Kozmetika natyrale

Pergatiti: Rita Strakosha

Shumë produkte kozmetike sot përdorin si lëndë të parë nënproduktet e naftës. Psh. shkëlqyesi i buzëve: ka vaj nafte; vazelina: eshte derivat i naftës; manikyri: ka toluen.

Një listë të derivateve të naftës të përdorura në kozmetikë mund ta gjeni në http://www.health-report.co.uk/ingredients-directory.htm#mineraloil.

Pakësimi i naftës do të sjellë shtrenjtimin e produkteve të kozmetikës. Prandaj do ju njohim me disa produkte kozmetike natyrale, të cilat kanë kosto më të ulët dhe mund të zëvendësojnë produktet sintetike. Metodat e treguara janë metoda të vjetra popullore:

1.      Depilimi me agda.

2.   Depilimi me pe

3.      Lyerja e flokëve.

4.      Rrudhat e fytyrës.

5.      Kremi për lëkurën.

6.      Përdorimi i niseshtesë si pudër

1.      Depilimi me agda

Agda përdoret në vend të dyllit dhe shpesh quhet dhe depilimi persian. Është përdorur që në 1900 para krishtit, kur një lëkurë e lëmuar konsiderohej si standarti i bukurisë, rinisë dhe pafajësisë për gratë në Egjipt.

Xheli agda është më pak i dhimbshëm se dylli, sepse xheli ngjitet pas qimeve pa u ngjitur pas lëkurës. Xheli mund të aplikohet pa u nxehur, thjesht me temperaturën e dhomës ose të jetë pak i vakët. Kështu nuk shkakton djegje në lëkurë, si dylli. Gjithsesi mund të shkaktojë irritim të lëkurës.

Përgatitja

Agda përgatitet me:

  • 1 pjesë sheqer
  • 1/8 pjesë uthull, ose lëng limoni/portokalli (limontozi nuk bën)
  • 1/8 pjesë ujë

Pjesët janë njësi vëllimi.

Sheqeri i përzier me ujin dhe limonin vihen në zjarr. Gjatë zierjes lëngu do të ndryshojë ngjyrë në të verdhë. Duke eksperimentuar me kohëzgjatjen e zierjes do të kuptojmë nga përvoja se kur xheli është bërë. Pas zierjes e lëmë të ftohet derisa të jetë i vakët.

Mund të aplikohet në dy mënyra: e shtrijmë me thikë në lëkurë në drejtimin e qimeve, i vëmë një copë sipër dhe e tërheqim copën me lëvizje të beftë në drejtimin e kundërt të qimeve.

Mënyra e dytë është duke e aplikuar xhelin me dorë dhe tërhequr po me dorë me lëvizje të beftë në drejtim të kundërt të qimeve. Pas përgatitjes ruhet në temperaturë ambjenti. Përpara përdorimit mund ta ngrohni në mikro për 10-15 sekonda.

Që lëkura të jetë sa më e thatë përpara depilimit, mund ta pudrosim me niseshte.

Pas depilimit mbeturinat e xhelit lahen me ujë.

Disa nga videot në Youtube mbi përgatitjen dhe përdorimin e agdës.

http://www.youtube.com/watch?v=FShR0WreBj0

http://www.youtube.com/watch?v=r2BLZgIKuXI&feature=related

http://www.youtube.com/watch?v=VEWpWScn4pc&feature=related

2. Depilimi me pe

Depilimi me pe përdoret për depilimin e sipërfaqeve të vogla, si vetullat psh.

Hapi 1

Marrim një pe ~25 cm të gjatë,  e bëjmë lak.

Hapi 2

-Fusim nga një gisht të secilës dorë në lak. Nyjen e mbajmë të fshehur në gisht.

 

-E përdredhim lakun disa herë (4 herë mjafton).

Hapi 3

-Vendosim gishtin tregues dhe gishtin e madh brenda lakut (pa humbur formën e tij).

