Sapuni: si ta bejme nga hiri dhe yndyra

Përgatiti: Rita Strakosha, ritastrakosha@yahoo.com

Sapuni formohet nga reaksioni i një acidi (yndyra, që mund të jetë shtazore ose bimore) me një bazë (NaOH, sodë kaustikë ose KOH, potas kaustik). Në prodhimin artizanal si bazë përdoret finja, tretësira e KOH që del nga tretja e hirit në ujë, ose NaOH (sodë kaustike) e blerë.

Foto: Sapun i bërë në shtëpi

Në të kaluarën sapuni përgatitej në vjeshtë ose në pranverë. Në vjeshtë therreshin derrat dhe me dhjamin e përfituar nga therrja përgatitej sapun. Kurse në shtëpitë ku nuk rritej bagëti sapuni zakonisht përgatitej në pranverë me hirin e zjarrit të dimrit dhe me yndyrën e skuqur të gatimeve.

Nëse në prodhimin e sapunit përdorim hirin e tepruar nga zjarri i sobës me dru, yndyrën e skuqur, dhe e përpunojmë me metodën e ftohtë, sapuni del me pak kosto.

Hapat e prodhimit të sapunit në shtëpi:

Kujdes! Gjatë prodhimit të sapunit duhet të ruajmë lëkurën, sytë, sepse finja është GËRRYESE, DJEG. Nëse bëhemi pisë me finjë duhet të shpëlahemi menjëherë me ujë, dhe mundësisht me uthull (kjo neutralizon bazën).

Enët e rekomanduara për përgatitjen e sapunit janë prej materiali që nuk gërryhet si psh. xhami, çeliku, enameli, guri, qeramikë.

  1. Përgatitja e finjës: përdoret hi i pastër, pa blozë. Që hiri të jetë sa më i bardhë drutë digjen në zjarr të fortë. Hiri i pemëve me fara të zhveshura (pa lule) si pishat, bredhat, dëllinjat, selvitë nuk është i përshtatshëm për të bërë finjë, sepse ka rrëshirë. Për çdo 2 pjesë hi përdorim ~1 pjesë ujë. Ky raport është orientues, fortësia e finjës do të provohet gjithsesi përpara përdorimit dhe mund ti shtohet ujë ose ti hiqet sipas nevojës.  Sa hi na duhet për të bërë sapun? Shumë receta të vjetra përmendin një raport 36 litra hi për 2 kg dhjam.

Marrim një vazo lulesh qeramike me vrimë në fund, apo një ene plastike/barrele druri dhe i bëjmë një vrimë në fund ose anash afër fundit.

Foto: Vazo për përgatitjen e finjës.

Në fund të vazos vendosim një shtresë zhavorri. Mbi këtë vendosim një shtresë kashte apo gjethe pishe. Zhavorri dhe kashta pengojnë daljen e hirit bashkë me finjën. Mbi këtë shtresë ngjeshim hirin e ftohur. Sipërfaqen e hirit e bëjmë me pak pjerrësi drejt qendrës që drejtimi i ujit të ndihmohet drejt qendrës. Lëmë ~5-10 cm hapësirë të lirë në kovë për ujin që do hedhim.
E vendosim vazon mbi mbështetje, poshtë vazos vëmë një enë ku do të rrjedhë finja.

Uji për bërjen e finjës nuk duhet të jetë i fortë (me përqëndrim të lartë kripërash). Uji i shiut është më i miri, se nuk ka minerale dhe klor. Në mungesë të tij, përdorim ujë burimi oligomineral. Në mungesë të tij përdorim ujë të zakonshëm (ujë lumi, pusi) por këtë e provojmë për fortësinë përpara përdorimit, duke shkumosur një sapun në të. Nëse sapuni shkumos mirë, uji është i mirë. Nëse sapuni shkumos me vështirësi, i shtojmë ujit pak sodë buke, e tresim sodën dhe bëjmë prapë testin e shkumës, këtë test mund ta përsërisim derisa sapuni të shkumosë mirë.

E nxehim ujin deri në zierje dhe e derdhim në vazon me hi. Finja pas ca kohësh do fillojë të rrjedhë dalëngadalë nga fundi i vazos.  Dalja e gjithë finjës mund të kërkojë orë deri në ditë.

Si ta kuptojmë se finja është e fortësisë së duhur për ta përdorur për prodhimin e sapunit?

Mënyra e parë: Marrim një pendë pule a rose dhe e fusim në finjë. Nëse penda fillon të shkrijë finja është e fortë sa duhet.

