Bimet mjeksore, A-H

Piku i naftës po sjell shtrenjtimin e ilaceve sintetike, sepse në prodhimin dhe transportin e këtyre ilaceve nevojitet nafta si lëndë e parë dhe si karburant. Në shumë sëmundje  bimët mjekësore mund të përdoren në vend të ilaceve sintetike. Më poshtë vijon një informacion i përgjithshëm mbi bimët mjekësore në rend afalbetik nga A-ja tek H-ja. 

Shenim: ky artikull ka vetem qellim informimi. Per cdo trajtim ose diagnostikim shendetesor drejtohuni mjekut. 

1. Aguliçja (llojet Primula veris, Primula vulgaris, familja Primulaceae)

 

Primula Veris (sinonim Primula officinalis)

Primula Vulgaris

Rrënjët dhe lulet e thara të aguliçes (emri tjetër zgorofeta) kanë veti shëruese. Aguliçja është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme në livadhe, pyje, kullota subalpine dhe alpine.

Droga përdoret si nxitës i nxjerrjes së gëlbazës, kundër të ftohurit, bronkiteve akute dhe kronike si dhe enfizemës së mushkërive.

Një lugë gjelle me drogë lule hidhet në një enë me një gotë ujë të sapozier; mbulohet me kapak, lihet 15-30 minuta; pastaj përmbajtja kullohet dhe pihet e ngrohtë; merren 2-3 doza të tilla në ditë, kryesisht si mjet që lëngëzon dhe largon sekrecionet e bronkeve në bronkite e pneumoni, si mjet qetësues në pagjumësi, në shqetësime nervore, në dhembje koke, në të marrët e mendve; në çrregullime të traktit tretës; në sëmundje të veshkave dhe të fshikëzës urinare. Për të njëjtat shqetësime përdoret edhe droga rrënjë e cila përgatitet si vijon:

Një lugë gjelle me drogë rrënje të grimcuara zihet për 10 minuta në 1 gotë ujë. Kullohet. Pihen 3-4 lugë gjelle në ditë.

Efekti i drogës lule është më i dobët se i rrënjës.

Gjethet e primula veris-it në kuzhinën spanjolle përdoren në sallata. Në kuzhinën angleze lulet e bimës përdoren për aromatizimin e verërave, të uthullave. Përdorimet e primula vulgaris-it janë të ngjashme vecse lulet e kësaj të fundit përdoren dhe për ngjyrim në ëmbëlsira (sipas http://en.wikipedia.org/wiki/Primula_veris).

2.      Akja (Helichrysum arenarium Moench, familja Compositae)

 

Droga përbëhet nga lulesat kaptina të thara të akjes. Akja rritet në vende të thata dhe të zbuluara të cilat rrihen nga dielli (Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Çajup etj.). Bima është rreth 40 cm të gjatë, lulëzon në qershor-shtator.

Lulet e akes kanë veti bakteriostatike, të nxisin urinimin, prodhimin e tëmthit, veti spazmolitike etj.. Ato përdoren për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit; për të nxitur punën e tëmthit; në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, në verdhëz etj. Droga e kombinuar edhe me bishtamithin e me pelin bëhet më e efektshme për prodhimin e tëmthit. Përdoret dhe kundër parazitëve të zorrëve.

Një lugë kafeje me drogë hidhet në një gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi 15 minuta. Përmbajtja kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë para buke për 10 ditë rradhazi.

Ruhet në vende të thata, deri në 18 muaj.

Bima e tharë shpesh përdoret dhe për qëllime dekorative.

3. Anasoni (Pimpinella anisum, familja Umbelliferae)

Droga përbëhet prej fryteve të thara të anasonit , i cili është bimë njëvjeçare.

Anasoni përdoret kundër ngërçve të muskujve të lëmuar (të stomakut, të zorrëve, mitrës etj.); për nxitjen e prodhimit të lëngjeve nga të gjitha gjendrat, përfshi edhe ato të qumështit; për largimin e gazeve nga zorrët (karminative); kundër morrave; .për pastrimin e gëlbazave nga rrugët e frymëmarrjes. Rekomandohet sidomos tek fëmijët.

Katër lugë kafeje me fryte anasoni të copëtuara hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15-20 minuta. Përmbajtja kullohet dhe lëngu pihet në 3 doza gjatë ditës. Frytet e anasonit mund të përdoren edhe në formë pluhuri, duke marrë 3 herë në ditë nga 1 gr drogë.

Anasoni përdoret dhe si erëz në kuzhinën europiane për aromatizimin e ëmbëlsirave, pijeve (të uzos greke, sambukas italiane, rakisë turke psh). Anetoli, përbërësi aromatik më i fuqishëm i saj ndodhet dhe në një erëz tjetër (illicium verum), e cila prodhohet më lirë prandaj dhe gradualisht e ka zëvendësuar përdorimin e anasonit në kuzhinën europiane (sipas http://en.wikipedia.org/wiki/Pimpinella_anisum#cite_note-Muller-7). 

4. Angjinarja (Cynara scolimus, familja Compositae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të angjinares , e cila është bimë barishtore shumëvjeçare, me lule tubike blu.

Droga nxit punën e tëmthit; përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, nxit urinimin; në arterosklerozë, ku kombinohet edhe me vitaminë P; në disa forma të diabetit, në albuminuritë kronike etj.:

Në fillim të kurës përdoret 1 lugë gjelle (më vonë 2 lugë gjelle) me drogë të grimcuar, e cila zihet 20 deri 30 minuta në një enë që përmban një gotë me ujë. Përmbajtja kullohet, merren 3 doza të tilla në ditë. Kura zgjat rreth 1 muaj, pastaj ndërpritet për 1 muaj dhe rifillon në rast nevoje.

Angjinarja përdoret dhe si perime në kuzhinën europiane, kurse kuzhina shqiptare e injoron.

5. Arra (Juglans regia, familja Juglandacae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të arrës . Ajo ndeshet edhe në gjendje të egër, sidomos në luginat e Alpeve, në Martanesh etj.

Gjethet e arrës janë rrudhëse, hipoglicemizuese, antileukoreike etj. Shton sekretimin e lëngut të stomakut; përmirëson oreksin, rrudh mukozat e lëkurës, ngushton arteriet etj. Përdoret në dispepsi; acarime të aparatit tretës, në hemorragji etj. Meqënëse ndihmon në mjekimin e indeve të dëmtuara, disa autorë këshillojnë kombinimin e terapisë antibiotike specifike (të turbekulozit) me preparatet e gjetheve të arrës. Përdoret në formë lavazhi kundër morthit, acarimeve të rrugëve gjenitale, ekzemës, pucrrave etj. Si gargarë përdoret kundër acarimeve të fytit.

