Piku i naftes, kriza ekonomike dhe arsimi i lartë

Nga:                Daniel Pargman, artikullin në origjinal mund ta lexoni në: http://www.energybulletin.net/stories/2010-09-03/peak-oil-big-education-and-big-science

Përktheu:         Rita Strakosha

Në artikullin tim të mëparshëm kam dhënë shpjegimet se çfarë duhet të dijë, për çfarë duhet të shqetësohet dhe çfarë duhet të bëjë çdo qytetar përpara se piku i naftës të mbërrijë me gjithë vrullin e vet. Ky artikull është vazhdim i të mëparshmit. Fillimi i tij mund të jetë disi i çorganizuar, por në pjesën e dytë shqyrton problemin e pikut të naftës, arsimit të lartë dhe shkencës.

Mund të kaloni direkte në pjesën e dytë, nëse ju intereson më shumë.

Piku i naftës, për fat të keq, është term i ri për shumë njerëz, dhe reagimi i natyrshëm i atyre që nuk e kanë dëgjuar më parë, është ta injorojnë fjalën e re shqetësuese dhe të vazhdojnë me rutinën e përditshme.

Fatkeqsisht, piku i naftës nuk do të zhduket se ne vendosim mos të mendojmë për të. Kemi një takim me pikun e naftës dhe data e këtij takimi po afrohet vazhdimisht pa u shqetësuar se çfarë mendojmë apo ndjejmë ne (mendoni për takimin që Titaniku pati me ajsbergun). Veçse në rastin e pikut të naftës, nuk është dhe aq takim se sa martesë e detyruar që do të zgjasë përjetësisht.

Një ndër problemet, në mos problemi kryesor, me pikun e naftës është padituria e madhe. Ndërgjegjësimi në rradhët e njerëzve është, fatkeqësisht, shumë i pakët, ndërkohë që po vjen epoka kaotike e pas-pikut. Shënim: Që mos të akuzohem si shumë pesimist, dua të theksoj se shumë ndryshime do të jenë pozitive, por vetëm pas një periudhe të turbullt dhe konfuze.

E thënë thjesht: Nuk e dimë se si do të jetë jeta pas pikut të naftës dhe sa kohë do të zgjasë tranzicioni. Por për mua nuk ka dyshim se tranzicioni do të jetë i dhimbshëm. Ndryshimet e mëdha sociale gjithmonë janë të vështira. Individët do të vuajnë kur linja të tëra biznesi do të falimentojnë (psh. transporti ajror) dhe njerëzit do të humbasin vendet e punës; kur të mirat që i kemi kujtuar të sigurta nuk do të jenë më, përgjithmonë (pushimet në Tajlandë, apo pazari i bollshëm i të shtunës në supermarket).

Le ti rikthehemi paditurisë së shoqërisë dhe keqkuptimeve në lidhje me pikun e naftës. Padituria se çfarë po ndodh dhe pse, sigurisht që pakëson mundësitë e vendimmarrjes dhe veprimit të duhur, në kohën e duhur-si individë dhe si shoqëri. Deri në momentin e fundit, njerëzit do të marrin kredi me mijëra dollarë për të blerë makina të reja, luksoze dhe ne do të vazhdojmë të ndërtojmë aeroporte dhe rrugë të reja. Një djal që kisha pranë në një festë vitin e kaluar, më tha se sapo kishte blerë një shtëpi në Tajlandë dhe shpresonte ta vizitonte disa javë në vit dhe tua jepte me qira turistëve për pjesën tjetër të kohës. I uroj fat, por nuk mendoj se do ndodhë.

Nëse ne që mendojmë se nafta dhe energjia janë të rëndësishme, kemi të drejtë, nëse paradigma jonë e kuptimit të botës dhe të ardhmes së saj është e drejtë, atëhere personat që nuk e njohin këtë paradigmë nuk do të kuptojnë se çfarë ndodh, do të jenë konfuzë, do të marrin vendimet e gabuara, do të shpenzojnë pa frut dhe do të akuzojnë personat e gabuar kur dëshirat e tyre do të përplasen me realitetin e kundërt. “Lentet” përmes të cilave interpretojmë dhe kuptojmë të dhënat dhe fenomenet kërkuesit i quajnë “teori”. Pa këtë mendimet tona mund të shkojnë në drejtimin e gabuar. Richard Heinberg ka thënë:

…njerëzit nuk do të flasin për pikun e naftës. Ata do të flasin për shifrat e papunësisë. Do të flasin për çmimet e larta të ushqimeve. Do të thonë që nuk mund të udhëtojnë më me avion sepse industria e transportit ajror ka falimentuar, ka shumë pak kompani ajrore që funksionojnë akoma dhe biletat kushtojnë shumë shtrenjt. Do të flasin për luftën e fundit apo për aktet terroriste. Nuk do të kenë fare perspektivën se çfarë i ka sjellë të gjitha këto.

