenzimet që anëtarët bëjnë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve, paguhen. Në statutet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok, kur është e nevojshme, caktohen funksionet e pagueshme.

Neni 25

Asambleja e përgjithshme e zakonshme vjetore

Asambleja e përgjithshme e zakonshme vjetore mblidhet brenda katër muajve pas mbarimit të veprimtarisë së vitit kalendarik. Ajo shqyrton raportin e gjendjes financiare të shoqërisë, raportin e veprimtarisë së këshillit administrativ, si dhe të gjitha çështjet e tjera të veprimtarisë ekonomike e të drejtimit, që çmohen të rëndësishme prej saj. Për çështjet që shqyrton, asambleja merr vendimet përkatëse.

Anëtarët e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të mblidhen në çdo kohë në një asamble të përgjithshme të zakonshme, për të marrë vendime për çështje të tjera nga ato që janë kompetencë e asamblesë së përgjithshme të jashtëzakonshme.

Neni 26

Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme

Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme mblidhet në çdo kohë, si në rastet kur paraqitet nevoja që të vendosë për ndryshimin e statutit të shoqërisë, për prishjen e shoqërisë, për transformimin e shoqërisë në një formë tjetër, ose për pjesëmarrjen në bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok.

Neni 27

Asambleja rajonale

Asambleja rajonale mblidhet në çdo rajon para asamblesë së përgjithshme, për të debatuar në lidhje me çështjet e rendit të ditës të asamblesë së përgjithshme, por nuk merr vendim për to. Asambletë rajonale caktojnë të deleguarit që përfaqësojnë anëtarët e shoqërisë në asamblenë e përgjithshme. Numri i të deleguarve të çdo rajoni caktohet nga këshilli administrativ i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

Neni 28

Këshilli administrativ

Këshilli administrativ përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë, që zgjidhen nga asambleja e përgjithshme ndër anëtarët e shoqërisë, për një periudhë të caktuar në statut dhe që mund të hiqen në çdo kohë prej saj. Këshilli administrativ zgjedh nga gjiri i tij kryetarin dhe zëvendësin e tij.

Për bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok rregullat për përbërjen e këshillit administrativ, periudhën e veprimtarisë dhe për shkarkimin e anëtarëve të këshillit administrativ caktohen në statut.

Këshilli administrativ është organi administrativ i shoqërisë, i cili administron shoqërinë sipas orientimeve të vendosura nga asambleja e përgjithshme dhe jep llogari para saj. Këshilli administrativ thirret në mbledhje nga kryetari ose zëvendëskryetari jo më pak se një herë në muaj.

Kryetari i këshillit administrativ përfaqëson shoqërinë në marrëdhëniet me të tretët.

Neni 29

Këshilli mbikëqyrës

Këshilli mbikëqyrës është organi i kontrollit të shoqërisë mbi veprimtarinë administrative dhe financiare të saj. Këshilli mbikëqyrës përbëhet nga tre anëtarë që zgjidhen prej asamblesë së përgjithshme nga radhët e anëtarëve të shoqërisë. Anëtarët e këshillit mbikëqyrës nuk lejohen që në të njëjtën kohë të jenë anëtarë të këshillit administrativ. Këshilli mbikëqyrës nuk merr asnjë vendim dhe nuk mund të japë asnjë sanksion. Çdo vit ai i paraqet asamblesë së përgjithshme vjetore një raport për drejtimin e veprimtarisë ekonomike e financiare të shoqërisë. Këshilli mbikëqyrës mund t’i paraqesë një raport të tillë çdo asambleje të përgjithshme, ose mund të thërrasë një asamble të zakonshme a të jashtëzakonshme, për çdo problem të rëndësishëm që çmon se duhet diskutuar.

KREU IV

KAPITALI I SHOQëRISë

Neni 30

Kapitali

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok ka kapitalin e saj, i cili përbëhet nga shuma e përgjithshme e pjesëve (kontributeve) që derdhin anëtarët e shoqërisë. Vlera e pjesëve të kapitalit caktohet në statutin e shoqërisë.

Neni 31

Përbërja e kapitalit

Kapitali i një shoqërie të bashkëpunimit reciprok është i përbërë nga një numër pjesësh (kontributesh) që janë nominative dhe që kanë secila të njëjtën vlerë.

Vlera e pjesëve të kapitalit, e caktuar në statutin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, në asnjë rast nuk mund të rivlerësohet, duke përfshirë në to fondet e rezervave të krijuara ose në çdo pasuri tjetër të krijuar nga shoqëria gjatë veprimtarisë së saj.

Neni 32

Ndryshimi i kapitalit

Kapitali i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të ndryshojë në rritje a në zbritje, në bazë të numrit të anëtarëve të shoqërisë dhe të pjesëve të kapitalit që ka çdo anëtar në kapitalin e shoqërisë.

