Higjena natyrale: pa detergjente e materiale sintetike

Pergatiti: Rita Strakosha, ritastrakosha@yahoo.com

Përmbajtja

 

0. Hyrje

1.  Uji
2. Sapuni
3. Finja
4. Uthulla
5. Soda e bukës
6. Limoni
7. Vaji i ullirit
8. Bimët e pasura me saponine

9. Kripa

10. Urina e ndenjur

11.  Në vend të linesit

12. Në vend të pampersit

13. Antidjersa e bërë në shtëpi

Hyrje

Materialet që përdoren sot për higjenën e ambjentit dhe atë personale janë kryesisht sintetike: ilaçi i enëve, detergjentët e rrobave, sprucoja e dritareve, shampoja etj. Cmimi i tyre do të rritet për shkak të shtrenjtimit dhe pakësimit të naftës. Prandaj zëvendësimi i tyre do të jetë domosdoshmëri.

Nisur nga problemet e shumta shëndetësore që shkakton ndotja nga kimikatet është një zëvendësim që do të sjellë efekte pozitive në shëndetin e njerëzve dhe për pastrimin e ambjentit.

Materialet dhe mënyrat që përdoreshin për sigurimin e higjenës, përpara “epokës së naftës” ishin, ndër të tjera uji, sapuni, finja, uthulla etj:

 

1. Uji


Nganjëherë, kur pastrojmë me detergjentë, harrojmë se uji është përbërësi kryesor që pastron.
Nëse kemi pak detergjent, të përdorim shumë ujë, mundësisht të rrjedhshëm.
Uji i nxehtë pastron më mirë se uji i ftohtë.
Sipas ekspertëve kjo shpjegohet me faktin që :
1) rritet shpejtësia e reaksioneve – nxehtësia rrit shpejtësinë e të gjitha reaksioneve, përfshirë dhe psh. lagjen e hapësirës midis pisllikut dhe fibrave të rrobës.
2) rritje e aftësive shkrirëse – (për shkak të entropisë) edhe pa sapun, sasi të vogla të disa lloj yndyrnash treten në ujë. Në ujë të nxehtë sasia e yndyrës së tretur mund të jetë dhe 10 herë më e
madhe.
3) shkrirja – disa yndyrna janë dyll që shkrin në temperatura të ulëta, shkrirja e bën më të lehtë penetrimin e ujit me sapun dhe shkëputjen e yndyrës. Edhe yndyrat që nuk arrijnë të shkrijnë, të
paktën zbuten (http://www.newton.dep.anl.gov/askasci/gen01/gen01759.htm).
4) vret më shumë mikrobe se uji i ftohtë.
Anët negative të ujit të nxehtë janë që shkakton zbehjen e ngjyrave të rrobave dhe tkurrjen e disa pëlhurave (psh. leshit). Njollat e proteinave (njolla gjaku, fekalesh, qumështi etj.) këshillohet të trajtohen me ujë të ftohtë fillimisht përpara se të lahen, sepse uji i nxehtë i fikson më keq nëse aplikohet që në fillim.

Uji i butë
Mineralet e shumta në ujin e fortë lidhen me sapunin dhe vështirësojnë veprimin e tij me ujin. Rrobat strëngen. Uji i butë ka më pak minerale se uji i fortë dhe pastron më mirë. Uji i shiut është ujë i butë. Ujin mund ta zbusim duke i shtuar sodë buke.

Larja e xhamave mund të bëhet fare mirë vetëm me ujë: Xhamat fillimisht lahen me leckë të njomë, pastaj fshihen me leckë të thatë. Përdoren pëlhura që nuk lëshojnë push. Lëkura është materiali më i mirë për të larë xhamat.
2. Sapuni

Sapuni (për fat të mirë!) ka ekzistuar përpara se të zbulohej nafta. Sapuni prodhohej nga reaksioni i yndyrës me origjinë bimore (vaji i ullirit psh.) ose shtazore (dhjami) me finjën.

Mendohet se substanca të ngjashme me sapunin janë përdorur të paktën që në vitin 2800 para erës sonë në Babilon. Në mbretërinë e Nabonidus-it (556-539 p.k.) receta për sapunin ishte: hi, vaj qiparizi, vaj sezami “për të larë gurët për shërbëtoret”. Në një tabelë argjile babiloniane të vitit 2200 p.k. formula për bërjen e sapunit ishte: ujë, alkali dhe vaj kanelle.
Egjiptianët e lashtë laheshin me sapun dhe përdornin një substancë të ngjashme me sapunin për përgatitjen e leshit për thurje. (http://en.wikipedia.org/wiki/Soap ).

