Transformimi i shëndetësisë pas pikut të naftës

Artikull i Daniel Bednarz, publikuar në Korrik/Gusht 2007, në revistën Orion.

Shkalla në të cilën ekonomia varet nga nafta dhe gazi natyror është shumë e madhe, por kjo pak bie në sy. Kjo është sidomos e vërtetë për sistemin shëndetësor.

Nafta dhe derivatet e saj përdoren në prodhimin e analgjezikëve, anti-histaminikëve, antibiotikëve, anti-septikëve, suposteve, shurupave të kollës, lubrikantëve, kremërave, pomadave dhe shumë xhelërave. Plastika (që prodhohet nga nafta) përdoret në valvulat e zemrës dhe në shumë pajisje mjekësore të veçanta. Derivatet e naftës përdoren në ngjyruesit e radiografive, filmat e radiografive, në tubat intravenozë, shiringa dhe maska oksigjeni. Burimet fosile përdoren për prodhimin e energjisë elektrike, ngrohjen dhe ftohjen e ndërtesave. Ambulancat dhe helikopterët e shpëtimit punojnë me naftë, personeli mjekësor shkon në punë me automobila. Ilaçet dhe pajisjet mjekësore transportohen-shpesh nga jashtë shtetit- me mjete transporti që përdorin naftën. Ka dhe përdorime më pak të njohura. Një doktor i dalë në pension së fundmi më thotë: “Në ortopedi i rregullonim thyerjet duke prekur gjymtyrën dhe duke ditur se si ishte thyer ajo. Dyshoj se ortopedistët e sotëm dinë të punojnë pa fluoroskopin (që punon me energji) dhe grafinë.”

Megjithë rrezikun e madh që kanoset, diskutimet publike mbi shëndetin publik e injorojnë rregullisht perspektivën e pikut të naftës. Reformat e propozuara, të cilat kërkojnë ofrimin e shërbimeve më shumë qytetarëve, pa rritur shumë shpenzimet, kufizohen në manovra fiskale. Ato injorojnë kufizimet fizike në sigurimin e burimeve, të cilat kufizojnë mundësinë e ofrimit të shërbimeve mjekësore sa më shumë njerëzve.

Pakësimi i pritur i burimeve fosile; kostot në rritje të shërbimeve shëndetësore (çmimet e naftës dhe gazit natyror janë 4 herë më të larta se në vitin 1999, dhe janë në rritje); rritja e popullsisë së moshuar (një brez i lindur pas luftës së dytë botërore që është sa dyfishi i brezit të mëparshëm), mund të bllokojnë një sistem shëndetësor që është tashmë në krizë. Mund të evitojmë kolapsin nëse pakësojmë vartësinë aktuale të shëndetësisë nga energjia dhe krijojmë një sistem që reflekton disponueshmërinë e burimeve. Paradoksalisht, piku i naftës mund të bëhet katalizator për krijimin e një sistemi shëndetësor që është efiçent, me zhvillim të qendrueshëm, i barabartë dhe demokratik.

Aktualisht ka një sistem shëndetësor të diferencuar. Në majë të tij është kujdesi shëndetësor modern, me teknologji moderne, ekstravagant dhe i pasur. Ky kujdes ka bërë të mundur trajtimin e sëmundjeve të rralla, vdekjeprurëse dhe kryerjen e proçedurave të kushtueshme si psh. transplantet e organeve, por është përdorur dhe për qëllime thjesht estetike si psh. injeksionet e botoksit. Në fund të sistemit janë shërbimet shëndetësore jo-cilësore që u ofrohen 50 milion amerikanëve të pa-siguruar ose pak të siguruar, të cilët shpesh nuk mund të shkojnë tek doktori, ose detyrohen të shkojnë kur u keqësohet shumë gjendja, ose rrezikojnë falimentin nëse marrin trajtime shëndetësore. Nëse të dy standartet do të ekzistojnë dhe pas pikut të naftës, do të duhet dhuna, ruajtja me roje të armatosura e klinikave, që të ruhet sistemi. Kjo do të binte ndesh me vlerat demokratike-shumica e amerikanëve besojnë se kujdesi shëndetësor është e drejtë e njeriut dhe jo privilegj për të gjindurit.

Atëhere çfarë duhet të bëjmë? Opsioni më i mirë është krijimi i një kujdesi shëndetësor të barabartë për të gjithë. Pas pikut do të ketë më pak lëndë të parë dhe më pak energji për sistemin shëndetësor. Por kjo nuk sjell domosdoshmërisht përkeqësim të kujdesit shëndetësor. Megjithëse SHBA harxhon më shumë për shëndetin se çdo komb tjetër-kostot për frymë të kujdesit shëndetësor në SHBA janë 3 herë më të mëdha se në Britaninë e Madhe dhe dy herë më të mëdha se në Kanada- ne nuk jemi të parët për sa i përket shëndetit të qytetarëve. Psh. një studim në gazetën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, në vitin 2006, raporton se “amerikanët e bardhë, të moshës së mesme-madje dhe ata që janë të pasur-janë shumë më pak të shëndetshëm se moshatarët e tyre në Angli.”