Një lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhet në një gjysëm gote ujë të sapozier, lihet 15 minuta, pastaj kullohet dhe pihet gjatë ditës. Përdoren 3 doza të tilla në ditë. Në plagë me proçese qelbëzimi, në sëmundje të lëkurës këshillohet aplikimi i banjave me çaj që fitohet duke zier 8-10 gr gjethe në 100 gr ujë. Banjat këshillohen edhe për të pakësuar djersitjen e këmbëve. Arrës i përdoren edhe lëvozhgat jeshile të thara, të cilat përmbajnë tanine, juglon etj., në sajë të vetive antiseptike dhe keratenizuese ato shfrytëzohen në dermatoza të ndryshme. Çaji i përgatitur duke zier 20 gr lëvozhga në 1 l ujë dhe i pirë në dozën 2-3 gota në ditë pas ngrënjes përdoret në anemi.

Ekstrakti i mishit të frutit të papjekur të arrës ka veti insekticide (sipas http://en.wikipedia.org/wiki/Juglans_regia#cite_note-12).

6. Arrsi (Teucrium chamaedrys, familja labiatae),

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e arrsit, i cili është bimë barishtore shumëvjeçare, me gjelbërim të përhershëm, e zakonshme. Lulëzon në maj-korrik.

Droga shton oreksin në çrregullimet e stomakut, sekretimin e urinës, nxit prodhimin e tëmthi në mëlçi dhe shëron plagë.

2-3 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak, lihet të qëndrojë ½ orë, pastaj lëngu kullohet dhe pihet 3-4 herë në ditë nga 1 filxhan kafeje, para buke. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

7. Bargjaku (Lythrum salicaria, familja Lythraceae),

Droga përbëhet prej majash të lulëzuara, të thara të bargjakut  i cili është bimë e zakonshme tek ne në zonat fushore buzë vijave me ujë. Lulëzon qershor-tetor.

Droga përdoret në diarre që shoqërohen me humbje të tonusit të zorrëve; si qetësuese; kundër hemorragjisë; në dizanterinë bacilare. Ka veti të lehta antibiotike prandaj përdoret dhe në gastroenterit, në tifo dhe në dizenteri.

30-40 gr drogë e grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet për 15 minuta, pastaj çaji kullohet nëpërmjet një nape. Pihen 300-500 gr çaj në ditë.

8. Bar majasëlli (Teucri polium L, familja Labiatae)

Droga nxirret nga pjesa mbitokësore e lulëzuar e barit të majasëllit , i cili rritet nëpër toka të thata, të zakonshme në vendin tonë. Lulëzon në maj-shtator.

Bari i majasëllit përdoret në mjekimin e majasëllit dhe të kolitit.

Merren rreth 3 tufa (ose 45 gr) bar majasëlli, zihen në 1 kg ujë për 1.5 orë, lëngu kullohet dhe prej tij pihen 3 filxhana në ditë; çaji pihet rreth 7-20 ditë për majasëllin dhe rreth 20-30 ditë për kolitin. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

9. Bari i shpretkës (Verbena officinalis, familja Verbenaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e barit të shpretkës (emra të tjerë: sporisi mjekësor, përvasheni, latinisht Verbena officinalis, familja Verbenaceae), i cili është bimë e zakonshme në vende barishtore, djerishte e buzë kanaleve të zonave të ulëta. Lulëzon nga pranvera në vjeshtë.

Droga është pak helmuese. Përdoret si mjet fuqizues; si ekspektorant; kundër gurëve të mëlçisë së zezë e të veshkave, kundër reumatizmit, shiatikut, artritit, nevralgjisë dhe zmadhimit të shpretkës.

3-4 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në gjysëm litri ujë të zier. Ena mbulohet me kapak, lihet gjysëm ore, pastaj lëngu kullohet. Pihen 3 filxhanë kafeje në ditë. Ky çaj mund të përdoret për gargarë në mahisjet e gojës, të bajameve si dhe për shpëlarjen e plagëve.

Kundër zmadhimit të shpretkës dhe dhembjeve nga reumatizmi përgatitet në formë llapaje si vijon: në një enë hidhet një grusht me bar të freskët të grimcuar në formë qulli. Shtohet pak uthull dhe përmbajtja përzihet duke e ngrohur lehtë deri sa uthulla të avullohet. Masa që ngelet mbështillet në një copë lecke dhe vihet e ngrohtë në vendin e dhembjes.

Ruajtja: Në vende të thata droga e ruan veprimin për 2 vjet.

10. Bar veshi (Sempervivum tectorum, familja Crassulaceae)

Barit të veshit i përdoren gjethet e freskëta.

Gjethet e barit të veshit përdoren kundër pickimit të insekteve; për mjekimin e plagëve të lëkurës. Në formë çaji përdoret duke pikuar disa pika në sy, në acarimet e kapakëve të syrit nga brenda ose në vesh, në dhembjet dhe acarimet e veshit.

Çaji përgatitet me gjethe të freskëta, të cilat shtypen dhe zihen në një gotë me ujë për 30 minuta; lëngu kullohet dhe pasi ftohet përdoret duke pikuar 2-3 pika në veshin e sëmurë.

11. Bërshëllëza (Convolvulus sepium, familja Convolvulaseae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e bërshëllizës ose gështallit. Lulëzon maj-vjeshtë.

Bari i bërshëllizës është laksativ i fortë e kolagog dhe duhet përdorur me kujdes.

Një lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier, përmbajtja lihet për 15 minuta, pastaj lëngu kullohet dhe pihet.

12. Bishtamithi(Achillea millefolium, familja Compositae)

Droga nxirret nga pjesa mbitokësore e tharë e bishtamithit (emra të tjerë janë: njëmijëgjethësi, barnozella, bar pezmi) , i cili është bimë e zakonshme në livadhe dhe zona malore. Lulëzon maj-korrik.

