Higjena natyrale: pa detergjente

Pergatiti: Rita Strakosha, ritastrakosha@yahoo.com

Materialet që përdoren sot për higjenën e ambjentit dhe atë personale janë kryesisht sintetike: ilaçi i enëve, detergjentët e rrobave, sprucoja e dritareve, shampoja etj. Cmimi i tyre do të rritet për shkak të shtrenjtimit dhe pakësimit të naftës. Prandaj zëvendësimi i tyre do të jetë domosdoshmëri.

Nisur nga problemet e shumta shëndetësore që shkakton ndohtja nga kimikatet është një zëvendësim që do të sjellë efekte pozitive në shëndetin e njerëzve dhe për pastrimin e ambjentit.

Materialet dhe mënyrat që përdoreshin për sigurimin e higjenës, përpara “epokës së naftës” ishin, ndër të tjera:

1. Uji
2. Sapuni
3. Finja
4. Uthulla
5. Soda e bukës
6. Limoni
7. Vaji i ullirit
8. Bimët e pasura me saponine

9. Kripa

10. Urina e ndenjur

1. Uji


Nganjëherë, kur pastrojmë me detergjentë, harrojmë se uji është përbërësi kryesor që pastron.
Nëse kemi pak detergjent, të përdorim shumë ujë, mundësisht të rrjedhshëm.
Uji i nxehtë pastron më mirë se uji i ftohtë.
Sipas ekspertëve kjo shpjegohet me faktin që :
1) rritet shpejtësia e reaksioneve – nxehtësia rrit shpejtësinë e të gjitha reaksioneve, përfshirë dhe psh. lagjen e hapësirës midis pisllikut dhe fibrave të rrobës.
2) rritje e aftësive shkrirëse – (për shkak të entropisë) edhe pa sapun, sasi të vogla të disa lloj yndyrnash treten në ujë. Në ujë të nxehtë sasia e yndyrës së tretur mund të jetë dhe 10 herë më e
madhe.
3) shkrirja – disa yndyrna janë dyll që shkrin në temperatura të ulëta, shkrirja e bën më të lehtë penetrimin e ujit me sapun dhe shkëputjen e yndyrës. Edhe yndyrat që nuk arrijnë të shkrijnë, të
paktën zbuten (http://www.newton.dep.anl.gov/askasci/gen01/gen01759.htm).
4) vret më shumë mikrobe se uji i ftohtë.
Anët negative të ujit të nxehtë janë që shkakton zbehjen e ngjyrave të rrobave dhe tkurrjen e disa pëlhurave (psh. leshit). Njollat e proteinave (njolla gjaku, fekalesh, qumështi etj.) këshillohet të trajtohen me ujë të ftohtë fillimisht përpara se të lahen, sepse uji i nxehtë i fikson më keq nëse aplikohet që në fillim.

Uji i butë
Mineralet e shumta në ujin e fortë lidhen me sapunin dhe vështirësojnë veprimin e tij me ujin. Rrobat strëngen. Uji i butë ka më pak minerale se uji i fortë dhe pastron më mirë. Uji i shiut është ujë i butë.

Larja e xhamave mund të bëhet fare mirë vetëm me ujë: Xhamat fillimisht lahen me leckë të njomë, pastaj fshihen me leckë të thatë. Përdoren pëlhura që nuk lëshojnë push. Lëkura është materiali më i mirë për të larë xhamat.

 
2. Sapuni

Sapuni (për fat të mirë!) ka ekzistuar përpara se të zbulohej nafta. Sapuni prodhohej nga reaksioni i yndyrës me origjinë bimore (vaji i ullirit psh.) ose shtazore (dhjami) me finjën.

Mendohet se substanca të ngjashme me sapunin janë përdorur të paktën që në vitin 2800 para erës sonë në Babilon. Në mbretërinë e Nabonidus-it (556-539 p.k.) receta për sapunin ishte: hi, vaj qiparizi, vaj sezami “për të larë gurët për shërbëtoret”. Në një tabelë argjile babiloniane të vitit 2200 p.k. formula për bërjen e sapunit ishte: ujë, alkali dhe vaj kanelle.
Egjiptianët e lashtë laheshin me sapun dhe përdornin një substancë të ngjashme me sapunin për përgatitjen e leshit për thurje. (http://en.wikipedia.org/wiki/Soap ).