Neni 33

Kufiri i uljes së kapitalit

Gjendja neto e kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok përbëhet nga kapitali i saj dhe nga fondet e rezervave ose pasuritë e tjera që rezultojnë pas zbritjes së humbjeve të veprimtarisë së shoqërisë. Gjendja neto e kapitalit të shoqërisë nuk mund të ulet nën 3/4 e gjendjes neto maksimale të kapitalit të konstatuar nga një asamble e përgjithshme.

Neni 34

Nënshkrimi i pjesëve të kapitalit për pranim

Anëtari i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok duhet të nënshkruajë një ose disa pjesë të kapitalit. Pjesët e kapitalit të shoqërisë kanë vlerë të njëjtë. Numri i pjesëve për të qenë anëtar i shoqërisë caktohet në statutin e çdo shoqërie dhe nuk varet nga veprimtaritë që anëtari i shoqërisë kryen me shoqërinë. Ky numër është i njëjtë për çdo person që kërkon të pranohet anëtar i shoqërisë ose për çdo anëtar të pranuar.

Pjesët e kapitalit të nevojshëm për pranimin e çdo anëtari në shoqërinë e bashkëpunimit reciprok nuk shpërblehen.

Pjesët e tjera të kapitalit që nuk janë të nevojshme për pranimin e anëtarit në shoqërinë e bashkëpunimit reciprok, shpërblehen dhe janë të kthyeshme.

Neni 35

Pagimi i pjesëve të kapitalit

Në statutin e shoqërisë mund të parashikohen kushtet e nënshkrimit dhe të pagimit të pjesëve të kapitalit, për garanci të veprimeve që anëtarët kryejnë me shoqërinë e bashkëpunimit reciprok.

Neni 36

Shpërblimi i pjesëve të kapitalit

Asnjë e ardhur nga veprimtaria e shoqërisë nuk u shtohet pjesëve të kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

Neni 37

Kontributi në natyrë

Pjesët e kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të jepen në lekë ose në natyrë. Ato shlyhen plotësisht, kur paguhen lekët ose kur kontributi në natyrë vlerësohet nga ekspertët përkatës dhe vihet në dispozicion të shoqërisë.

Neni 38

Transferimi i pjesëve të kapitalit

Pjesët e kapitalit të shoqërisë trashëgohen. Ato mund të blihen nga persona të tretë ose nga anëtarë të shoqërisë. Në këto raste transferimet e pjesëve të kapitalit duhet të autorizohen paraprakisht nga këshilli administrativ i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

Neni 39

Kushtet e kthimit të pjesëve të kapitalit

Pjesët e kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, në rast largimi, u kthehen anëtarëve vetëm në vlerën e tyre nominale, me vendim të mbledhjes vjetore të asamblesë së përgjithshme dhe pasi ajo të ketë konstatuar që gjithë borxhet e shoqërisë, të cilave u ka arritur afati i skadimit, janë shlyer dhe që pagimi i pjesëve nuk sjell zvogëlimin e gjendjes neto të kapitalit më poshtë se 3/4 e shumës maksimale të konstatuar gjatë një asambleje të përgjithshme.

Neni 40

Regjistri i pjesëve të kapitalit

Çdo shoqëri e bashkëpunimit reciprok mban një regjistër me emrat e anëtarëve pronarë të pjesëve të kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok. Në këtë regjistër shënohen datat e dhënies e të pagesës së pjesëve, si dhe ndryshimet e pronarit të tyre.

KREU V

DISPOZITAT FINANCIARE

Neni 41

Veprimtaria financiare

Veprimtaria financiare vjetore e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok fillon më 1 janar dhe mbaron më 31 dhjetor të çdo viti.

Neni 42

Analiza e veprimtarisë

Këshilli administrativ i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok harton raportin e administrimit, përpilon inventarët dhe llogaritë vjetore në përputhje me dispozitat përkatëse të ligjit për kontabilitetin dhe ia paraqet për miratim asamblesë së përgjithshme, brenda një afati prej tre muaj, duke filluar nga data e mbylljes së veprimtarisë financiare vjetore.

Neni 43

Fondi i rezervës për mbulimin e rreziqeve

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok gjatë çdo veprimtarie fitimprurëse detyrohet të mbajë një shumë të hollash që përcaktohet në statut për krijimin e fondit për mbulimin e rreziqeve të veprimtarisë.