Droga përdoret si spazmolitik, veçanërisht për të mitrën, ngërçet (dhembjet, spazmat) e stomakut (me origjinë nervore) të grave, në mjekimin e majasëllit, si rregullues dhe lehtësues i menstruacioneve, kundra heqjes së barkut, si antiinflamator në acarimet e fytit, gojës, në djegje etj; në ndërprerjen e rrjedhjes së gjakut, si psh., në menstruacione të mëdha, në hemorragjinë e mushkërive, të veshkave, si dhe për mjekimin e anemive sekondare të ndryshme; kundër kollës. Përdorimi për një kohë të gjatë i drogës jep pështjellim, turbullim dhe dhembje koke.

Një lugë supe me drogë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë, ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 5 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet i paëmbëlsuar, gjysëm ore para buke; merren dy doza të tilla në ditë. Për përdorim të jashtëm, në formë banjash për mjekimin e plagëve të qelbëzuara, të sëmundjeve të lëkurës, mishrave të dhëmbëve etj., përdoret çaji që përgatitet si më sipër, por duke përdorur 2 lugë gjelle me drogë për një gjysëm gote ujë. Për mjekimin e ulçerave varikoze, të majasëllit, morthit etj., përdoret lëngu i shtrydhur i bimës së freskët.

Bishtamithi është përdorur në Europë dhe në prodhimin e birrës, në vend të sumullbarit. Birra e bishtamithit mendohej se kishte veti afrodiziake.

13. Bliri (Tilia cordata Mill., Tilia platyphyllos Scop., dhe Tilia argentea Desf., familja Tiliaceae)

Droga e luleblirit përbëhet nga lulesa të thata të shoqëruara me braktene të blirëve të cilët janë drunj deri në 30 m të lartë, të kodrave dhe maleve.

Lulet e blirit përdoren në sëmundje të shkaktuara nga të ftohtët dhe që shoqërohen me temperaturë (rrufë, kollë, gëlbazë etj.) sepse shkaktojnë djersitje; në sëmundjet e fshikëzës urinare dhe të veshkave; për të përmirësuar çrregullimet e stomakut dhe për të lehtësuar dhembjet; lehtësojnë gjumin.

Një lugë supe me lulebliri hidhet në 1 gotë me ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak dhe lihet 5-10 minuta duke e tundur herë pas here, pastaj lëngu kullohet, dhe pihet i ngrohtë. Merren disa doza të tilla gjatë ditës.

Në vende të thata droga ruan veprimin e vet për 2 vjet.

14. Boronica (Vaccinium myrtillus, familja Ericaeae)

Droga përbëhet nga frytet e pjekura dhe të thara të boronicës (emra të tjerë: thrashegra, qershigla e egër, e zakonshme në pyje, në livadhe të zonave malore ; lulëzon në maj-korrik; frutifikon në korrik-shtator.

Frytet e boronicës përdoren kundër heqjes së barkut, majasëllit, infeksioneve të zgavrës së gojës dhe të fytit; në hemorragjitë e retinës (të tipit diabetik dhe hipertensiv);  në diabet.

Frytet merren nga goja në varësi të moshës (mesatarisht 5-10 gram), përtypen dhe gëlltiten. Përdoren edhe në formë çaji duke zhytur në një gotë me ujë sasinë e fryteve të mësipërme, të cilat pasi mufaten, zihen lehtë.

Gjethet përdoren në formë çaji, i cili përgatitet duke zier 2 lugë kafeje me drogë të grimcuar në një gotë ujë.

15. Borziloku (Ocimum basilicum, familja Labiataee)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e borzilokut ose sefërgjenit.

Bima përdoret si erëz, qetësues i dhembjeve të barkut, kundër pezmatimit kronik të stomakut, kapsllëkut që vjen nga ngërçi (tkurrja, shtrëngimi) i muskulaturës së zorrës, çrregullimeve të zorrëve etj.

Dy lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier; ena mbulohet me kapak dhe lihet për 10-15 minuta duke e tundur herë pas here; pastaj lëngu kullohet dhe pihet. Gjatë ditës mund të përdoren 2-3 doza të tilla.

Bari i borzilokut përdoret edhe në formë llapaje në dëmtime të lëkurës (eritema, ekzema) të shkaktuara nga fërkimi. Për këtë qëllim, droga zbutet me pak ujë të valuar, përzihet derisa të marrë trajtë llapaje, pastaj vihet mbi vendin e dëmtuar të lëkurës.

Përdoret edhe kundër mahisjes së gojës dhe të fytit në formë gargare, në këtë mënyrë: 5 lugë gjelle me drogë të grimcuar zihen në një enë të zinkuar për 3-5 minuta me dy gota me ujë. Pastaj lëngu kullohet dhe përdoret për gargarë ose për të shpëlarë gojën.

Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

16. Bushi (Buzus sempervirens, familja Buxaceae)

Droga përbëhet nga gjethet dhe lëvoret, të thara, të bushit (emra të tjerë: shemshiri, pikësas, e cila është një shkurre e zakonshme në toka të thata e gëlqerore deri në 1600 m mbi sipërfaqen  e detit.

Droga ka veti dezinfektuese.

Bushi përdoret për uljen në përgjithësi të temperaturës së shkaktuar nga pezmatimet e rrugëve të tëmthit dhe të urinës, si dhe për uljen e tensionit të gjakut; nga jashtë përdoret në podagër, në sëmundje të lëkurës dhe reumatizëm. Duhet të përdoret nën mbikëqyrjen e mjekut sepse është helmuese.

1/2 kafeje me drogë të copëtuar hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak, lihet derisa të ftohet, pastaj çaji kullohet, e pihet gjatë ditës në 3 doza. Në vende të freskëta dhe të thata e ruan veprimin për 2 vjet.

17. Çaji kinez (Thea Sinensis L., familja Theaceae)

Çaji kinez ose i Evropës përbëhet nga gjethet e thara të bimës .

Çaji kinez përdoret për gjallërimin dhe tonizimin e organizmit; në ethe, grip, heqje barku, si diuretik, si kundrahelm (antidot) në helmime me substanca frenuese. Nuk rekomandohet në persona qe vuajnë eksitimi nervor dhe nga presioni i lartë i gjakut.

Një lugë kafeje me drogë hidhet në 250-300 ml ujë të sapovaluar, ena mbulohet me kapak dhe pas 5-10 minutash kullohet. Çaji pihet disa herë në ditë sipas dëshirës. Çaji del i shijshëm kur përgatitet menjëherë me ujë të valuar.

18. Çaji i malit (Sideritis Raeseri Bois. Et Heldr., familja Labiatae

Çaji i malit përbëhet nga pjesa mbitokëzore e bimës.