Piku i naftës, arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor

Mendoj se, me siguri, arsimi i lartë, në rastin më të mirë, do të tkurret në përmasat dhe objektivat e tij. Jo më herët se në fillimet e viteve 1950 më pak se 5% e maturantëve në Angli, Francë apo Australi shkonin në shkollë të lartë-dhe pjesëmarrja ishte e dyfishuar në krahasim me 1-2 dekada përpara (sipas Alison Wolf në librin e saj të madh “A ka rëndësi edukimi? Mite të Edukimit dhe Rritjes Ekonomike).

Sot në Suedi, pothuajse të gjithë ata që janë të aftë (dhe një pjesë që nuk janë) fillojnë shkollën e mesme në moshën 16 vjeç (98-99% e 16 vjeçarëve). Rreth 40% e të rinjve fillojnë shkollën e lartë përpara moshës 25 vjeç. Është objektiv politik i partisë social-demokrate që 50% e të maturuarve duhet të vazhdojnë shkollën e lartë, nuk e kuptoj shkakun e vërtetë.

Argumentet e përgjithshme që kam hasur kanë llogjikë të dobët dhe i referohen në përgjithësi slloganëve si psh.: “demokracia”, “konkurrenca me pjesën tjetër të botës” apo “të përgatitemi për shoqërinë e njohurive” . Mendoj se e gjithë kjo është pjesërisht dogmë dhe pjesërisht një mënyrë e fshehur dhe e kushtueshme e pakësimit të shifrave të papunësisë në mes të të rinjve.

Të dhënat tregojnë se rreth 3% e të diplomuarve në Suedi studiojnë për doktoraturë (Ph.D.). Nuk e mbaj mend, kjo shifër tregon ata që fillojnë doktoraturën apo që mbarojnë doktoraturën-gjithsesi ka shumë studentë doktorantë- rreth 3000 doktorantë të rinj çdo vit në një vend të vogël siç është Suedia! Natyrisht, gjithë ato vite studimi kushtojnë dhe arësimi i lartë është një fushë tjetër e “biznesit” e cila do të tkurret shumë nga piku i naftës.

Nëse do të kemi mundësi të ruajmë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor (që gjithsesi do të tkurret në madhësi dhe objektiva), do të ketë shumë ndryshime në prioritetet e fushave të kërkimit shkencor dhe në disiplinat akademike. Nuk do shumë mend që do të ketë më pak fonde për studime shkencore të mëdha, pra për projekte të mëdha, zakonisht të financuara nga qeveri ose grupe qeverish, të cilat kanë fonde të mëdha, staf të madh në numër, laboratore të fuqishme dhe makineri të shtrenjta. Do të ketë më pak fonde për kërkuesit shkencorë të interesuar në origjinën e universit dhe në akseleratorët e grimcave. Ti harrojmë projektet me shumë shkencëtarë, me pajisje shumë të shtrenjta, për zbulime të reja, të parëndësishme që kanë zbatim praktik të dyshimtë.

Së fundmi (në 22 qershor ) lexova në faqen e parë të revistës “Kompjutera, Suedi” se “Instituti Mbretëror i Teknologjisë në Suedi investon 133 milion korona – rreth 20 milion dollarë – për blerjen e një super-kompjuteri i cili do të jetë ndër kompjuterat më të shpejtë në Europë (përkohësisht kuptohet)”. Nuk e kuptoj pse një shpenzim prej 133 milionësh quhet “investim”. Titulli më i mirë do të ishte “KTH shpenzon 133 milion”. Ekuivalenti negativ i “KTH investon” do të ishte “KTH çon dëm 133 milion”. Në çdo rast nuk e besoj se këtu e 10-20 vjet do të ketë ndonjë që do ti jepen fonde për të blerë pajisje me 133 million korona, ndoshta me përjashtim të kërkimit në energji për ndonjë qëllim shumë të rëndësishëm.

Një kompjuter që kushton 20 milionë dollarë është një pikë në oqean krahasuar me 6,000 milion eurot që Franca dhe pjesa tjetër e Europës do të investojnë për ndërtimin në vitin 2012 të termocentralit eksperimental të fuzionit (ITER). Projekti ka probleme financimi pas krizës financiare dhe për shkak të rritje së shpenzimeve të projektit mbi ato të parashikuara (dhe kjo akoma pa filluar ndërtimi). Ka partnerë të tjerë në projekt (SHBA-ja, Rusia, Japonia, Korea, Kina dhe India), dhe kostoja totale e parashikuar e këtij termocentrali eksperimental është aktualisht 16 000 million Euro. Kostot mund të rriten akoma, po të konsiderojmë se janë rritur me 10 000 milion Euro (!) që pas parashikimeve në 2001. Hedh bast (shansi 5:1) se ky termocentral nuk ka për të përfunduar asnjëherë. Ka ndonjë që hedh bast kundër meje? Centrali duhet të ndërtohet për 10 vjet dhe unë e mbaj bastin deri në 2030. Lufta për fondet ka filluar “kërkuesit shkenorë të fushave të tjera pyesin veten nëse do tu pakësohen fondet për shkak të nevojave të ndërtimit të centralit”.