Mënyra e dytë: Marrim një vezë të freskët, të pagatuar dhe e zhysim në finjë. Nëse zhytet plotësisht, finja nuk është e fortë sa duhet, prandaj ajo duhet forcuar. Për këtë e ziejmë që të avullojë ose e kalojmë finjën përsëri në hi.

Foto: Veza e freskët në finjë. Nëse veza pluskon dhe del me një ovale me gjatësi 2-3 cm sipër ujit, atëhere finja është e fortësisë së duhur.

Nëse veza pluskon pothuaj plotësisht mbi ujë, atëhere finja është shumë e fortë dhe duhet ti hedhim pak ujë dhe ta bëjmë prapë provën e vezës.

Finja mund të lihet të thahet në diell, e tharë ruhet më mirë.

Foto: Finjë duke u tharë në diell.

 2. Përgatitja e yndyrës:

Nëse do përdorim dhjam: e ndajmë dhjamin nga mishi, e presim copa-copa,

Shtojmë pak ujë në enën ku do e shkrijmë dhe e vëmë në zjarrë të ngadaltë që të shkrijë.

Foto: Dhjami duke u shkrirë në zjarr

Që dhjami të mos mbajë erë të fortë mirë është të mos e lëmë të digjet gjatë shkrirjes, prandaj e trazojmë shpesh.

Pasi ka shkrirë, për ta pastruar e kullojmë në një napë a kullesë.

Foto: Dhjami i shkrirë kalohet në kullesë.

Foto: Dhjamin e lëmë në vend të freskët të ngrijë.

Foto: Shtresa e ngrirë e dhjamit e hequr nga sipërfaqja e lëngut.

E heqim shtresën e dhjamit nga lëngu. E pastrojmë nga papastërtitë që mund të ketë në pjesën e poshtme.

Për ta pastruar më tej dhjamin, i shtojmë ujë, e vëmë të ziejë, pastaj e lëmë në vend të freskët që të ngrijë prapë. Dhjami i ngrirë ri sipër ujit, e heqim nga uji dhe i heqim papastërtitë që mund të ketë.

Nqs. për sapun do të përdorim yndyrë që e kemi përdorur më parë për gatim (psh. vajin me të cilin kemi skuqur patate, yndyrën e tepruar të mishit të pjekur etj.), kjo mban erë. Për ti hequr erën për çdo gotë yndyrë shtojmë 2 lugë lëng limoni ose uthulle, gjysëm gote ujë dhe i ziejmë bashkë (sipas http://www.pioneerliving.net/soapmaking.htm).

 3. Raporti finjë: yndyrë:

Meqë sapuni prodhohet nga reaksioni i yndyrës me finjën, raporti i këtyre duhet të jetë i tillë që të mos mbetet finjë apo yndyrë e pasaponifikuar. Sapuni me finjë të lirë djeg lëkurën, kurse ai me yndyrë të lirë prishet më shpejt.

Sot prodhuesit e sapunit në shtëpi masin saktësisht në peshë sasinë e yndyrës, të sodës kaustike apo potasit kaustik dhe të ujit që do të përdorin, duke i llogaritur sasitë me formula të gatshme. Një kalkulator për llogaritjen e sasive të nevojshme të përbërësve për prodhimin e sapunit mund ta gjeni në http://www.soapcalc.net/calc/SoapCalcWP.asp.

Qëllimi i këtij artikulli është të tregojë si prodhohet sapuni me mjete të thjeshta, prandaj po supozoj që nuk kemi peshore dhe nuk e dimë saktësisht çfarë përqëndrimi ka finja (por me provën e vezës e dimë se ka përqëndrim të mjaftueshëm për të saponifikuar yndyrën). Raporti i duhur yndyrë-finjë ndryshon në varësi të llojit të yndyrës së përdorur dhe fortësisë së finjës së lëngshme (fortësia e finjës varet nga lloji i drurit, nga raporti ujë-hi, mënyra e prodhimit etj.). Raporti i përafërt është: 3 pjesë yndyrë përzihen me 1 pjesë finjë, në peshë. Raporti rregullohet gjatë prodhimit të sapunit nëse vihet re se mbetet finjë ose yndyrë e lirë.

  1. Saponifikimi:

Kur finja përzihet me yndyrën ndodh saponifikimi. Temperatura e përzierjes mbahet në 38 oC-100 oC derisa të ndodhë saponifikimi.

Kur përzierja bëhet në temperaturë të ulët (38-48 oC), pas saponifikimit fillestar sapuni lihet të thahet disa javë, kohë gjatë së cilës saponifikimi vazhdon. Kur përzierja finjë-yndyrë bëhet në temperaturë zierjeje, saponifikimi ndodh i plotë gjatë zierjes dhe nuk ka nevojë për tharje disa javëshe.