-Prekim dy gishtat e njërës dorë, dhe hapim dy gishtat e dorës tjetër. Pjesa e përdredhur e perit do të rrëshqasë. Kjo lëvizje bën të mundur kapjen dhe prerjen e qimeve.

Hapi 4

-Qimet hiqen në drejtim të kundërt me atë të rritjes. Njërën dorë e pozicionojmë mbi vetull, tjetrën nën të. Dora që do të përdoret për të lëvizur pjesën e përdredhur të perit do të jetë dora poshtë vetullës.

-Qimet që duam të presim i vendosim brenda trekëndëshit të perit.

-Hapim gishtat poshtë vetullës, që pjesa e përdredhur të kalojë mbi qimet. Qimja kapet nga përdredhja dhe shkulet!!! Punojmë me lëvizje të shpejta, kështu është më e lehtë dhe më pak e dhimbshme.

Hapi 5

Hapim gishtat e dorës tjetër, kështu përdredhja kalon prapë në qendër të lakut. Përsërisimin hapat e mëparshëm me qimet e tjera.

***Kur bëjmë këtë lëvizje e mbajmë perin larg qimeve, se mos shkulim gabimisht ndonjë që nuk duhet.

Sugjerohet të perfeksionohet përdorimi i perit duke praktikuar fillimisht me qimet e këmbës, përndryshe mund të përfundojmë me vetulla të çuditshme.

Burimi: http://www.instructables.com/id/How-to-thread-eyebrows/?ALLSTEPS

Video: http://www.youtube.com/watch?v=iVmbHB2p4WM

3.      Lyerja e flokëve

  •  Grate e lanin mirë kokën, e shpëlanin 2-3 herë me ujë gëlqereje dhe e krihnin mirë. Zienin dy grushta gjethe frashëri në 2 l ujë. E kullonin dhe e vinin përsëri në zjarr. Hidhnin në të pluhurin e 5-6 fshikëzave që dalin në faqet e poshtme të gjetheve të lisit. Mbasi tretej mirë ky pluhur, hiqej nga zjarri dhe në gjendje të vakët zhytej koka në të, duke u kujdesur që të mos mbetej asnjë fije floku pa u njomur. Në të mbaheshin flokët së paku 20 minuta. Disa flokët i lyenin me furçë.
  • Kena, është bimë që rritet në vendet arabe, dhe është përdorur që në kohërat e vjetra për lyerjen e flokëve. Pluhuri i saj përzihej me frytin e shelgut vajtues. Kokrrat e tij quheshin “bojë”. Në fillim këto i kavërdisnin si kafen, pastaj i shtypnin dhe i bluanin në mullirin e kafesë. Kënaja përzihej me bojë, sipas dëshirës: 10 pjesë këna e një pjesë bojë apo edhe më shumë, boja ishte shumë e zezë. Për një ngjyrosje përdornin 100 gr këna dhe 10 gr bojë. Këto pluhura treteshin në ujë të valuar dhe formonin një qull të trashë me të. E vinin si llapë në kokë, kokën e mbështillnin me pëlhurë. E linin kokën me bojën gjithë natën, ose dhe 24 orë. Pasi e hiqnin pëlhurën e lanin kokën me ujë të nxehtë e sapun dhe e shpëlanin me ujë frashëri.
  • Për tu dhënë flokëve ngjyrën e zezë, merrnin lëkura arre dhe i thërrmonin, i zienin derisa të zbruheshin krejtësisht. Mernin vaj ulliri ose dhjam derri në peshë të barabartë me brumin e lëkurave dhe i zienin së bashku në një zjarr të ngadalshëm. Me këtë përzierje lyenin flokët me anë të një lecke ose furçe dhe i mbështillnin me napë deri në mëngjez.
  • 4-6 kokrra selvije (qiparisi) i thërrmonin dhe i hidhnin në një shishe vaj ulliri, ku i linin për 3 muaj. Si i kullonin, me këtë lyenin flokët sa herë që kriheshin. Ky lëng ka veti ti nxijë flokët dhe të pengojë rënien e tyre.
  • Një dorë petalesh të lulëkuqes i ziejnë në ½ l ujë, i kullojnë, me këtë lëng lyenin flokët
  • Për tu dhënë flokëve ngjyrën e verdhë, merrnin ½ l verë të bardhë dhe i hidhnin 150 gr. raven, i zienin deri në përgjysëm. Pas larjes e tharjes mirë të flokëve i lyenin me këtë përgatitje, duke u dhënë flokëve ngjyrën e verdhë.