Këtu mund të mësoni si ta bëni vetë sapunin.

Me sapun mund të lajmë me dorë, por mund ta përdorim dhe në lavatriçe. Për ta përdorur në lavatriçe  e grijmë me rende, sapunin e grirë e shkrijmë në një enë me ujë të nxehtë dhe pastaj e hedhim në ndarjen për ilaçin e rrobave pasi lavatriçja të ketë filluar marrjen e ujit.

Sapuni, ndryshe nga ilaçi i rrobave, i strëng rrobat e bardha, kështuqë në cilësinë e larjes humbasim. Për të shmangur strëngjen mund ti ziejmë rrobat e bardha. Për një larje sa më të mirë me sapun, rrobat i lëmë disa orë të regjen në ujë me sapun, mundësisht në diell, dhe pastaj i lajmë.

Nëse kemi mundësinë të përdorim dhe lavatriçe e ilaç rrobash, mund të përzgjedhim rrobat më pak të pista për ti larë me sapun e me dorë, kurse rrobat e tjera i lajmë me lavatriçe.

Rrobat përvecse me dorë mund ti lajmë dhe me këmbë, në legen. I lajmë fillimisht me këmbë, pastaj pjesët që kanë mbetur me njolla (si fundet e pantallonave, të mëngëve) i fërkojmë me dorë

Të mirat e larjes së rrobave me këmbë:

  1. Mund të lash rroba pa lavatriçe edhe kur je e lodhur;
  2. Duart nuk ekspozohen fillimisht ndaj ujit të ngrohtë pastaj ndaj të ftohtit, çka sjell rrezik të shtuar për reumatizëm;
  3. Njollat hiqen më mirë se vetëm me dorë;

Të këqijat e larjes me këmbë:

  1. Rrobat delikate si psh. kanatieret, polot mund të zgjerohen dhe deformohen.

Larja e rrobave me këmbë është praktikë e zakonshme në Azi. Aty njerëzit janë trupvegjël dhe nuk kanë peshë të madhe trupore për të dëmtuar rrobat delikate. Gratë mbipeshë duhet të kenë kujdes në larjen e rrobave me këmbë, përveç batanijeve dhe çarçafeve.
3. Finja

Në fshatrat shqiptare, në kohërat e vjetra, finja është përdorur gjerësisht për pastrim, thotë 93 vjeçarja Tatjana Alliaj, nga Cakrani. Plagët dizifektoheshin me ujë ku ishte tretur hi i bardhë. Kur binte zgjebja, lëkurën e lanin me finjë. Rrobat laheshin në përrua me finjë. Finja është bazike, prandaj duhet pasur kujdes në përdorimin e saj. Sikurse shumë materiale të tjera natyrale, dhe kjo ka nevojë për dru për tu prodhuar.
Finja përgatitet nga tretja e hirit të bardhë në ujë të butë. Preferohet të bëhet nga uji i shiut (ujë i butë). Hiri i koniferëve (pisha, bredha) nuk është i përshtatshëm për bërjen e finjës. Këtu mund të lexoni si përgatitet finja për prodhimin e sapunit. Kjo është me përqëndrim të lartë, nuk përdoret për larjen e lëkurës sepse e djeg.
4. Uthulla


Uthulla është disinfektuese, tret yndyrnat, gurët gëlqerorë. Uthulla nuk duhet përdorur në mermer. Nuk lë erë pas përdorimit, era ikën pasi thahet.
Përdorimet:
1. Banjo – Me të mund të pastroni vaskën, Wc-në, dyshemenë e banjos. Uthulla e paholluar tret mirë gurët e krijuar në porcelanin e WC-së.
2. Në kuzhinë- soba, dyshemeja.
3. Në lavatriçe-Uthulla mund të përdoret në vend të zbutësit të rrobave. Në proçesin e shpëlarjes mund të shtojmë 50 ml uthull në vend të zbutësit. Uthulla e tret mirë detergjentin. Kjo ndihmon sidomos për personat me lëkurë të ndjeshme.
5. Soda e bukës