Ngadalë, me curril, derdhim finjën e ngrohur në yndyrën e lëngët të ngrohur, duke trazuar me lëvizje të shpejta në formë 8. Gjithmonë hedhim finjën tek yndyra dhe jo yndyrën tek finja. Për sasi të mëdha sapuni mirë është të jenë 2 njerëz dhe sasitë e finjës dhe të vajit shtohen pjesë-pjesë gjatë përzierjes.

Foto: Finja dhe yndyra përzihen derisa përzierja të bëhet viskoze, të trashet si puding

Sasia e finjës dhe yndyrës rregullohet gjatë trashjes: nëse pas trashjes mbi përzierje formohet një shtresë yndyre apo në prekje duket e yndyrshme atëhere duhet të hedhim më shumë finjë; nëse përzierja nuk trashet atëhere duhet të hedhim më shumë yndyrë. Për sapunët e trupit ka rëndësi që të mos mbetet finjë e pasaponifikuar sepse kjo e djeg lëkurën.

Përzierja merr trashësinë e mjaltit të lëngshëm apo pudingut kur është gati. Nëse kur kalojmë  një lugë nëpër përzierje, luga lë gjurmë për disa sekonda atëhere sapuni është gati; ose kur lëshojmë pika mbi përzierje dhe këto mbeten sipër përzierjes për disa sekonda atëhere sapuni është gati për kallëp. Koha e trashjes varet nga temperatura, lagështia e dhomës dhe shpejtësia e trazimit. Nëse trashja nuk ndodh 15 minutat e para atëhere trazojmë 15 minutat e para, pastaj trazojmë për 5 minuta çdo 15 minuta.

Sapuni i bërë me finjë hiri del më i butë se sapuni industrial që bëhet me sodë kaustike, prandaj ka qenë zakon që pas saponifikimit i shtohej kripë, nën efektin e kripës sapuni precipitonte nga uji, uji derdhej. Për të forcuar sapunin e bërë me finjë shtohet gjysëm luge gjelle kripë për çdo ½ kg yndyrë (sipas http://www.countryfarm-lifestyles.com/make-lye.html).

Përfundimin e saponifikimit mund ta përcaktojmë dhe duke e shijuar përzierjen/sapunin me majën e gjuhës: nëse ka finjë të pasaponifikuar gjuha na djeg. Disa e krahasojnë me djegjen që ndjejmë kur prekim me gjuhë polin e një baterie 9 voltshe. Nëse nuk jemi të sigurtë nëse na djeg apo jo atëhere mund të shijojmë një sapun të blerë dhe sapunin që kemi bërë vetë, dhe ti krahasojmë. Sapuni i bërë vetë nuk duhet të djegë më shumë se sapuni i blerë.

Kur sapuni prodhohet në temperaturë të ulët provën e shijes e bëjmë pasi e lëmë disa javë të thahet (saponifikimi vazhdon gjatë tharjes).

5. Pasi sapuni është trashur mund ti shtojmë ngjyruesa, bimë aromatike, mjekësore. Pas kësaj e derdhim sapunin në kallëp. E lyejmë kallëpin me yndyrë përpara derdhjes së sapunit që ky të hiqet lehtë nga kallëpi.

Si kallëp mund të përdoret çdo enë, kuti, kontenier që nuk është prej kallaji, alumini, bakri, tefloni sepse reagojnë me finjën.
E mbulojmë kallëpin me batanije që të qëndrojë ngrohtë dhe të vazhdojë saponifikimi. E lëmë të rrijë 1-3 ditë.

Foto: Derdhja e masës së sapunit në kallëp

  1. Pasi 1-3 ditëve e nxjerrim sapunin nga kallëpi. Gjatë kësaj kohe sapuni është forcuar, saponifikimi ka vazhduar. E presim sapunin me thikë në madhësinë e dëshiruar.
  2. Copat e sapunit i lëmë në një vend të freskët, të errët, të thatë për 3-6 javë që të thahen.

Foto: Sapuni duke u tharë

Probleme në prodhimin e sapunit

Përzierja finjë-yndyrë nuk trashet: Kjo mund të vijë për shkak se: temperatura është e ulët, përzierja është shumë e ngadaltë, ose raporti finjë-yndyrë nuk është i duhuri .

Përzierja është me kokrriza. Temperatura ka qenë shumë e lartë, ose shumë e ulët, ose përzierja nuk ka qenë e shpejtë dhe e njëtrajtshme sa duhet.

Në sapun formohen njolla të verdha:

Foto: Sapun me njolla

Kur sapuni ka yndyrë të lirë të pasaponifikuar (sepse kemi përdorur më shumë seç duhet apo nuk kemi trazuar mjaftueshëm) kjo yndyrë me kalimin e kohë acidifikohet dhe në sapun duken njolla yndyre.