Modeli i ardhshëm do të fokusohet më shumë në shëndetin publik—në parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit në popullatë-më pak në trajtimin e sëmundjeve. Parandalimi realizohet nëpërmjet përhapjes së informacionit, terapive me kosto të ulët, promovimit të ushqyerjes dhe jetës së shëndetshme. Parandalimi u krijon mundësi njerëzve të shmangin ose shtyjnë sëmundjet, dhe të mos detyrohen të kërkojnë ndihmën e sektorëve më të shtrenjtë të kujdesit shëndetësor-mjekëve, farmacive dhe spitaleve. Në modelin e ardhshëm do të vazhdojë trajtimi i sëmundjeve, por roli i tij do të jetë më i barazpeshuar me parandalimin e sëmundjeve.

Kujdesi shëndetësor publik u krijua në dekadat e para të shekullit të kaluar si një përgjigje ndaj frikës së epidemive në qytetet e mbipopulluara. Koncepti i tij është se duhet mbrojtur shëndeti i gjithë komunitetit që individët të jenë të mbrojtur. Kujdesi për shëndetin publik nuk ka më rëndësinë e mëparshme, kur infermieret shkonin lagje më lagje të shpjegonin rëndësinë e higjenës për tu mbrojtur nga mikrobet. Sot, kujdesi për shëndetin publik është pak i financuar, merr vetëm 5% të buxhetit për shëndetësinë, kurse diferenca përdoret për trajtimet shëndetësore dhe kërkimet shkencore.

Megjithë mungesën e fondeve, kujdesi për shëndetin publik ekziston dhe funksionon. Psh. punonjësit e tij edukojnë dhe testojnë për HIV/SIDën dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, punojnë për parandalimin e sëmundjeve infektive si psh. gripi i shpendëve, krijojnë plane emergjencash; monitorojnë menaxhimin e mbeturinave, cilësinë e ajrit dhe të ujit. Nuk ka nevojë të krijohen institucione të reja për të përballuar sfidat e tranzicionit në energji, apo qoftë dhe të ndryshimit të klimës.

Tashmë, ka funksionarë të shëndetësisë të cilët po përpiqen të zgjidhin efektet e pikut të naftës në shëndetësi. Në nivel kombëtar, Qendra për Shëndetin dhe Ambjentin e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, është duke hetuar pasojat e pakësimit të naftës në industrinë farmaceutike. Në kongres, një grup deputetësh “Piku i Naftës”, i udhëhequr nga Roscoe Bartlett dhe Tom Udall, po heton rreziqet në shëndet nga rënia ekonomike dhe papunësia në masë, të cilat mendohet se do të sjellë piku i naftës. Në nivel vendor, departamenti i shëndetit i bashkisë Marion, Indianapolis, është i pari në vend që po planifikon si të vazhdojë shërbimet shëndetësore dhe gjatë pakësimit të energjisë.

Megjithëse jemi vonë, mund të shmangim efektet më të rënda të pakësimit të energjisë, por kjo kërkon transformimin e gjithë sistemit shëndetësor. Prirja e të gjindurve për të vazhduar diferencimin në trajtimin shëndetësor midis të pasurve dhe të varfërve, do të vazhdojë dhe pas pikut të naftës, dhe do të duhet mobilizim i qytetarëve për të krijuar një sistem shëndetësor më të barabartë. Shëndetësia mund të luajë një rol qendror në këto përpjekje, me edukimin e qytetarëve mbi ndryshimet që piku i naftës pritet të sjellë. Shëndetësia mund të ndihmojë në edukimin e qytetarëve për ruajtjen e energjisë. Stafi në shëndetësi është po aq i paditur për sa i përket pikut të naftës sa dhe pjesa tjetër e qytetarëve. Një nëpunës publik më tha, pasi u informua mbi vartësinë e shëndetësisë nga nafta: “O Zot, nuk më kishte shkuar asnjëherë në mendje. Ky qenka problem serioz”.”

Shënim:

Pas shkrimit të artikullit sistemi shëndetësor amerikan ka kaluar në reformë të thellë dhe diferencimi i pacientëve sipas aftësive paguese të tyre nuk është më në atë shkallë që përshkruan artikulli.

Rita Strakosha

This entry was posted in Shendeti pa ilace. Bookmark the permalink.