Neni 44

Fondi i rezervës ligjore

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok për krijimin e fondit të rezervës ligjore depoziton për çdo vit 1/10 (një të dhjetën) e fitimit neto të shoqërisë, derisa fondi i rezervës ligjore të barazohet me vlerën maksimale të kapitalit të konstatuar gjatë një asambleje të përgjithshme vjetore të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

Neni 45

Fondi i rezervës së detyrueshme

Të ardhurat që realizohen nga veprimtari të tjera të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, si nga shitja e pasurisë, nga veprimet me të tretët, nga shërbimet, nuk lejohet në asnjë rast t’u ndahen anëtarëve të shoqërisë në çfarëdo forme qoftë. Këto të ardhura detyrimisht futen në një fond, që quhet fondi i rezervës së detyrueshme.

Neni 46

Fondi i rezervës fakultative

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme vjetore, mund të krijojë fondin e rezervës fakultative, duke derdhur në të një pjesë nga fitimi neto, i cili përdoret për të përballuar detyrimet ose nevojat e shoqërisë për raste të paparashikuara.

Neni 47

Fondi i rezervës për interesin e pjesëve të kapitalit

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok, gjatë veprimtarisë së saj, mund të krijojë një fond për shpërblimin e interesit vjetor për pjesët e kapitalit që shpërblehen. Përqindja e interesit caktohet çdo vit nga asambleja e përgjithshme e shoqërisë. Ajo nuk mund të jetë më e madhe se përqindja e depozitave afatgjatë që jep banka e shtetit.

Neni 48

Mosprekja e rezervave financiare

Rezervat e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, ciladoqoftë natyra e tyre, nuk mund t’u shpërndahen anëtarëve të shoqërisë. Ato nuk u shpërndahen anëtarëve edhe në rastin e largimit të tyre nga shoqëria, si dhe në rastin e likuidimit të saj.

Neni 49

Përdorimi i fitimit neto

Asambleja e përgjithshme vjetore, pasi verifikon shlyerjen e detyrimeve të shoqërisë, që u ka arritur afati i skadimit, vendos për përdorimin e fitimit neto, i cili deri në shfrytëzimin e tij të plotë, do të përdoret vetëm për:

1. krijimin e rezervës ligjore,

2. krijimin e rezervës së detyrueshme,

3. krijimin e rezervës fakultative,

4. caktimin e shpërblimeve për veprimet që anëtarët kanë kryer me shoqërinë e bashkëpunimit reciprok,

5. krijimin e rezervës për rreziqet e veprimtarisë,

6. krijimin e rezervës për interesin e pjesëve të kapitalit,

7. caktimin e shumave për të paguar prodhimet e shërbimet të realizuara nga anëtarët e shoqërisë, ose për të ulur kostot e blerjes së pasurisë, shërbimeve, si dhe për shlyerjen e kredive.

Neni 50

Shpërblimet sipas veprimtarisë

Pjesa e fitimit e caktuar për shpërblimet e anëtarëve të shoqërisë mund t’u ndahet atyre vetëm në mënyrë përpjesëtimore me veprimet që ata kanë realizuar me shoqërinë e bashkëpunimit reciprok.

Neni 51

Mbulimi i humbjeve

Në rast se veprimtaria e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok del me humbje, ato mbulohen me fondet e krijuara posaçërisht për këtë qëllim. Në rast se këto fonde mbarohen, atëherë humbjet mbulohen përkatësisht nga rezerva për rreziqet, nga rezerva fakultative, nga rezerva e detyrueshme dhe në fund nga rezerva ligjore. Në rast të mbarimit të rezervave, humbjet mbulohen nga kapitali i shoqërisë. Nëse ky kapital do të ulet, për këtë shkak më poshtë se tre të katërtat e shumës maksimale të kapitalit të konstatuar gjatë një asambleje të përgjithshme vjetore, prishja e shoqërisë do të shpallet nga asambleja e përgjithshme që konstaton këtë ulje, por vetëm nëse anëtarët e shoqërisë nuk do të vendosin të nënshkruajnë pjesë të reja të kapitalit, ose të rritin vlerën nominale të pjesëve a të japin brenda një muaji shumat përkatëse për të mbuluar humbjen. Pas këtij afati, nëse nuk veprohet për mbulimin e humbjeve, asambleja e përgjithshme njofton prishjen e shoqërisë.

KREU VI

REGJISTRIMI E MIRATIMI

Neni 52

Kërkesat për regjistrim

Kërkesa për regjistrimin e shoqërisë së bashkëpunimitreciprok duhet të bëhet nga kryetari i këshillit administrativ të shoqërisë dhe depozitohen në gjykatën e rrethit ku shoqëria ka selinë.    Kërkesa për regjistrimin e shoqërisë duhet të paraqitet së bashku me statutin e saj.

Firmat që figurojnë në kërkesën për regjistrimin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok dhe firmat që figurojnë në statutin e saj, duhet të vërtetohen si autentike nga noteri.