Këtu mund të mësoni si ta bëni vetë sapunin.

Me sapun mund të lajmë me dorë, por mund ta përdorim dhe në lavatriçe. Për ta përdorur në lavatriçe  e grijmë me rende, sapunin e grirë e shkrijmë në një enë me ujë të nxehtë dhe pastaj e hedhim në ndarjen për ilaçin e rrobave pasi lavatriçja të ketë filluar marrjen e ujit.

Sapuni, ndryshe nga ilaçi i rrobave, i strëng rrobat e bardha, kështuqë në cilësinë e larjes humbasim diçka. Për të shmangur strëngjen mund ti ziejmë rrobat e bardha. Për një larje sa më të mirë me sapun, rrobat i lëmë disa orë të regjen në ujë me sapun, mundësisht në diell, dhe pastaj i lajmë.

Nëse kemi mundësinë të përdorim dhe lavatriçe e ilaç rrobash, mund të përzgjedhim rrobat më pak të pista për ti larë me sapun e me dorë, kurse rrobat e tjera i lajmë me lavatriçe.
3. Finja

Në fshatrat shqiptare, në kohërat e vjetra, finja është përdorur gjerësisht për pastrim, thotë 93 vjeçarja Tatjana Alliaj, nga Cakrani. Plagët dizifektoheshin me ujë ku ishte tretur hi i bardhë. Kur binte zgjebja, lëkurën e lanin me finjë. Rrobat laheshin në përrua me finjë. Finja është bazike, prandaj duhet pasur kujdes në përdorimin e saj. Sikurse shumë materiale të tjera natyrale, dhe kjo ka nevojë për dru për tu prodhuar.
Finja përgatitet nga tretja e hirit të bardhë në ujë të butë. Preferohet të bëhet nga uji i shiut (ujë i butë). Hiri i koniferëve (pisha, bredha) nuk është i përshtatshëm për bërjen e finjës. Këtu mund të lexoni si përgatitet finja për prodhimin e sapunit. Kjo është me përqëndrim të lartë, nuk përdoret për larjen e lëkurës sepse e djeg.
4. Uthulla


Uthulla është disinfektuese, tret yndyrnat, gurët gëlqerorë. Uthulla nuk duhet përdorur në mermer. Nuk lë erë pas përdorimit, era ikën pasi thahet.
Përdorimet:
1. Banjo – Me të mund të pastroni vaskën, Wc-në, dyshemenë e banjos. Uthulla e paholluar tret mirë gurët e krijuar në porcelanin e WC-së.
2. Në kuzhinë- soba, dyshemeja.
3. Në lavatriçe-Uthulla mund të përdoret në vend të zbutësit të rrobave. Në proçesin e shpëlarjes mund të shtojmë 50 ml uthull në vend të zbutësit. Uthulla e tret mirë detergjentin. Kjo ndihmon sidomos për personat me lëkurë të ndjeshme.
5. Soda e bukës

Egjiptianët e lashtë përdornin për pastrim, në mënyrë të ngjashme me sapunin, depozita natyrale të natronit, një mineral që është përzierje e:
· Na2CO3·10H2O i quajtur ndryshe hi sode
· 17% sodë buke
· Sasi të vogla kripe gjelle dhe kripe sulfati.
Përdorimet e saj janë të shumta:

  • Është shumë efikase në tretjen e yndyrnave, prandaj mund të përdoret në vend të sapunit dhe detergjentëve për higjenën personale, në larjen e enëve, të dyshemesë etj.
  • Është deodorant i mirë dhe thith erërat e këqija. Psh. nëse keni fëmijë të vogël dhe nuk e keni shpëtuar dot dyshekun gjatë muajve të mësimit të oturakut mund te hidhni mbi njollat në dyshek sodë buke. E lini disa kohë dhe pasandaj e shkundni sodën. Dysheku nuk duhet të mbajë më erë.
  • Shpesh përdoret në lavatriçe në vend të zbutësit si dhe për largimin e erërave.
  • Mund të përdoret në vend të pastës së dhëmbëve. Pluhuri i saj pastron mekanikisht dhëmbët dhe mishrat e tyre, neutralizon aciditetin e gojës si dhe vepron si antiseptik.
  • I tretur në ujë të ngrohtë largon ngjyrën e lënë nga çaji dhe kafja në enët e kuzhinës. Etj