Çaji i malit përdoret si pije familjare. Bima mund të rekomandohet edhe si bar kundër ftohjeve.

Një lugë e çajit të malit grimcohet dhe hidhet në1 gotë ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak, lihet të qëndrojë për 15-20 minuta duke e përzier herë pas here; lëngu kullohet; merren disa doza të tilla në ditë.

19. Çikoria (Cichorium intybus L., familja Compositae)

Droga përbëhet prej gjetheve dhe rrënjëve të çikores , të cilat mblidhen në pranverë dhe në vjeshtë. Çikoria është bimë barishtore shumëvjeçare deri në 1 m e lartë. Lulëzon në korrik deri në shtator.

Drogat përdoren për gjallërimin e organizmit, për nxitjen e tretjes dhe urinimit, përmirësimin nganjëherë të ekzemës, zbrasjen e fshikëzës së tëmthit dhe të dalët jashtë, pa acaruar aparatin tretës.

Zihen 1 lugë gjelle me rrënjë ose me gjethe të grimcuara në një xhezve të madhe me ujë dhe çaji kullohet; pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Në enë të mbyllura mirë droga e ruan veprimin për 2 vjet.

20. Dafina (Laurus nobilis L. , familja Lauraceae)

Droga përbëhet prej gjetheve e fryteve të thara të dafinës ose larit ; lulëzon në maj-prill; frutifikon në tetor-nëntor.

Gjethet e dafinës përdoren si ndihmëse në mjekimin e bronkitit e të gripit, në rastet e ftohjes që shoqërohet me temperaturë, si erëza etj.

Frytet e dafinës përdoren më shumë në veterinari, si mjet për të shtuar oreksin dhe si stomakik.

Një lugë gjelle me gjethe dafine të grimcuara (së bashku me 1 lugë gjelle me lëvore portokalli, në rast se keni) hidhen në një 1 gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe përzierja lihet të qëndrojë 10 minuta. Pastaj kullohet. Pihen 2-3 gota të tilla në ditë. Në formë banje frytet e dafinës përdoren kundër djersitjes së tepërt dhe erës së keqe të këmbëve, në këtë mënyrë: një grusht me fryte të thara e të copëtuara të dafinës hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 20 minuta, lihet derisa të ftohet. Lëngu kullohet, zbrazet në një legen ku paraprakisht është hedhur ujë i ngrohtë. Këtu futen këmbët dhe mbahen për një kohë të gjatë. Në vende të thata drogat e ruajnë efektin për 2 vjet.

21. Dëllinja (Juniperus Communis, familja Cupressaceae)

Droga përbëhet nga frytet e pjekura e të thara të shkurres së dëllinjës së zezë; bimë e përhapur. Fryti në vitin e parë është i gjelbër, ndërsa kur piqet (në vitin e dytë) bëhet gati i zi. Bima lulëzon frytifikon në shtator-nëntor.

Droga përdoret për nxitjen e urinimit dhe pengimin e zhvillimit të mikrobeve në rrugët urinare; përdoret në hidropizi, në reumatizmin e kyçeve; në të ftohur, në bronkitet katarale, sepse ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës dhe në lehtësimin e kollës. etj. Droga sforcon veshkën prandaj nuk këshillohet tek fëmijët dhe në rastet me veshkë të sëmurë.

Një lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhet në një gotë me ujë. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 5-10 minuta, lihet në qetësi derisa të ftohet, kullohet dhe lëngu pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë.

Përgatitja e frytave rekomandohet në këtë mënyrë: 1 kg fryte hidhen në 10 l ujë. Mbas disa ditësh (4-5) kur merr erën e dëllinjës, uji pihet me gota disa herë në ditë si mjet diuretik dhe ne çrregullime të traktit tretës. Lëngu që hiqet nga ena zëvendësohet me ujë. Kjo gjë vazhdon derisa kokrrat e dëllinjës të bien të gjitha në fund të enës. Në këtë rast nuk hidhet më ujë dhe lëngu pihet derisa të mbarojë.

22. Drunakuqi (Rhamnus frangulaFrangula alnus Miller, familja Rhamnaceae)

Droga përbëhet nga lëvoret e thata të degëve të drunakuqit (emra të tjerë janë zogja, tulkuqi, i cili është një dru i vogël, i rrallë, në pyje me lagështi, në toka argjilore silicore etj.

Në kapsllëkun e shkaktuar nga pamjaftueshmëria e lëngut të tëmthit këshillohet përdorimi i drunakuqit me droga të tjera siç janë rrënjët e çikores, gjethet e senës dhe të rradhiqes, gjethet e angjinaers etj., rezultate të mira ato japin edhe kundër majmërisë.

Një lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet një gotë me ujë, përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta dhe pastaj zihet për 10 minuta. Lëngu lihet të ftohet dhe kullohet. Pihet i ngrohur në mbrëmje para gjumit. Në kapsllëkun e fortë doza e mësipërme përsëritet edhe në mëngjez esëll. Droga përdoret edhe në formë pluhuri; në këtë rast merren 1-3 gr në ditë.

Lëvoret e drunakuqit duhet të përdoren të paktën 1 vit pas mbledhjes. Të ngjashme nga përmbajtja, veprimi e përdorimi me lëvoret e drunakuqit janë ato të arrçit (Rhamnus fallax), i cili është mjaft i përhapur. Në vende të freskëta dhe të thata droga e ruan veprimin për 4-5 vjet.

23. Dydhëmbëshi trepjesësh (Bidentis tripartita L., familja Compositae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e bimës , e cila takohet në toka me lagështi të zonave të ulëta.

Bari i mbledhur në kohën e fillimit të lulëzimit të bimës dhe i tharë, shton djersitjen dhe urinimin; përmirëson tretjen; ndikon në normalizimin e metabolizmit. Këshillohet në gurët e veshkave dhe çrregullimet e fshikëzës së urinës, kundër hemorragjive të brendshme etj.

2-4 lugë supe me drogë të grimcuar hidhen në një enë cingo ku shtohet 1 l ujë i sapozier. Përmbajtja lihet të qëndrojë 15 minuta në enë të mbuluar me kapak. Pastaj lëngu kullohet; prej këtij lëngu të rriturit mund të pijnë 2-3 gota, kurse fëmijët 2-3 filxhanë në ditë. Në vende të thata droga e ruan veprimin për 2 vjet.

