Pasojat negative ne shendet te pastertise se tepruar

Shënim: Ky informacion është vetëm për edukim personal. Për diagnostikime dhe trajtime shëndetësore drejtohuni mjekut.

Në mjekësi ekziston një teori pak e dëgjuar në media, se mungesa e mikrobeve, kryesisht atyre të mira, e krimbave parazitë dhe mikro-organizmave të tjerë në ambjentin përreth dhe trupin e njeriut sjell dobësim të imunitetit dhe prirje të tij për çrregullime si alergji, sëmundje autoimune madje dhe kancer.

Kjo quhet teoria e higjenës, më poshtë mund të gjeni një përkthim të përshkrimit të kësaj teorie në Wikipedia.

Bazuar në këtë teori këshillat që mund të jepen për forcimin e imunitetit, shmangjen e alergjive, sëmundjeve autoimune janë:

-Të mos abuzojmë në përdorimin e antibiotikëve, të cilët shkatërrojnë mikro-florën e rrugëve të tretjes. Të mos përdorim antibiotikët pa recetën e mjekut.

-Të mos përdorim artikuj kozmetike dhe sapunë, shampo me përmbajtje antibiotike

-Të kufizojmë larjet shumë të shpeshta, sidomos të fëmijëve të vegjël

-Rekomandohet përdorimi i kosit, sidomos i kosit të bërë vetë, sepse ka shumë bakterie

-Rekomandohet mbajtja e kafshëve shtëpiake etj.

Steriliteti i ambjentit, sikurse dhe ndohtja, është pasojë indirekte e industrializimit dhe urbanizimit.

 Hipoteza e higjenes

http://en.wikipedia.org/wiki/Hygiene_hypothesis

Në mjekësi hipoteza e higjenës hedh tezën se mungesa e ekspozimit ndaj mikrobeve patogjene, ndaj mikroorganizmave jo-patogjenë si psh. flora e zorrëve (quajtur ndryshe probiotikë), si dhe ndaj parazitëve, në fëmijërinë e hershme, rrit prirjen për sëmundje alergjike duke penguar zhvillimin normal të sistemit imunitar. Edhe përhapja e sëmundjeve të tjera si psh. e sëmundjeve autoimune, e leuçemisë akute në të rinj në botën e zhvilluar shpjegohet nëpërmjet hipotezës së higjeës. Ka të dhëna se dhe autizmi shkaktohet nga probleme me imunitetin, një studim implikon higjenën si një shkak të autizmit.

Përmbajtja

  • 1 Historia
  • 2 Mekanizmi i veprimit
  • 3 Shtrirja e hipotezës
  • 4 Provat
  • 5 Terapia me parazita
  • 6 Hipoteza alternative

 Historia

Megjithëse idea se ekspozimi ndaj infeksioneve pakëson rrezikun e alergjive nuk ishte e padëgjuar në kohën e tij, David P.Strachan ishte shkencëtari i parë i cili shpjegoi dhe shkencërisht arësyet e kësaj në një artikull të botuar në revistën Mjekësore Britanike (tani e quajtur BMJ) në vitin 1989. Në këtë artikull, hipoteza e higjenës u hodh për të shpjeguar faktin që si alergjitë sezonale ashtu dhe ekzema, të dyja sëmundje alergjike, ishin më të rralla në fëmijët që jetonin në familje të mëdha sesa në fëmijët e vetëm, ku të parët ishin të ekspozuar ndaj më shumë infeksioneve për shkak të motrave dhe vëllezërve të tyre.

Hipoteza e higjenës është hetuar gjerësisht nga epidemiologjistët dhe imunologët dhe ka marrë rëndësi të madhe teorike në shpjegimin e çrregullimeve alergjike. Kjo teori shpjegon rritjen e madhe të sëmundjeve alergjike që me fillimin e industrializimit, dhe përhapjen më të madhe të këtyre sëmundjeve në vendet e zhvilluara. Teoria tani është zgjeruar dhe konsideron dhe bakteriet jo patogjene dhe parazitët si modulatorë të rëndësishëm të zhvillimit të sistemit imunitar, përkrah mikrobeve patogjene.

Mekanizmi i veprimit

Sëmundjet alergjike shkaktohen nga përgjigje të gabuara imunologjike ndaj antigjeneve të padëmshëm nëpërmjet qelizave Th2 të sistemit imunitar. Shumë baktere dhe viruse nxisin aktivitetin e qelizave imunitare Th-1 dhe pakësojnë aktivitetin e qelizave Th-2. Mekanizmi i propozuar fillimisht propozonte se stimulimi i pamjaftueshëm i qelizave Th1 të imunitetit qelizor, shkakton aktivizim të tepruar të imunitetit humoral, Th-2, pra të imunitetit që vepron nëpërmjet antitrupave dhe kjo shkakton sëmundje alergjike.

