Nafta, shëndeti dhe kujdesi shëndetësor

Artikull i Angela E Raffle, konsulente mbi shëndetin publik. Autorja punon për autoritetin e shëndetit publik në Bristol, e-mail: angela.raffle@bristol.nhs.uk

Perktheu: Rita Strakosha

Që shëndeti dhe mirëqenia të vazhdojnë, duhet të përgatitemi për të ardhmen pa naftë. Rrjedhja e naftës në prill 2010 në Gjirin e Meksikës ilustron rreziqet që po ndërmerren për të nxjerrë naftën nga thellësitë e detit. Në qershor një analizw mbi rreziqet e Lloyd-it shkruan se “ kemi hyrë në një periudhë pasigurie të madhe se ku do sigurojmë energjinë për ngrohje, makineritë dhe transportin, si dhe sa do të kushtojë kjo”.

Arësyeja pse nafta po nxirret me metoda të rrezikshme dhe që Lloyd deklaron se jemi përpara një paradigme të re energjie dhe jo ndryshimeve të përkohshme të tregut, është se zbulimi i fushave naftëmbajtëse arriti pikun 40 vjet më parë dhe nafta është në pikun e prodhimit të saj dhe së shpejti do të pakësohet. Kjo ka pasoja të mëdha për transportin, ushqimin, punësimin, shëndetin dhe kujdesin shëndetësor. Megjithatë, shumë njerëz nuk kanë dëgjuar për pikun e naftës dhe pak njerwz po diskutojnë për të.

Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se nuk kemi më kohë të ndërtojmë sistemet, infrastrukturën dhe të bëjmë ri-edukimin, të nevojshme për një të ardhme të begatë. Ata parashikojnë pakësimin e energjisë në dekadën tjetër. Energjia është e domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe nëse borxhet e dhëna nga sistemi financiar nuk paguhen, sistemi financiar, siç e njohim ne sot, mund të falimentojë.

Shkenca që shpjegon pikun e naftës nuk është e vështirë. Në çdo vend të botës, zbulimi i naftës u rrit dhe pastaj ka rënë, si një grafik në formë këmbane. Prodhimi ndjek grafik të ngjashëm dhe arrin pikun rreth 40 vjet pasi zbulimet e naftës arritën pikun. Zbulimet e naftës arritën pikun në vitet 1960. Rritja eksponenciale e popullsisë, borxheve, dëmtimit të ambjentit, shfrytëzimit të burimeve natyrore, është pasojë e naftës, këtij karburanti të pasur në energji, të transportueshëm lehtësisht dhe me shumë përdorime. Nuk ka asgjë që mund të krahasohet me të. Deri në vitin 2005, Britania e Madhe ishte eksportuese neto e naftës dhe gazit natyror të Detit të Veriut. Tani Britania e Madhe mbështetet mbi importet. Parashikimet e qeverisë për furnizimin janë të pasigurta. Në 22 Mars Departamenti mbi Energjinë dhe Ndryshimet Klimatike mbajti një seminar për hetimin e pengesave të mundshme në të ardhmen pwr furnizimin me naftë.

Jeremy Leggett i taskforcës së industrisë angleze mbi pikun e naftës, komenton për gazetën “Guardian”: Qeveria ka ndryshuar qëndrimin e saj nga “kemi naftë dhe për 40 vjet, mekanizmi i tregut funksionon mirë, nuk ka nevojë të shqetësohemi”, në “Uups”. Është shpejt akoma të mësojmë se si kjo do të reflektohet në politikat e qeverisë së re. Disa qytete në Britaninë e Madhe janë të ndërgjegjësuara për pasojat e pikut të naftës. Psh. drejtuesit e Bristolit, në 2009, urdhëruan kryerjen e një studimi mbi pasojat e pikut të naftës. Kjo ka nxitur iniciativat për krijimin e një kompanie energjitike të Bristolit dhe të një monedhe lokale; iniciativat për analizimin e problemeve në prodhimin dhe furnizimin e ushqimeve si dhe për aprovimin e një plani mbi sigurinë energjitike dhe mbi ndryshimin e klimës.

Përfshirja e përgatitjes për pikun e naftës në strategjitë dhe planet e qeverisjes lokale- si psh në planet për transportin lokal dhe për zhvillimin lokal- është një betejë e vështirë, sepse politikat e qeverisë qendrore ende favorizojnë nevojat e kompanive të mëdha të ushqimit, ndërtimit përmbi nevojën për ekonomi lokale rezistente. Konkluzionet e raportit të Bristolit për efektin e pikut të naftës në shëndetësi janë se nafta është lënda e parë kryesore për shumë ilaçe, pajisje dhe lëndë të parë mjekësore; se transporti për pacientët, stafin, materialet dhe shërbimet mjekësore varet nga nafta; se aktualisht furnitorët nuk kanë plane emergjence në raste mungese furnizimi të naftës; dhe se rritja e çmimeve të naftës do të rrisë shumë shpenzimet në shëndetësi.