24. Elbi (Hordeum vulgare L., familja Graminaceae)

Droga përbëhet nga frytet e elbit .

Elbi përdoret për të mjekuar sëmundjet inflamatore të sistemit të tretjes; për gargarë në mahisjen e bajameve dhe inflamacionin e fytit; si freskues dhe si mjet i lehtë kundër heqjes së barkut.

Malti që përbëhet nga elbi i mbirë jo plotësisht (në mënyrë artificiale), përveç përgatitjes së birrës përdoret edhe në formë pluhuri në dozat 5-20 gr në ditë, si ushqyes tek fëmijët që kanë të dobët muskulaturën e stomakut dhe të zorrëve, tek të moshuarit dhe në rastet e urthit (hiperkloridrisë) tek të rriturit.

Në rastet e enteritit mund të përgatitet ky çaj: zihen në 3 litra ujë nga 2 lugë me grurë, elb, tërshërë, misër, thekër dhe krunde derisa të ngelet 1 litër. Lihet të ftohet, pastaj lëngu kalohet nëpër një napë të hollë, pihet brenda 24 orëve ashtu siç është ose i holluar me qumësht dhe i ëmbëlsuar.

25. Fasulja (Phaseolus vulgaris L., familja Leguminoseae)

Droga përbëhet nga bishtaja pa fryte, të thara të fasules (groshës).

Bishtajat pa farë (lëvozhgat) të groshës nuk janë helmuese.

Droga përdoret si diuretike në rastet e grumbullimit të ujit në organizëm; në sëmundje të veshkave dhe të rrugëve të urinës; përdoret si antidiabetike e lehtë; për uljen në një masë të lehtë të presionit të ngritur të gjakut.

Droga nxirret nga fasule të pjekura. Fasulet e gjelbra (bishtajat me fasule të papjekura) në disa persona mund të shkaktojnë sëmundje të lëkurës nga prania e proteinës helmuese fazinë. Kjo proteinë që në persona të tjerë mund të shkaktojë edhe të vjella dhe diarre, pezmatime të zorrëve etj. shkatërrohet me zierje.

Katër grushte me drogë të grimcuar zhyten në dy litra me ujë, lihen disa orë të bymehen, pastaj zihen derisa të ngelet gjysëm litri lëng. Pihen 2-3 gota në ditë, para buke.

26. Fiku (Ficus carica L., familja Moraceae)

Droga përbëhet nga frytet e thata të fikut.

Përdoret si laksativ i lehtë, në bronkitet dhe në kollë. Në formë gargare frytet përdoren në pezmatimet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe të gojës.

50 gr fiq të thatë futen në darkë në një enë ku shtohen 500 ml ujë dhe zihen 20 minuta. Të nesërmen fiqtë hahen dhe lëngu pihet. Kjo kurë përdoret kundër kapsllëkut

Lëngu qumështor i freskët i frytit, i gjetheve dhe i degëve të reja përdoret për zhdukjen e lytheve (verrukave) duke i pikuar ato çdo ditë 2-3 herë me lëng.

Lëngu qumështor përdoret edhe për zhdukjen e qukave të fytyrës, duke i lyer ato një herë në ditë.

27. Fik ujku (Aristolochia clematitis, familja Aristolochiaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar  dhe nga rizoma, të thara të fik ujkut ose petrikut, i cili është bimë barishtore shumëvjeçare, bar i keq i kulturave bujqësore. Lulëzon në maj-korrik.

Ndihmon në veprimin e antibiotikëve e të substancave kundër kancerit; ka veprim të lehtë spazmolitik; ndihmojnë mekanizmat mbrojtëse në organizëm. Kur aplikohet nga goja ka veprim helmues të ngjashëm me kolkicinën. Nga jashtë përdoren për mjekimin e plagëve të infektuara, të puçrrave; të panariçeve (zonave të infektuara përreth thonjve të duarve dhe të këmbëve), në plagë të qelbëzuara etj. Në këto raste drogat ndihmojnë epitelezimin e indeve pa formuar granulacione të tepërta.

Në disa vende drogat përdoren kundër gutës (podagrës) dhe reumatizmit, si dhe në mjëkimin e plagëve që shkaktohen nga kafshimi i gjarpërinjve.

Dy lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë dhe përmbajtja zihet 20 minuta. Pas ftohjes lëngu kullohet dhe përdoret në formë kompresash për 15 minuta (të ngrohura në temperaturën e trupit) çdo ditë në sipërfaqet e dëmtuara të lëkurës.

28. Fomi mjekësor (Fumaria officinalis L., familja Papaveraceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e fomit mjekësor, bimë njëvjeçare, e zakonshme. Lulëzon mars-gusht.

Përdoret në sëmundje të fshikëzës së tëmthit dhe të mëlçisë, në heqjet e barkut nga çrregullimet e tretjes, në kapsllëk dhe në sëmundje që karakterizohen nga mbajtja e ujit në organizëm. Acidi fumarik ndihmon proçeset e oksidimit në organizëm.

Droga e fomit mjekësor në doza të larta mund të shkaktojë paralizën e qendrës së frymëmarrje.

Dy lugë kafeje (2.5 gr) drogë e grirë hidhen në një enë të zinkuar ku përvëlohen me 1 gotë ujë që zien. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 10-15 minuta. Pastaj çaji kullohet dhe pihet në dy doza gjatë ditës. Në vende të thata droga ruan veprimin për 2 vjet.

29. Frashëri i bardhë (Fraxinus Ornus L., familja Oleaceae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të frashërit të bardhë,  i zakonshëm kudo. Lulëzon në maj-qershor.

Droga nxit të urinuarit, djersitjen, të dalët jashtë; rekomandohet në mjekimin e reumatizmit dhe të gutës.

Një deri 2 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku përvëlohen me një gotë ujë që zien, lihen 15 minuta dhe pastaj lëngu kullohet, ëmbëlsohet sipas dëshirës dhe pihet. Merren 2 doza të tilla në ditë gjatë ngrënjies.

30. Ftoi (Cydonia oblonga Mill., familja Rosaceae)

Ftoit për qëllime mjekësore i përdoren farat dhe gjethet e thara, si dhe tuli i fryteve.

Farat e ftoit përdoren si ekspektorante, laksativë; si mjet që rregullon tretjen në sëmundje të stomakut e të zorrëve; në kollë. Gjethet e ftoit përdoren kundër diarresë.