Egjiptianët e lashtë përdornin për pastrim, në mënyrë të ngjashme me sapunin, depozita natyrale të natronit, një mineral që është përzierje e:
· Na2CO3·10H2O i quajtur ndryshe hi sode
· 17% sodë buke
· Sasi të vogla kripe gjelle dhe kripe sulfati.
Përdorimet e saj janë të shumta:

  • Është shumë efikase në tretjen e yndyrnave, prandaj mund të përdoret në vend të sapunit dhe detergjentëve për higjenën personale, në larjen e enëve, të dyshemesë etj.
  • Është deodorant i mirë dhe thith erërat e këqija. Psh. nëse keni fëmijë të vogël dhe nuk e keni shpëtuar dot dyshekun gjatë muajve të mësimit të oturakut mund te hidhni mbi njollat në dyshek sodë buke. E lini disa kohë dhe pasandaj e shkundni sodën. Dysheku nuk duhet të mbajë më erë.
  • Shpesh përdoret në lavatriçe në vend të zbutësit si dhe për largimin e erërave.
  • Mund të përdoret në vend të pastës së dhëmbëve. Pluhuri i saj pastron mekanikisht dhëmbët dhe mishrat e tyre, neutralizon aciditetin e gojës si dhe vepron si antiseptik.
  • I tretur në ujë të ngrohtë largon ngjyrën e lënë nga çaji dhe kafja në enët e kuzhinës. Etj

6. Limoni


Lëngu i limonit është një substancë tjetër natyrale e cila mund të përdoret për të pastruar.
Efekti është i ngjashëm me atë të uthullës. Lëngu tret depozitat gëlqerore në porcelanet e lavmanëve, vaskës etj. Është sidomos i mirë për të pastruar dhe shndrritur tunxhin dhe bakrin. Mund të përzihet me uthullën për të krijuar detergjent me efekt më të fortë.
Nëse përziejmë limonin me vaj ulliri, 2 pjesë vaj ulliri: 1 pjesë limon, përzierja mund të përdoret për të llustruar mobiljet prej druri. Një lëkurë limoni ose portokalleje e lënë mbi tavolinë aromatizon ajrin e dhomës.
7. Vaji i ullirit


Grekët dhe romakët nuk e përdornin sapunin (http://www.wisegeek.com/what-is-astrigil.
htm ). Ata laheshin në ujë të ngrohtë. E lyenin dhe fërkonin lëkurën me vaj ulliri dhe e hiqnin vajin me strixhil.

Foto: Strixhil
Vaji i ullirit thith yndyrën e lëkurës, bashkë me të dhe papastërtitë. Sot përdoret për pastrimin e makiazhit nga lëkura e fytyrës, e cila është më delikate se në pjesët e tjera të trupit. Lëkura lyhet dhe fërkohet mirë me vajin e ullirit. Pasandaj fërkohet me një pëlhurë
të lagur (burulluk psh.) që ti hiqet yndyra.
8. Bimët e pasura me saponine

Saponaria Officinalis

Saponinet ndodhen në shumë bimë, kryesisht në bimë që rriten ne vende të thata, dhe mendohet se i mbrojnë ato nga mikrobet dhe myqet. Ndër bimët që kanë shumë saponine dhe që rriten në Shqipëri është Saponaria Officinalis.

Saponaria officinalis, është bimë e familjes së karajfilave. Emri i saj e ka origjinën nga fjala “sapun” dhe i referohet përdorimit të saj për pastrim. Rritet nga Europa në Siberi, në vende të freskëta, nën ferra, anash rrugëve. Arrin lartësinë rreth 70 cm, ka kërcell të padegëzuar (shpesh me nuanca të kuqe). Lulet e saj janë rozë ose të bardha. Lulëzon nga Maji në Shtator (http://en.wikipedia.org/wiki/Saponaria ).