6. Limoni


Lëngu i limonit është një substancë tjetër natyrale e cila mund të përdoret për të pastruar.
Efekti është i ngjashëm me atë të uthullës. Lëngu tret depozitat gëlqerore në porcelanet e lavmanëve, vaskës etj. Është sidomos i mirë për të pastruar dhe shndrritur tunxhin dhe bakrin. Mund të përzihet me uthullën për të krijuar detergjent me efekt më të fortë.
Nëse përziejmë limonin me vaj ulliri, 2 pjesë vaj ulliri: 1 pjesë limon, përzierja mund të përdoret për të llustruar mobiljet prej druri. Një lëkurë limoni ose portokalleje e lënë mbi tavolinë aromatizon ajrin e dhomës.
7. Vaji i ullirit


Grekët dhe romakët nuk e përdornin sapunin (http://www.wisegeek.com/what-is-astrigil.
htm ). Ata laheshin në ujë të ngrohtë. E lyenin dhe fërkonin lëkurën me vaj ulliri dhe e hiqnin vajin me strixhil.

Foto: Strixhil
Vaji i ullirit thith yndyrën e lëkurës, bashkë me të dhe papastërtitë. Sot përdoret për pastrimin e makiazhit nga lëkura e fytyrës, e cila është më delikate se në pjesët e tjera të trupit. Lëkura lyhet dhe fërkohet mirë me vajin e ullirit. Pasandaj fërkohet me një pëlhurë
të lagur (burulluk psh.) që ti hiqet yndyra.
8. Bimët e pasura me saponine

Saponaria Officinalis

Saponinet ndodhen në shumë bimë, kryesisht në bimë që rriten ne vende të thata, dhe mendohet se i mbrojnë ato nga mikrobet dhe myqet. Ndër bimët që kanë shumë saponine dhe që rriten në Shqipëri është Saponaria Officinalis.

Saponaria officinalis, është bimë e familjes së karajfilave. Emri i saj e ka origjinën nga fjala “sapun” dhe i referohet përdorimit të saj për pastrim. Rritet nga Europa në Siberi, në vende të freskëta, nën ferra, anash rrugëve. Arrin lartësinë rreth 70 cm, ka kërcell të padegëzuar (shpesh me nuanca të kuqe). Lulet e saj janë rozë ose të bardha. Lulëzon nga Maji në Shtator (http://en.wikipedia.org/wiki/Saponaria ).

Historikisht është përdorur për larjen e pëlhurave delikate (mëndafsh?). Një recetë shampoje e përgatitur nga Saponaria (http://ww.easy-homemaderecipes.com/soapwort-shampoo.html ):

  • 2 goda ujë i distiluar
  • 1 lugë e gjysëm rrënje saponarie, e tharë.
  • 2 lugë bime aromatike

Zihet uji. Pasi arrin vlimin, ulet zjarri, i hidhet saponaria dhe lihet të ziejë në zjarr të ngadaltë për 20 minuta. Hiqet nga zjarri, i shtohet bima aromatizuese, lihet të ftohet. Lëngu kullohet (në burulluk psh.), ruhet në shishe, mjafton për 6-7 larje. Duhet të përdoret brenda 8-10 ditësh. Ruhet në vend të freskët dhe të errët.

9. Kripa

Kripa ka vetinë  të  thithë lëngjet dhe ti largojë  ato nga sipërfaqja. Eshtë sidomos e mirë në thithjen e yndyrnave. Mund ta përdorim për pastrimin e enëve, të furnellave, të dhëmbëve etj.

10. Urina e ndenjur

Foto: Duke larë lesh në kazan me ujë dhe urinë të ndenjur (foto ne Enciklopedine e Diderot, shek. 18)

Urina e ndenjur është e pasur me amonjak, i cili ka veti bazike, gërryese. Ajo në Europë është përdorur deri në shekullin e 19 për pastrimin e leshit përpara tjerrjes së tij. Në Romën e lashtë përdorej për zbardhimin e tunikave të leshit, për larjen e dyshemeve etj.. Thënia e famshme “Pecunia non olet” (paraja nuk mban erë) vjen nga perandori romak Vespasian kur ky ndaj të birit që ju ankua për pështirosjen që i jepte taksa mbi urinën (kjo filloi të taksohej si mall) u përgjigj me shprehjen “Pecunia non olet”.

About these ads
This entry was posted in Higjena natyrale. Bookmark the permalink.