Farat duhet të përdoren të plota, çaji nga farat përgatitet si vijon: 1 lugë kafeje me fara ftoi hidhen në një enë ku shtohen 2 gota me ujë. Përmbajtja zihet për 10 minuta, lihet në qetësi 15 minuta dhe pastaj lëngu kullohet dhe pihet gjatë ditës.

Çaji nga gjethja përgatitet kështu: 10-10 gr gjethe ftoi të thara e të grimcuara hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë. Përmbajtja zihet 5 minuta dhe pas vakjes lëngu kullohet. Pihen 2-3 gota çaj në ditë në rastet e heqjes së barkut dhe mund të përdoret edhe nga jashtë për larje vaginale kundër leukoresë.

31. Fshesa e keqe(Erigeron canadensis L., Familja Compositae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e fshesës së keqe, lulëzon në qershor-tetor.

Droga shton nxjerrjen e acidit urik; ndalon rrjedhjen e gjakut (hemostatike); nxit formimin e rruazave të bardha të gjakut; përdoret si mjet hemostatik dhe diuretik në hemorragji, në heqje barku me gjak dhe në proçese pezmatimi të rrugëve urinare. Esenca e bimës përdoret në gutë, në reumatizmin kronik dhe në sëmundje të metabolizmit.

5 lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në një enë, ku shtohet një filxhan ujë. Përmbajtja zihet për 5 minuta, lihet të ftohet, kullohet dhe pihet. Pihen 3 doza të tilla në ditë.

32. Gërdeci(Arctostaphylos uva ursi L., Sprenger, familja Ericaseae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të gërdecit të rëndomtë, i cili tek ne takohet rrallë në Alpet e Shqipërisë veriore dhe verilindore.

Përdoret për pengimin e zhvillimit dhe rritjes së mikroorganizmave në rrugët urinare. Në sëmundje të aparatit urinar ato mund të përdoren vetëm atëhere kur urina është bazike. Kjo gjë mund të arrihet duke përdorur njëkohësisht bikarbonat natriumi për të forcuar veprimin e drogës në rastet e infeksioneve me bakteret e grupit koli si dhe në rastet kur urina është acide. Mjekimi duhet të kontrollohet nga mjeku, sepse në doza të lartë droga mund të dëmtojë mëlçinë. Droga hyn në përbërjen e çajrave diuretikë. Kur përdoret për një kohë të gjatë mund të shkaktojë kapsllëk.

Dy lugë çaji me drogë të grimcuar (baraz me 5.5 gr) hidhen në një enë ku shtohet gjysëm gote me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi për 30 minuta, pastaj lëngu kullohet. Çaji që fitohet pihet 2-3 herë gjatë ditës. Nuk këshillohet përgatitja e çajit me zierje sepse në këtë rast ai del më i hidhur dhe më pak i efektshëm. Droga mund të përdoret edhe në formë pluhuri: merren 3-4 herë nga 2gr në ditë. Në vende të thata e ruan veprimin deri në 2 vjet.

33. Gështenja (Castanea sativa Miller, Castanea vesca Caertn, familja FAgeseae),

Droga përbëhet nga gjethe të thara të gështenjës e cila tek ne takohet me shumicë deri në 1200 m lartësi.

Gjethet e thara të gështenjës ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorante) dhe në qetësimin e kollës. Rekomandohet edhe kundër reumatizmit.

1 deri 3 lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë të valuar. Ena mbulohet me kapak. Përmbajtja lihet 15 minuta, pastaj çaji kullohet. Pihen 1-3 gota çaj në ditë. Ruajtja: në vende të thata, deri në 2 vjet.

34. Gështenja e egër (Aesculus hippocastanum L., familja Hippocastanaceae)

Droga përbëhet nga lulet dhe farat e thara të gështenjës së egër ose gështenjës së kalit, e cila është dru që takohet tek ne i egër në lartësi 800-1600 metër (në Nemërçkë, në malin e Çikës) dhe si dru i kultivuar në zbukurimin e parqeve në qytete.

Droga përdoret si rrudhëse, anti-reumatike, anti-koaguluese dhe ekspektorante në pezmatimin e rrugëve të frymëmarrjes, në grumbullimin e gjakut në vena, në pezmatime sipërfaqësore dhe të thella të venave, në majasëll dhe në sindromin pas trombozës;  në çrregullime të qarkullimit periferik, si psh. në sëmundjen Reno, në çalimin e herëpashershëm dhe në çrregullime të enëve të gjakut që furnizojnë trurin.

2-3 lugë çaji me drogë lule hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta (me përzierje të herëpashershme) dhe pastaj kullohet. Lëngu pihet gjatë ditës.

35. Grami (Cynodon dactylon Pers, familja Graminaseae)

Droga përbëhet nga rizoma e tharë, e grimcuar e gramit zvarranik.

Droga nxit urinimin;  përdoret në pezmatimin e pjesëve të poshtme të rrugëve urinare, në reumatizëm dhe sëmundje të lëkurës; në mjekimin e hipertensionit arteria;  si ndihmëse në sëmundjen e diabetit.

Një lugë supe me drogë të thërmuar (5 gr) futet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë (150-200 ml) dhe zihet 10 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet. Gjatë ditës merren 2-3 doza të tilla.

36. Grunamadhi (Melilotus officinalis Desr., familja Leguminosae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar ose nga majat e lulëzuara , të thara, të grunamadhit ose të makthit, i cili është bimë e vendeve gurishtore-ranore e barishtore. Lulëzon në maj-korrik.

Bari  përdoret sipas porosisë dhe nën mbikëqyrjen e mjekut, si mjet kundër mpiksjes së gjakut, si qetësues, spazmolitik dhe si mjet kundër pezmatimit dhe etheve. Droga rrit qëndrueshmërinë e enëve të gjakut, duke rritur depërtueshmërinë e tyre. Përmirëson qarkullimin e gjakut në tru e në periferi dhe qarkullimin venoz.

Përdoret edhe nga jashtë, në formë kompresash, për larje si dhe në formë llapash, si mjet që qetëson, zbut dhe shëron plagë të ndryshme.

Një lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta në qetësi, kullohet dhe pihet. Gjatë ditës mund të pihen 2-3 doza të tilla, dmth gjithsej 5 gr drogë.