Historikisht është përdorur për larjen e pëlhurave delikate (mëndafsh?). Një recetë shampoje e përgatitur nga Saponaria (http://ww.easy-homemaderecipes.com/soapwort-shampoo.html ):

  • 2 goda ujë i distiluar
  • 1 lugë e gjysëm rrënje saponarie, e tharë.
  • 2 lugë bime aromatike

Zihet uji. Pasi arrin vlimin, ulet zjarri, i hidhet saponaria dhe lihet të ziejë në zjarr të ngadaltë për 20 minuta. Hiqet nga zjarri, i shtohet bima aromatizuese, lihet të ftohet. Lëngu kullohet (në burulluk psh.), ruhet në shishe, mjafton për 6-7 larje. Duhet të përdoret brenda 8-10 ditësh. Ruhet në vend të freskët dhe të errët.

9. Kripa

Kripa ka vetinë  të  thithë lëngjet dhe ti largojë  ato nga sipërfaqja. Eshtë sidomos e mirë në thithjen e yndyrnave. Mund ta përdorim për pastrimin e enëve, të furnellave, të dhëmbëve etj.

10. Urina e ndenjur

Foto: Duke larë lesh në kazan me ujë dhe urinë të ndenjur (foto ne Enciklopedine e Diderot, shek. 18)

Urina e ndenjur është e pasur me amonjak, i cili ka veti bazike, gërryese. Ajo në Europë është përdorur deri në shekullin e 19 për pastrimin e leshit përpara tjerrjes së tij. Në Romën e lashtë përdorej për zbardhimin e tunikave të leshit, për larjen e dyshemeve etj.. Thënia e famshme “Pecunia non olet” (paraja nuk mban erë) vjen nga perandori romak Vespasian kur ky ndaj të birit që ju ankua për pështirosjen që i jepte taksa mbi urinën (kjo filloi të taksohej si mall) u përgjigj me shprehjen “Pecunia non olet”.

11. Në vend të linesit 

Për përdorimin e gjerë të tij dhe për nga impakti që ka në ndohtjen e ambjentit,  linesi nuk mund të lihet pa përmendur si një produkt që herët ose vonë do të duhet të zëvendësohet me materiale të tjera.

Linesi sintetik përbëhet nga dy shtresa: shtresa absorbente dhe shtresa e papërshkueshme nga uji. Ndër materialet natyrale napa, copat fanellatë pambuku dhe sfungjerët e detit janë ndër më absorbentet.

Kurse material natyral më pak i përshkueshëm nga uji, por dhe që mund të lahet, është lëkura natyrale e përdorshme për veshje, e lyer me dhjam ose dyll nga njëra anë. Në zonat jugore të SHBA-së gratë përdornin gëzof deleje, të cilën nga ana e lëmuar e fërkonin me dhjam që të bëhej rezistent ndaj ujit. Gëzofi lahej pas çdo përdorimi.

Një material tjetër disi i papërshkueshëm nga uji është stofi i leshit, i dërstiluar. Ky psh. përdorej nga gratë shqiptare si shtresë e jashtme mbi pelenat e fëmijëve.

Ndërkohë një alternativë sintetike më e lirë se linesi është lëkura artificiale, inkeliti, i cili është i papërshkueshëm nga uji. Nga ana e brendshme lëkura artificiale është si copë, prandaj është e rehatshme në veshje, ndryshe nga plastika.

12 Në vend të pampersit 

Në vend të pampersave një-përdorimsh mund të përdorim pampersat dhe pelenat prej cope derisa ti mësojmë fëmijës oturakun.

Zakonisht pampersi/pelenat bëhen prej nape ose fanellate, madje dhe prej kërpi në vendet ku ky përdoret. Pelenat bëhen rreth 25 cm gjerësi-50cm gjatësi.

 

Pampersi-mbathje, me pulla

Pampersi-mbathje qepet zakonisht prej fanellate sipas formës që ka pampersi një-përdorimsh. Dy anët e tij fiksohen në pjesën e përparme me pulla, me velkro, ose me paramandë. Paramanda duhet të jetë e fortë, e madhe, që mos të hapet dhe të shpojë fëmijën.

Figure: Pampersi-mbathje i fiksuar me paramandë

Brenda pampersit futet dhe një pelenë prej cope.

Figure: Pampersi me pelenë brenda.

Ndryshe nga mbathjet, pampersi-mbathje është i axhustueshëm me rritjen e fëmijës.

Për pampersat dhe pelenat prej cope në tregun e Medresesë shiten mbulesa plastike, të cilat nuk lejojnë daljen e lagështirës në rroba. Mbulesa plastike ndryshe nga qesja nuk bën zhurmë gjatë lëvizjes së fëmijës. Këto rrojnë disa muaj pa u grisur.