Gjithashtu sapuni ka yndyrë të pasaponifikuar kur në fërkim me dorën lë yndyrë. Për të korrigjuar gabimin e grijmë sapunin, e shkrijmë në pak ujë, i shtojmë finjë dhe e trazojmë derisa yndyra të saponifikohet.

Sapuni ka finjë të pasaponifikuar:

Foto: Sapuni i fortë, i thatë dhe që shkërmoqet.

Ose në kallëpin ku është sapuni krijohet lëng, ose në sipërfaqe të tij ka kristale të ndritshme finje. Kjo tregon se ka finjë të pasaponifikuar, sepse nuk kemi trazuar mirë, gjatë ose kemi hedhur shumë finjë. Njësoj si në rastin kur ka shumë yndyrë, gabimi rregullohet duke e ribërë sapunin: e grijmë, e shkrijmw në pak ujë, i shtojmë yndyrë dhe e trazojmë derisa finja të saponifikohet.

Sapuni thyhet kur hiqet nga kallëpi ose kur pritet. Mund të kemi shtuar shumë aditivë të thatë (bimë mjekësore psh.), ose mund ta kemi trazuar më gjatë seç duhet pasi është trashur.

Sapuni ka një shtresë të hollë bardhësie në sipërfaqe. Sapuni ka reaguar me oksigjenin në ajër. Ky është vetëm problem estetik.

Foto: Pluhur i bardhë mbi sapun.

Sapuni ka bulëza ajri. Mund ta kemi trazuar shumë shpejt, ose shumë gjatë.

Sapuni është më transparent në qendër se anash: Kur saponifikimi ndodh në temperaturë të lartë sapuni kalon në një fazë që quhet xhelifikim, gjatë së cilës merr ngjyrë më transparente. Kur xhelifikimi ndodh vetëm në brendësi të sapunit, atëhere pjesa e brendshme e sapunit ka ngjyrë më transparente se ajo e jashtme. Ky është vetëm problem estetik.

Foto: Sapun pjesërisht i xhelifikuar.

Shënim: Informacioni për këtë artikull është mbledhur nga burime të ndryshme në internet, pa pasur përvojë personale në prodhimin e tij.
Burimet:

http://journeytoforever.org/bflpics/TraditionalSoapMaking.pdf

http://www.soapmakingfun.com/making-homemade-soap/bulk-soap-making.shtml

http://www.cranberrylane.com/soapmaking.htm

http://www.alcasoft.com/soapfact/history.html

http://www.chinadaily.com.cn/metro/2010-06/07/content_9942235.htm

http://www.countryfarm-lifestyles.com/make-lye.html

http://www.cd3wd.com/cd3wd_40/vita/soapmake/en/soapmake.htm

http://www.pioneerliving.net/soapmaking.htm

Libër: “Wilderness living”: http://books.google.com/books?id=7I5wsQOk0I0C&pg=PA215&lpg=PA215&dq=ash+to+water+ratio,+lye,+soap&source=bl&ots=PEXgbhtKxF&sig=ox8Pws_QbOsFQAVXR8ZESI8pvas&hl=en&sa=X&ei=a71YT7RzzuW1BuyKxacM&ved=0CE4Q6AEwBg#v=onepage&q=ash%20to%20water%20ratio%2C%20lye%2C%20soap&f=false

http://www.frontierfreedom.com/index.php?option=com_content&task=view&id=105

http://www.thesage.com/calcs/lyecalc2.php

http://millersoap.com/soapdesign.html

http://www.americanpreppersnetwork.net/viewtopic.php?f=123&t=1102

http://www.soapmakingforum.com

http://www.downsizer.net/index.php?option=com_content&task=view&id=405

http://ecobites.com/eco-news-articles/self-reliance/1082-how-to-make-pure-soap

http://www.cd3wd.com/cd3wd_40/vita/soapmake/en/soapmake.htm

http://www.orthogonalthought.com/blog/index.php/2008/06/handmade-soap-using-a-slow-cooker-hot-process/

This entry was posted in Higjena natyrale, Zevendesimi i materialeve sintetike. Bookmark the permalink.

2 Responses to Sapuni: si ta bejme nga hiri dhe yndyra

  1. Pingback: Riciklimi i hirit te sobes me dru dhe i yndyres ne..sapun.. | Mendo Gjelber News

  2. I know this if off topic but I’m looking into starting my own weblog and was curious what all is required to get set up? I’m assuming having a blog like yours would cost a pretty penny?
    I’m not very web savvy so I’m not 100% sure. Any recommendations or advice would be greatly appreciated. Thanks

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s