Çaji më i përqëndruar që përgatitet duke i hedhur 2-3 herë më shumë drogë, përdoret nga jashtë, në formë komprese e banje, si antiseptik në pezmatimet e syve, për shpëlarjen e plagëve me qelb, si gargarë në xhinxhivitet, aftet, laringjitet etj. Droga përdoret edhe në formë llape që fitohet duke përzier drogën e grimcuar me ujë të ngrohtë derisa të kthehet në brumë. Ky brumë vihet me ndihmën e një lecke ose garze mbi vendin e sëmurë.

37. Gjarpër mjekësor (Ceterach officinarum Lam. et DC, familja Polypodiaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e fierit gjarpër mjekësor ose bar gjarpërit, që takohet nëpër shkëmbinj dhe mure ,  me pakicë.

Droga  përdoret si qetësuese, ndihmëse kundër kollës dhe acarimeve të rrugëve të frymëmarrjes; nxit urinimin tek të sëmurët që vuajnë nga mbajtja e vazhdueshme e urinës dhe nga prania në këtë të fundit të oksalateve dhe të acidit oksalik.

10 gr drogë e grimcuar zihen për 30 minuta në një gotë me ujë në një enë të mbyllur me kapak. Lihet 15 minuta në qetësi dhe pastaj çaji kullohet e pihet gjatë ditës.  Ruhet në vene të thata , deri në 2 vjet.

38. Gjembardha (Eryngium campestre L., familja Umbelliferae)

Droga përbëhet nga rrënjët e thara të gjembardhës, e cila është bimë e rrallë në toka të thata ranore të zonave fushore.

Droga-rrënjë ka veti të rrisë të urinuarit, për këtë këshillohet në gurët urinarë, kundër rërës, në disa sëmundje të lëkurës etj.

5 lugë gjelle me rrënjë të grimcuara hidhen në një enë të zinkuar ku zihen për 5-10 minuta, me 6 gota ujë. Pastaj lëngu kullohet dhe pihet me gota gjatë ditës. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

39. Gjembgomari (Silybum marianum Gaertn., familja Compositae)

Droga përbëhet prej farave të thara të gjembgomarit, i cili është bimë 1 ose 2 vjeçare e vendeve të papunuara të zonave fushore.  Droga fitohet duke tharë kaptinat (e mbledhura pak para pjekjes së plotë). Pas tharjes kaptinat shkriftohen dhe farat veçohen prej pjesëve të tjera.

Droga  përdoret si koleretike, kolagoge dhe sedative në gurët e tëmthit që shkaktojnë dhembje, në sëmundjen e të verdhtit, në sëmundje të mëlçisë e të fshikëzës së tëmthit, si dhe në pezmatime të mëlçisë dhe në cirrozë; përdoret kundër të gjitha dëmtimeve parenkimatoze të mëlçisë; nga jashtë përdoret për mjekimin e majasëllit, në ngërçe të venave etj.

Droga mund të përdoret në formë pluhuri duke marrë 4-5 herë në ditë nga një lugë çaji me fara të pluhurosura. Droga përdoret edhe në formë çaji si vijon: Një lugë çaji me fryte të copëtuara hidhen në gjysëm gote uji të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi 15 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë. Ruhet në vende të thata, deri në 2 vjet.

40. Gjethedelli (Plantagomajor L., Plantago media, Plantago lanceolata, familja Plantaginaceae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të gjethedellit , bimë e zakonshme në zona fushore, si buzë udhësh e vijash, në kullota etj.. Lulëzojnë në pranverë-verë.

Droga pëdoret  për të provokuar nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorant); si ndihmëse për të mjekuar katarret e rrugëve të frymëmarrjes, bronkitin, azmën etj; nga jashtë për mbyllje plagësh të ndryshme, puçrrash varikoze etj.; në formë çaji për larjen e syve (në acarimin e konjuktivës etj.), për gargarë në rastet e acarimit të bajameve,.

Një lugë supe me drogë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë. Përmbajtja lihet 1 orë të bymehet, pastaj zihet për 10-15 minuta, kullohet dhe çaji pihet. Pihen 2-3 gota në ditë. Nga jashtë përdoren më shpesh gjethet e njoma, të lara dhe të njomura për 1 orë me ujë të valuar, me të cilat përgatiten llapa për mjekime plagësh të ndryshme të lëkurës.

Kallinjtë e frutifikuar të gjethedellit të madh (Plantago major) grumbullohen gjatë verës dhe thahen në hije. Droga e fituar përgatitet për mjekimin e pezmatimit të veshkave dhe si ndihmëse në sëmundjen e prostatës në këtë mënyrë: ~40 gr kallinj të frutifikuar zihen në 3-4 litra ujë derisa ky i fundit të shterojë në ½ litër. Përmbajtja kullohet, mbetja shtrydhet në mënyrë që e gjithë masa e lëngët të kalojë në çaj, pihen 3 gota në ditë, para buke. Në mëngjez pihet esëll. Kura vazhdon deri në mjekimin e plotë.

41. Gjineshtra ngjyruese (Genista tinctoria, familja leguminosae)

Droga përbëhet nga bari i lulëzuar dhe i tharë i gjineshtrës ngjyruese, e cila është një gjysëm shkurre, e shpeshtë nëpër pyje, shkurreta e kullota. Lulëzon nga maji në gusht.

Droga përdoret si diuretike dhe si dezinfektuese në sëmundjet e veshkave dhe në sëmundjet e rrugëve të poshtme urinare; pëdoret në edema dhe në pamjaftueshmëri të zemrës.

Një lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë çaji me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta, pastaj lëngu kullohet, pihen 2 doza të tilla në ditë.

42. Gjyhënusja (Ononis spinosa L., familja Leguminosae)

Droga përbëhet nga rrënjët e thara të gjuhënuses ose të kalmuthit me gjemba, i cili është një shkurrë me gjemba, pothuajse e zakonshme në toka të thata, djerrë, kryesisht në zona të ulëta.

Droga përdoret në rastet me gurë në veshka ose në fshikëz, në rastet e pezmatimit të fshikëzës së urinës (cistit), në nefrite me gurë, në reumatizëm etj. Këshillohet të pihet 3 ditë rresht pastaj të bëhet një ndërprerje 3 ditore. Nuk lejohet përdorimi tek fëmijët.

20 gr drogë e grimcuar zihen në 1 litër ujë derisa të ngelet ¼ e lëngut. Çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës. Në vende të thata ruhet deri në 2 vjet.

