Bujqesia urbane ne zbutje te krizes ekonomike

Foto: Dardhë anash murit

Burimet fosile si nafta, qymyri, gazi natyror kanë qenë baza e revolucionit industrial, e industrializimit dhe urbanizimit. Aktiviteti kryesor i qyteteve dhe burimi kryesor i të ardhurave për qytetarët ka qenë prodhimi i mallrave industrialë, i lëndëve të para, tregëtia e mallrave; mësimi në universitete i teknologjive të prodhimit të mallrave, ofrimi i shërbimeve (që kanë nevojë për mallra/lëndë të parë) etj..

Pakësimi në rritje i naftës do të çojë në pakësimin në rritje të prodhimit industrial, të transportit dhe të të gjitha aktiviteteve ndihmëse.

Në qytete do të rritet shumë papunësia dhe të papunët do të krijojnë tensione shoqërore, do të rrisin kriminalitetin dhe do të kërkojnë nga qeverisja punësim. Por qeverisja, qendrore dhe vendore, do të jetë e pafuqishme për zgjidhjen e këtij problemi.

Të papunët do të kërkojnë rrugëdalje nga më të ndryshmet: korrupsionin për një vend pune; bërjen edhe të një shkolle tjetër të lartë apo të një doktorature; pakësimin e konsumit të përditshëm për t’ju përshtatur nivelit më të ulët të të ardhurave etj.

Cfarë do e keqësojë më shumë gjëndjen e të papunëve është që produktet bujqësore, për shkak të skarcitetit të naftës, do të mbërrijnë gjithmonë e më të shtrenjta në qytete dhe prodhimi lokal i tyre apo i komoditeteve të tjera do të jetë gjithmonë e më me interes.

Zëvendësimi i naftës në masë me energji të rinovueshme duket se do të kërkojë dekada, prandaj tashmë nuk mund ti mbajmë shpresat tek teknologjia për zgjidhjen afatshkurtër të krizës ekonomike.

Prandaj, duket se zgjidhja e krizës ekonomike, është rikthimi tek bujqësia si burim jetese.Bujqësia është burim ushqimi si dhe i lëndës së parë për degë të ndryshme të industrisë (psh. i lëndës drusore, i drogave mjekësore, i ngjyruesve natyralë, i rezinave, i tekstileve natyrale etj.).

Shteti mund të ndihmojë në ristrukturimin e ekonomisë drejt bujqësisë duke investuar në kërkim-zhvillim mbi strategjitë si mund të ndodhë kjo; duke krijuar programe për dhënie me qira të parcelave të tokave shtetërore ndaj familjeve qytetare në nevojë; duke ndryshuar kurrikulën e shkollave dhe përfshirë në to edukimin mbi kopshtarinë, rritjen e kafshëve etj.

Punësimi në aktivitete jo-bujqësore do të jetë një mundësi gjithmonë e më e kufizuar. Kthimi në fshat është i vështirë në mos i pamundur për shumë qytetarë: nuk kanë shtëpi ku të shkojnë; nëse kanë tokë bujqësore nuk kanë të ardhura për të ndërtuar shtëpi afër tokës; nuk kanë fare tokë bujqësore; kanë tokë bujqësore dhe shtëpi por nuk kanë guxim të kthehen dhe braktisin gjithshka në qytet; nuk dinë si të kultivojnë bimë dhe të rrisin gjënë e gjallë etj..

Për qytetarët e papunë kronikë që nuk mund të largohen nga qytetet bujqësia urbane është një mundësi. Bashkitë dhe komunat mund të ndihmojnë në zhvillimin e bujqësisë urbane: parqet, brigjet e lumenjve, oborret e institucioneve, trotuaret e qyteteve mund të shfrytëzohen si toka bujqësore për kultivimin e pemëve frutore, arrorëve, pemëve mjaltëse, bimëve me interes industrial, perimeve etj. Mbjellja, mirëmbajtja, korrja e këtyre tokave është një front i mundshëm punësimi.

Foto: Duke mbjellë perime në Tokio

Në trotuare mund të mbillen pemë frutore kordon, mund të krijohen shtretër të ngritur të cilët mbushen me tokë pjellore dhe mbillen me bimë (kërp, bimë ngjyruese etj.).

Në periferitë e qyteteve mund të ngrihen ferma pulash, derrash etj. të cilat përdorin si ushqim ndër të tjera dhe mbeturinat organike të familjeve, punishteve ushqimore, restoranteve të qytetit.

Problemi i pjellorisë së tokës në qytete mund të zgjidhet duke ricikluar në tokë bujqësore mbeturinat organike të kompostuara të qyteteve: nga mbeturinat e kuzhinave deri në jashtëqitjet njerëzore. Organizimi i grumbullimit të diferencuar të mbeturinave të qyteteve do të ndihmojë në këtë drejtim.

Foto: Hotel në Londër

Pallatet mund të funksionojnë si minferma urbane me ferma kafshësh (bletë, pula, lepuj) në tarracë dhe kultivim bimësh në sipërfaqet e rrahura nga dielli. Ballkonet e rrethuara me xhama mund të kryejnë funksionin e serrave vertikale.

Pakësimi i tokës bujqësore; pakësimi i rendimentit të tokës bujqësore për shkak të pakësimit të pesticideve dhe plehërave kimikë; pakësimi i transportit do të bëjnë të nevojshme shfrytëzimin e çdo pëllëmb toke për kultivim.

Bujqësia urbane po promovohet nga Organizata Botërore e Ushqimit, po përkrahet nga Banka Botërore dhe Bashkimi Europian dhe po praktikohet në masë të gjerë në disa qytete të botës, psh. në Detroit të SHBA-së, në Havana të Kubës etj. .

FAO ka nxjerrë dhe një udhëzues për bashkitë ku i orienton për rregullimin e bujqësisë urbane.

Në Kubë filloi praktikimi në masë i bujqësisë urbane kur pas rënies së Bashkimit Sovjetik u pakësuan shumë importet. Meqë tokat në qytete janë të varfëra në qytetet kubane janë krijuar shtretër të ngritur të cilët mbushen me tokë pjellore dhe kultivohen me perime, bimë mjekësore, erëza etj. Ministria e Bujqësisë ka një departament të bujqësisë urbane.

Në Detroit bujqësia urbane u përhap me degradimin e industrisë së prodhimit të makinave dhe rritjen e papunësisë.

Në Tiranë bujqësia urbane praktikohet në shumë shtëpi private ku mund të shikosh pemë frutore. Madje ka dhe pallate ku në oborret e tyre kanë mbjellë hardhi dhe pemë frutore. Pra bujqësia urbane në Tiranë është një realitet. Është një realitet që duhet përkrahur dhe nxitur.

Në Bujqesia Urbane mund të lexoni dy artikuj të wikipedias mbi bujqësinë urbane.

Burimet:

Libër i Organizatës Botërore të Ushqimit mbi bujqësinë urbane: http://www.fao.org/unfao/bodies/COAG/COAG15/X0076e.htm

Recource Centers on Urban Agriculture and Food Security: http://www.ruaf.org/

http://www.cityfarmer.info/

http://farmingthecity.net

http://sustainablecities.dk/en/city-projects/cases/havana-feeding-the-city-on-urban-agriculture

This entry was posted in Vetemjaftueshmeria. Bookmark the permalink.