Neni 53

Plotësimi i regjistrit

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok regjistrohet në një regjistër të veçantë, që mbahet në gjykatën e rrethit ku ka selinë shoqëria.

Deklarohen dhe regjistrohen lloji, kohëzgjatja, nëse kjo është përcaktuar, emërtimi, selia, objekti i veprimtarisë, vlera e pjesëve të kapitalit dhe emrat, mbiemrat, datëlindjet dhe vendlindjet e anëtarëve të këshillit administrativ.

Depozitohen në aneksin e regjistrit kërkesa dhe statuti i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

Neni 54

Miratimi

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok miratohet nga gjykata e rrethit ku ndodhet selia e shoqërisë. Kërkesa për regjistrim duhet të depozitohet brenda një muaji nga data e themelimit të shoqërisë.

Kërkesa për regjistrimin e shoqërisë miratohet kur statuti i saj është në përputhje me ligjin dhe kur të gjitha dokumentet e kërkuara nga ligji janë të plotësuara.

Gjykata e rrethit detyrohet të njoftojë vendimin e saj brenda dy muajve nga data e depozitimit të kërkesës. Miratimi konsiderohet si i marrë, në rast se shoqërisë nuk i jepet asnjë lloj njoftimi brenda dy muajve nga data e depozitimit të kërkesës. Gjykata e rrethit detyrohet t’i njoftojë shoqërisë së miratuar vendimin e miratimit dhe numrin e regjistrimit të saj në regjistrin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, që mbahet në gjykatë.

Kundër vendimit të gjykatës së rrethit që refuzon miratimin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, shoqëria ka të drejtë të ankohet në gjykatën e apelit, brenda 5 ditëve nga data e shpalljes ose komunikimit të vendimit.

KREU VII

DISPOZITA E FUNDIT

Neni 55

Përjashtimi nga tatimet

Shoqëria e bashkëpunimit reciprok përjashtohet nga tatimet, sepse ajo gjatë veprimtarisë së saj ekonomike, nuk u shpërndan anëtarëve të saj fitimin që realizon dhe sepse fitimin që i mbetet pas likuidimit të saj, e shpërbën për qëllime humane.

Neni 56

Shpërndarja

Shpërndarja e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të bëhet me vendim të një asambleje të përgjithshme të jashtëzakonshme ose mund të shpallet nga një asamble vjetore, e cila konstaton uljen e kapitalit social më poshtë se tre të katërtat e shumës maksimale të kapitalit të konstatuar nga një asamble e përgjithshme vjetore. Likuidimi kryhet nga një likuidues i caktuar nga asambleja që ka vendosur shpërndarjen.

Shpërndarja e shoqërisë mund të bëhet edhe me mbarimin e afatit të saj, me realizimin e objektit të shoqërisë, me vullnetin e gjithë anëtarëve ose për shkaqe të parashikuara në statutin e saj.

Neni 57

Likuidimi

Likuidimi i shoqërisë bëhet nga një ose disa likuidues të emëruar nga asambleja e përgjithshme që ka vendosur shpërndarjen e shoqërisë. Detyrimet dhe përgjegjësitë e likuiduesve rregullohen në bazë të rregullave të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme.

Neni 58

Përdorimi i kapitalit për kthimin e borxheve

Kapitali i shoqërisë dhe fondet e saj gjatë likuidimit të shoqërisë përdoren përparësisht për të paguar detyrimet e shoqërisë. Pjesët sociale të kapitalit të shoqërisë paguhen pjesërisht ose tërësisht, vetëm pasi të jenë paguar të gjitha detyrimet e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok ndaj të tretëve.

Neni 59

Përgjegjësia financiare e anëtarëve të shoqërisë

Në rastin kur detyrimet e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok nuk mund të shlyhen me pasurinë e saj që rrjedh nga likuidimi, anëtarët e shoqërisë përgjigjen për detyrimet e pashlyera deri në dyfishimin e vlerës nominale të pjesëve të tyre që kanë në kapitalin e shoqërisë të përcaktuara në statut.

Neni 60

Mbetjet pas likuidimit

Pas likuidimit të të gjitha detyrimeve dhe pagesës së pjesëve të kapitalit, në rast se rezulton një mbetje, ajo nuk mund të ndahet në asnjë rast ndërmjet anëtarëve të shoqërisë. Kjo mbetje duhet t’i derdhet detyrimisht në mënyrë humane, në favor të një vepre me interes të përgjithshëm, një shoqërie tjetër të bashkëpunimit reciprok, ose një bashkimi të shoqërive të bashkëpunimit reciprok.

Neni 61

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas  botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1442, datë 5.4.1996 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

This entry was posted in Bujqesia organike & urbane. Bookmark the permalink.