43.Hashashi (Cannabis Sativa)

Për mjekim përdoret lulja dhe gjethja e bimës. Hashashi është përdorur si çaj, tinkturë, duhan; në kremëra etj. Lulja e hashashit ka deri në 10 herë më shumë substanca aktive se gjethja, dhe deri në 100 herë më shumë se kërcejtë dhe farat.

Kultivimi i hashashit mund të kryhet vetëm me leje nga Ministria e Brendshme. Posedimi i dozave të vogla të hashashit, për përdorim personal nuk konsiderohet vepër penale.

Hashashi është përdorur që në mijëvjeçarin e 3-të përpara erës sonë. Përdorimet mjekësore të tij përfshijnë: kundër nauzeas dhe të vjellave; kundër glaukomës (pakëson tensionin e syrit); kundër dhimbjeve, sidomos atyre neuropatike (si analgjezik); për shtimin e oreksit etj. Gjatë luftës së dytë botërore është përdorur në hetimin e të dyshuarve për të nxjerrë prej këtyre informacione në gjendje të droguar. Në disa shtete të SHBA-së hashashi konsiderohet bimë mjekësore që mund të rekomandohet nga mjeku.  (http://en.wikipedia.org/wiki/Marijuana)

Gjithashtu, vaji i hashashit perdoret per sherimin e kancerit (per me shume lexoni artikullin mbi kurat natyrale kunder kancerit)

Aktualisht rreth 60 organizata shëndetësore ndërkombëtare dhe të SHBA-së kërkojnë ligjërimin e përdorimit mjekësor të hashashit (http://norml.org/marijuana/medical).

44. Herniaria (Herniaria glabra, Herniaria hirsuta, familja Carophyllaceae)

Droga përbëhet nga bari i lulëzuar i tharë i herniarieve, bimë që takohet në vende të thata, ranore e gurishtore, në fusha etj.

Droga përdoret si antiseptik në krizat e veshkave, në pezmatimet e fshikëzës së urinës; në rastet e gurëve dhe të rërës në rrugët urinare, në sëmundjet kronike të veshkave dhe në rastet e pakësimit të nxjerrjes së lëngjeve nga organizmi. Droga ka veti të qetësojë dhimbjet.

2-3 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta duke e përzier herë pas here, pastaj kullohet dhe pihet. Merren 2 doza të tilla në ditë.

45. Hithra (Urtica dioica, familja Urticaceae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të hithrës.

Gjethet e hithrës përdoren kundër anemisë; për ndalimin e hemorragjisë; si ndihmëse në sëmundjen e sheqerit; si nxitëse të urinimit; për shtimin e qumështit tek gratë me fëmijë në gji; si mjet diuretik i lehtë në pezmatime të rrugëve të urinës, në edema dhe në reumatizëm; si mjet ndihmës në sëmundje të mëlçisë dhe të tëmthit; në formë çaji kur organizmi ka nevojë për vitamina; si perime kundër anemisë si dhe për të fuqizuar dhe harmonizuar punën e zorrëve. Hithrat e freskëta, të rritura, përdoren në reumatizëm si mjet që nxit qarkullimin e gjakut në lëkurë (veprimi djegës dhe kruajtës). Droga përdoret edhe nga jashtë për të nxitur rritjen e flokëve, kundër zbokthit, për mjekimin e ekzemës etj.

Droga e tharë, si dhe ekstraktet e fituara nga bima e njomë, por me ngrohje, nuk kanë veti djegëse. Këtë veti e ruajnë ekstraktet alkoolike që fitohen nga bima e freskët.

Një luge supe me drogë të grimcuar zhytet në një gotë me ujë, zihet 5 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet. Merren 1-3 doza të tilla në ditë.

46. Hudhra (Allium sativum, familja Liliaceae).

Thelpinjtë e hudhrës përdoren si anti-mikrobike; në sëmundjet e aparatit tretës stomak-zorrë; në qetësimin e spazmave të zorrëve; për dezinfektimin e aparatit tretës; për  normalizimin e prodhimit të lëngjeve tretëse; shtimin e prodhimit të tëmthit; kundër parazitëve të zorrëve (kundër oksiureve); për zhdukjen e gazeve; për uljen e tensionit (të ngritur të gjakut); kundër sklerozës; kundër shtrëngimeve të zemrës, në sëmundje të aparatit të frymëmarrjes për nxjerrjen e gëlbazës; në parandalimin e infeksioneve; për mjekimin e plagëve të infektuara; në sëmundjet infektive, si psh. kundër gripit, tifos, difterisë, dizanterisë dhe kollës së mirë (kolla e bardhë, pertussis); si kundërhelm në helmimet me nikotinë.

Përdoren disa thelpinj hudhër në ditë. Nga hudhra përgatitet alkoolaturë si vijon: merren 200 gr hudhra, zhvishen, copëtohen dhe lihen të zhytura në 1 litër alkool 60o për 10 ditë rresht, duke e tundur herë pas here. Përgatitja bëhet në enë prej qelqi, porcelani ose të zinguara. Pas 10 ditësh lëngu kullohet dhepërdoret 2-4 herë në ditë 20 deri në 40 pika në sëmundjet e ndryshme të brendshme.

Shirupi i hudhrës përgatitet si vijon: 1 pjesë hudhër lihet e zhytur në 2 pjesë ujë të vakët (37o) për 1 orë duke shtuar disa pika uthull të fortë. Përzierja kullohet, i shtohen 2 pjesë sheqer, i cili tretet me ngrohje të lehtë. Nga ky shurup përdoren 2-3 lugë supe në ditë.

Kundër parazitëve hudhra merret në formë klizme si vijon: 10 gr hudhra shtypen dhe zhyten në ¼ litër ujë ose qumësht ku lihen 12 orë, pastaj lëngu kullohet dhe përdoret në dy klizma.

Për mjekimin e plagëve përdoret qull hudhre, duke zhytur disa thelpinj të cilët përzihen me gjalpë e vaj.

Bimët mjekësore për të cilat nuk është përmendur afati i skadencës së cajit të tharë e kanë skadencën 18 muaj.

Burimet:

  • “Bimet Mjekesore ne Familje”, me autorë P. Kokalari, Z. Sima,  P.Xinxo, Tirane,
  • Wikipedia
  • “Gjogjito Novenyek” (“Bimët Mjekësore”), me autorë Rapoti Jeno, Romvary Vilmos, Budapest, 1999
This entry was posted in Shendeti pa ilace. Bookmark the permalink.