Si gjë pozitive, raporti vëren se: shumica e njerëzve jetojnë më afër se 1.5 km nga autombulanca më e afërt; shërbimi mjekësor është mësuar me ndryshimet e shpejta dhe përgjigjen ndaj emergjencave; lëvizja fizike dhe ushqimi lokal përmirësojnë shëndetin; dhe se strategjia e ministrisë së shëndetësisë për pakësimin e karbonit e parashikon pikun e naftës.

Kujdesi shëndetësor do të ndryshojë, na pëlqen apo jo, dhe pakësimi i naftës, i emetimit të CO2 dhe problemet financiare janë probleme të ndërlidhura. Ekspertët e pikut të naftës dhe ekspertët e shëndetit kanë ekzaminuar sfidën në 3 seminare dhe kanë arritur në disa konkluzione. Konkluzionet janë se duhen ndërtuar sisteme më të thjeshta që mund të funksionojnë lokalisht, si dhe ka rëndësi aksesi i gjerë në ushqime, ujë, transport dhe kujdesin bazë shëndetësor. Jepen karakteristikat që mendohet se do të ketë një kujdes shëndetësor i suksesshëm. Seminaret studian mundësitë e suksesit dhe nuk u thelluan në mundësinë e dështimit, prandaj objektivat e tyre mund t’ju duken idealiste. Alternativa, dështimi, do të ishte shumë më ndryshe.

Përmbledhje mbi alternativat e kujdesit shëndetësor të suksesshëm pas pikut të naftës:

Ambjentet, pajisjet mjekësore, ilaçet:

• Të gjithë ilaçet kryesore nuk prodhohen nga nafta, një pjesë e tyre sigurohen lokalisht

• Metodat e diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve që janë të kushtueshme dhe kërkojnë shumë energji, nuk përdoren më.

• Pjesët më të domosdoshme të kujdesit shëndetësor janë ruajtur.

• Ambjentet publike të shëndetësisë prodhojnë energji (nëpërmjet burimeve alternative të energjisë, shënim i R.S.)

• Çdo klinikë shëndetësore arrihet me këmbë, biçikletë dhe transport publik

• Infrastruktura dixhitale përdoret për komunikimin, përfshirë komunikimin pacient-mjek.

• Radioja dhe telefonia tokësore janë të rëndësishme

Shëndeti dhe jetesa e shëndetshme

• Shëndeti dhe përgatitja fizike çmohen shumë dhe konsiderohet normale jetesa e shëndetshme

• Aktiviteti fizik është për shumë njerëz pjesë e jetës së përditshme, ushqimi është më i thjeshtë por më i shëndetshëm dhe punishtet vendase të prodhimit të birrës janë të shumta.

• Arti, muzika, vallëzimi, teatri vendas janë përhapur kudo

Zhvillimi urban

• Qytetet janë të populluara më dendur—më shumë qiramarrës, më shumë bashkëjetues në të njëjtën çati

• E gjithë toka dhe hapësira e lirë përdoret për prodhimin e ushqimeve. Në kultivimin dhe përpunimin e ushqimeve ka shumë më tepër të punësuar, përfshirja e njerëzve në sigurimin e ushqimit është shumë më e madhe

• Në zonat rurale jetojnë më shumë njerëz

• Ndërtesat përdoren për shumë qëllime

• Shumë njerëz punojnë nga shtëpitë, ose nga ambjente pune të përbashkëta

Njerëzit

• Komunitetet kanë një rrjet doktorash/ndihmësish vullnetarë të regjistruar dhe ndihmësa në raste emergjencash

• Të gjithë trajnohen nga komuniteti lokal

• Gjithsecili përfshihet në punë vullnetare për lagjen/qytetin/fshatin e vet

• Doktorët punojnë së bashku me ndihmësit jo-doktorë.

• Çdo komunitet ka një plan emergjence

• Kujdesi shëndetësor i jep prioritet personave më në nevojë

Rregullat

• Ka tregëti të mallrave lokalë me njëri-tjetrin dhe ka monedha lokale

• Infrastruktura ligjore ka ndryshuar, nuk ka më përgjegjësi të kufizuar, nuk ka më rritje; individët nuk bëjnë dot më gjyqe të kushtueshme

• Burimet jo të rinovueshme kursehen. Kujdesi shëndetësor është i racionuar dhe disa sëmundje janë të pakurueshme.

Deri së fundmi, piku i naftës është konsideruar si teori kokëkrisur e përhapur nga persona që ngjallin panik dhe urrejnë zhvillimin. Kjo ndoshta reflekton influencën që marketingu i korporatave dhe presioni për të ruajtur konfidencën në tregjet globale kanë në media. Raporti i Bristolit mbi pikun e Naftës dhe “Kursi i Kthesës” i Chris Martenson janë hapat e parë drejt ndryshimit të mentalitetit.

About these ads
This entry was posted in Shendeti pa ilace. Bookmark the permalink.