Mekanizmi i propozuar fillimisht nga hipoteza e higjenës nuk arrin të shpjegojë rritjen e frekuencës së disa sëmundjeve autoimune që shkaktohen nga aktiviteti i tepruar i qelizave Th1, si psh. i inflamacionit të zorrëve, sklerozës multiple dhe diabetit tip 1. Mekanizmi alternativ i propozuar është se sistemi imunitar i ri duhet të marrë stimuj nga bakterie patogjene, bakterie jo patogjene ose parazitë që të zhvillojë rregullisht qelizat rregullatore T, në rast të kundërt do të jetë i prirur për të zhvilluar sëmundje autoimune dhe alergjike, për shkak të mos frenimit të duhur të aktivitetit të qelizave Th1 apo Th2.

Shtrirja e hipotezës

Hipoteza e higjenës e pati fillesën në shpjegimin e alergjive sezonale dhe ekzemës, por është zgjeruar dhe studion dhe ndërveprimin e njeriut me lloje të ndryshme mikroorganizmash dhe parazitësh, me të cilët njeriu ka bashkëjetuar gjatë pjesës më të madhe të evolucionit të vet. Ky ndërveprim sipas teorisë është i nevojshëm për të pasur një sistem imunitar të barazpeshuar. Në kohët tona, rritja e pastërtisë, eliminimi i sëmundjeve fëmijnore, përdorimi i antibiotikëve dhe kujdesi i mirë shëndetësor kanë pakësuar ose eliminuar ekspozimin ndaj këtyre mikroorganizmave dhe parazitëve. Mendohet se organizma të rëndësishëm për zhvillimin normal të qelizave rregullatore T, janë psh. laktobacilet, mykobaktere të ndryshme dhe disa lloje parazitësh.

Provat

Hipoteza e higjenës mbështetet nga të dhënat epidemiologjike. Studimet tregojnë se disa sëmundje imunologjike dhe autoimune janë shumë më pak të përhapura në vendet në zhvillim se sa në botën perëndimore dhe se emigrantët që emigrojnë në vendet e zhvilluara vuajnë nga çrregullime imuniteti në proporcion me kohën e qëndrimit në vendin e zhvilluar.

Studimet mbi minj kanë treguar se ekspozimi i minjëve në moshë të re ndaj viruseve sjell pakësimin e frekuencës së diabetit në to.

Eksperimentet qelizore: Në studimin “Shumimi Homeostatik i qelizave T gjatë Pamjaftueshmërisë Imunitare krijon Autoimunitet” shkencëtarët treguan se kur ka shumë pak qeliza T jetëgjata (qeliza T memorizuese), si rrjedhojë e mungesës së infeksioneve, rreziku i zhvillimit të sëmundjeve autoimune rritet. Në këtë gjendje, gjatë shumimit homeostatik, qelizat memorizuese janë të pakta dhe nuk arrijnë të prodhojnë mjaftueshëm qeliza T jetëshkurtra. Kjo sjell shumimin e tepruar të qelizave T autoimune dhe rritjen e rrezikut për sëmundje autoimune si diabeti i tipit 1 dhe skleroza multiple.

Një ndër konkluzionet është se ambjenti i pastër, mungesa e infeksioneve rrit rrezikun e sëmundjeve autoimune.

Edhe sëmundjet e imunitetit që shkaktohen nga aktiviteti i tepruar i qelizave Th2 si psh azma dhe sëmundje të tjera alergjike mund të shpjegohen me hipotezën e higjenës. Foshnja ka shumë qeliza Th2, të cilat stimulojnë prodhimin e antitrupave. Nëse imuniteti i foshnjës nuk stimulohet mjaftueshëm nga infeksionet, ai do të ketë shumë qeliza Th2, duke rritur rrezikun e një çrregullimi imunitar. Nëse fëmija ekspozohet ndaj infeksioneve atëhere do të aktivizohen qelizat Th1 të imunitetit, do të pakësohet aktiviteti i qelizave Th2 dhe i antitrupave që ato nxisin, dhe si rrjedhim do të ketë një prirje më të vogël për tu sëmurur nga sëmundje alergjike si azma. Për fat të keq vaksinimi shfrytëzon vetëm mekanizmin e qelizave Th2 për ti dhënë imunitet fëmijës.

Në vendet e zhvilluara ku sëmundjet e fëmijërisë janë eliminuar, frekuenca e azmës në të rinjtë është rreth 10%. Në shekullin e 19 azma ishte një sëmundje shumë e rrallë.

Studime afatgjata në vendet e botës së tretë tregojnë se çrregullimet e imunitetit shtohen me zhvillimin e vendit, që shoqërohet zakonisht me rritjen e pastërtisë. Përdorimi i antibiotikëve gjatë vitit të parë të jetës është lidhur me azmën dhe sëmundje të tjera alergjike. Gjithashtu, përdorimi i detergjentëve antibakterialë është lidhur me një frekuencë më të lartë të azmës, sikurse dhe lindja me operacion në vend të lindjes natyrale. Megjithatë, këto studime  tregojnë lidhje të dobëta shkak-pasojë midis faktorëve dhe sëmundjeve që pretendohet se ata shkaktojnë.