4.      Rrudhat e fytyrës

  • Faktorë që rrisin rrudhat në lëkurë dhe që duhen shmangur janë:

a)      Dielli. Në verë mund të përdorni kapele për të  shmangur ekspozimin e lëkurës ndaj diellit.

b)      Ndryshimet e shpeshta të peshës. Me rritjen e peshës lëkura tendoset. Nëse pesha bie në mënyrë të ndjeshme, lëkura duhet të tkurret prapë. Kur kjo ndodh shpesh, dhe me kalimin e moshës, lëkura e humbet aftësinë të tkurret, si rezultat krijohen rrudha.

c)      Përdorimi i shpeshtë i sapunit e than lëkurën. Lëkura e thatë rrudhet më lehtë.

d)     Keq-ushqyerja, pagjumësia, stresi etj..

Për të larguar rrudhat e fytyrës gratë shqiptare përdornin metoda të ndryshme si psh:

  • Përgatisnin një krem me përbërësit: 60 gr. Bulb zambaku; 50 gr mjaltë; 30 gr dyll; 15 gr ujë trëndafilash.

Tretnin më parë në një zjarr të ngadalshëm dyllin e mjaltin, i  perzienin të gjitha së bashku derisa të formohej një lloj pomade.  Me këtë fërkonin fytyrën duke i bërë masazh me kujdes çdo mbrëmje. Këtë masazh e fillonin nga poshtë lart me kujdes e  ngadalë (me durim). Ky veprim mund të përsëritej 2-3 herë  gjatë javës. Në mëngjez e fshihnin fytyrën me një pëlhurë të  butë.;

  •  Përzienin 150 gr brumë buke thekre, të porsa dalë nga furra, 4 të bardha vezësh të freskëta, ¼ l uthull rrushi të fortë. Të ngjeshura mirë me një lugë druri kulloheshin në një napë. Me një pëlhurë të butë, të njomur në këtë lëng fërkonin në darkë fytyrën. Proçedurën e bënin 5-6 mbrëmje;
  • Palcën e kockave të bagëtive, të pazier, e përzienin në sasi të barabartë me lëng limoni, ose me qumësht të pazier. Me një pece të butë lyenin e fërkonin fytyrën nga poshtë lart;
  • Patatet e ziera, i qëronin, i shtypnin, i përzienin me qumësht dhe i ngjeshnin derisa të bëheshin pure. Me këtë lyenin e fërkonin fytyrën çdo mbrëmje. Kjo përzierje në fakt i ngjan krem-pudrës: qumështi i  yndyrshëm luan rolin e kremit, kurse amidoni i patates luan   rolin e pudrës (shënim i R.S.);
  • Përzienin në sasi të barabartë të bardhë veze dhe lëng limoni, derisa të merrnin pamjen e një kremi. Merrnin dy duar krunde të grunjta dhe i zienin në 2 l ujë për ½ orë. E lyenin fytyrën me kremin e përgatitur, pas 10-15 minutave e lanin fytyrën me ujin e kulluar të krundeve. Këtë e bënin çdo mbrëmje;
  • Në darkë i bënin një lëmim të lehtë fytyrës me drejtim nga poshtë lart me një shuk pambuku ose leckë të butë, të njomur në qumësht. Pas gjysëm ore ky lloj masazhi bëhej me pambuk të thatë derisa të pastrohej fytyra nga qumështi. Përsëri bëhej fërkimi i fytyrës si më parë me një copë pambuku të njomur kësaj here në ajkën e qumështit. Pas gjysëm ore, prapë me pak pambuk të thatë, fshihej fytyra derisa të largohej plotësisht ajka. Fytyra lahej me ujë të vakët e fshihej me pëlhurë të butë. Ky veprim bëhej një herë në javë.