Në përgjithësi specializimi në kërkimin shkencor (ku shkencëtarët specializohen duke studiuar fusha gjithmonë e më të ngushta) do të pakësohet me pakësimin e numrit të shkencëtarëve dhe të fondeve. Të studiosh gjithmonë e më shumë në fusha gjithmonë e më të ngushta do të jetë rrugë pa krye, në vend të kësaj, studimet në disa fusha të ndryshme njëherësh do të jetë më me interes. Ndoshta interesi në shkencat jo-ekzakte si psh. psikologjia, sociologjia, shkencat politike, studimi i konflikteve do të rritet, me kushtin që këto shkenca të hetojnë dhe mbi pikun e naftës dhe pasojat e tij:

– Si mund të jetojmë në një botë me burime natyrore në pakësim?
– Si mund të kurojmë njerëzit që janë të sëmurë pas dyqaneve dhe nuk do kenë më mundësi për shoping ?
-Çfarë do të bëhet me karrieristët e kualifikuar, të moshës së mesme, të cilët kanë humbur punën, karrierën, shtëpinë, makinën dhe rrjedhimisht identitetin dhe motivimin?
– Si mund të kuptojmë përhapjen e madhe (në ardhje) të kopshtarisë?
– Si mund të zbusim zhgënjimin (e justifikuar) dhe agresionin e të rinjve ndaj brezit të prindërve të tyre?
– Çfarë do të bëjmë me refugjatët nga piku i naftës, kur këta të trokasin në derën tonë dhe të kërkojnë të hyjnë? Apo me terroristët, viktima të ndryshimit të klimës, të cilët nuk kanë se çfarë të humbasin?
– Si do të pakësojmë përfitimet e dhëna nga shteti, deri tani të ofruara pa prekur shumë interesa?
– Si duhet të reagojmë ndaj tregjeve të bursave në rënie (qe do të kenë ndikim dhe në pensionet tona)?
– Si mund të krijojmë institucione në nivel lokal të cilat do të punojnë për pakësimin e vartësisë sonë nga pjesa tjetër e botës?
– Si do të ri-ndërtojmë degët strategjike të industrisë të cilat ikën nga Suedia 20-50 vjet më parë?
– Si do të transformojmë bujqësinë që kjo të konsumojë më pak energji?
– Si do të jetë kujdesi shëndetësor në të ardhmen? Si do të organizohet? Si mund tu shpjegojmë njerëzve thjesht se operacioni X nuk bëhet më apo ilaçi Y nuk gjindet më?
– Si të ndryshojmë kurrikulën e shkollës fillore dhe të shkollës së mesme (dhe të gjejmë mësues) të cilët mund të përgatisin nxënësit për shekullin e vërtetë të 21-të?
… dhe lista vazhdon…

Do të ketë interesim shumë të madh në kërkimin shkencor në energji. Mund të mësojmë dhe nga teknologjia që përdorin sot vendet në zhvillim (psh. teknologjia e celularëve dhe prodhimi i energjisë me teknika të thjeshta, jashtë rrjetit të shpërndarjes). Idea e transferimit të njohurive, tani në drejtim të kundërt, nga vendet në zhvillim në vendet e zhvilluara, është tronditëse…

Natyrisht, kërkuesit nuk do të kenë më mundësi të udhëtojnë lart e posht nëpër botë, nëpër konferenca, kështu transferimi i njohurive midis ekspertëve do të jetë më i kufizuar në rajone (apo ndoshta Interneti mund të kompensojë transportin e kufizuar?). Kërkuesit shkencorë suedezë (dhe popullsia në përgjithësi), do të duhet të mjaftohen vetëm me udhëtimet në Europë, me kalimin e kohës, vetëm në Skandinavi, apo Suedi. Kjo tkurrje natyrisht do të ndikojë në gjuhët që fëmijët do të mësojnë në shkollën fillore dhe në shkollën e mesme. Do të mësohen më shumë gjuhët më afër nesh gjeografikisht (norvegjishtja, danishtja psh.) dhe do të pakësohet interesi në gjuhët ekzotike si psh. arabishtja, japonishtja dhe kinezçja.