Figurë: Mbulesat plastike për pampersin prej cope

Mbulesat plastike që shiten në Medrese janë ndryshe nga ato të treguara në figurë, gjithsesi figura krijon një ide.

Në vend të këtyre mbulesave plastike mund të përdoret mbulesë pampersi prej leshi. Në kohërat e vjetra, tregojnë të moshuarat, poshtë pelenës vihej stofë leshi e palarë. Leshi i palarë ka lanolin,yndyrë shtazore, e cila pengon daljen e lagështirës në tesha.

Fëmija duhet ndrruar më shpesh me pelenat prej cope sepse aftësia absorbuese e tyre është më e vogël se e pampersit sintetik.

Peleni katror është një pëlhurë në formë katrori, e cila paloset si vijon:

E palosim më katërsh

E kapim cepin e sipërm në të djathtë dhe e tërheqim derisa të formohet trekëndëshi si më poshtë:

E kthejmë nga ana tjetër:

E palosim nga e majta në të djathtë:

E vendosim fëmijën mbi pampersin, dy cepat e anës i fiksojmë pas pjesës së parme me paramanda

Figure: Pampersi-katror

Në vend të pampersit-mbathje mund të përdorim mbathje, brenda këtyre vemë pelenën, mbi mbathje vëmë mbulesën prej plastike.

Mësimi i oturakut

Për mësimin e oturakut ka disa metoda, disa përpiqen ta edukojnë fëmijën pasi ky ka filluar të flasë, kurse metoda të tjera e fillojnë edukimin disa muaj pas lindjes. Sipas metodës “komunikimi i eliminimit”[2] mosha më e përshtatshme e fillimit te mësimit është deri në 6 muajsh.

Në përvojën time metoda më efikase është ajo e ashtëquajtur “e 3 ditëve”, e ngjashme me metodën e komunikimit të eliminimit.

Metoda e “tri ditëve”:

Kur koha është ngrohur, mundësisht në verë, fëmija mbahet pa pampers dhe kur vihet re se po del jashtë ose urinon çohet menjëherë tek oturaku. Kur fëmija e bën në vete pa na lajmëruar ose refuzon të përdorë oturakun e kritikojmë me fjalë dhe shikime të ashpra. Kritikat i bëjmë vetëm pas disa ditësh trajnimi të pasuksesshëm, ose nëse është trajnuar, kur ka aksidente.

Kur fëmija e përdor oturakun e mburrim dhe përkëdhelim.

Kur e çojmë në oturak, e shoqërojmë daljen e fëmijës me një sinjal tonin zanor, psh. “psss”. Kështu nëse jemi jashtë ambjenteve të shtëpisë dhe duam që fëmija të dalë jashtë, duke përdorur sinjalin zanor i bëjmë me dije se është në vend të përshtatshëm për të dalë jashtë.

Mund të duhen shumë muaj derisa fëmija të trajnohet plotësisht.

Gjatë natës e mbajmë në pampers. Pas ngrënjes, para se të flerë, pasi zgjohet nga gjumi e çojmë në oturak.

Kur pi shumë lëngje, është i lodhur, kur trembet, mund të mos arrijë ta përdor oturakun në kohë.

Nëse fëmija shkon në kopësht trajnimin për oturak mund ta bëjmë part time, kur e kemi në shtëpi , të shtunave, të dielave, mbasditeve, në mëngjez.

Kontrolli i urinimit gjatë natës ndodh më vonë se ai i urinimit gjatë ditës.

Nqs. duam që fëmija të fillojë sa më shpejt të mos urinojë natën, duhet ti kufizojmë lëngjet në darkë, ta çojmë në oturak nëse ngrihet natën (ose ta ngrejmë vetë), ti sigurojmë ambjente të rehatshme gjumi që të bëjë gjumë sa më të thellë.

13. Antidjersa e bërë në shtëpi

Një version më natyral i antidjersës është kombinimi i një pjese sodë buke me 6 pjesë niseshte, ose pudër. Me të pudrosen sqetullat. Soda e bukës bën që mos të shtohen mikrobet që i japin djersës erë të keqe. Pra nuk pengohet djersitja, por pakësohet era e keqe e saj.

This entry was posted in Higjena natyrale. Bookmark the permalink.