5.      Kremi për lëkurën

Ka dy lloje kryesore kremërash: kremi me ujë dhe kremi pa ujë në përbërjen e tij.

Kremi i përgatitur në shtëpi ka përbërës kryesorë: yndyrën (rekomandohet vaji i ullirit), dyllin e bletës; esencën e bimës mjekësore, kryesisht bimë me efekte anti-inflamatore dhe anti-septike (kamomil, lule kumaku, lavandë etj.) dhe sipas rastit ujë.

Në enën ku do të përgatitet kremi, psh. një vazo qelqi, hedhim vajin e ullirit dhe bimën mjekësore, psh. kamomili. E vëmë përzierjen në banjëmari. E lëmë përzierjen e vajit të ullirit me bimën mjekësore të rrijë disa orë në banjëmari, me qëllim që esenca e bimës të shkrihet në vaj.

Pas disa orësh e heqim përzierjen nga ena dhe e filtrojmë vajin. Infuzimi i bimës mjekësore mund të bëhet dhe në të ftohtë, duke e lënë përzierjen disa ditë në temperaturë ambjenti.

Pasi e kemi filtruar përzierjen në një burulluk, hedhim poshtë bimët mjekësore. Enën me përzierjen e vëmë në banjëmari dhe i hedhim dyllin e bletës. E lëmë derisa dylli të shkrijë dhe të përzihet me vajin. Duke ndryshuar përqindjen e dyllit ndaj vajit ndryshon ngurtësia e kremit: më shumë dyll e bën kremin më të trashë. Nëse kremi del shumë i lëngshëm e ringrohim dhe i hedhim më shumë dyll. Nëse del shumë i ngurtë, e ringrohim dhe i hedhim më shume vaj. Raporti i rekomanduar është ~25 gr dyll blete : 100 ml vaj.

Nëse kremin do e përgatisim me ujë, atëhere raporti i rekomanduar është ~25 gr dyll blete : 100 ml vaj: 25 ml ujë.

Pasi kemi shkrirë dyllin në vaj, shtojmë ujin e nxehur pika-pika, duke e trazuar mirë përzierjen.

Kremin e përgatitur mund ta përdorim për zbutjen e lëkurës së thatë.

Në vend të vajit të ullirit mund të përdoren dhe lloje të tjera yndyrnash si psh. vaj luledielli, vaj bajameje etj.. Vaji i ullirit ka anën pozitive që është anti-septik.

Kremi duhet ruajtur nga lagështia dhe rrezet e diellit që të rrojë më gjatë. Nëse ruhet në porcione të vogla prishet më shpejt sepse është më i ekspozuar ndaj ajrit, prandaj mundësisht të ruhet në enë të madhe me grykë të ngushtë.

Me kalimin e muajve yndyra e kremit acidifikohet, mendohet se kremi rron rreth 3 muaj pas përgatitjes.

6. Përdorimi i niseshtesë si pudër 

Niseshteja mund të përdoret për lëkurën në vend të pudrave minerale si talku. Ajo thith lagështirën e lëkurës dhe duke e mbajtur të thatë pakëson numrin e mikrobeve në të, kështu pakëson mundësinë e acarimit të lëkurës dhe të daljes së pucrrave.

Literatura

Libri “Mjekësia popullore, kulturë e lashtë në shërbim të shëndetit”, i autorit Hysni Ndoja

http://en.wikipedia.org/wiki/Sugaring_(epilation)

http://www.ehow.com/how_2093151_make-ointment.html

http://hubpages.com/hub/How-to-Make-Ointment-and-Cream

http://www.cosmeticsinfo.org/ingredient_details.php?ingredient_id=977

About these ads
This entry was posted in Kozmetika natyrale. Bookmark the permalink.