Një parashikim i fundit, që nuk më duket i tepruar, është se shkenca e ekonomisë në formën e saj aktuale do të diskretitohet dhe hidhet në koshin e mbeturinave të historisë në të njëjtën mënyrë që shkenca e komunizmit u tërhoq e turpëruar 20 vjet më parë. Me ndryshimin e botës, ekonomistët tradicionalë neoklasikë do të trajtohen njësoj si bashkëpunëtorët e fashizmit madje dhe si bashkëfajtorët e shkatërrimit. Do të jenë po aq të nderuar saç janë sot antropologjistët racistë në universitetet e botës.

Gjithsesi, për teori ekonomike ka nevojë, dhe besoj se idetë aktualisht të konsideruara si radikale të ekonomive ekologjike dhe ekonomive biofizike do të prevalojnë. Aksioma e këtyre teorive është: çfarë mban Toka-sa mund të shtrihen aktivitetet ekonomike të njeriut që mos të shkatërrojnë mjesidin dhe aftësinë tonë për tu begatuar dhe në të ardhmen e largët. Duke kaluar nga ekspansioni në tkurrje, kalojmë nga ekonomia e mundësive në ekonominë e kufizimeve-në ekonominë e botës reale.

Në vitet 1800 gjuanim për balena deri në fund të botës, në gjueti që zgjasnin disa vite, që të ndriçonim shtëpitë. Kur balenat filluan të rralloheshin na erdhi në ndihmë keroseni, por çfarë do të na shpëtojë kësaj rradhe? Shumë kanë lexuar shumë përralla dhe kanë parë shumë filma për të përfytyruar një tregim pa fund të lumtur. Këta janë njerëzit që u stresuan kur Obama dhe BP nuk arritën të pushonin menjëherë rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës. Në rastin më të mirë njërëzit dyshojnë për paaftësi të rëndë, në rastin më të keq mendojnë për komplot. Ata e shohin shtrembër realitetin, sepse janë të bindur që çdo problem mund të zgjidhet nga teknologjia amerikane. Se shkencëtarë të mençur por të keqkuptuar i kishin zgjidhjet, por u penguan nga burokratët e këqinj dhe qeveria që të mbyllnin rrjedhjen e naftës njëherë e mirë {lexoni artikullin në” http://www.nola.com/news/gulf-oil-spill/index.ssf/2010/05/american_faith_in_techological.html  (“Besimi amerikan ne teknologjine rrit stresin e shkaktuar nga rrjedhja e naftes ne Gjirin e Meksikës”)}.

Fatkeqësisht, personalisht jam i mendimit, se nuk ka garanci për një fund të lumtur, vetëm në përrallat e prodhuara për masën, qëllimi i të cilave është të na nanurisin.

200 vitet e shkuara knë qenë një sukses i gjatë-të paktën për ne në perëndim. Fatkeqësisht, kohët e arta nuk do të zgjasin përjetësisht.Çfarë më irriton është se gjatë këtyre kohëve të mira nuk filluam të përgatitemi për kohët më të vështira.

Në Bibël, Jozefi e interpreton ëndrrën e faraonit me 7 lopë të dhjamura dhe 7 lopë të dobëta si parashikim për 7 vite të begata dhe pas këtyre 7 vite me të korra të këqija. Faraoni përgatiti egjiptianët duke krijuar rezerva ushqimi gjatë viteve të begata, dhe ata e mbijetuan thatësirën (urrah!).

Por ne kemi jetuar në begati të paparë, pa menduar qoftë dhe një herë për të ardhmen. Në vend të ulim shpejtësinë, vazhdojmë të shtypim pedalin drejt e në kthesën e fortë.

Dmity Orlov argumenton se nëse presim ndonjë ndërhyrje nga “jashtë”, e vetmja shpresë “e mundshme” është se alienët dashamirës do të shfaqen tamam në kohë për të shpëtuar njerëzimin (të gjithë 7 miliardët) dhe shoqërinë tonë konsumeriste. Gjoja.

Mendoj se nipërit tanë do të dëgjojnë shumë histori dhe tregime moralizuese mbi arrogancën, shpërdorimin, makutërinë, mendjeshkurtësinë dhe shumë nga tregimet do të kenë fund të keq (“ja çfarë ndodh kur nuk…”). Këto tregime do të shërbejnë si trajnim për hyrjen në botën e vështirë, si një mënyrë e mirë për përshtatjen ndaj sfidave dhe ndryshimeve që po ndodhin rreth nesh në Suedi dhe jashtë saj.

Sinqerisht, jam më pesimist për paditurinë dhe paaftësinë tonë si shoqëri për tu përballur me pikun e naftës, se sa për vetë pikun e naftës.

Prandaj nëse përdorim burimet tona që janë ende të shumta për të filluar përgatitjen e menjëhershme ndaj pikut të naftës, nuk do të shqetësohesha shumë. Ah sikur të fluturonin gicat…

This entry was posted in Tranzicioni social-ekonomiko-politik. Bookmark the permalink.