Ka dhe eksperimente të tjera të cilat mbështesin hipotezën e higjenës. Eksperimentet në laboratorin e Profesores Anne Cooke në Universitetin e Kembrixhit treguan se minjtë e species NOD (të cilët zhvillojnë diabetin e tipit 1 në mënyrë spontane) kishin një frekuencë të pakësuar të kësaj sëmundjeje nëse ishin të infektuar me parazitin Schistosoma mansoni.

Një grup studiuesish në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Kalifornisë, San Diego, në nëntor 2009, zbuluan se bakteret Staphylococci ndihmojnë në pakësimin e inflamacionit.

Një studim i bërë mbi 2500 gra shtatëzëna në Uganda tregoi se foshnjat e grave të kuruara me ilaçe kundër parazitëve kishin dyfishin e frekuencës së ekzemës së diagnostikuar.

Terapia me parazitë

Përdorimi i parazitëve, veçanërisht i krimbave parazitë, për të kuruar sëmundjet që sipas teorisë së higjenës shkaktohen nga mungesa e infeksioneve, po studiohet në Britaninë e Madhe, në SHBA dhe në Australi.

Për shkak të rezultateve pozitive të arritura nga këto studime, aktualisht kanë filluar të përdoren dy lloje terapish me parazitë, terapia me vezë të Trichuris suis dhe terapia me larva të Necator americanus.

Terapia me krimba trajton të sëmurët me çrregullime imuniteti dhe sëmundje autoimune duke i infektuar qëllimisht me larva të krimbave parazitë ose me vezë të tyre. Kjo terapi premton në trajtimin e disa sëmundjeve autoimune përfshirë sëmundjen e Kronit, skleroza multiple, azma dhe koliti ulçeroz. Dhe sëmundjet autoimune të mëlçisë ndikohen nga infektimi me krimbat parazitë.

Përveçse në trajtimin e çrregullimeve autoimune po studiohet përdorimi i kësaj terapie edhe në sëmundje që shkaktohen nga inflamacioni por që nuk konsiderohen si autoimune ose rrjedhojë e çrregullimeve të imunitetit. Sëmundjet e zemrës dhe arterioskleroza kane përhapje epidemiologjike të ngjashme me sëmundjet autoimune dhe kanë lidhje me inflamacionin. Përhapja e tyre nuk mund ti atribuohet vetëm faktorëve ambjentalë. Studimet e fundit përpiqen të hetojnë çrrënjosjen e krimbave parazitë dhe efektin që kjo mund të ketë sjellë në këto sëmundje.

Terapia e krimbave parazitë u zhvillua si rezultat i hipotezës së higjenës. Nëse terapia me krimba parazitë apo terapi të tjera që përdorin organizma të tjerë infektues, si psh. protozoarë, dalin të sukseshme dhe të sigurta, hipoteza e higjenës mund të ketë ndikim të madh në praktikën e mjekësisë në të ardhmen.

Hipoteza alternative

Ka shumë hipoteza të tjera të cilat përpiqen të shpjegojnë rritjen e alergjive në vendet e zhvilluara, teori të cilat marrin nga njëra tjetra. Faktorë të tjerë në të cilët fokusohet mjekësia është ushqyerja e foshnjave, mbi-ekspozimi ndaj alergjenëve dhe ndohtja e ambjentit. Studimet mbi ushqyerjen e foshnjave investigojnë nëse foshnjat ushqehen me gji dhe për sa kohë, kur fillojnë të ushqehen me gatime dhe lloji i këtyre, nëse ushqehen me qumësht lope dhe madje si proçesohet qumështi me të cilin ushqehen. Shumë studime raportojnë se tepria e antigjenëve në vendin e punës mund të shkaktojë sëmundje alergjike, si psh. alergjia e eksperimentuesve ndaj kafshëve të laboratorit, pneumonia alergjike ndaj zogjve, pneumonia alergjike e fermerit. Teoria e tretë alternative sugjeron se ndohtja (smogu) mund të jetë shkaktare e këtyre sëmundjeve, megjithëse disa mendojnë se vendet e zhvilluara kanë më pak smog sot sesa në vitet e hershme të revolucionit industrial.

Një hipotezë tjetër është ajo e Albert Bernard dhe kolegëve të tij, sipas të cilit azma dhe ekzema shkaktohen nga klori në ujin e klorinuar. Kjo hipotezë u propozua në vitin 2003 dhe bazohet në të dhëna epidemiologjike.

About these ads
This entry was posted in Shendeti pa ilace and tagged . Bookmark the permalink.